More
    KreuLetërsiBibliotekëUran Krasniqi: Të dashurës së tjetrit

    Uran Krasniqi: Të dashurës së tjetrit

    Ç’lule je ti

    Ç’lule je ti
    Që mes ndërtimeve të egra shpërtheve
    Më bëre borxhli
    Qenien time ujë do ta bëj
    Që të mos të lë të thahesh


    Parajsë e shkurtër

    S’ka pasur ëndrra të natës e të ditës
    Në të cilat s’të kam parë
    Çdo herë kam dashur të vdes
    Sa herë që s’kam mundur të të prek
    Kur më ke humbur s’jam ndalur
    Duke ndezur drita tuneleve
    Pasi të gjeta
    Të preka …
    veç për ta ditur që ekziston


    I njëjti qytet

    Ai ishte i njëjti qytet
    Sikur kur afroheshim e sikur kur largoheshim
    Ne ishim dëshmitarët e rritës dhe zvogëlimit të tij
    Kur vija drejt teje e kaloja me një hap
    Kur largohesha nga ti s’ia gjeja fundin
    Ai ishte i njëjti qytet
    Ai ishte i njëjti qytet
    Vetëm se të lehtë e bënte dashuria
    Dhe të rëndë urrejtja


    Mount Everest

    Ajo ishte një majë e papushtuar,
    Mount Everest ajo vërtet ishte,
    sa thoshe tash në krye kam shkuar,
    kur e shihje se vetëm në fillim ishe.

    Asgjë s’të ndihmonte alpinist të ishe,
    vetëm një mënyrë ishte ta pushtoje,
    jo duke synuar që të të ngjiteshe,
    po që asnjëherë të mos ia filloje.


    Ëndërr

    Mbrëmë m’u hodhe në krah
    nuk e di çfarë t’u kujtua
    duke qarë më thoshe më fal
    pas pak u zgjova i përlotur
    po mendoja çfarë kisha
    nuk mund t’ia falja vetes
    që të kisha bërë të qaje
    edhe pse vetëm në ëndërr


    Ekspozitë

    Kur të plakem (nëse mbërrij)
    dua ta hapë një ekspozitë
    me fotografi mjekësore
    të zemrës
    të syve
    të trurit
    të këmbëve
    dhe do të ftoj (nëse je gjallë)
    për ta parë
    se si një jetë
    të kam bartur në qenien time


    Të dashurës së tjetrit

    Po të ishin mendimet tulla
    atëherë sa herë kam menduar për ty
    me atë sasi materiali në disponim
    do të mund të ndërtohej rrokaqielli më i madh në botë
    Po nuk do e ndërtoja
    nuk jam aq budalla
    që pastaj mbi vuajtjen time
    ta mundësoj ti të shkosh atje
    me të dashurin tënd
    e fotografitë ku dukeni afër qiellit
    t’i postoni në Facebook


    Sozia jote

    E kam takuar sozinë tënde
    dhe kam dashur ta ndaloj
    ta akuzoj
    pse është kipci yt
    pse më mashtron
    kush ia ka dhënë të drejtën
    t’i ketë flokët e tua
    sytë e tu
    gojën tënde
    ecjen tënde
    dhe shpirt tjetër


    403

    Para shumë vitesh
    një derë e dhomës e kishte numrin 403
    po unë kudo që e shoh atë numër
    edhe nëse aty s’ka derë
    edhe nëse ai numër është për diçka tjetër
    unë e vizatoj një derë
    vetëm për ta shtyrë
    për ta hapur
    dhe për të menduar se ajo është ende aty


    Uran Krasniqi (1986) është gazetar dhe poet nga Prishtina. Deri më tash ka botuar dy libra me poezi: “Lule mes ndërtimesh të egra”, Prishtinë, 2020 dhe “Zemër me lëkurë leopardi”, Prishtinë, 2022 si dhe librin me ese: “Mbledhja e shkronjave”, Prishtinë, 2021.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË