More
    KreuTë ndryshmeUran Butka: Një vështrim mbi letrat e imzot Pal Skiro’ drejtuar Mid’hat...

    Uran Butka: Një vështrim mbi letrat e imzot Pal Skiro’ drejtuar Mid’hat Frashërit

    Imzot Pal Skiro (Paolo Schiro’-1866 -1941) peshkop katolik i etnisë arbëreshe të Siçilisë, dekan i  Seminarit arbëresh të Palermos, një nga themeluesit e albanologjisë shqiptare, hulumtues, zbulues  dhe studiues i literaturës së vjetër shqipe, ka pasur letërkëmbim me Mid’hat Frashërin (Lumo Skëndo) në vitet ’30-’40 të shekullit XX. Letrat që  Mid’hat Frashëri i ka dërguar Pal Skiro-it nuk i kemi gjetur, (Albanologu Matteo Mandala bën fjalë edhe për një letër (zarf) të Midhat Frashërit të vitit 1922, dhënë nga studiuesi Aurel Plasari), ndërsa kemi në dorë tri letra në dorëshkrim të  Pal Skiro-it, drejtuar Mid’hatit, mendoj, të panjohura  dhe të pabatuara më parë: Letra e datës 2.VI. 1927, letra e 30 t’dimbrorst 1930 dhe ajo e 10.6. 1938, cilat po i botojmë në origjinal në gazetën ExLibris për lexuesit, më së shumti  për studiuesit e gjuhës dhe të literaturës së vjetër shqipe.

    Imzot Pal Skiroi  rizbuloi në vitin 1909 në Bibliotekën e  Vatikanit veprën e parë në gjuhën shqipe “Meshari”(1555) të Gjon Buzukut (zbuluar  më parë në Kolegjin e Propaganda Fide-s, më 1743,  nga Imzot Gjon Kazazi (1702-1752) gjakovar, peshkop i Shkupit).

    “Imzot Skiroit i takon merita e “rizbulimit” të librit të Buzukut, e bashkë me të edhe të një morie dokumentesh të tjera gjuhësore me rëndësi të jashtëzakonshme, mes të cilave përmendim kopjen e shtypur të veprës së Matrangës “E mbsuame e krështerë” që u gjet në Bibliotekën e Vatikanit.[1]

    Lajmi i rizbulimit u dha nga Faik Konica në revistën “Dielli” të Vatrës, të datës 18 mars 1910.

    Pas rizbulimit të Mesharit, imzot Pal Skiroi  nisi studimin e tij, duke përgatitur një ribotim të tij, të cilin ua njoftoi miqve të tij dhe botuesve. Por, për arsye të ndryshme, studimi “I testi biblici in lingua albanese di dom. Gjon Buzuku, messi in ordine, con traduzione italiana e note”, vepër fryt i “një pune dhjetëravjeçare”, që përmbledh përpjekjet për të dhënë një interpretim fonetik të gjuhës së Buzukut përmes një krahasimi të imët me të dhënat gjuhësore të nxjerra nga veprat e Matrangës, Budit, Bardhit e Bogdanit, mbeti i pabatuar dhe i panjohur, studim që, sipas Matteos, shënon filologjinë moderne shqiptare.[2]

    Paolo Schirò qe jo vetëm një apostull i zellshëm i fesë të krishtene, por edhe një albanolog, që la punime të rëndësishme gjuhësore. Më 25 shkurt 1912 nisi botimin në Palermo të Sicilisë të  fletëpalosjes e përvajshme “Fiala e T’in’ Zoti” (1912-1915), një revistë e vogël, por tejet e rëndësishme, për t’i ndihmuar besimtarët e krishterë arbëreshë të marrnin pjesë në kremtimet e ndryshme liturgjike. Kryeredaktori i fletëpalosjes ishte Imzot Pal Schirò me bashkëpunëtorët e ngushtë papas Gaetano Petrottën e papas Gjergj Dorangrikjen.

    “Fiala e T’in’Zoti” nuk qe vetëm një revistë fetare e së dielës, por edhe e sidomos një shkollë gjuhësie dhe një vatër patriotizmi. Përmes saj, në Kishat arbëreshe të Sicilisë jehonte përsëri gjuha e paharruar shqipe. Fiala e T’in’ Zoti” ishte edhe një nxitje, një ndihmë e një mënyrë për përtëritjen dhe përforcimin e përdorimit të gjuhës së lashtë e të bukur shqipe,  për rizbulimin e përforcimin e identitetit  kombëtar.

    Albanologët më të mëdhenj të kohës, qenë të parët që e  pritën me interes shkencor botimin e “Fiala e T’in’Zoti”, si  Nobert Jokl, Geitle,  Holger Pedersen.  Imzot Pal Skirò pati një letërkëmbim të vlefshëm me studiuesit  dhe atdhetarët e kohës, F.Konica, Kristo Luarasi, Lumo Skëndo, Lef Nosi, atë Shtjefën Gjeçovi, at Gjergj Fishta, dom Lazër Mjeda e shumë të tjerë.

    Letërkëmbimi me Mid’hat Frashërin shfaq bashkëpunimin  mes dy albanologëve në fushë të shqipes.

    Në letrën e dates 2.VI.1927, Pal Skiro i kumton Mid’hatit se po i dërgonte koleksionin e revistës “Fjala e T’in’Zoti”, që M.Frashëri ia kishte kërkuar. “i dërgonj Zotëris sate koleksionin e Fjalës t’im Zoti qi më lyp”, si edhe dy numra të Fjalorit “I dërgonj edhe di numere t’fialorit zënë fill bashk me Fialën”. Skiro-I I shpreh Mid’hatit keqardhjen per botimin e munguar të studimeve te tij dhe të veprës së Buzukut. “Buzuku pret njerimt’e vënjë në shesh”[3]

    Dijetari arbëresh lexonte e vlerësonte studimet mbi autorët e Vjeter të letërsisë shqipe, që botonte Lumo Skëndo tek revistat kulturore-shkencore “Diturija” dhe “Kalendari Kombiar”, veçanërisht punimet linguistike të Lumo Skëndos mbi Frangun e Bardhë (Kalendari Kombiar , viti 1903, Pjetër Budin (Kalendari Kombiar 1905), Pjetër Bogdanin (Diturija, 1927), Fjalorin e Marko Boçarit (1926), Kristoforidhin etj, sidomos artikujt  “mbi Dhiatën e re të Korfuzit e Bogdanin”, për të cilët bën fjalë Pal Skiroi në letrën e tij.

    Në revistën “Diturija”nr.7 të motit 1927 Lumoja botonte të transkriptuar tekste të Dhjatës së Re të përkthyër nga Kristoforidhi, “duke mbetur besnik në fonetikë dhe orthografinë gramatikore të tekstit” [4]

    Po ashtu, në këtë numër të Diturisë, Lumo Skëndo boton””Do copë nga libri  Bogdanit”, që ka tërhequr vëmendjen e Skiro-it. ”Si nga vjetërsia, si nga korrektësia e gjuhës, libri  Bogdanit shikohet prej shqiptarëve si një vepër klasike. Shpesh në bisedimet gramatikore format e gjuhës që përdor Bogdani, sillen si dëshmi të një teze…”

    Letra tjetër e Pal Skiroit për Midhat Frashërin, që mban datën: Palermo, 30 t’Dimbrorst 1930, konfirmon edhe një herë punën e tij të pandërprerë në fushë të shqipes, si edhe shqetërimin për mungesëm e mjeteve monetare për botim. “Më pyet Zotëria kji punë dot kem në dorë? Kam, kam, por të hollat na mënjen e nuk dim si t’i botoje shkresat tona”.[5]

     Ndërkohë atdhetari Pal Skiro  thekson nevojën e bashkimit  të të gjitha përpjekjeve të studiuesve shqiptarë, që gjuha jonë të përparonte. “E prashtu kush e njef (veç Buzukut) Budin? Kemi nevojë të bashkohemi sa gjuha jonë e moçmë të njihet, të shtillet e të përparonjë, të lulzonjë. Kur ndonjëherë të përzihemi gjith-nji-bashku ndë kuvend e të ligjerojem vërteta kje a më bam me randësi? Kemi shkollë, kemi botime, por kje janë përpara dies së vërtetë, përpara të huajit kje na shkelien gjuhën të bukur?”[6]

    Në këtë kuadër, ai interesohet për botimin e Justin Rrotës lidhur me Mesharin. “Janë kenakjur te Ministria prei botimit e prof. Rotas?  Kjish thot Zotëria?”

    At Justin Rrota, klerik katolik, dijetar, studiues i kulturës dhe gjuhës shqipe, në vitin 1929 kishte sjellë në Shqipëri nga Biblioteka e Vatikanit tri kopje të Mesharit të Gjon Buzukut, zbuluar nga peshkopi  Pal Skiroi. J.Rrota studioi dhe botoi pjesë  të zgjedhura  e të komentuara  nga “Meshari” për shkollat e mesme tek revista “Hylli i Dritës” VI. Për këtë botim e ka fjalën  Pal Skiro në letrën e mësipëme, dërguar Lumo Skëndos.

    Po ashtu dijetari Skiro kërkon bashkëpunimin e Midhatit, Fishtës e të tjerëve me nipin e tij, Dr. Gjiusepee Schiro , poet, shkrimtar,  linguist, publicist arbëresh, profesor dhe drejtor i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin Oriental të Napolit, që kishte ardhur Shqipëri me ftesën e të ndriturit Gjergj Fishta.

     Letra e tretë, Palermo, 10.IV.1938, mban dy mesazhe të rëndësishëm të Pal Skiro-it: Vlerësimin për punën diturake e studimore “të lavdëruashme” të Mid’hat Frashërit: “Me gëzim marr laime nga “Përpiekia”, punën e lavdëruashme t’Z. suaj mbi Institutin Albanologjik të themeluar. Jam i kënakjur fort psa Znia juaj vetë tue e goditur dita me ditën… Të pakë janë edhe shkjyptarët kji din mirë gjuhën e vet: të pakë janë kji shkruajën me orthografin e duhur: mbi gjithë se të shumë kanë dishir të dzen, të din.” shkruan ai në këtë letër.

    Njoftimi  tjetër  rëndësishëm i kësaj letre është  se botimi i Mesharit  i Gjon Buzukut i përgatitur nga albanologu Pal Skiro, “ësht gati për të shtypur e të botuar. Kam shpëresë se shpejt dot vinjë në dritë”.

    Së fundi duam të theksojmë letërkëmbimin dhe bashkëpunimin e Mid’hat Frashërit me mjaft albanologë të shquar si  N.Jokli, H.Pedersen, Weigand, Petrotta, Shuflai, M.Rroques, Kordinjiano, Gj.Pekmezi, E.Çabej etj. Le të përmendim këtu vetëm letrën e Gaetano Petrottës, klerik, shkrimtar, studiues, bashkëpunëtor i ngushtë  Pal Skiroit dhe botues  i Mesharit të Gjon Buzukut,  drejtuar Mid’hat Frashërit  më 23 shkurt 1932, ku, i shkruan ndër të tjera: “Ju falënderoj prej zëmërës për artikullin, i cili më ka dhënë një kënaqësi të madhe për fjalët e bukura që kini shkruar mbi veprën time: janë pak fjalë po thonë më shumë se dhjetë faqe shkrimi. Për mua fjalët e miqve në këtë rast të botimit të librit kamë qenë një shpërblim moral i madh e më kanë paguar punën e rëndë më mirë se çdo shpërblim material: po shumë nder më kanë prurë fjalët e veteranëve të patriotizmit,  gazetarizmit e të shtudimevet shqype. Kemi dërguar dy pacco-postal recommande me tër copat që kini lypur të Kamardës  e me një copë t’Budit , si i kemi, me kartë të zverdhur”.[7]


    [1] Mandala, Matteo, “Pal Skiroi dhe studimi i parë filologjik i “Mesharit” të Gjon Buzukut”, 2020, Exlibris.al

    [2] Mandala, Matteo, po aty

    [3] Letra e Pal Skiro, Palermo, 2.VI.1927

    [4] Lumo Skendo Një qindvjetor që ka rëndësi për ne, Diturija, 1927

    [5] Letër e Pal Skiro , Palermo, 30 t’Dimbrorst 1930

    [6] Letra e 30 dimbërorst 1930

    [7] Letra e Gaetano Petrottës drejtuar Mid’hat Frashërit, 23 shkurt 1932

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË