Përktheu nga origjinali Aristidh Shqevi
Charles Stowe priti deri në çastin kur e ëma e tij filloi të gërhijë, dhe pastaj menjëherë, u ngrit nga shtrati. Pasi u çua në këmbë, ai vazhdoi të bënte kujdes me lëvizjet e tij duke u afruar tek dritarja në majë të gishtave. Pjesa ballore e shtëpisë kishte një formë të parregullt, kështu që llambën e vajgurit që qëndronte ndezur në dhomën e mamasë ishte e lehtë ta shquaje. Megjithatë, në këtë moment të gjitha dritaret dukeshin pisk të zeza. Një projektor u lartësua në qiell, ai ndriçoi shtëllungat e reve, dhe zhbiroi boshllëqet e thella e të errëta midis tyre në përpjekje për të spikatur ndonjë avion armik. Era frynte nga deti; paralelisht me gërhimat e nënës, Charlie Stowe dëgjoi zhurmën e dallgëve. Një rrymë ajri që depërtoi të çarat e kornizës së dritares i shpurriti këmishën e natës. Charlie Stowe-n e pushtoi frika.
Mendimi për duhantoren, të cilën babai e mbante poshtë një duzine shkallësh të drunjta, e tërhoqi drejt tij. Ai ishte dymbëdhjetë vjeç, por që tani djemtë e shkollës County School kishin nisur ta vinin në lojë për faktin se ai akoma nuk kishte pirë as edhe një cigare të vetme. Paketat e cigareve ishin vendosur në stiva prej dymbëdhjetë copësh, të cilat ishin kryesisht të markës Gold Flake and Players, De Rezke, Abdulla, dhe Woodbines; dyqani i vogël ishte mbuluar me një perde të hollë tymi të ndenjur, i cili do t’i mbulonte pothuajse tërësisht gjurmët e krimit të tij. Charlie Stowe nuk kishte dyshim se vënia dorë në mallin e babait përbënte krim, por babanë ai nuk e donte; ai nuk ishte baba, por thjesht një fantazmë, një tip i zbërdhulët e i dyshimtë, me një trup të dobët, i cili e vinte re Charlie-n vetëm herë pas here, dhe madje edhe dënimet për të ia linte mamasë. Për këtë të fundit ai ndjente dhe shprehte një dashuri të papërmbajtur; prezenca e saj gazmore dhe shpirti i saj i madh e i bujshëm, e bënin të plotë botën e tij; duke u nisur nga mënyra se si ajo fliste, ai e konsideronte atë mikeshë të të gjithëve, që nga bashkëshortja e famullitarit e deri tek ‘Mbretëresha e dashur, me përjashtim të ‘hunëve’, përbindëshave që përvidheshin në Zepelinët përmes reve. Sidoqoftë, dashuria dhe antipatia e babait ishin po aq të dyshimta sa dhe lëvizjet e tij. Ai kishte thënë se këtë mbrëmje do ta kalonte në Norwich, megjithatë, me të nuk mund të ishe kurrë i sigurt. Charlie Stowe nuk ndjeu asnjë farë sigurie gjatë zbritjes së shkallëve të drunjta. Në një hop, ato prodhuan një gërvimë të çjerrë, ndërsa ai, me gishtërinjtë e tij, shtrëngoi fort jakën e këmishës së natës. Në fund të shkallëve, fare papritur, ai u ndodh në dyqanin e vogël. Të orientoheshe në dyqan ishte shumë e vështirë, aty mbizotëronte një errësirë e plotë, ndaj dhe ai nuk guxoi ta ndizte llambën. Për më se një gjysmë minute, i dëshpëruar dhe me mjekrën të mbështetur në të dyja duart, ai qëndroi ulur në fund të shkallëve. Pak më vonë, lëvizja konstante e projektorit u reflektua nëpërmjet njërës prej dritareve të sipërme, gjë që i dha mundësinë djalit t’i nguliste në memorien e tij stivën e cigareve, banakun dhe një skutë të vogël nën të. Hapat e një polici jashtë në trotuar e shtynë që ta rrëmbente paketën e parë të cigareve dhe të fshihej në skutën poshtë banakut. Një elektrik dore ndriçoi gjithë dyshemenë, dikush u përpoq ta hapte derën, dhe në kohën që hapat po largoheshin, Charlie e ndjeu ishte ngjethur nga frika.
Më në fund ai e mblodhi veten i bindur, çuditërisht si një i rritur, se nëse do ta kapnin në atë moment ai nuk do të kishte mundësi të reagonte, ndaj do të ishte më mirë që ta pinte një cigare. Ai e vendosi atë në gojë, por menjëherë u kujtua se nuk kishte shkrepëse. Për një copë herë nuk guxoi të bënte asnjë lëvizje. Tri herë projektori e bëri dritë dyqanin tek ai murmuriste romuze dhe inkurajime ‘Fare mirë mund të varesh edhe për një dele,’ Frikacak, frikacak i madh,’ të gjitha këto thirrje të rriturish dhe fëmijësh të pleksura çuditshëm me njëra tjetrën.
Tek lëvizi, ai dëgjoi hapa në rrugë; duhet të ishte një grup njerëzish që ecnin me hapa të shpejtë. Charlie Stowe ishte në një moshë kur njeriu është në gjendje të kuptojë dhe të shprehë habi nëse konstaton lëvizje në orë të tilla. Hapat u afruan dhe më pas u ndalën; një çelës u rrotullua në derën e dyqanit dhe dikush tha: ‘Lëreni të futet brenda.’ Më pas ai dëgjoi zërin e babait, ‘zotërinj, nëse ka mundësi, mos bëni zhurmë. Mos ta zgjojmë familjen.’ Në zërin e pavendosur të babait Charlie dalloi një ton, i cili ishte i panjohur për të. Në atë çast u ndez një elektrik dore, dhe më pas nga llamba e dyqanit vezulloi një dritë blu. Djali mbajti frymën; ai nuk ishte në gjendje ta përcaktonte nëse babai po i dëgjonte rrahjet e zemrës së tij, dhe për këtë arsye ai shtrëngoi fort këmishën e natës dhe nisi të falet, ‘O Zot, mos më lë të më kapin.’ Nëpërmjet një të çare në banak, atij iu dha mundësia ta shikonte vendin ku ndodhej babai, i cili, me njërën dorë, mbante jakën e ngrirë të ngritur lart; dy burra me kapela dhe pardesy me një rrip në mes, e kishin vënë midis tyre. Ata ishin dy të panjohur.
‘Merrni një cigare,’ tha babai me një zë tepër të thatë. Njëri prej burrave refuzoi me një lëvizje të kokës. ‘Nuk bën, të paktën jo kur jemi në detyrë. Gjithsesi, faleminderit.’ Ai foli me një ton të butë, por pa mirësjellje: Charli Stowe pati mendimin se babai i tij duhej të ishte i sëmurë.
‘Do ta kishit problem sikur t’i fusja disa cigare në xhep?’ pyeti zoti Stowe; kur personi pohoi me kokë, ai tërhoqi nga rafti një stivë me cigare Gold Flake and Players, dhe me majën e gishtërinjve, i ledhatoi paketat.
‘Atëherë,’ tha ai, ‘kësaj pune nuk ke ç’i bën më, por të paktën të marr edhe unë disa cigare për vete.’ Në atë çast, Charlie Stowe-n e pushtoi frika se mund ta zbulonin, ndërsa babai, në të njëjtën kohë, hodhi një shikim të imët rreth e qark dyqanit; të krijohej përshtypja sikur ai po e shikonte dyqanin për herë të parë. ‘Është një biznes i vogël, por i mirë,’ tha ai, ‘sidomos për ata që i pëlqejnë biznese të këtilla. Ma ha mendja se im shoqe do t’i shesë të gjitha. Përndryshe, fqinjët s’kanë për të lënë asgjë në këmbë. Sidoqoftë, unë besoj se tani ju doni të ikni. Çdo gjë duhet bërë në kohën e duhur. Më lejoni ta marr pallton.’
‘Nëse nuk keni kundërshtim, njëri prej nesh do t’ju shoqërojë,’ tha i panjohuri me një zë të shtruar.
‘Mos u shqetësoni. Palltoja është e varur te varësja. Ja, tani jam gati plotësisht.’
‘A nuk dëshironi të flisni me bashkëshorten? pyeti i panjohuri tjetër me një zë disi të penguar. Zëri i hollë në vijim tingëlloi tepër i vendosur, ‘Kjo nuk vlen për mua. Kurrë mos bëni sot, atë që mund ta bëni nesër. Asaj ka për t’iu dhënë rasti më vonë, apo jo?’
‘Po, po,’ tha njëri prej të panjohurve me një çehre gazmore dhe inkurajuese. ‘Mos e vrit mendjen aq shumë. Për sa kohë që je gjallë…’ Papritur, babai u përpoq ta vinte buzën në gaz.
Në momentin që dera u mbyll, Charlie Stowe ngjiti shkallët në majë të gishtave dhe ra në shtrat. Atë e mundoi kërshëria se përse babai ishte larguar aq vonë nga shtëpia atë natë, dhe cilët ishin të panjohurit. Habia dhe frika e mbajtën zgjuar për një farë kohe. Iu duk sikur një fotografi e njohur doli nga korniza dhe e qortoi për moskujdesi. Ai solli ndërmend çastin kur babai shtrëngoi fort jakën dhe i dha kurajë vetes duke iu referuar proverbave; për herë të parë në jetën e tij ai ishte i mendimit se, nëse mamaja ishte energjike dhe e zhurmshme, babai ishte pak a shumë si ai vetë, një person që pëlqente t’i bënte gjërat në errësirë, gjë që edhe e frikësoi. Sa do të ishte kënaqur sikur t’i zbriste shkallët për të shkuar te babai dhe për t’i thënë se e donte shumë, por, përmes dritares, ai dëgjoi hapat e shpejtë që largoheshin gjithnjë e më shumë. Tashmë, ai ndodhej në shtëpi vetëm me mamanë, dhe kështu kapiti sytë.