More
    KreuLetërsiMira Meksi i kthen nderin e humbur në shqip romanit "Njëqind vjet...

    Mira Meksi i kthen nderin e humbur në shqip romanit “Njëqind vjet vetmi”

    Shumë vjet më vonë, përballë togës së pushkatimit, kolonelit Aureliano Buendía do t’i kujtohej ajo pasdite e largët kur i ati e çoi të shihte akullin. Macondo-ja ishte atëherë një fshat me njëzet shtëpi prej balte dhe kallamash, të ndërtuara në bregun e një lumi me ujëra të tejdukshme që vërshonin në një shtrat me gurë të lëmuar, të bardhë dhe të stërmëdhenj si vezë parahistorike. Bota ishte aq rishtare, saqë shumë sendeve u mungonte emri dhe për t’i përmendur duheshin treguar me gisht. Për çdo vit, në mars, një familje ciganësh zhelanë e ngrinte tendën pranë fshatit dhe me një zhaurimë të madhe bilbilash dhe daullesh paraqisnin shpikjet e reja. Në fillim sollën magnetin. Një cigan trupmadh, me një mjekër ferrishtë dhe me duar si të trumcakut, i cili u prezantua me emrin Melquíades, bëri në sytë e të gjithëve një demonstrim mizor të asaj që ai vetë e quante mrekullia e tetë e alkimistëve të ditur të Maqedonisë. Shkoi shtëpi më shtëpi duke tërhequr zharg dy shufra metalike. Dhe gjithë bota u tmerrua kur pa se kazanët, tenxheret, darët e mangajtë dilnin vetë nga vendi dhe dërrasat kërcisnin nga dëshpërimi i gozhdëve dhe vidave që rrekeshin të shkuleshin, madje edhe sendet që kishin humbur përpara shumë kohësh, shfaqeshin aty ku i kishin kërkuar më shumë dhe zvarriteshin plot zhurmë rrezga-bjezga pas hekurave magjikë të Melquíades-it. “Edhe sendet janë të gjalla, – bërtiste cigani me zë të vrazhdë, – veç u duhet zgjuar shpirti”. José Arcadio Buendía, imagjinata e shfrenuar e të cilit e kalonte përherë gjeninë e natyrës dhe ca më tepër, mrekullinë dhe magjinë, mendoi se me atë shpikje të kotë mund të nxirrej ari nga rropullitë e tokës. Melquíades-i, që ishte njeri i ndershëm, e paralajmëroi: “Nuk bën për këtë punë.” Por José Arcadio Buendía nuk i besonte asokohe ndershmërisë së ciganëve, andaj i këmbeu shufrat e magnetit me mushkën e tij dhe disa kokë cjep. Úrsula Iguarán-i, e shoqja, e cila me ato kafshë kishte shpresë ta mëkëmbte kamjen e rrëgjuar të familjes, nuk ia doli t’i ndërronte mendje. “Së shpejti do të kemi aq flori sa të veshim edhe shtëpinë”, – iu përgjigj i shoqi. Për muaj me radhë iu përvesh punës që të vërtetonte pandehmat e tij. Eksploroi pëllëmbë për pëllëmbë tërë zonën, gjer edhe shtratin e lumit, duke tërhequr rrëshqanë pas vetes shufrat e hekurit dhe duke recituar me zë të lartë namatisjen e Melquíades-it. E vetmja gjë që arriti të zhvarroste, ishte një armaturë e shekullit XV, e salduar në çdo pjesë të saj nga një koracë ndryshku, brendësia e zgavërt e së cilës kumbonte si një kungull i madh plot me gurë. Kur José Arcadio Buendía me katër burra të ekspeditës së tij arritën ta çmontonin armaturën, gjetën në të një skelet të kalcifikuar që mbante të varur në qafë një medaljon bakri me kaçurrelin e një gruaje brenda.

    Ciganët u kthyen në mars. Kësaj here sollën një tejqyrë dhe një lente sa një tambur, të cilat i paraqitën si shpikjen e fundit të çifutëve të Amsterdamit. E ulën një cigane në të dalë të fshatit dhe e vendosën tejqyrën në hyrje të tendës së tyre. Për pesë reale, njerëzit vinin syrin tek tejqyra dhe e shikonin ciganen sikur ta kishin në pëllëmbë të dorës. “Shkenca i ka fshirë largësitë”, – bërtiste Melquíades-i. – “S’do vonojë dita kur njeriu do shikojë gjithçka ndodh kudo mbi tokë pa dalë nga shtëpia”. Një mesditë të përvëluar nga zhegu bënë një demonstrim befasues me anë të lupës gjigante: vendosën një grumbull me kashtë në mes të rrugës dhe i vunë zjarrin duke mbledhur rrezet e diellit mbi të. José Arcadio Buendía-s, që ende nuk i kishte dalë e keqja e dështimit të magneteve, i lindi ideja që atë shpikje ta përdorte si armë lufte. Melquíades-i sërish u përpoq t’ia kthente mendjen. Por, më në fund, pranoi dy shufrat e magnetit dhe tri monedha të kohës koloniale në këmbim të lupës. Úrsula qau nga marazi. Ishin paratë e një arkëze me monedha floriri që i ati i pati kursyer me shumë sakrifica një jetë të tërë dhe që ajo i kishte groposur poshtë shtratit në pritje të një rasti të mirë për t’i vënë në punë. José Arcadio Buendía nuk mori as mundimin për ta ngushëlluar, i përpirë i gjithi nga eksperimentet e tij taktike, me përkushtimin e një shkencëtari që vinte në rrezik edhe vetë jetën e tij. Tek rrekej të demonstronte efektet e lupës përmbi forcat armike, përqendroi mbi trupin e tij rrezet e diellit dhe pësoi djegie që hapën plagë, të cilave iu desh shumë kohë për t’u shëruar. Nga qortimet e së shoqes së trembur prej këtyre shpikjeve kaq të rrezikshme, përdesh i vuri zjarrin shtëpisë. Rrinte me orë të tëra i mbyllur në dhomë, duke përllogaritur mundësitë strategjike të armës së tij të re, gjersa ia doli të hartonte një udhëzues të shpjeguar shumë qartë dhe me një fuqi bindëse të parezistueshme. Ua nisi autoriteteve të vendit të shoqëruar me dëshmi të shumta të përvojave të tij, plot skica shpjeguese, nëpërmjet një korrieri që kaloi sierra-n, humbi nëpër moçalishtet e paana, kapërceu lumenjtë e rrëmbyer dhe për pak la kockat nga bishat e egra, prej dëshpërimit dhe murtajës, përpara se të arrinte të dilte në udhën e mushkave të postës. Ndonëse udhëtimi për në kryeqytet asokohe ishte pothuaj i pamundur, José Arcadio Buendía premtonte se do ta merrte në sy porsa ta urdhëronte qeveria, me qëllim që t’u bënte autoriteteve ushtarake demonstrime praktike të shpikjes së tij dhe t’i stërviste vetë në artin e ndërlikuar të luftës diellore. E priti përgjigjen për vite me radhë. Më në fund, i lodhur së prituri, iu ankua Melquíades-it për dështimin e nismës së tij dhe cigani i dha atëherë një provë bindëse ndershmërie: ia ktheu dublonët prej floriri në këmbim të lupës dhe i la edhe disa harta portugeze dhe ca lloje instrumentesh lundrimi. Me dorën e tij shkroi një sintezë të ngjeshur të studimeve të Hermann murgut, të cilën ia dha që të mund të mësonte ta përdorte astrolabin, busullën dhe sekstantin. José Arcadio Buendía i kaloi muajt e gjatë të shirave i mbyllur në një dhomëz që e ndërtoi në fund të shtëpisë, në mënyrë që askush të mos e shqetësonte gjatë eksperimenteve të tij. Meqenëse detyrimet e shtëpisë i kishte braktisur krejtësisht, kaloi net me radhë në oborr duke vigjiluar trajektoren e trupave qiellorë dhe gati i ra pika e diellit kur po rrekej të ndërtonte një metodë të saktë për të gjetur kohën e mesditës. Kur u bë mjeshtër në përdorimin e instrumenteve, krijoi një përfytyrim të hapësirës që i dha dorë të lundronte nëpër dete të panjohura, të vizitonte vise të pabanuara dhe të krijonte marrëdhënie me krijesa vezullimtare pa pasur nevojë të dilte nga kabineti i tij. Në këtë kohë e bëri zakon që të fliste me vete, duke u vërtitur nëpër shtëpi pa i përfillur të tjerët, ndërkohë që Úrsula-s dhe të bijve iu thyhej kurrizi në perimore duke u kujdesur për bananen dhe malangën, për jukën dhe injamen, për kungullin dhe patëllxhanin. Befas, pa dhënë më parë asnjë shenjë, aktiviteti i tij i ethshëm u ndal në vend dhe u këmbye me një lloj shtangieje. Mbeti ditë të tëra si i karfosur nga magjia, duke përsëritur me vete zëulët dhe pa mendje një varg me hamendësime të çuditshme. Më në fund, një të martë dhjetori, në kohën e drekës e flaku tej barrën e torturës së vet. Fëmijët s’kishin për ta harruar gjersa të ishin gjallë solemnitetin augustian me të cilin i ati i tyre u ul në krye të tryezës, duke u dridhur nga ethet, i dërmuar nga pagjumësia e zgjatur dhe nga imagjinata e vet e malcuar, dhe u shpalli zbulimin e tij:
    – Toka është e rrumbullakët si portokall.
    Úrsula e humbi durimin. “Nëse do të çmendesh, çmendu vetëm ti”, – ulëriti. – “Por mos u fut në kokë fëmijëve broçkulla ciganësh”. José Arcadio Buendía, gjakftohtë, nuk e la veten të ligështohej nga dëshpërimi i së shoqes, e cila në gjaknxehtësi e sipër ia bëri copë përtokë astrolabin. Ndërtoi një tjetër, mblodhi në dhomëzën e vet burrat e fshatit dhe u demonstroi, me anë të teorive që askush nuk i kuptonte, mundësinë e kthimit në pikënisje duke lundruar drejt lindjes. Gjithë fshati ishte i bindur se José Arcadio Buendía kish roitur nga mendja, kur mbërriti Melquíades-i i cili i vuri gjërat në vend. Lëvdoi përpara të gjithëve inteligjencën e atij burri, i cili me anë të një spekulimi të pastër astronomik kishte ndërtuar një teori që tanimë ishte vërtetuar në praktikë, ndonëse nuk njihej ende në Macondo, dhe si provë të admirimit të tij për të, i bëri një dhuratë që do të kishte një ndikim vendimtar në ardhmërinë e fshatit: një laborator alkimie.

    Pjesë nga kapitulli i parë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË