More
    KreuLetërsiBibliotekë"Tuneli", tregim nga Florenc Shaini

    “Tuneli”, tregim nga Florenc Shaini

    Me vështrimin e çelur dhe të zjarrtë merr rrugën përmes tunelit. Është një rrugë gjithë gropa të errëta dhe pothuaj e pandriçuar. Tuneli kalon përmes një shkëmbi të fuqishëm e gjigand; paretet e tunelit janë faqet e gërryera të këtij shkëmbi, e ndërsa kalon nëpër të ke përshtypjen se je aty qysh nga fillimi i botës.

    Të duhet pra një shikim i përsosur për t’ia dalë mbanë, por vetëm kjo s’mjafton. Mund të ndodhë gjithçka nga çasti në çast aty brenda e të duhet të jesh i përgatitur për të gjitha: këmbët duhet t’i kesh të forta e të shpejta, për të shpëtuar në rast rrëzimi të tunelit, apo thjesht për të çuar deri në fund atë rrugë të errët plot të papritura; të duhet një zemër e fortë, një stomak pa skrupuj për të duruar mundimet, ankthet dhe telashet që shoqërojnë çdo rrugë; mendja duhet të jetë përherë e kthjellët, e pajisur  me dy veshë të mirë e të ndjeshëm që e kapin rrezikun qysh në fillim, ndryshe je i humbur.

    Në shumicën e rasteve askush nuk i ka të gjitha këto cilësi, megjithatë e ndërmarrin rrugën përmes tunelit. Kjo s’është thjesht një zgjedhje, të gjitha kalimet të çojnë tek tuneli e ty të duhet ta përshkosh atë patjetër, në qoftë se dëshiron të lëvizësh e të mos qëndrosh tërë kohën ai që je.

    E ndërrmerr pra këtë rrugë përmes tunelit (le ta quajmë, me të drejtë, të lashtë), duke u munduar të vësh në jetë sa më shumë nga cilësitë që thamë më lart. Kalon hyrjen, përpiqesh t’u shmangesh gropave të para, më tej s’duket pothuajse asgjë, ecën kuturu, rrëzohesh, ngrihesh prapë, rrëzohesh diku më tej, ngrihesh me vështirësi dhe vazhdon rrugën. Paretet e tunelit, ato faqe guri që prej fillimit të botës, kullojnë lagështirë; shpesh ai kullim uji kthehet në muzikë, por ti vetëm sa hutohesh një çast dhe vazhdon rrugën më tej.

    Pas shumë vështirësish, i lodhur, me kohën e largët të nisjes të lënë shumë mbrapa, ndal këmbët përpara fundit të tunelit. Duket një dritë e fuqishme dhe ti  krenar bëhesh gati për të hyrë atje. Por diçka lëviz e dëgjohet pareshtur nga mbrapa, të bezdis e ta largon kthjelltësinë. Kthen kokën nervoz dhe me pak vështirësi, apo ngaqë prej këtej fillimi i tunelit duket më mirë, sheh diçka, pikërisht tek hyrja e tunelit.

    Është një djalë i vogël që të ngjason aq shumë, a ndoshta është fëmija yt, ndoshta (e pamundur!) je vetë ti atje tej, ashtu i vogël, i gëzuar, duke treguar me gisht drejt teje, drejt fundit të tunelit, duke u gajasur e duke qeshur me të madhe.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË