More
    KreuLetërsiShënime mbi libraT(r)opikë të trishtë (mbi motivin e Vetmisë në novelat e Martin Camajt)

    T(r)opikë të trishtë (mbi motivin e Vetmisë në novelat e Martin Camajt)

    nga Hysni NDREU

    1. Botë në shmang

    Ndër motivet kryesore që gjallojnë në veprat e Martin Camajt, ai i Vetmisë haset në mënyrë të qëndrueshme, është hegjemon dhe konfigurohet nëpërmjet trajtash nga më të larmishmet. Pavarësisht mënyrave të ndryshme apo ngjyresave, me të cilat shfaqet në zhanre të caktuara e brenda secilit zhanër, në thelb ky motiv mbetet i pandryshueshëm dhe ruan të njëjtin synim autorial: konfigurimine diagnozës së njeriut të vetmuar, gjithmonë të kërcënuar prej diçkaje, frikës, trishtimit, vdekjes, natyrës a fenomeneve të saj. Edhe te përmbledhja me novela, “Shkundullima”, të cilën Camaj e botoi për së pari në Mynih, në vitin 1981, motivi i Vetmisë është jo vetëm dominant, por edhe fill përbashkues i të gjitha teksteve që e përbëjnë atë.

    Novelat e përmbledhjes në fjalë, ase “copëzat”, siç parapëlqen t’i emërtojë autori, ngërthejnë në vetvete dukuri të lidhura me situata të skajshme gjer në absurd, me mite a legjenda, me përfytyrime të kulturës popullore malësore, që kanë shenjuar e shenjojnë jo vetëm Malësinë e Mbishkodrës a vise arbëreshe[1], por metonimikisht gjithë etnikumin tonë. Sfondi ku zhvillohen ngjarjet e këtyre rrëfimeve është gjetur i tillë që, herë gjendet në cak (Përteqafa, Fundina, Veriu, Jugu), herë të tjera në botët ndërmjet (ndërmjet bjeshkës dhe vërrinit, lumit dhe malit, dimrit dhe verës). E tillë është ndërtuar edhe ngrehina artistike, me kontraste, kontradikta e marrëdhënie binare: koha e pakohësia, realja e irrealja, ëndrra dhe zhgjëndrra, e njohura dhe e panjohura, mitikja dhe jomitikja. Të tilla thyerje e kontradikta vë re edhe përkthyesi në gjermanishte i veprës së Camajt, Hans-Joachim Lanksch, i cili në librin e tij “Martin Camaj ende i pazbuluem” shkruan: “Martin Camaj i përjetonte kontrastet mes botës së njohun dhe të huej, mes veriut dhe jugut, mes ngrohtësisë dhe ftohtësisë, dritës dhe territ, mes të qenunit mbarë e të qenunit prishun. Mbas mureve të kolegjit jezuit në Shkodër e përjeton kontrastin mes gjallësisë e qetësisë, mes aktivitetit dhe kontemplacionit, tërhjekjes dhe ecjes përpara. Parimi binar me dalë përjashta në mes të të tjerëve dhe me u tërhjekë në vete ka me u bâ njêni i elementeve mbizotnuese të poezisë së tij.”[2]

    Në secilën prozë autori ka ndërtuar nga një botë më vete. Botët e tij janë në shmang, vise të largëta, të izoluara nga pjesa tjetër, me pak ose aspak mundësi komunikimi; janë “ishuj” që bëjnë jetën e tyre të pavarur dhe nuk i përngjasojnë botës jashtë; ato janë atdheu simbolik dhe metonimik i vetë Camajt. Botë të tilla janë në funksion dhe i shërbejnë vetmisë së personazheve; edhe anasjelltas, vetmia e personazheve, fizike ase shpirtërore, u shërben pikërisht këtyre botëve.

    Në këto rrëfime Vetmia ka disa shkaqe të shfaqjes. Ajo është herë derivat i refuzimit e distancimit personal (Pishtarët e natës), herë i mendësisë, kontradiktës a veçimit intelektual (Shkundullima dhe Rrungaja në mars), herë i tëhuajësimit, mospranimit a dallimit ndërmjet të ardhurit dhe vendësve (Shkundullima, Jesminë, Katundi me gjuhë të fshehtë), herë të tjera i të qenit të personazhit i huaj, i panjohur, në një vend aloglot (Katundi me gjuhë të fshehtë). Kjo ndarje nuk është kategorike, pasi shihet se, në ndonjë rast, të njëjtat shkaqe të vetmisë migrojnë sa te njëra novelë te tjetra, veçse pa rënë në përsëritje.“Plot sende e rrethana përsëriten tek unë, por janë gjithnjë diçka tjetër.”[3]shprehet në një rast vetë autori. Të tjera motive që shfaqen si plotësuese a rezultante të vetmisë e izolimit janë frika e trishtimi, dashuria e malli, urrejtja e kërcënimi, tragjikja më në fund. Te novelat në fjalë, këto janë edhe motive thelbësore, që shfaqen si minisisteme alegorike e metaforike, të konfiguruara sipas strukturimesh të reja në çdonjërën sosh, të vendosura e të lidhura me vende a hapësira të ndryshme, kryesisht në kohë të largëta e vise në skaj, topose krejt të dallueshme për nga mënyra e jetesës, mendësia, kultura e doket, por edhe të fshehta, të ashpra e misterioze njëkohësisht.

    Camaj i qëndroi besnik temës së vetmisë në të gjithë krijimtarinë e tij, një motiv ky që u përdor e zhvillua gjerësisht edhe në letërsinë bashkëkohore botërore, madje duke u shndërruar në temë qendrore. Megjithatë, vetmia e personazheve të Camajt nuk është aspake ngjashme me atë të autorëve a letërsive të tjera, të krijuara në të njëjtën kohë. Ajo ka më tepër dimensione personale sesa sociale, ekonomike a politike, që do të thotë se boshllëku i brendshëm i tyre, atëherë kur e ndiejnë atë, nuk pasqyron boshllëkun e botës a të shoqërisë që e rrethon. Po ashtu, situatat e absurdit dhe gjendjet ekzistenciale, të cilat hasen mjaft dendur në veprën e Camajt, kanë edhe këto natyrë krejt të ndryshme, pasi janë derivat i parimeve të ndryshme krijuese e konceptuese. Kjo pangjashmëri është rezultat i shmangies/zhvendosjes në kohë (në rastin e teksteve në fjalë, zgjerimit për nga e shkuara) dhe i izolimit në hapësirë, larg metropoleve, në botët në shmang, në viset ku autori qe “mbyllë” vetë shpirtërisht. Në pjesën dërmuese të teksteve në prozë Camaj i shmanget kohës dhe botës bashkëkohore për t’u përqendruar kryesisht te koha dhe botët e së shkuarës. Ky mohim që i bën bashkëkohësisë është një lloj shpërfilljeje e refuzimi për të hyrë a për të marrë modele të gatshme krijuese, karakteristikë kjo e letërsisë socrealiste, por na zbulon njëkohësisht edhe përpjekjen e Camajt për të krijuar e ruajtur autenticitetin e vet si shkrimtar, gjë që e tregon edhe kur eksperimenton me sukses në krijime të veçanta poetike, apo kur bën përcaktime hibride zhanrore të veprave të tij.

    2. Arnyelli i vetmuem

    Te “Pishtarët e natës”, zgjedhja e heroit për të jetuar i vetëm/i izoluar, ka shkaktuar një disharmoni ndërmjet tij dhe të tjerëve që e rrethojnë. Kjo disharmoni, që shkon gjer në absurd, shfaqet kryesisht nëpërmjet veprimeve a mosveprimeve të tyre, nëpërmjet komunikimit verbal, por edhe nëpërmjet një sërë leksemash, të drejtpërdrejta a të nënkuptuara, të cilat bartin ngjyresa tëhuajësuese e izoluese: mohimi, shmangia, refuzimi, mungesa, ngurrimi etj.

    Kryeshenjat konkrete të vetmisë/veçimit përfaqësohen simbolikisht nëpërmjet kasolles më njërën anë, vendit ku zgjedh të bujë personazhi kryesor, dhe Fundinës më anë tjetër, hapësirës së veçuar e në skaj, e cila për nga vështirësia për të depërtuar në të, na përshkruhet në kufijtë e një kështjelle, e veçuar nga të gjitha anët prej “currash të thepisun” e “humnerash që sosnin në lumë”:

    Lena:

    “Në atë vend aq të tretun? S’ka grue që mbërrin atje pa ra në sy!”

    “Simbas fjalëve tim shoq, për me hy në Fundinë, – e shikoi e kunata tue tundë kryet nja disa herë – ka së paku edhe tri shtigje të fshehta!”[4]

    Edhe epitetet që i vishen Nikës e theksojnë në mënyrë eksplicite vetminë e tij. Ai herë emërtohet si vetmitari i Fundinës, herë si arnyell i vetmuem, si i vorruem për së gjalli, i ndrymë mes shkambinjve, kall i vetëm apo vetmitari i Gurrave. Vetmia/izolimi i tij nënkuptohen edhe nëpërmjet ndonjë shprehjeje domethënëse: “S’e kam ditë se ashtë ende gjallë!”, e dalë nga goja e njërit prej fisit, pas vdekjes së Nikës.

    Nika është tjetri, i huaji, jo vetëm kundrejt vëllezërve e fisit, por edhe kundrejt fëmijëve të tij, madje edhe bashkëshortes: “Gjashtë fëmijë – i tha ajo – gjashtë fëmijë kemi qitë në dritë. Dhe jetojmë kështu të huejun sa kam turp me të shikue!”[5]Apo diku tjetër: “Oh, e mjera unë, e mjera! mendonte Lena, sa qenkam largue burrit tim, t’et të gjashtë fëmijëve të mi. Si? Ai gjallë nuk më ha.”[6] Më anë tjetër, personazhi vishet edhe me vello legjende e hijesh mitike, si njeri që shoqërohet me qenie të mbinatyrshme, Orë, Zana e Shtojzovalle, gjë që e plotëson më tej e më thellë profilin e personazhit të veçuar, jo vetëm nga bota fizike, por edhe nga ajo reale.

    Nika ka mbetur peng i një kodi të vjetër, madje i gjithë qëllimi i jetës së tij është reduktuar e kushtëzuar brenda këtij pengu: të blejë një vatër të re, “… ‘nji të shtime pushke larg’, sikurse parashihej në kodin e vjetër të shqiptarëve.”[7] Por, atëherë kur arrin synimin e vet, kur ia ka dalë të blejë tokë sa i kap syni, ndërgjegjësohet se ka rënë në grackën e një realiteti të ri, i cili nuk e përmbush më. Raportet nisin të përmbysen. Bollëku material kompensohet me boshllëkun shpirtëror. Përmasa fizike e vetmisë së tij fiton e plotësohet edhe me përmasën shpirtërore. Nika, i cili ka përballuar vështirësitë e një jete në vetmi të plotë, duke u ndeshur vazhdimisht me shfryrjet e egra të natyrës së ashpër të Fundinës, tashmë nis të pushtohet nga ndjenja frike e trishtimi. Fuqitë fizike fillojnë ta braktisin, makthe e ankthe i prishin gjumin e natës, madje e pushton edhe një mall e dëshirë e zjarrtë për të pasur pranë bashkëshorten, Lenën. Një përmbysje e tillë, duke e paraqitur personazhin qendror në “rënie”, na zbulon anën tjetër të malësorit të pathyeshëm: tragjikën, vrazhdësinë dhe fatalitetin e tij. Camaj thyen kështu gati një traditë të tërë, sepse zhbën mitin e ndërtuar për malësorin, duke dalë nga skemat e njohura (jo vetëm letrare), që shihnin te ky i fundit modelin e një heroi. “Pishtarët e natës” është një vepër brenda veprës “Shkundullima”, ku Martin Camaj, në të kundërtën e një vargu të gjatë udhëpërshkruesish të huaj, që kishin romantizuar virtytin e lartë fisnik shqiptar dhe që madje kishin propozuar që malësitë veriore të vendit të ktheheshin në një muze të gjallë të vlerave njerëzore të së shkuarës, ku Europa sqimatare të mund të shihte historinë e vet mesjetare; zbulon një realitet krejt tjetër, një realitet të ashpër dhe paditës.”[8]

    Nika është vetëm bërthama simbolike e izolimit/veçimit, pasi shenjat tekstore na ballafaqojnë me një realitet edhe më përtej, më të zgjeruar, që kapërcen kufizimet personale të personazhit dhe fiton dimensione të gjera gjeografike. Është fjala për një izolim mbarëkrahinor, në shmang të zhvillimeve historike e politike, madje edhe ndaj atyre zhvillimeve që lidhen drejtpërdrejt me fatumin e kombit, të etnisë: “Ndonjë bari që nuk kishte dalë kurrë vendi, mori vesh se ndër fusha paska shqiptarë shumë ma tepër se në shtatë malet e mëdha e të vogla e këta vallezën vuejtkan për pesëqind vjet nën Turk.”[9]

    3. Përfundime

    Camaj krijoi njeriun e vet, në vetminë e vet, me hapësirën e vet dhe në kohën e vet. Ai ndërtoi modele të pangjashme të personazheve të tij, duke i distancuar jo vetëm psikologjikisht e intelektualisht, por dhe mbi të gjitha, kronologjikisht e fizikisht. Me fjalë të tjera, personazhet e autorit tonë janë fizikisht të vetëm dhe shpirtërisht të vetmuar.

    Në Nikën dhe nëpërmjet tij autori gjen shtigje për të trajtuar edhe një sërë problemesh e dilemash me karakter simbolik, që lidhen me lashtësinë e etnosit tonë, me historinë, kulturën e mendësinë, me gjeografinë, mitet e legjendat, me antropologjinë, doket e besimet. Si në çdo zhanër të lëvruar prej tij, Camaj ndërton edhe te kjo përmbledhje një model krejt origjinal, duke thyer a përthyer mite, duke zhbërë e ribërë simbole të reja, me një sistem të larmishëm kodesh të veçanta, ngrehinën e të cilit e bazon në lëndë autoktonte gjuhësore, kulturore dhe etnografike.

    Literaturë

    Krämer, Lisa: Das Motiv der Einsamkeit in den “Jonas-Romanen” von Thomas Glavinic, University of Bamberg Press, 2015.

    Lanksch, Hans-Joachim: Martin Camaj ende i pazbuluem – shkrime, kujtime dhe intervista, shtëpia botuese Albas, Tiranë 2017. 

    Materialet e konferencës me temë: “Martin Camaj për kulturën shqiptare. Shkrimtari dhe albanologu”, organizuar me rastin e 85-vjetorit të lindjes, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Instituti i Studimeve Albanologjike, Departamenti  i  Letërsisë dhe i Gjuhësisë, Shkodër 2011.

    Möhrmann, Renate: Der vereinsamte Mensch – Studien zum Wandel des Einsamkeitsmotivs im Roman von Raabe bis Musil, Bouvier Verlag Herbert Grundmann, Bonn 1974.

    Sinani, Shaban: “Në kërkim të rrënjëve të të parëve”, parathënia që shoqëron përmbledhjen “Novela” të Martin Camajt, shtëpia botuese Onufri, Tiranë 2012.


    [1]  … Shqipnia e Veriut dhe Italia e banueme prej arbëreshëvet janë si sfonde ku zhvillohen ngjarjet që paraqes në veprat e mia, bile vetëm ngjyra e atyne vendeve sepse në fantazinë time ashtë shndërrue gjithçka…, citim i marrë nga http://shqiptarja.com/dossier/2711/camajsjam-realisti-letrar-si-done-me-qene-ndjekesit-e-realizmit-socialist-443357.html

    [2]  Lanksch, Hans-Joachim: Martin Camaj ende i pazbuluem, – shkrime, kujtime dhe intervista, shtëpia botuese Albas, Tiranë 2017, faqe 45.

    [3]  Citimi në fjalë mund të gjendet te lidhja e mëposhtme: http://shqiptarja.com/dossier/2711/camajsjam-realisti-letrar-si-done-me-qene-ndjekesit-e-realizmit-socialist-443357.html

    [4]  Camaj, Martin: Pishtarët e natës, në “Shkundullima”, München, 1981, faqe 15-16.

    [5]  Po aty, faqe 31.

    [6]  Po aty, faqe 29.

    [7]  Sinani, Shaban: “Në kërkim të rrënjëve të të parëve”, në parathënien që shoqëron përmbledhjen “Novela” të Martin Camajt, shtëpia botuese Onufri, Tiranë 2012, faqe 13.

    [8]  Po aty, faqe 13.

    [9]  Camaj, Martin: Pishtarët e natës, shtëpia botuese Camaj-Pipa, Shkodër 2008, faqe 36-37.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË