More
    KreuLetërsiBibliotekëTriptik nga Sadedin Mezuraj

    Triptik nga Sadedin Mezuraj

    1. Shpendi mbi shkëmb

    Askush nuk mbante mend kur ishte shfaqur aty. Shumica e njerëzve besonin se së pari ishte shfaqur shkëmbi i kuq dhe më pas, kur dielli doli nga eklipsi, mbi shkëmb u pa të qëndronte një shpend i zi, me krahët e hapur. Kushedi pse i mbante ashtu – ndoshta në pritje të ndonjë stuhie të re, ose thjesht të mbetur pezull mbi shkëmb, si për ta mbrojtur atë nga një shi që s’kishte pushuar prej një mijë vjetësh, në atë tokë me male të thepisur dhe lumenj të tërbuar, të zemëruar me detin, ku forca e tyre e egër qetësohej dhe identitetet e tyre shuheshin në atë masë të pafundme ujore.

    Të tjerë mendonin se shpendi i zi kishte dalë nga zemra e shkëmbit pikërisht pas përmbytjes së madhe dhe prej aty nuk do të lëvizste, deri kur të ndodhte eklipsi i dytë, ai që sipas astrologëve do të sillte humbjen e kujtesës të vetë shpendit mbi shkemb dhe atij pra, të panjohurit që qëndronte para shkëmbit, me shpinën e kërrusur mbi një libër të trashë, ku thuhej se kërkonte një enigmë më të lashtë se sa shkëmbi i kuq dhe vetë shpendi i zi që qëndronte përherë krahëhapur mbi të.

    Shirat kishin pushuar dhe lumenjtë ishin kthyer në shtratin e vet. Toka ishte ende e lagësht   kur një mëngjes, duke ecur nëpër rrugën e madhe me pellgje me ujë dhe llucë të verdhë, i panjohuri shpalli kumtin se koha do të ndalej kurse hapsira do të zgjerohej.

    Askush nuk ishte në gjëndje të shpjegonte nëse ky ishte një lajm i mirë apo i keq. Sepse e mira dhe e keqja nuk mund të përcaktoheshin apriori, jashtë dhe përtej përvojës.

    Ankthi të panjohurës qëndronte pezull në hapsirat e mendjeve të mjegulluara nga pikëpyetjet dhe pasiguritë.

    2. Kështjella

    Pas shumë kohësh, kur njerëzit pothuaj kishin harruar që fundi i tij mund të vinte, një lajm tronditës përshkoi të gjitha kthinat e kështjellës dhe rrethinat e saj më të largëta – në ato skaje ku çdo njoftim, për mirë apo keq, merrte trajta dramatike: Prijësi i Madh, themeluesi dhe mbrojtësi i kështjellës së fundit në atë shkretëtirë ranore, kishte ndërruar jetë.

    Kasnecët, më të shpejtë se era, shpallën anembanë lajmin e kobshëm dhe zinë e madhe dyzet ditore.Prijësi mbylli sytë – shikimi dhe kujtesa e kishin lënë prej kohësh – një mëngjes prilli, kur lulet e portokajve sapo kishin çelur dhe zogjtë në parkun me pemë shekullore këndonin përvajshëm,sikur të parandjenin gjëmën që po afronte.  Në të vërtetë, zogjtë këndonin sipas ligjeve të tyre misterioze, por ishte mendja e Kryeshoqëruesit ajo që këngës së tyre neutrale i jepte një tingull profetik, të pikëlluar. Ai, që tashmë e dinte se fundi i Prijësit ishte i afërt, i shikonte me neveri edhe lulet e sapoçelura, sepse një ditë, në një qoshe, të trurit, një grimë kohe i vetëtiu një gjysmë mendimi, i veshur me dritë të errët: Ato janë lulet e mortit…

    Pranverë-mort, mendoi ai…Pikërisht në atë kështjellë, ku pranvera si simbol i parajsës mbi tokë, ishte kryemetafora e rapsodive të lahutarëve të punësuar në shërbim të Prijësit.

    Pas ritualeve të zisë dyzetditore, dy pasardhësit –Aliu dhe Atosi -pretenduan të drejtën e sundimit mbi kështjellën. Këshilli i të Urtëve, sipas së drejtës së re, vendosi ndarjen: Aliu do të qeveriste anën e djathtë të Kështjellës, Atosi – anën e majtë.

    Jo izolimi por hapja ndaj botës do të ishte mënyra e të qenurit në epokën e re. Muret rrethues nisën t’i shembnin me mllef dhe shpejtësi. Arkitektët e modernizimit –ose të shkatërrimit krijues-filluan punën, duke hapur porta të reja dhe ngritur ura mbi llagëmet ndarëse rrotull kështjellës. Por një pjesë e banorëve, të lodhur nga roli i dyfishtë – roje dhe të rrethuar – u larguan, duke ikur shumë larg nga ai vend, ku gurët po humbisnin rëndesën dhe ku mbrojtësit ishin bërë shkatërruesit më të mëdhenj.

    Edhe pse larg, ata ndienin një vorbull përthithëse, që mendonin se vinte nga Kështjella e braktisur – por në të vërtetë, vatra e saj ishte brenda qenies së tyre.

    3. Horizonti

    Më në fund, ata dolën nga guva ku ishin ngujuar që nga një kohë që askush s’e mbante mend. Drita ishte verbuese, liria marramendëse. Donin të linin gjithçka pas, por nuk e kuptonin se ajo që kërkonin të harronin ishte tashmë brenda tyre – e pashkatërrueshme.

    Pas daljes nuk pati kohë për festë. Menjëherë shpërtheu debati:  A ishte dalja një çarje në kohë apo hapje  në hapësirë?

    Të gjithë kalendarët matnin kohën, por askush nuk kishte menduar ndonjëherë të krijonte një kalendar të hapësirës. Sepse gjithë rrjedha e kohës depozitohej në hapësirë – me gjurmë e shenja të pashkatërrueshme. Një etimolog i ri kujtoi se fjala hapësirë vinte nga fjalët  pellazge hap dhe sirë – dhe nënkuptonte daljen nga magjia – ose hap sytë – gërma t ishte dëbuar për shkak të rotacizmit të hershëm.

    E qeshuroi kumboi e pazëshme në kokat që miratonin përulësisht por pyetja mbeti pezull: Nga çfarë po dilnin? Dhe ku po shkonin?

    Një mëngjes, mbi malin mitik, Prijësi (i Riu) shtriu dorën drejt horizontit dhe tha:
    “Do të shkojmë atje ku qielli puqet me tokën. Fundi i udhëtimit do të jetë fillimi ynë i ri.”

    Marshimi i madh filloi me fanfara dhe muzikë. Ec e ec –dhe si në përralla-rruga nuk kishte të sosur. Horizonti, për shkak të trilleve të motit ose mjegullnajës që pllakoste mendjet e tyre ontologjikisht skeptike, herë dukej më afër e herë u humbiste nga sytë. Më në fund e kuptuan  se ndodheshin para një paradoksi : sa më shumë t’i afroheshin horizontit, aq më shumë ai largohej. Fanfarat heshtën. Entuziazmi u tret. E megjithatë, ata ecnin. Sepse ecja ishte kthyer në një obsesion drejt një finishi që nuk vinte.

    Orakulli, tashmë i verbër, kur nisi stina e shirave të mëdha, kujtoi legjendën e shpendit të zi  mbi shkëmbin e kuq dhe profecinë e njeriut mbi  librin e trashë : Koha do të ndalojë dhe hapësira do të zgjerohet..Apokalipsi kishte ardhur. Jo si përmbytje por si boshllëk i pafund. Jo si kumt i ri por si fundi i të gjitha kuptimeve.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË