More
    KreuLetërsiBibliotekëTregime nga Zejnullah Rrahmani

    Tregime nga Zejnullah Rrahmani

    HËNA E DASHNORES

    Në gjithë Prishtinën dhe përtej, nëpër Vendin e Kosovës, i kish dalë zëri për kurvëri.

    Ishte më e njohura grua për dashuri.

    Kurrkush s’ia bënte ngatë as për bukuri, as për mjeshtërinë e bërjes dashuri.

    Dashnorë të famshëm arrinin nga të gjitha anët dhe sprovoheshin aty tek ajo, për një natë a dy, për një javë a një muaj… Mirëpo askush prej meshkujve nuk doli ndonjëherë prej konakëve të saj duke u lavdëruar që ajo nuk donte më tepër, se ajo ishte lodhur dhe ngopur më.

    Trimat e çartur ia dorëzonin armët asaj për kujtim. Kalorësit ia dhuronin kalin.

    Udhëtarët e largët ia linin duçtë.

    Një detar i ardhur prej kushedi cilit det, tejembanë shkre-tëtirës, ia dhuroi një guacë të mrekullueshme që këndonte netëve të errëta.

    Një hoxhë ia la qitapët e vet.

    Pallati i saj ngadalë qe mbushur me kujtime të pambarimta dhe ajo s’kishte më kohë as për t’i shikuar. I hidhte me shkujdesje tutje nëpër hajate, në treme, në podrume, në qoshe të oborrit… me shpresë që një ditë t’i merrte sërish dhe t’ua njihte vlerat…

     Gjërat e jashtëzakonshme të trimave ktheheshin aty në gjëra të zakonshme e të pavlera, të cilat i hidhte tutje ajo. Madje edhe margaritarë të paçmueshëm, rubinë, safirë, perla të zeza, smeraldi e ari safi, të gjitha humbnin vlerën aty menjëherë, se vendoseshin pranë të tjerave me po aq vlerë të paçmueshme dhe të papërdorshme. Ajo shkëlqente përmbi të gjitha, përmbi ngjyrat e shkëlqyeshme të rrobave e mëndafsheve të panumërta, përtej gurëve e dhuratave, përtej mrekullisë së luleve të natyrshme dhe pikturave të mrekullueshme…

    Aty kish humbur shkëlqimi i princërve dhe krenaria e mbretërve, dijetarë të botës njerëzore kishin mbetur pa gjë të njohur në mendje nga bukuria e saj dhe e ngasjes, nga ngashënjimet e saj dhe nga pasioni i dashurisë së saj.

    Ajo tashmë e njihte në palcë dashurinë njerëzore, dashurinë e kafshëve të egra dhe të shpendëve.

    Mund të bënte të gjitha llojet e dashurisë dhe fill në çastin tjetër kërkonte dashuri të reja, përherë e më me ngulm, përherë e më me pasion…

    S’ishte askush si ajo…

    HËNA E DASHNORIT

    Dashnori ishte i njohur në Qytet.

    Vajzat e bukura ëndërronin për një buzëqeshje të tij. Madje edhe vetë princesha dhe bukuroshet e tjera të pallateve shihnin me vite e vite të njëjtën ëndërr: të mbeteshin vetëm me të, qoftë edhe një orë të vetme. Pastaj ia fillonin e thurnin planet e fshehta se si të arrinin tek ai patjetër. Thuhej se, aty e mbas, vajzat që i jepeshin atij bëheshin me shenjë, se u lodronte lumturia nëpër trup e fytyrë. Pas atij momenti ato ëndërronin t’i ktheheshin përsëri e përsëri, mirëpo asnjëra prej tyre nuk kish dalë nga shtrati i tij triumfuese. Thjesht, e kishin pranuar që dashuria e tij i kalonte mundësitë e secilës dhe ato e ndienin aty pranë tij veten të pafuqishme në punë të dashurisë. Ai ishte mjeshtër dhe i pangopshëm. Mundësitë e tij dashurore ishin të pambarimta… Edhe më fantastikja midis femrave, një rrospi e famshme, ia kish dalë të qëndronte tek ai për shtatë ditë dhe betohej në çka kishte që ai kish bërë dashuri me të shtatë ditë e shtatë net pa u ndalë dhe se gjithmonë seksi i tij kish qenë i ngritur… pastaj ajo vetë qe rraskapitur dhe e kish zënë gjumi, ndërsa seksi i tij po e çante atje poshtë… nëpër terrin e ëndrrës dhe molisjen e rraskapitjes… po e dërmonte dhe ajo nuk kish  mundur të përballonte më… dhe nuk mund të përgjigjej më… dhe nuk mund të bënte më dashuri.

    KJO ËSHTË DASHURIA JOTE

    Në Prishtinë, te Kroi i Bardhë, rrinte një djalosh që u bë i famshëm. Sikur gjithë të tjerët, i gjatë rreth një e tetëdhjetë, me flokë midis të bardhave e të zezave, me fytyrë të rregullt, me rroba të përditshme… Asgjë e veçantë në pamjen e tij, mirëpo me vete mbante një thes me tasa. Kishte në thes tasa teneqeje, me madhësi të ndryshme. E mbushte një tas me ujë aty në krua dhe pastaj e derdhte në tasin tjetër. Askush nuk e dinte me siguri si e kish shpikur ai lojën e tillë, mirëpo duhet të ketë qenë ndonjë grua e re e mbetur pa burrë (se njerëzit shkonin larg për të punuar, ose në ushtri) që e kish pyetur e para:

    “Pse po i mbush ata tasa me ujë?”

    (Ose mund ta ketë pyetur “Çka po bën me ata tasa?”, ose edhe mund t’i ketë thënë “A ma jep një tas të pi ujë?”, ose ndonjë pyetje tjetër e cila tashmë nuk kishte rëndësi, por që ka qenë tmerrësisht e rëndësishme për zhvillimin e asaj historie të tij.)

    “Po e mat dashurinë”, – ishte përgjigjur ai.

    Kështu, njerëzit filluan të afroheshin aty për të pirë ujë dhe më shumë për ta matur dashurinë.

    Ai e mbushte një tas dhe i thërriste “Kjo është dashuria jote!”, pastaj nxirrte një tas tjetër dhe e derdhte ujin e të parit në të…

     Shpesh qëllonte që tasi i dytë të ishte vrima-vrima në fund dhe uji rridhte teposhtë e nuk mbushej. Njerëzit mbeteshin të pakënaqur. Ndonjëri shante.

    “Çfarë të bëj unë?” – i përgjigjej.

    “Ke dy zgjidhje. Vazhdo të japësh, edhe pse je i sigurt që nuk do të përmbushësh kurrë dashurinë tënde, ose edhe më mirë, mos shiko në fund si është vrima-vrima dhe vazhdo të shikosh lart ku e hedh ujin…”

    DASHURIA E VAJZËS

    Një vajzë e bukur një ditë u ndal te Kroi i Bardhë dhe i tha Matësit të Dashurisë:

    – Çka po ndodh me mua? Trego!

    Ai nxori një tas dhe e mbushi. Nxori dhe një tjetër tas shumë të madh dhe e ktheu ujin e tasit të vogël në tasin e madh.

    – Eja shiko! – i tha asaj. – Dashuria jote është si ky uji i paktë që bie në tasin e madh. S’ia mbulon atij as fundin.

    DASHURIA E GRUAS

    Gruaja priti me durim në radhë, derisa njerëzit më në fund u larguan dhe Matësi i Dashurisë mbeti vetëm.

    Nuk kërkoi asgjë. Ndenji aty për pushim.

    Por Matësi i Dashurisë nxori një tas dhe e mbushi me ujë. Ishte një tas i madh, i madh. Mbushur përplot. Veç pak me e lëkundë atë tas dhe uji derdhej teposhtë buzëve të tasit… Mandej futi dorën në thes dhe nxori prej andej një tas të vogël, të cilin e lëshoi përtokë. E ktheu ujin prej tasit të madh dhe uji vërshoi përtej tij në të gjitha anët. Veç pak ujë mund të zinte ai tas…

    – E mjera ti, moj! – i tha Matësi i Dashurisë.

    PROVA E DASHURISË

    Një grua erdhi një ditë dhe i tha Matësit të Dashurisë:

    – Botës i tregon tasat e dashurisë, po ti përse nuk e mat dashurinë tënde?

    – Si nuk e mbas?! – u habit ai. – Çfarë bëj tjetër gjithë ditën e lume, moj?

    GRUAJA E DASHURISË

    Kish një kohë të gjatë që një grua vërtitej aty rrotull. As nuk largohej dhe as nuk kërkonte ta maste dashurinë. Matësi i Dashurisë e pa një kohë të gjatë. Madje atij, kur i dilte kohë, disa herë i kish shkuar mendja ta maste dashurinë e saj ashtu kot, për hesap të vetin… E kish futur dorën në thes që ta kapte tasin e dashurisë së saj, por dora i lëvizte në boshllëk. Thua se tasat qenë zhdukur prej aty. Në fillim pothuajse as që e kuptonte këtë, nxirrte dorën bosh nga thesi dhe e mbante natyrshëm lëshuar teposhtë. Mirëpo më vonë iu duk e çuditshme ajo që po ndodhte me të. Provoi përsëri dhe dora sërish iu vërtit nëpër terrin e thesit pa prekur asnjë tas. I frikuar, e tërhoqi dorën nga ai boshllëk thesi si ta kish zënë gjarpri në terr. Mandej në çastin tjetër sërish e riktheu qetësinë dhe saora i shkoi mendja që duhej ta fshihte këtë gjë.

    U bë sikur asgjë s’po i ndodhte.

    Erdhën disa njerëz të tjerë dhe ata kërkuan të matnin dashurinë, kështu që ai u mor me ta. Nxori lehtësisht tasat dhe secilit ia mati dashurinë, si të mos kish ndodhur asgjë pak më parë. Pastaj ata shkuan dhe ajo gruaja sërish u afrua aty.

    Matësi i Dashurisë e futi dorën në thes dhe atje nuk zuri asgjë. Tasat qenë zhdukur. Thesi bosh qëndronte ashtu te këmbët e tij. Atëherë gruaja nxori një gastare plot verë të kuqe.

    – Ma jep tasin tënd! – e luti Matësin e Dashurisë. Ky, i hutuar, e futi dorën në thes dhe gishtat saora prekën kristalet e një kupe të madhe, shumë të madhe, të cilën e nxori me kujdes dhe e vendosi në rrasën e gurit të kroit. Gruaja derdhi në të gjithë verën e gastares, mandej e luti me sy ta provonte. Kupa u mbush plot.

    Ai e provoi.

    Edhe ajo e provoi.

    Ai piu dhe ajo piu gjithashtu.

    Ata vazhduan të pinë atë verë gjithë ditën, gjithë natën, gjithë stinën dhe ata kurrë më nuk e ditën kush çka është: matës a dhënës a marrës dashurie?

    Nuk e dinin a janë njerëz, a janë verë, a janë kupë… apo ashtu, thjesht, ishin vetë dehja: O Zot, Mëshirëbërësi i Mëshirshëm!

    ZHURMA E DASHURISË

    Një ditë, kur po ecte nëpërmes tollovisë së pazarit në Prishtinë, atij i ndodhi të shurdhohej.

    Disa kohë as që e kish vërejtur që përreth tij kish rënë qetësia e humbjes, por pastaj e kuptoi që në gojën e gjithë atyre njerëzve nuk kishte më fije zëri. Qerret nuk bënin zhurmë, kuajt  sikur me pasë shkelë në pambuk. Dyert, dritaret, tezgat, qentë e rrugës, të gjithë, gjithçka ishte pa zë…

    Atëherë e kuptoi që në vesh kish zënë vend përgjithmonë vetëm zëri i dashurisë së saj. Për tjetër s’kish mbetur më as edhe një trohë vendi dhe e kotë ishte çdo përpjekje e të tjerëve për të thënë diçka.

    Të gjitha zhurmat e kishin kot që bënin potere rrotull.

    SHKRIRJA E GJËRAVE NË DASHURI

    Kur u ulën për të ngrënë, në sallonin e mrekullueshëm, i ra të ulej përkarshi saj. Prej enës së porcelanit shërbëtorët e drekës e zbrazën në pjatë, së pari, supën.

    Duke e afruar lugën drejt gojës, i ra ta ngrinte pak vështrimin për t’i parë të tjerët dhe atëherë e pa se si shpirti i saj u shtri deri te pjata e tij dhe u përzje në supë dhe ai pa kuptuar vazhdoi të pinte supën.

    Pastaj shpirti i saj u përzje me të gjitha llojet e ushqimeve që i lëshoheshin përpara dhe me të gjitha llojet e ëmbëlsirave që hante.

    Më vonë, kur po rrinin e dëgjonin muzikë në sallon, shpirti i saj u shkri nëpër tingujt muzikorë dhe ai e pëlqente të tërin në atë harmoni.

    Pastaj ai shpirt i saj u përhap nëpër ajrin e sallonit dhe ai e thithte nëpër të gjitha aromat e parfumet.

    Më në fund, ai shpirt i saj shkoi dhe u përzje me gjërat dhe ai përfundimisht e kuptoi që ajo ishte gjithkund në jetën e tij.

    GËZIMI I DASHURISË

    Kur u duk ajo, u hap qielli i ngrysur ngado.

    Shiu ndaloi.

    Të vranëtit kthjelloi.

    Në ballë iu hoqën rrudhat.

    U bë i gëzuar dhe i buzëqeshur për atë që e kish marrë malli me e pa.

    E SHKRIRË NËPËR LULET E KOPSHTIT

    Një ditë e pa vajzën në kopsht.

    Ajo shëtiste e shkujdesur midis luleve. As e gëzuar, as e hidhëruar. Pa buzëqeshje dhe pa mrrola mbi ballë. Ishte si me qenë pjesë e atij kopshti. Si dru i bukur aty. Si guri i hedhur në harresë. Si fije bari a gjeth i rënë përtokë midis barit e luleve… Si frymë e atij Kopshti. Si shpirti i tij.

    Mandej qëndruan përballë dhe Zena e pa se si fustani i saj i gjatë e i brishtë e me lule po shkrihej në bar e se si pastaj edhe Ajo po shkrihej nëpër lulet e barin e shkurret e lulëzuara dhe sado që ajo fshihej nëpër ngjyra e forma të kopshtit, ai e shihte kudo: ishte nëpër ajër e nëpër bimë e nëpër dherat e tokës e nëpër ujërat…

    …Ajo ishte gjithkund dhe çkado që ai prekte me dorë e me sy, ajo ofshante e shkrihej në kënaqësi të prekjeve…

    Ai e prekte dhe e shijonte nëpër të gjitha, bashkë me aromat e luleve.

    DHURATA E DASHURISË

    Unë kam disa dhurata me t’i dhënë.

    E para është se, kur ishe Ti larg, kjo botë që e sheh tash nuk ishte, dhe, prandaj, merre e mbaje përgjithmonë. Se, nëse Ti e braktis, unë kthehem në asgjë. Se nuk ekziston botë tjetër ku nuk je Ti.

    E dyta, sa herë që shikoj për ty, gjithmonë e gjithkund ishe Ti në mua.

    E treta, sa herë që shikoj për veten, të shoh Ty, prandaj e di që unë jam Ti dhe të takoj Ty…

    GODITJET E DASHURISË

    Kur u mblodhën të gjithë në aheng, dhjetëra tupanë filluan të bien përnjëherë.

    Kur hyri Ajo, brenda zhurmës së tupanëve e dëgjova zhurmën e goditjeve të zemrës.

    Ajo godiste dhe bënte zhurmë më shumë se tupanët…

    … se në zemër lodronte Dashuria…

    BREDHJA PAS DASHURISË

    Ai shkoi ta kërkonte atë në vendin ku e kish parë kur u dashurua. Por Ajo nuk ishte më aty.

    I thanë që mund ta gjente në Ballofc, gjithkund e kërkoi atje.

    Ia dinte anë e përtej fshehtësitë vendlindjes: krojet, lisat, mrizet, hijet dhe rrezet, guvat e errëta dhe lëndinat e fshehta ku dilnin drenushat, por ajo nuk ishte.

    Shko në qytet, i thanë.

    I mati ato rrugë gjithë ditën, gjithë natën. Njëherë atje ia ndjeu flatrimin nëpër ajër dhe njohu mrekullinë e ditës së re, sythave që po zinin të bulojnë jetë, po atë nuk e pa.

    – Shko në Prishtinë, n’atë qytet të madh e të fshehtë!

    Dhe shkoi në Prishtinë, e u fut atje, në mjegullnajë, në pluhur e në zhurmë, por Ajo kish tretur se nuk ishte atje.

    Është në Shkodër, mendoi dhe u nis atje me nxitim. Por ajo nuk ishte në Shkodër, po në Shkup.

    Dhe Ai vrapoi e drejt në Shkup, por s’e gjeti.

    Jehona e parfumeve të saj shtrihej drejt Prishtinës dhe ai ndoqi rrugën nëpër muzg. E kërkoi gjithkund: në Breg të Diellit, në Kodër të Vreshtave, në Taslixhe dhe në Ulpianë. E kërkoi midis gjetheve e petaleve të luleve dhe fëshfërimave të erërave në Gërmi. Edhe tutje në tollovinë e mesditës te Pazari dhe te Xhamia e Llapit.

    Në drekë ra në sexhde në lutjet e mesditës në Xhaminë e Mbretit me shpresë që do ta gjente, por jo!

     As në Emshir, as te Kroni i Bardhë, s’ishte Ajo askund,  e në asnjë vend…

    Po atëherë, kur s’ishte askund Ajo, përse e ndiente praninë e saj gjithkund? Përse e ndiente që ajo ishte në sy, në vesh, në mendim, në dorë, në këmbë, në kraharor, në zemër, në midis të midisit të zemrës, në pikën e saj të errët në të cilën mjalti e pelini shkrihen në njëri-tjetrin, ku rri vetë Zoti…?

    HUMBJA E BRENDA

    Ajo kish humbur përgjithmonë, se tashmë ishte brenda tij.

    Ai e pa që ajo dashuri ishte barrë e rëndë sa një bjeshkë dhe vështirë ta mbante… e po ta lëshonte poshtë, toka do të dridhej prej rënies së saj si prej tërmeti. Dhe do t’i shkatërronte të gjitha përreth.

    DASHURIA SHKATËRRUESE

    Po ta lëshonte atë dashuri të cilën e mbante në zemër, do të përmbyste katunde e qytete, do të shkretonte fusha e pyje.

    Do të sillte katastrofa…

    …Prandaj e mbante në zemër mbyllur dhe kish frikë prej mrekullisë së saj…

    PRANIA E DASHURISË

    Zogjtë filluan të këndojnë.

    Frymët filluan të frymojnë.

    Faqja e ujërave filloi dhe u drodh.

    Lulet filluan të mbajnë aromën.

    Është ngrohtësia e njohur që filloi të përhapet…

    Dashuria është afër…

    PRANVERA E DASHURISË

    Në kopsht filluan degët të lëkunden nga erërat e pranverës.

    Qiparisat u tundën lehtë…

    Mollët shkundën gjethen e mbramë të dimrit.

    Dhe sythat e jargavanit u frynë.

    …Po vinte Dashuria.

    ARDHJA E DASHURISË

    Ishte më e zhurmshme se bubullimat e verës dhe porsi ato erdhi duke shndritur me diell.

    E dëgjonte se si goditjet qëllonin njëra pas tjetrës, me rrufe e ushtimë.

    Të gjitha rrihnin në po atë pikë të vockël e të fshehtë të zemrës, mu në terrin e pakufishëm të saj.

    DASHURIA

    Dashuria i kish ardhur shpërfillshëm dhe po vriste çdo gjë tjetër brenda në të.

    Po shpërndante lumturi, fshehtësi dhe jetë të re.

    LUFTA E DASHURISË

    Dashuria u shfaq me krisma e bubullima e rrufe. Stuhi të tmerrshme që tunduan shpirtin.

    Ulërimat e shpirtit ishin sa ato bubullima dhe lufta ishte në vlug.

    HYRJE NË BETEJË DASHURIE

    Ai ishte për gjah në shkretëtirë kur zogu i bekuar fluturoi prej qiellit e zbriti në krah të tij.

     Aty syri i shqiponjës ishte pranë syrit të tij. Sqepi i saj pranë gojës së tij…

    Dhe zemrat, e gjahtarit dhe e shqiponjës, rrihnin si daulle lufte kur armatat e tmerrshme nisen në sulm…

    BETEJË DASHURIE

    Ai sulmoi me hanxharin e zjarrtë…

    Shqiponja e egër i nguli kthetrat në mish dhe me sqepin e tmerrshëm çukiti si rrufeja thellë në kraharor te zemra.

    HABIA E DASHURISË

    Ai zog qiellor s’kishte asnjë arsye të zbriste aty, por tashmë i kish hapur plagë të thellë në kraharor.

    E kishte bekuar me atë prani.

    PLAGA E DASHURISË

    Ai kurrë s’kishte menduar që shqiponja e egër do të zbriste rrufeshëm aty… po tash lufta e egër i kish kapërthyer… dhe gjaku lëvrinte prush nëpër zemër.

    BUKURI E DHEMBJE DASHURIE

    Ajo shqiponjë e mrekullueshme dhe e egër ia la një plagë – trëndafilin e zjarrit mu në kraharor.

    Dhembja ishte e tmerrshme dhe tmerrësisht e dashur.

    Ajo shqiponjë përgjithmonë ishte e tij, se nuk mund të shqitej kurrë më prej plagës.

    Megjithëse… me asgjë nuk e kish merituar.

    LUFTA E RE PËR DASHURI

    Kish kohë që ishte mbyllur në muret e shpirtit të vet. I lodhur dhe i mërzitur. Në terr…

    …njëqind vjet më vonë iu kujtua çka duhej të bënte: mori një sëpatë, e theu murin dhe iku përjashta.

    Përbiroi e ra teposhtë murijeve e në kopsht: blerimi i barit dhe aroma e luleve dhe drita e diellit u bënë shtëpia e tij e Dashurisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË