More
    KreuLetërsiShënime mbi libraTom Gjokhilaj: “Brirët”, satira që zbërthen realitetin shqiptar me një humor therës

    Tom Gjokhilaj: “Brirët”, satira që zbërthen realitetin shqiptar me një humor therës

    Duke lexuar romanin Brirët, botimet “Fishta” 2024, të shkrimtarit dhe poetit të mirënjohur Marash Mirashi, lexuesit i shpaloset një alegori e thellë dhe tronditëse mbi realitetin shqiptar, një pasqyrim grotesk i jetës sonë shoqërore ndër dekada ,madje edhe më gjatë, për të mos thënë ndër shekuj. Në mënyrë simbolike dhe mjeshtërore, autori paraqet një shtet të trilluar me emrin kuptimplotë Babziland, vendi i të babëziturve. Edhe monedha vendase, babzinda, nuk është thjesht shpikje letrare, por mbart në vetvete një satirë të hollë gjuhësore mbi etjen për pushtet dhe pasuri.

    Qysh në faqet e para, romani zë fill me një skanim të thellë të jetës shqiptare ,nga qytetari më i thjeshtë deri tek majat e pushtetit, e në mënyrë të veçantë, tek këto të fundit. Autori përdor simbolika dhe metafora të ndryshme për të skalitur një tablo shumëdimensionale të një shoqërie të ndarë mes servilizmit, harresës dhe revoltës së shtypur. Narrativa e tij është e mbushur me tipizime që pasqyrojnë figura kolektive e individuale të politikës, mediave, institucioneve dhe vetë popullit.

    Në qendër të romanit qëndron Kryebariu, një figurë groteske dhe alegorike që përmbledh në vete tiparet më negative dhe më të njohura të udhëheqësve shqiptarë, si të epokës së diktaturës, ashtu edhe të tranzicionit demokratik. Despotizmi i tij, arroganca, brutaliteti dhe narcisizmi shpërfaqen jo vetëm në veprime, por edhe në detajet më të imta të sjelljes dhe gjuhës së tij ,nga veshja me pantallona të çuditshme, tek fjalori vulgar dhe i dhunshëm, apo në mimikën dhe gjestet tipike që lexuesi i vëmendshëm do t’i njohë lehtësisht.

    Në këtë realitet alegorik, ngjarjet zhvillohen në mënyrë të ngjeshur, duke krijuar një pasqyrë tronditëse të realitetit shqiptar. Arrestimi absurd i të ashtuquajturve “sabotatorë të ribrirëzimit”, burgosja e Atë Faustit, emërimi grotesk i Samantës fshatare në Këshillin e Lartë të Barinjve ,të gjitha këto ngjarje janë reminishenca të hidhura të diktaturës komuniste dhe pasqyrim satirik i skenës politike të sotme.

    Figura të tjera, si gazetari Tim David, paraqiten si zëra kritikë që shfaqin pamjen e vërtetë të shtetit baritor të Babzilandit. Artikulli i tij në gazetën “Imperial”,që irriton në kulm Kryebariun ,është një kritikë e hapur ndaj korrupsionit dhe absurditetit institucional, ndërsa reagimi i Kryebariut ,duke e shpallur gazetën “letër higjienike”, përforcon anën e egër e paranojake të këtij lideri autoritar.

    Autori nuk ndalet vetëm në sarkazmën politike. Në mënyrë shumë të natyrshme, ai kontraston turmat e servilëve me qytetarë të zakonshëm e të ndershëm. Romi farkëtar që ndihmon gazetarin pa interes, apo fshatari që ther pulën për mikun e huaj, janë shembuj të virtyteve që ende ekzistojnë në shoqërinë shqiptare, ndonëse të mbytura në zhurmën e korrupsionit dhe hipokrizisë.

    Një galeri e gjerë personazhesh përshkon romanin: barinj, bareshka, zyrtarë, gazetarë, analistë, politikanë, të burgosur politikë dhe oportunistë të të gjitha niveleve. Emrat e tyre shpesh janë simbolikë, si Blind Kuk, drejtuesi i emisionit televiziv që kërkon sensacion me çdo kusht, apo Fill Bobi dhe Kristinë Pamshira, gazetarë kritikë që përballen me sulme dhe etiketime brutale si “horr” dhe “lavire bulevardi”.

     Ngjarjet në roman janë të ngarkuara me simbolikë. Procesi i “ribrirëzimit” vjen si një sarkazëm për zyrtarët e lartë të cilët janë të gatshëm të shndërrohen vullnetarisht në kafshët e bindura të liderit Kryebari, duke i dhënë romanit një atmosferë grotske që të kujton George Orwell. Aksioni për pastrimin e lumit Brajt i ngjan nismave për ruajtjen e lumit Vjosa. Referenca të drejtpërdrejta bëhen ndaj grabitjes së pronave, burgosjes pa gjyq të kundërshtarëve, manipulimit të votave, përndjekjes së klerit, gjithçka e njohur për realitetin tonë të përditshëm.

    Gjuha që përdor Mirashi është e thukët, me ritëm dhe humor të hollë, shpesh therës, që e bën leximin një përvojë të gjallë e emocionale. Ai nuk e zvarrit rrëfimin, por lëviz natyrshëm nga një episod në tjetrin, duke ruajtur gjithmonë koherencën dhe intensitetin e tregimit. Romani është i pasur me shprehje idiomatike dhe figura letrare që e shndërrojnë në një pamflet letrar ndaj sistemit të kalbur që ai përshkruan.

    Shumë emra simbolikë si Tirrvuli, Kilmondi, apo republikat përreth si Ibretisatani, Kismetistani dhe Tallavaland janë metafora të vendeve reale që shqiptarët i njohin mirë, duke përforcuar më tej karakterin alegorik të veprës.

    Në përfundim, Brirët është më shumë se një roman: është një manifest artistik, një kritikë e ashpër dhe e drejtëpërdrejtë ndaj realitetit shqiptar. Me një qasje të guximshme stilistike dhe me një mjeshtëri të padiskutueshme, Marash Mirashi ka realizuar një vepër që të bën të qeshësh me trishtim dhe të mendohesh me dhimbje. Kjo vepër është dëshmi e fuqisë së letërsisë për të ndriçuar errësirën e shoqërisë dhe për të zgjuar ndërgjegjen kolektive.

    Nuk është rastësi që ky roman është vlerësuar me çmimin “Atë Gjergj Fishta” si romani më i mirë i vitit 2024. Ai është një përkufizim i saktë i asaj që letërsia duhet të jetë: pasqyrë, alarm dhe shpresë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË