More
    KreuLetërsiBibliotekëTimo Flloko: Nestor Jonuzit, një ditëlindje pa kohë…

    Timo Flloko: Nestor Jonuzit, një ditëlindje pa kohë…

    Fragmenti i mëposhtëm është shkëputur nga një libër për Nestor Jonuzin, që po e harton Spiro Qirzidhi, shkrimtar që jeton prej vitesh në Athinë, mik edhe ai i piktorit…

    Nestori është piktor i mrekullueshëm, artist, një intelektual i ditur dhe me karakter njerëzor unik.

    Me Nestorin, ka kohë që nuk jam parë, por sa herë e takoj, ndihem ngrohtë dhe, sigurisht, në kuotën e nivelit mendor e shpirtëror, që reflekton natyra e personalitetit të tij njerëzor, plot dritë, si në peizazhet e tij mahnitëse.

    Më kujtohet…

    Ishte viti 1983. Xhiroja në Berat me filmin “Nata e parë e lirisë”, në rolin e Çeçemit, arixhiut endacak, i cili para vdekjes, bën një kërcim, sa ngazëllyes aq tragjik, nën vajin e një klarinete, moment që shënon kulmin emocional të atij filmi.

    Ato ditë ndodhi që dhe Nestori të gjëndej në Berat. U gëzova kur e pashë dhe gjithë atë javë qëndruam orë e çast së toku, duke shëtitur nëpër rrugicat e Beratit e përpjetë Mangalemit, s’u nginjëm së foluri për arkitekturën e qytetit 2500 vjeçar, për kishat e lashta, për Onufrin dhe David Selenicasin si dhe për ikonat mesjetare të Kishës Muze në Kala. Sa qeshja me shakatë dhe “sofizmat” karakteristike që pillte mendja fantazore e Nestorit… Humorin e tij të veçantë e të pazakontë, krejt serioz në dukje, ndodh të mos e dallojë tjetri, të gjëndet madje në mëdyshje nëse ai flet seriozisht apo e ka për shaka e lojë… (?) Ndonjëherë, Nestori e çon shakanë ku s’mban sa ta merr mendjen me humorin e tij hiperbolik, dhe kush s’ia njeh huqin, stepet pa ditur si të reagojë, kurse kush e njeh, ndodh t’i kthehet me inat e t’i thotë, “Boll, Nestor, se na lodhe, fol seriozisht”! Kështu ia kam bërë unë jo pak herë… Pikërisht atë çast, pasi t’i ka ngritur nervat, ai qesh e kënaqet, del nga loja me një përqafim të ngrohtë e mirësi shpartalluese…

    Nestori Jonuzi është artist me talent të lindur. Shpirti i ndjeshëm i tij, shfaqet në çdo tablo që ai pikturon. Syri i tij vrojtues, me vështrimin in se, depërton në thellësi, në brendësinë e shpirtit të njeriut, ku, ai, arrin të zbulojë të padukshmen, ta nxjerrë prej së thelli e ta bëjë atë të shfaqshme e shprehëse në pamje. Ai sheh aty ku s’shohim dot sytë e zakonshëm, që s’e kanë atë dhunti, jo veç kur pikturon natyrën (sa guxon t’i bëjë sfidë vetë krijuesit të saj…), por ai penetron si një magjistar, në ca skuta të fshehta, te virtytet e te cenet e karaktereve njerëzore, në persona e tipa nga më të ndryshmit, të cilët i portretizon mjeshtërisht, duke nxjerrë në pah si së gjalli, botën e tyre shpirtërore…

    Vrullet e brëndshme prej artisti, e shtyjnë atë të shtegtojë me penelin në dorë, atje përballë detit, perëndisë së tij, universit të vet, pa hapësirën, shtrirjen e pamatë, thellësinë dhe horizontin e të cilit, ai nuk bën dot, i rresht frymëzimi, i sos muza e pushon së qeni artist…

    Nestor Jonuzi është piktor i detit si rrallëkush tjetër, por edhe i pyllit dhe i qiellit; por detin ai e ka zot, mit e thelb ekzistence, motivin dhe modelin më të rëndësishëm mbi gjithçka tjetër në krijimtari… Mes pamjeve të ndryshme e të shumëllojta të detit, shtjellave të tij larg në thellësi, trazimeve të rrëmbyera e shpërthyese në breg, përplasjes së fuqishme të dallgëve me shkëmbenjtë… syri njerëzor nuk nginjet duke i parë…! Veç, jo kushdo ka vënë re, ka mundur të shohë a të përfytyrojë më mirë, në peizazhet si prej ëndrre të një deti të qetë, të prekur lehtë nga peneli i artistit, atje përmes transparencës së ujit të kthjellët e kaltëran, diçka më se të çuditshme, në fundin e shtratit të tij, detin nudo… delikat e të magjishëm, dashuror e intim, që s’ia kalon pamje në botë nga bukuria.

    (Jo më kot Venera ka dalë nga shkuma e detit… nënë)

    Jashtë hamendësimit, s’mund të shpjegohet rendja e hovshme, e pandalshme e këtij të “ikuri” prej vetes, për të rrëmbyer prej detit mbresa nga më të brishtat e më të llahtartat, pamje mahnitëse gjithfarëlloj, pjese të trupit ujor të tij, të hedhura nëpër tablo vaji me përmasa të mëdha e në akuarele, me etjen e pashuar të piktorit “demoniak”, që s’nginjet pa e futur mundësisht krejt detin në telajo!

    Një peizazh dramatik të një deti madhështor, e kam dhuratë prej Nestorit prej vitesh, s’mbahet mend qyshkur, kur ishim të rinj… Ajo tablo me përmasa 2m me 1.5m, nuk është thjesht një peizazh por një pikturë kompozicionale, ku ndeshen forcat e dukshme dhe të padukshme të natyrës, era që i ngre dallgët me tallase prej thellësisë së detit të trazuar e ato turren si hordhi, përplasen furishëm pas shkëmbit gjigant por të mundura zmbrapsen e prapë sulen të paepura në atë betejë të ashpër e të pasosur. Tabloja të mahnit për nga uniteti, kontrastet e harmonia e gjithë spektrit të ngjyrave, e gjelbër, blu e thellë, e kaltër, gri, e bardhë… në largësi e afër… Sa herë ngre sytë dhe përqëndrohem ta shoh, humbas ndiesinë e të qënit përpara një vepre arti, dhe më duket për një çast, s’e nuk shoh një pikturë por detin e njëmendtë e madhështor, përtej dritares sa më bëhet se ia dëgjoj edhe uturimën… Kur e sodis gjatë, më çmall e më sjell kohën e fëmijërisë, kur hidhesha me shokë nga maja e Kalasë poshtë…

    Tani, kur kaloj me makinë për në jug, rrugës nga ku shihet ajo pamje nga poshtë, ndjehem si në ankth dhe çuditem se si kërceja prej asaj lartësie kryeposhtë… por them, eh…15, 16 vjeçar, çfarë s’bën… dhe prej qiellit hidhesh.

    …..

    Deti i Kalasë, Peizazh

    ….

    Po, le ta tregoj historinë se si ndodhi…

    Isha me Verën në Vlorë. Përherë kur shkonim atje, të parët që takonim ishin piktorët, me të cilët ishim miq dhe adhurues të artit të tyre, të Shkollës së Pikturës Vlonjate, të njohur për stilin e vet të veçantë në pikturën shqiptare.

    Sa vinim këmbën në Vlorë, e ndalnim frymën në studiot e tyre, për të parë punët e reja që ata kishin bërë, për t’i shijuar së pari por edhe për të marrë ndonjë pikturë, mundësisht nga më të bukurat mes tyre.

    Mbi dhjetëra tablo të mrekullueshme, falur nga piktorët vlonjatë si, Skënder Kamberi, Agron Dine dhe Nestori, na i zbukurojnë sot muret e shtëpisë së madhe në Tiranë dhe na bëjnë të ndihemi krenarë që i kemi, për vjetërsinë e vlerën e tyre në kohë, për nostalgjinë që ato sjellin si edhe për artin plot frymëzim në to.

    Sot nuk imagjinohet por atëhere, piktorët tregoheshin zemërgjerë dhe i falnin pikturat, ishin madje tejet dorëlëshuar, sa ne nuk lahemi kurrë me ta, siç thonë në Vlorë.

    Nestori na ftoi një ditë te shtëpia e tij për të na treguar kryeveprën, detin.

    “Kryeveprën e kam te nëna, te Lakja, ajo e sheh dhe e ka për zemër…!” Vera, e paduruar, i thotë: “Shkojmë ta shohim, Nestor!” “Avash ti”, ia kthen Nestori, “avash, mos u ngut e mos ushqe iluzione… ajo punë nuk hiqet nga ai mur ku është vënë!”

    Shkuam.

    Nëna e Nestorit, një grua e fisme dhe e urtë, fjalëpakë dhe e përmbajtur, na priti përzemërsisht, me atë dashurinë e saj të ndjeshme për shokët e të birit (disi më të veçantë, në këtë rast, ndaj djalit të dr. Fllokos dhe nuses së tij, të cilën, edhe pse të cilësuar moderne në veshje, Vlora, për faktin që ishte bërë nuse Vlore, e kishte mirëpritur). Si na qerasi me gliko nerënxe e pasi folëm ca, (në fakt, as u sollëm si për vizitë, se sytë na u salduan në murin ku varej deti aq tundues por edhe inatçor, si ta kishte ndierë edhe ai, qëllimin e mbrapshtë të të ardhurve për ta rrëmbyer..) “Uuuuu… Sa i bukur, mrekulli…”, sa s’thirri, sapo e pa pikturën, Vera. “Avash… mos u ngut, shihe, po aq. Të thashë!”, ia kujton si me qortim, Nestori. U bë një heshtje. “Unë e dua këtë pikturë, çfarë nuk do jepja ta kisha..!” Tha në mënyrë pasionale Vera.

    “Avash të thashë. Si e dashke.. Po kjo… Moj… hiqe nga mendja, këtë nuk e jap, iu solla veç ta shihni…” Tha i vendosur Nestori. E lamë për një kohë atë punë dhe folëm gjëra të zakonshme.

    Por kur u krijua përsëri heshtja, Vera, këmbëngulëse ku s’mban, e hapi temën përsëri, duke e zbutur zërin si të lutej, “Po mirë, si thua ti, nëna e Nestorit, do të vinte keq ty po të na i falte neve Nestori dhe të bënte një det tjetër..?”

    Nëna e Nestorit, si të dilte nga heshtja të cilën e mbante si në kyç, foli butësisht, nën tonin e zakonshëm si pëshpërimë, “Eeehh… Nestori e solli një ditë, e vari në mur dhe aty ka që atëhere..” Pak të them se Vera e tha afro dhjetë herë të tjera sa pikturë e bukur, fantastike, një mrekulli, e jashtzakonshme, pikturë gjeniale, për Luvër e s’di tjetër çfarë… Nënë Lakes ato lëvdata i binin për mirë por s’e tregonte kurse Nestorit ia sollën mendtë vërdallë, si thirrje e lutje për dorëzim dhe sikur lëshoi pe, “Le të rrijë tani aty ku është, -bëlbëzoi-, pa këtu jemi..!” Vera si e kapi këtë “pa këtu jemi” insistoi, “Jo, jo, unë e dua fjalën që tani! Si thua ti nëna e Nestorit? Se fjala tënde vendos…” “Epo si të them unë, zgjidheni mes jush, si shokë që jeni se s’jeni çiliminj..”, tha me romuz nënë Lakja. “Po, le ta gëzojnë o Nestor se ti del prapë e bën tjetër, deti aty është…” Konkludoi ajo. Vera brofi dhe zuri ta puthë e përqafojë.

    Piktura atë çast ra pre.

    “Moj.. ç’pata unë që të solla ty në shtëpi..! Ti dhe s’pret.. po kjo kështu.. Ore Timo, po si ia bën ti me këtë nuse… po kjo është halla-halla, t’i heq trutë..” Tha ai pastaj qeshi plot sharm, me ata sytë që i bëheshin më shumë si bajame kur qeshte, si prej kinezi…

    “Ti je Pikaso po edhe unë jam Gertrudë Shtejn, s’jam pak..!”, tha Vera.

    “Ta gëzoni!”

    Nuk pritëm, gjetëm mënyrën për ta hequr nga muri, për ta paketuar e vendosur në një makinë (si ca rrëmbyes të vërtetë) dhe të nesërmen e nisëm për Tiranë. U gëzuam pa masë por unë e ndieva veten aty edhe ca si ngushtë, se falja ishte në përmasa Ginesi…

    Ne kemi ndërruar tri herë shtëpi, shkuam në Amerikë për disa vite, e morëm me vete, u kthyem dhe e sollëm dhe tabloja e Detit te Kalaja, pas çdo strehimi të radhës, ngaherë zinte faqen kryesore të mureve, herë mbi piano, herë mbi orendi e dritare, përherë në lartësi, sa gjithë atyre që e shohin, u krijon përshtypjen se e vështrojnë detin nga maja e shkëmbit të Kalasë poshtë, ku shkumëzojnë dallgët e përplasen me uturimë…

    Një tjetër tablo të mrekullueshme të dhuruar prej Nestorit, “Pylli në vjeshtë”, sot e mban në dhomën e ndënjjes vajza, Linda, në shtëpinë ku banon, në Los Anxheles të Kalifornisë, pikturë që e lidh atë emocionalisht me kujtimet e fëmijërisë dhe për faktin që atë pikturë e kishte për zemër nëna, e cila e rriti, për kujtim të saj…

    Pylli në Çole

    Ja dhe dy peizazhe në format minor, (etyde me frymëzime të çastit në vaj), të trajtuara në stil, me teknikën e akuarelit.

    Peizazhin e Tunelit në Ujin e Ftohtë, ia fala kunatës, Ingridit, në ato vite, se e donte shumë dhe është te shtëpia e Acos, tim vëllai… Ata kanë ndërruar jetë por peizazhi varet atje në mur, në shtëpinë e tyre, si një simbol që e thellon, por e shenjtëron mungesën… Të tillë e ndiej.

    Dhe, tani në fund, me atë që nisa të tregoj në krye të herës:

    PORTRETI

    Ishim në dhomën e hotelit të Turizmit në Berat, bisedonim… kaloi mbrëmja, u bë dhe vonë, kur papritur, Nestori brofi nga vendi, doli me të shpejtë nga dhoma dhe u kthye pas pak me kavaletin dhe kutinë e bojërave. Si mori një format kartoni, që e studioi shpejt e shpejt nga të katër këndet sa ia mbushi syrin, më thotë, “Po të bëj një portret, është drita e duhur!” Më bëri përshtypje se si ndryshoi përnjëherë ritmin e u dinamizua, si të ndizej prej frymëzimit dhe, pa e bërë të gjatë, trazoi ngjyrat, kryesisht të gjelbrën me të zezën për ta zbutur pak, derdhi të kaftën dhe blunë veç e veç dhe një gjysmë tubi të bardhe e ia nisi punës, me penelata të shkathëta e me lëvizje të alternuara, herë energjike e herë harmonioze mbi telajo, me atë vështrimin karakteristik symbylltaz e të njëjtë të piktorëve, (atij për nga forma e syve me bisht, i mbylleshin ato fare) të cilët shohin atë që s’shihet… diçka sa brënda e në afërsi po aq në thellësi e përtej modelit… “Sa më i madh piktori, aq më i thellë e i përtejshëm vështrimi i tij..!”, do të filozofonte si Sokrati, Nestori. Ato çaste ai nuk ishte prezent, kishte ikur.. shtegtuar.. se ku..?!

    Portretin e mbaroi për jo më shumë se 15 minuta, me një frymë. Frymëzim i çastit. Ngutje për të kapur shprehjen. Dritën. Praninë. Mungesën. Të Përtejmen!

    Më pëlqen, në kohë ka fituar vlerë.

    Sa herë e shoh, më sjell në mendje, si asosiacion, Portretin e Dorian Greit, te romani i Oskar Uajlldit… atë se si portreti i fiksuar nga piktori në tablo, e ndal kohën, e ngrin, e nxjerr jashtë loje… Koha shkon, njeriu plaket. Portreti mbetet përjetshëm i ri!

    Ç’tjetër..?

    *

    Marrëdhëniet mes miqsh nuk vënë kushte, se për çfarë më ka dhuruar, s’e kam “shpërblyer” veçse me ndonjë ftesë për shfaqje teatri dhe aq. Por i kam dhuruar, aspak në mënyrë krahasuese, çfarë kam mundur të krijoj, në një rol ku kam ndierë e përcjellë emocione, qoftë dhe si të një Çeçemi, historia e të cilit na lidhi dhe u bë shkak për një portret të bërë me frymëzim e vlerë arti në kohë.

    Më kujtohet, vite më parë, te shfaqja që bëri bujë, “Pamje nga ura”, pasi e pa, Nestori më priti në oborrin e Teatrit dhe më përqafoi fort, në një mënyrë të pazakontë për të (ia ndieva drithërimën nga emocionet në atë përqafim). Ato ditë më shihte disi ndryshe, si të isha një tjetërkush, jo shoku i tij, me të cilin ai nuk rreshtte së bëri shaka, por të cilat i la, dhe m’u krijua bindja, për shkak të mbresave që i kishte lënë shfaqja, sepse më shihte (sikundër e shihja unë pas suksesit të tij në ekspozita…) me atë “përulësinë” e adhuruesit ndaj artistit, për performancën e tij.

    Miqësinë me Nestorin, sot e mot e ruaj dhe e çmoj si një miqësi të vërtetë, të sinqertë, të veçantë e të rëndësishme. Ne mbetëm shokë deri në fund. Ai po u afrohet të tetëdhjetave dhe prapë mbetet i fortë, kreativ, i papërkulur nga dramat e jetës, i ri, po aq i ri në shpirt sa nuk ka forcë t’i bëjë sfidë asnjë portret prej Dorian Grei shpirtit të tij përherë të ri, artit të tij…

    Kur u ktheva nga Amerika, ngase ai i mban kasketat, i solla një të atillë, ngjyrë blu-marinë, me shenjën e kangurit australian.

    Sa herë e kujtoj, e përfytyroj me atë kasketë me kangur mbi krye, në ditë të ftohta me erë duke e hedhur detin mbi telajo, me gjithë fuqinë e shpirtit, me penelin e tij vanghogian…

    Të tillë autopeizazh e pashë prej artit të tij, në mos, e kam në imagjinatë.

    Hershëm, në vitet kur u ndava me Vlorën, mora në shtegtimin tim me vete, perëndimet e tij të arta…

    “Vura Sazanin në vend të zemrës,

    Rrëmbeva blunë e detit dhe të qiellit,

    Perëndimet OKËR të Nestor Jonuzit,

    Thellësinë plumb të Skënder Kamberit.

    (Strofë nga poezia kushtuar Vlorës)

    Nestorit,

    mikut tim të çmuar,

    në shenjë miqësie.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË