More
    KreuForumi mbi përkthiminThea Voutiritsas: Arti i përkthimit të poezisë

    Thea Voutiritsas: Arti i përkthimit të poezisë

    Debati për përkthimin e poezisë

    Në poezi, ritmi, stili, zgjedhja e fjalës u frymojnë jetë ndjenjave dhe ideve të shkrimtarit. Atëherë, pra, a mund të përkthehen poezitë? Çfarë ndodh kur një poezi i nënshtrohet një grupi të ri tingujsh, një alfabeti të ri, apo një ndryshimi të lehtë në zgjedhjen e fjalës? Çfarë, nëse diçka,  humbet në përkthim?

    Linguistika dhe letërsia krahasuese prej kohësh përpiqen t’u përgjigjen këtyre pyetjeve. Përkthimi fjalë për fjalë i një tekst mund të të shpjerë te një gjuhë e panatyrshme apo e zbrazët, apo, madje, mund ta lërë lexuesin në padijen e idiomave apo thjeshtligjërimit që nuk përkthehen mirë.

    Ndërkohë, të provosh të përkthesh thelbin apo kuptimin e një poezie, pa marrë parasysh metrin, ritmin, dhe zgjedhjen e fjalëve, mund t’i përafrohesh përkthimit të një poezie krejtësisht të re, me pak bazë te origjinali. Megjithëse kjo nuk është kundër asnjë ligji, disa argumentojnë se ky nuk quhet një përkthim i vërtetë.

    Në përpjekje për të kapur edhe kuptimin edhe formën e poezisë, përkthyesit duhet të ruajnë ekuilibrin mes të qenurit besnik ndaj tekstit dhe transformimit të tij. Është një art i kujdesshëm që ka nevojë për shumë kërkime, praktikë dhe ndërgjegje. Ky akt balancues demonstrohet mirë në një episod të RadioLab të titulluar “100 Flowers” (“100 Lulet”). RadioLab fton në një intervistë Douglas Hofstadter, profesor i shkencave konjitive dhe letërsisë krahasuese, teksa diskuton përpjekjet e tij për të përkthyer poezinë “A Une Damoyselle Malade” (Për një zonjushë të sëmurë) nga Clement Marot.

    Me fjalë të thjeshta, poezia shpreh dëshirën që të shërohet sa më shpejt një vajze të re e sëmurë. Hofstadter u mundua të kapte tonin e dashamirës e gazmor të poezisë, duke i ruajtur formën – të cilën ai besonte se ishte thelbësore. Donte të ruante poezinë me varg trirroksh, gjithsejt 28 vargje, dhe skemën e rimës AABBCCDD, e cila mbahet mend.

    Sidoqoftë, iu desh që për të respektuar këto kufizime, të bënte disa lëshime me tekstin. Diku, Hofstadter zëvendëson shprehjen franceze “confitures” (reçel) me termin “bukë më gjalpë”. Ai thotë, “reçeli dhe peltja, janë fjalë, por fjalët përfaqësojnë koncepte dhe këto koncepte kanë në vetvete një lloj aureole rreth tyre”. I pakënaqur me përkthimin e tij, profesori ua dërgoi këtë poezi dhe kufizimet e saj,  rreth 60 njerëzve të tjerë për ta përkthyer, mes tyre kolegë, studentë doktorature, miq dhe pjesëtarë familjeje. Projekti u bë një libër 700-faqësh mbi përkthimin e një poezie të vetme franceze!

    Një prej interpretimeve më të parapëlqyera i erdhi nga mamaja e tij, e cila i hodhi tutje kufizimet. “Më duhet të them se kjo poezi i ka qëndruar testit të kohës; ka një lloj shkëlqimi që nuk gjendet tek asnjëra”. Por vetëm me gjysmat e vargjeve të poezisë origjinale, a mund të quhej përkthim interpretimi i saj?

    “Teksa u përshiva gjithnjë e më thellë te kjo poezi, filozofia ime u bë si deklarata e Maos, “Le të   lulëzojnë njëqind lule”. Me fjalë të tjera, mund ta shikosh nga kaq shumë kënde, dhe secili kënd i ri e pasuron dhe e bën më argëtuese”, tha Hofstadter.

    “Megjithëse përkthimet që kemi dëgjuar ishin të gjitha të ndryshme, të gjitha tregojnë diçka për Clement Marot”, tha ai. “Janë miliona gjëra të ndryshme që unifikohen nga një analogji, në diçka që i referohemi sikur të ishte e vetja  gjë”.

    Përkthyesi letrar Aaron Coleman është shprehur: “I qasem përkthimit edhe duke e ditur se nuk mund të jetë tamam siç është në origjinal… Mendoj se të gjithë duam që përkthimi të funksionojë si një proces riprodhimi, por në të vërtetë është një proces transformimi”.

    Poeti fitues i shumë çmimeve dhe përkthyes nga italishtja në anglisht, Geoffrey Brock, e ka kapur në mënyrë elokuente filozofinë e përkthimit kur thotë:

    “Një përkthim i mirë duhet të marrë frymë vetë dhe të mos ketë nevojë për tekstin origjinal sikur ky të jetë një makineri zemre e mushkërie. Dhe sërish duhet të gjejë mënyra që t’u japë shprehi tipareve më të rëndësishme (si formale edhe semantike) të tekstit origjinal. E gjitha kjo është pjesë e asaj që mund të quhet besnikëri, e cila shpesh ngatërrohet me saktësinë letrare. Pedantët duan të tregojnë se përkthimi i përsosur është i pamundur. Sigurisht, kështu është – sikundër është dhe çdo gjë tjetër që ia vlen të bëhet”.

    Në një intervistë me “The Creative Independent”, përkthyesja letrare nga frëngjishtja në anglisht, Emma Ramadan, ndan filozofinë e saj: “Përkthimi, për mua, u duk si një mënyrë e shkëlqyer për t’u marrë me letërsinë, një mënyrë që të jep kënaqësi dhe që nuk duket sikur po të vret magjinë e letërsisë, por përkundrazi po i jep më shumë jetë asaj”.

    Emma Ramadan gjithashtu prek debatin për ndërveprimin midis huazimeve vs gjuhës amtare?  A duhet që konteksti dhe referencat kulturore të poezisë të ndryshohen që të jenë më të lehta për audiencën e re? “Nuk mendoj se njerëzit po e bëjnë më këtë, ose të paktën kjo po ndodh më pak,” tha ajo. “Dhe tani kemi fusnota, kemi fjalorthë, kemi këtë, kemi atë. Por është edhe çështja se si të jemi bujarë me lexuesin dhe gjithashtu bujarë edhe me kulturën nga e cila po përkthejmë, dhe jo të fshijmë çdogjë vetëm për hir të rehatisë së lexuesit”.

    Kapërcimi i këtij hendeku midis lexuesit dhe autorit kërkon kujdesin e duhur dhe shumë studime. Shpesh, përkthej gjëra të cilat janë për një nënkulturë apo kulturë të caktuar te të cilat nuk bëj pjesë, dhe ndoshta nuk kam leje të hyj”, thotë Emma Ramadan. “Por në të njëjtën mënyrë se si funksionojnë përkthimet pavarësisht përmbajtjes, është studimi. Detyra jote është të njihesh me atë kulturë, të mësosh për atë kulturë apo nënkulturë, dhe pastaj ta japësh me saktësi”.

    Ka një arsye pse përkthyesit e poezive zakonisht janë edhe vetë poetë – po kapin diçka të nënkuptuar në poezi. Kërkojnë për një zeitgeist (frymën e kohës), një ndjesi, dhe gjejnë kuptime të barabarta apo të kundërta për të kapërcyer hendekët linguistikë dhe kulturorë. Por kjo nuk është një punë e lehtë. “Kam mësuar si të jem e vetëdijshme se çfarë është të përkthesh nga njëra kulturë në tjetrën, dhe dallimet mes kulturave”, tha Ramadan.

    Poezitë e mëdha janë të hapura ndaj interpretimeve, që do të thotë se kështu do të jenë edhe përkthyesit e tyre. Shumë vepra janë përkthyer nga njerëz të ndryshëm nga që u përkasin kulturave të ndryshme, epokave dhe shkollave të  mendimit, duke iu dhënë kuptime të reja me secilin përkthim. Ndërkohë që nuk ka një mënyrë për të përkthyer një poezi, ka njëmijë mënyra për t’i frymuar jetë një poezie duke e përkthyer për një audiencë të re.

    © 2020 Read Poetry

    Përktheu Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË