Terezina Zorba, aktore, ish e përndjekur politike, basbhkëshortja e poetit Zef Zorba, u nda nga jeta me datë 6 tetor, 2002. E përkujtojmë sot, me intervistën e saj në librin “Women in Modern Albania” të Susan E. Pritchett Post si dhe me një përshkrim nga e bija e saj, Luçia Zorba kur kujton të ëmën.
Terezina, 69, trupin e ka të ligsht dhe flet me duart, këmbët dhe zërin që i dridhen duke kujtuar dhimbjen. Përgjatë gjithë intervistës, pi cigare dhe loton qetësisht.
Kam lindur në Shkodër më 1927 dhe kam pasur një fëmijëri të këndshme. Nuk kishim probleme ekonomike dhe im atë punonte në konsulltën italiane të këtushme. Ferri për mua filloi kur ato erdhën në fuqi më 1944. Xhaxhai më hyri në burg pak pas Çlirimit për tentativë arratisjeje.
Në 1946, u përjashtova dhe shkolla dhe u burgosa. Në fillim më dhanë dy vjet arrest shtëpie. Po atë vit ndodhi Revolta e Postrribës, revolta e parë dhe më e rëndësishme kundër regjimit komunist. Për pasojë, nuk e kreva asnjëherë arrestin në shtëpi, pasi u burgosa dhe e prita gjyqin plot katërmbëdhjetë muaj në një qeli me burra, pa ujë për t’u larë çka ishte veçanërisht e vështirë kur më vinin menstruacionet. Një herë në ditë më lejohej të pija ujë dhe dy herë, të përdorja tualetin. Pjesa më e vështirë e asaj kohe ishte të dëgjoja të tjerët tek torturoheshin: Ulërimat e dhimbjes dhe zemërimit gjatë torturave. Për vete isha më keq sesa po të torturohesha. Kujtoj veçanërisht kur kushëriri im 21 vjeçar, djali i xhaxhait, pasi u përpoq të arratisej, u qëllua dhe u vra në shtator të 1947. Po ashtu, zëri i xhaxhait më jehon akoma në veshë teksa vdiq gjatë torturave. Në përfundim të katërmbëdhjetë muajve, burri që më pas u bë im shoq si dhe unë u dënuam me nga pesë vjet burg.
Kur na përfundoi koha në qeli, filloi tortura e vërtetë morale. E vetmja gjë që mund të të nxirrte nga ajo jetë ishte spijunimi, çka ne e refuzuam. Bashkë me tim shoq, dolëm nga burgu, u martuam dhe bëmë fëmijë. Ai ishte piktor, shkrimtar dhe përkthyes, por asnjërit prej nesh nuk na u dha punë. Ajo çfarë më ofruan ishte të pastroja tualete. Një tortur e mëvonshme ishte të shihja fëmijët që, ndonëse ishin studentë të shkëlqyer, nuk ju dha e drejta për të ndjekur shkollën e lartë.
Personalisht nuk kam bërë asgjë, për qendrimi, për shumëkënd, do të thoshte shumë. Kam qenë dhe jam kundër shtypjes, qoftë e majtë apo e djathtë. Nëse dikush do të më kërkonte ta falja në emër të Jezu Krishtit, do ta falja, qoftë edhe ato, porse askush nuk e ka kërkuar ndonjëherë. Tani së voni [në 1991] Nexhmije Hoxha tha se ata kishin bërë ca gabime, sikur të kishin qenë vërtetë thjesht gabime.
Kur e pyesim ku e ka gjetur forcë, ajo përgjigjet thjesht: “Te besimi im në Zot.”
Luçia Zorba: Jam vajzë poeti, por pjesën më të madhe të poezive i kam mësuar nga nana ime
Në nëntorin e vitit 1945, Tereza merr pjesë në melodramen e Fishtës “Juda Makabe”. Rregjizor ishte Zef Zorba. Shfaqja ka një sukses të jashtëzakonshëm, por natën e tretë, anulohet dhe Fishta ndalohet për 45 vjet. Më pas, Tereza do të debutoje në rrole kryesore në dy dramat e tjera “Armiku i popullit” dhe “Përtej horizontit”. Perdja ra pa përfunduar akti – varg i Zef Zorbes ky.
Kur nji gazetare e njohur me pati pyetur: “Si ishte nëna jote?” – jam përgjigur kështu: Ajo ishte një shkëndi sakrifice, një shkëndi dashurie.
Tereza binte ne sy. Tërhiqte vëmendjen e njerëzve edhe të atyre që shquheshin mes të tjerëve. Ajo ishte vajzë simpatike, ndoshta edhe e bukur me flokë të dendur të zez, vetulla si krahë dallëndyshje e sy të thellë manjetike.
Mbaj mend në funeralin e tim eti, shokët e burgut duke na ngushëlluar për baben nuk harronin të na thonin: “Nana juaj në burg na e ka kalu edhe ne burrave”.
Qendiste kaq bukur, ishte perfeksioniste në çdo punë dore dhe këndonte arie nga Verdi e Pucini.
Janë të paharruara netët kur ajo bashkë me baben riprodhonin pjesë nga Juda Makabe duke i kënduar e rrecituar. Spektatore ishim ne, dy vajzat e tyre atëhere të vogla.
Tereza dinte shumë poezi përmendësh: Fishta, Prendushi, Manzoni, Carduci, Pascoli ishin poetët e saj të zemrës.
Jam vajzë poeti, por pjesën më të madhe të poezive i kam mësuar nga nana ime.
Dhe në fund, ribotjmë poezinë e Zef Zorbës kushtuar së shoqes, “Tjera blerime”, marrë prej Veprës së tij Poetike, botuar nga shtëpia botuese “Princ”:
Si lule dyelli gjethet,
veshur me vapë e t’zberë
e nuk lëvizin…
e merrnin fymë me zor…
e… oh…
S’andejmi
ku paskeshin ngelur kujtesë brymore
zgjohen flauri
tjera blerime
rinore.
(A të kujtohet? Atë verë
burimet heshtja na i trazonte.
këndoja vijat e fatit
në dorën tënde flakë.
Endeshim rrugësh të çuditshme,
pa folë.
Pastaj n’teatër: një Gjido
i larë në djersë
përpëlitej i falisur.
Ti shkuleshe n’gaz me të madhe,
por në sy të vetëtinte
stuhia e Shtatorit…
A të kujtohet?)