More
    KreuLetërsiBibliotekëTerezina Zorba: Ata ishin dhjetë... Dhjetë martirë të gurzit

    Terezina Zorba: Ata ishin dhjetë… Dhjetë martirë të gurzit

    Atë ditë, më 25 gusht 1946, moti në Gurzin e Bregut të Matit nuk ndjellte gja të ligë. Kallijtë e misrave ndër ara harliseshin aq sa bima me m’zi i mbante e piqeshin me andje të përcëlluem prej diellit. Me fluturime marramendëse harboheshin shpendët shtegtarë, duke ushtruar zogjtë e rinj për udhëtimet e vjeshtës së ardhshme.

    Po, do të niseshin fluturakët e prap në pranverë do të ktheheshin në çerdhet e vjetra.

    Po ata dhjetë burrat nga ma të mirët e Gurzit, do të niseshin pa u ardhë vjeshta ende për të mos u kthye ma kurrë; do të mërgonin në shkretinat grabitqare të mortjes, të mortjes së dhunshme, ku acari do të mbetet i pashkrimë për mote e mote, si në atë ditë të zezë.

    Ata ishin dhjetë, dhjetë burrat ma në shej të Gurzit, dhjetë pika djemsh, nipa e nga fise trimash, si Kolec Marku me shokë, që dhanë jetën si luanë në përleshje me bandat gjakatare të Esat Pashës në Rrushkull, burra që s’kursyen gjakun për të mbrojtë pavarësinë e brishtë  pas aq shekujsh robnie.

    Ata ishin dhjetë e mendja s’u shkonte për keq, edhe pse rrugëve atë ditë po vreheshin do fytyra të panjohuna, ushtarake e civile me tytat e pushkëve që u vetëtinin ogurzeza në krah.

    U shofsh o diell… Po si mund të ndritke njëlloj mbi fëmijë që mahiten oborresh e zallishtash, e po ashtu mbi mizoritë e kësaj bote?!

    Ata ishin dhjetë, por sikur edhe të tjerëve, iu lehtësua shpërfillja e ndjenjës, kur në shtëpi u njoftuen se në oborrin e kishës do të vinte për një mbledhje me fshatarët e Gurzit Babë Rexha.

    Babë Rexha! Burrë si motit e thërrisnin, e donin dhe e nderonin Babë Rexhën bregmatësit. Prandaj togje – togje u nisën nga kisha e sa ma shumë i afroheshin vendit të caktuem, shtoheshin në numër. Të rinjve iu printe përgjegjësi i rinisë, 23 vjeçari Nikollë Dedë Koleci. Gjatë rrugës, ai bashkë me të rinjtë e tjerë, banin gaz e kumbimi i qeshjes së tyne trembte shkurtat e trumcakët që mrizonin ndër pemë, e me cicërima të gëzueshme vardiseshin plyn nga qielli.

    Nuk vonoi e Babë Rexha me pak të tjerë, hypi në pod nga ku u hodhi një vështrim dashamirës të pranishmëve që po e përshëndesnin me brohoritje.  E nisi, ashtu ndejshëm e me urti, fjalën e tij të përzemërt.

    Por s’e pati fjalën e gjatë. Prej gardhit tutje u ndie e llahtarshme një krisëm pushke. Vetëm një, por ogurzezë. Babë Rexha ra i qëlluem për vdekje.

    Sa çil e mbyll sytë, e paprituna, e namuna e fatzeza shkreptimë, e thau trimin Babë Rexhë, ashtu si pak orë mbrapa breshnia mizore do të thante dhjetra e dhjetra zemra nanash, nuse të mbetuna të veja e me fëmijë jetima. E  bashkë me to, qindra e qindra bregmatas e mijra e mijra shqiptarë brenda e jashtë vendit.

    E kush mund të mendonte në ata çaste tragjike se vrasja e Babë Rexhës do të ishte vetëm akti i parë i një tragjedie rënqethëse e të kurdisun djallëzisht nga kushedikush dhe e  drejtuar prej planeve të kobshme të urdhënuesve? Vetëm shumë mbrapa, u mor vesh se gjaksi i Babë Rexhës ishte një ndër shoqënuesit e tij.

    Aty për aty, brenda pak minutash, forcat (që kishin kohë që stërviteshin për terrorizëm të errët shtetnor) rrethuen fshatarët dhe veçeun dhjetë ma në shej prej tyre; ishin të rinj e të moshuem: Mark Mirin, Gjon Vatën, Nikë Tom Prelën, Nikollë Dedë Kolecin e të tjerë. I ngarkuen shpejt e shpejt në makinë e i nisën për në Krujë.

    O histori… e mjera ti, o histori! Sa barrë e randë do të bjerë mbi ty për të saktësue e sprovue atë që ndodhi atë ditë! Të pakufishme do të shtrohen para teje pyetje e kërkesa që ti o histori duhet t’i ndriçosh nga e vërteta, me tejdukshmëri të paanshme e me bisturinë tande të mprehtë e të saktë.

    Ata ishin dhjetë ma të mirët e Gurzit, dhjetë pisha flakëruese, dhjetë mendje të kthiellta. Si qe e mundur që aty për aty të zgjidheshin bash ata të dhjetë? Apo lista e tyne ishte hartu ma parë e kushedi ku? Pse duhej zhdukë Babë Rexha? Kujt i interesonte vrasja e tij dhe masakra e  përbindshme  në Bregun e Matit? E pyetjet janë pa mbarim…

    Të nesërmen, po me ato mjete, po me atë dhunë, po  ato forca  i sollën sërish dhjetë burrat në oborrin e Kishës. Çiltërsisht, të pafajshëm, u rreshtuen para skuadrës së pushkatimit.

    Breshëritë fatzeza shkruen një tjetër faqe të kobshme në historinë e vendit të shumëvujtun, të nëpërkambun e të poshtnuem.

    Ata ishin dhjetë, dhjetë jetë të preme mizorisht pa asnjë gjygj, pa asnjë njollë, ligj,apo spjegim.

    Ato, sot në pragun e demokracisë, lypin në mos shpagim për një faj të pakrym, ma së paku lypin PAFAJSINË!

    Ua kanë borxh! Pse të mos i kërkojnë të falun? Thua se kaq pak nuk mund t’u njihet martirëve, farë e fisit, e gjithë kombit të nëpërkambun? A mund të arshivohen makabritete të tilla vetëm me shprehejn mizore e të pashpirtë: “ Ishte luftë klasash!” apo edhe ma keq:  me termin “Disa teprime!” me të cilin shoqja Nexhmije kujton se mund të mbulohet martirizimi pa faj i një pjese të Kombit.

    Gusht 1992

    Martesa ne Kishe e Zef dhe Terezia Zorbes nga mons. Çoba

    Terezina Zorba lindi më 6 qershor 1927. Në gjimnaz, mori pjesë si aktore pranë shtëpisë së kulturës. Drejtor i degës së dramës aty ishte Zef Zorba. Nën regjinë e tij vihet në skenë “Armiku i popullit” ku Terezina luan rolin e zonjës Stokman.
    Pak ditë pasi mbushi 26 vjeç, martohet me atë regjizorin simpatik, në Katedralen e Shkodrës, në një ceremoni familjare të udhëhequr prej Ipeshkvit ndihmës, monsinjor Ernest Çoba. Bashkë me të shoqin, u arrestuan në vitet e para të komunizmit. Dëshmi për burgun e saj jep edhe Atë Zef Pllumi, duke treguar se si e kishin mbyllur në të njëjtën qeli me disa prej meshtarëve të cilët më pas u martirizuan. Vdiq në qershor të 2002 në Shkodër, pranë të bijave, pjesë e arkivit të të cilave është edhe ky shkrim që botohet me dëshirën e tyre në “ExLibris” për të parën herë.
    Zef Zorba i kushtoi asaj edhe një poezi, “Tjera blerime”:

    Si lule dyelli gjethet,
    veshur me vapë e t’zberë
    e nuk lëvizin…
    e merrnin fymë me zor…
    e… oh…

    S’andejmi
    ku paskeshin ngelur kujtesë brymore
    zgjohen flauri
    tjera blerime
    rinore.

    (A të kujtohet? Atë verë
    burimet heshtja na i trazonte.
    këndoja vijat e fatit
    në dorën tënde flakë.
    Endeshim rrugësh të çuditshme,
    pa folë.

    Pastaj n’teatër: një Gjido
    i larë në djersë
    përpëlitej i falisur.
    Ti shkuleshe n’gaz me të madhe,
    por në sy të vetëtinte
    stuhia e Shtatorit…
    A të kujtohet?)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË