More
    KreuLetërsiBibliotekë"Tek akulloreshitësi shëtitës", tregim nga Arta Maxhuni

    “Tek akulloreshitësi shëtitës”, tregim nga Arta Maxhuni

    …asht aventura e radhës, i thashë Fluturës, motrës sime, dhe rrija pip në kambë, mos të kapërcente asgja pa e pà. Ajo nuk m’i lëshoi sytë, brenda veturës fshinte djersët prej vape. Atë ditë prilli, dolëm për akulloret me qumësht dhe reçel, tek akulloreshitësi shëtitës. Fëmijë shumë, ishim ngushtë, si sardinat. Pak me fol, bahet boll, thoshte gjyshja.

    Rrotulloj dorezën e metaltë, çel dritaren e veturës. Doja të memorizoja copat e shëtitjes me familjen, në qytetin tonë të vogël. Ishte atmosferë e gjallueme pranvere. Shpejt kalonin mbrapa drurët, të sapoveshun behar. Rrotat kërcisnin gurëve, vetura tundej gropash. Vallëzoja me jetën dhe flladin e ri. Dilli më përcjellte, m’i puthte faqkat. Qilli, gjanë e bukur. Aty pikturoja me sytë e mendjes! Isha e gzume, si ditën kur linda!

    Në sediljen përpara, nana fliste për pazarin, gjellën me zarzavate dhe lulet që do t’i mbjellte në kopshtin bri shpisë. Dëgjonim kangët e përsërituna në magnetofoningjysmë të prishun, njanën anë të kasetës s’e rrokte kurrë.

    Vushtrria e vogël ishte plot. Vlojke. Babi thoshte kështu asht gjithnji, s’ke mollën ku e lëshon. Dhe rrëfente fjalët e dhandrit; “Kush vozit në këtë qytet, patenten e ka tamam”. Ku e bajnë shurrën gjithë ky milet që rri jashtë, thashë unë, motra numër dy, Narcisa, ma ktheu; – E bajnë n’grusht! Plasën të qeshunat. Ishin vitet e ‘90, diku…

    Derisa përshkonim udhët e ngushta, thujse në çdo cep ishte nga nji dyqan i vogël, o çajtore, me njerëz kryesisht në moshë, të cilët ishin thellue në muhabete dhe nuk e vranin mendjen për asgja përreth, edhe pse tavolinat ishin në skaj të udhës. Babi ndali veturën, pyeti diç nji kalimtar. Plak, i hajthëm, asi tipi gazmor, sikur e kishte rehatue dynjanë. Dilli ia kishte kuqë ftyrën. Këmishën e gjelbër, gati hini prej vjetërsisë, jakën leckë, përvjelë si në vlugun e punës. Gojën shpellë të errët. Fëmijët ndonjiherë pleqve iu tuten. Kishte pak dhambë, sa me hangër. Katër nalt, dy poshtë, dhe me dy ngjyra, si eurokremi. Nuk e kuptoja çka thoshte, gjuha e tij kishte shpejtësinë dhe lëvizshmërinë e dhisë së egër. Babi e falenderoi dhe vazhduam… Zanat e qeshuna dhe era e qebapëve hynë në veturë. U trullosa, si me ba udhë malore. Gzimi m’u shkund. Ndërtesat e vogla, të ulëta dhe modeste. Pullaze plot pëllumba e pleh glasash. Zonjat bënin pazar. Disa kishin la tepiha, i ndernin në muret e oborreve. Dy të tjera, të vjetra, pinin kafen e mbasditës në ballkonin e ndërtesës së re.

    Ballkonet kishin disa harqe të nxjerruna…

    Kur dolëm prej veturës, fustani m’u kish ngjit trupit. Ishte fustani që e huazova nga “pasunia e motrave të mëdha” – arkëza e bukur me çelës, me kapakë prej lëkure ngjyrë portokalli, e cila përtrihej vazhdimisht nga dhuratat e axhës që jetonte në Perëndim, i cili kujdesej që veshja e tyre të ishte sipas modës së fundit. Ndërroheshin e rrotulloheshin, deri pesë herë në ditë, dhe askush nuk ankohej për rrëmujën e tyre. E unë, e trashëgoja ndonji, kur nuk iu hynte në trup. Babi më mbante për dore dhe shkuam tatpjetë udhës. Në krah të djathtë ishte xhamia shekullore e Çarshisë, mu në qendër të qytetit. Në kompleksin e saj ishte shadërvani, ku besimtarët myslimanë kryenin ritualin e abdesit para faljes. Pjesa para xhamisë ishte e shtrume me kalldrëm dhe shërbente si hapsinë për tregtarët në ditën e tregut, ku shtrinin e varnin lloj-lloj rraqesh. Vushtrria e lashtë. Konak shtetnor, dikur. Thonë se asht ma e hershme se Perandoria Romake. Me shekuj ishte e madhe, jo sa sot, e dendun me shtëpi sa, thuhet, macja ka kalue prej kulmit në kulm. Ishte ndër qytetet ma të mëdha në Ballkan, ma e zhvillueme se Londra atëherë. Në shtëpitë shumë të vjetra flitej gjuha turke.

    Hymë në dyqanin [Türk Kahvesi], ku shitej e bluhej kafja turke. Dyqanxhiun e thërrisnin usta Mevlyd, nji mesoburrë, mustakoç, kishte nji fytyrë shprehëse, sens për mimikë. Shqipen e përziente me nji turqishte popullore. Teksa shprehte zjarrin e kënaqësisë për ndonji gja, thoshte: Harika-harika! Kallxonte për traditën familjare në tregëtinë e kafesë. Mue më hahej nji akullore. Pos pazarit, prindërit na nxorën edhe për akulloret e para, po babi zgjatej nëpër biseda. Axha Mevlyd vazhdoi me kallxue për myshterinjtë, dashninë për punën, babë, babgjysh, katragjysh, për trungun familjar, e nji degë që i jetojke në Adana të Turqisë. Mbushej lot. Ishte hera e parë që e shihja nji burrë tuj qa. Në gishtin unazor mbante nji unazë me gur të madh, katror, të zi. E prekte shpesh, sikur sigurohej a e kishte aty. Morëm kafen dhe ai na përshëndeti me sjellje babaxhani. Pakoja ishte e nxehtë dhe kishte aromë të kandshme nga kafja e sapoblume.

    Ishte koha e mesditës. Teksa ecnim, kalimtarët thoshin, erdhi shpejt vapa sivjet. I ramë kryq e tërthor qytetit. Morëm mall në një dyqan, diçka tjetër, në nji tjetër. Bleva këpucë, llak të kuqe dhe këmishë me pika. Nana mori stof për tryezë. Akullorja “e famshme” erdhi e fundit. Dhe, gjysma e saj u shkri, kulloi dorës, gjysma tjetër, shtoi lulet e fustanit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË