More
    KreuLetërsiShënime mbi libraTefë Topalli: Për ribotimin e romanit të parë në gjuhën shqipe -...

    Tefë Topalli: Për ribotimin e romanit të parë në gjuhën shqipe – “Marcia”, të Dom Ndoc Nikajt

    Të gjithë popujt, kur krijojnë kombet e tyre në histori, nisin e shkruajnë ç’vend zënë në krahasim me popuj të tjerë, sa të vjetër janë si autoktonë, si është formuar gjuha e tyre, me cilat ka afri dhe në cilën familje bën pjesë ajo[1]: mbledhin folklor dhe, kush mundet me guxue, shprehen edhe për Epose, siç kanë kombet me histori të shkruar ndër shekuj. Po kështu është edhe gjurmimi  e kërkimi që bëjnë të gjitha kulturat e vendeve për të dëshmuar kur kanë nisur artet, letërsia në gjuhë të tyre, teatri e, në veçanti, drama e zhanret e ndryshme, si tregimi, novela, romani, deri edhe sagat romanore….

    Por nuk duhet pajtuar me shrimet e shumta që po shfrejnë kohët e fundit për çështje të vjetërisisë së popullit shqiptar dhe gjuhës sonë…mbi 6 mijëvjerçare! Çfarë duam të fitojmë me këtë lashtësi: të ndreqim të sotmën e të dukemi më fisnikë?!? Aq më rëndë se në disputat e ndryshme po shkelet në rrugë joshkencore e aq më pak linguistike, për të stisur rrënjë e tema fjalëformuese, sikur gjuha dhe populli ynë të ketë dominuar shekuj me radhë kulturën e mbarë Europës e më gjerë!….Le të kujtojmë përpjekjet e disa zërave për vendlindjen e Gjergj Kastriotit: Dibra apo Kruja, Hasi apo …; të Gjergj Fishtës: Zadrima apo Mirdita! Por tjetër është të kemi njoftime të sakta historike për shkollën e parë shqipe, dramën dhe teatrin e parë, operën dhe baletin e parë shqiptar. Në letërsinë tonë ka pasur prej vitesh diskutime e polemika për autorë e vepra, si në shkrimet e profesorëve të viteve ‘30-‘40 – Filip Fishta dhe Namik Resuli, lidhur me përfshirjen ose jo në radhë të shkrimtarëve shqiptarë të arbëreshit të madh, Ledonardi De Martini, [2] apo edhe për konfigurime shkollash letrare në vitet para Luftës II Botërore, deri edhe për kode ortografie në publikime të revistave të përmendura “HD” dhe “L.E.K.A.)! Edhe për librin e parë shqip ka pasur e vazhdon të ketë shkrime dhe opinione se duhet të ekzistojë prapë ndonjë libër i shtypur para tij; ka pasur edhe shpallje se dikush paska gjetur nëpër arkiva e biblioteka, …po ku janë, pse nuk dalin në ekspozita!?! U shkrua e u fol para disa viteve për një traktat të thjeshtë ortografie, u kërkua dhe u gjet në Arkivat e Venedikut: “Ortografia della Lingua Albanese proposta da  D .Gaspare Yakova, Venezia, Tipografia Sorteni e Vidotti, 1902”, në gjuhën italiane, me 21 faqe…visto, si approva pella stampa, Scutari, 9 Aprile, 1902, Pasquale Guerini – Arcivescovo…. Është shkruar gjatë edhe për kronologjinë e romanit shqiptar – për të parin e këtij lloji – diskutuar mjaft për rilindlësin e madh Sami Frashëri, me “Dashurinë e Talatit me Fitneten”, 1872, në gjuhën turke; po ështu, për romanin “Bardha e Temalit”, hartuar në gjuhën frënge prej rilindësit Pashko Vasë Shkodrani e botuar në Paris 1890, me pseudonimin Albanus Albano. Të dy janë autorë shqiptarë, kanë rrahur tema nga jeta shqiptare, por – kryesorja – gjuha e veprave, nuk është shqipja! Dhe nuk duhen shënuar në listën e romaneve të letërsisë shqiptare!

    Të vijmë tek romani “Marcia” i don Nodc Nikajt, botuar më 1892, vetëm 20 vjet pas 

    përkthimit të Konçilit të Arbërit nga E.Radoja, i cili i shkruante Emzot K.Pooterit se “asnjë libër nuk ka dalë në dritë shkrue ma bukur se përkthimi i im.” Mund të mendojmë se romacieri i ardhshëm, Nikaj, do ta ketë njohur prozën e parandesëti të tij shkodran, për të cilin Z.Valentini, përveç meritave, ironizon me politesë se përkthimi i tij lexohet me andje, por, mjerisht, si koha, iu duk elegancë me e lulzue shqipen e vet me fjalë turqishte të tingëllueshme. (B.Demiraj, Areali kulturor i Veriut në shek. XVI-XIX, Onufri, 2017, f. 357) Ndryshe prej Radojës, duket se Nikaj ishte përfshirë me kohë në frymën e gjerë të purizmit gjuhësor të rilindësve tanë; prandaj dhe turqizmat janë pak më të pakëta në numër se proza e Konçilit të Dheut Shçypnīs. Pa u larguar nga pena e Radojës, duhet thënë se, me aq sa dimë (sikurse mëton edhe shkrimtari i ri, A. Dushi, që e përgatiti për botim), teksti i romanit “Marcia” nuk na vjen si punë tërësisht origjinale e autorit…, përtej kësaj, autori i ri, xhakue,…i jep vetes të drejtën për një dozë të arsyeshme kreativiteti. (Marcia, f. XXI). Prandaj dhe, brenda një krahasimi, nuk mund t’i njëjtësojmë gjuhën dhe stilin e Radojës me këtë të Nikajt; megjithëse edhe te Konçili gjejmë pasazhe përshkruese që mund të konsiderohen letërsi e vërtetë.

    “…Mue si shkodran, e ma fort si meshtār, m’ther zemra me diftue marren ton, çi na giuhen e kena lān por[si] nji xhā t’harrueme (belda edhe faj shum s’kena pas per pun t’zamanevet t’fshtira e per mungim t’gajretit); knej shum fjal t’moçme na kan hup e na duhet disā fjal me i marr uhā (mjaft zī !) prej giuhve t’jabançivet, pā t’cillat, na shkodrant sidomos, s’kena çajre e derman; çynçi, domasdo, jan bā adet nner nē.” (B.Demiraj, Areali…f. 360).“..Kishte fillue me u duk hija nëpër sheher t’cillin Neroni me marak t’vet e kishte lulzue e zbukurue me lezet t’madh, e populli ishte tuj u çue njat’her e tuj u ba gâdi n’fest…Kishte fillue populli me dal e me marr rrugen qi vite tuj u mush me hallk per dekik ma fort, n’mnyr qi u ba porsi nji uj qi tuj rrjedh prej shum krojesh perpiqet bashk e mush vân e shpërthen per gjith ân….”  (Marcia, f. 3)

    Nga ana tjetër, sintaksa e frazës së Radojës duket qartë se vjen nën pushtetin e frazës latine të origjinalit, kurse ajo e Nikajt priret drejt elegancës që ka shqipja në struktura të tilla. Veç kësaj, autori i këtij romani të parë në shqip, do të jetë më vonë edhe shkrimtar i veprave të tjera në prozë, do të jetë edhe historin dhe kronist, tipograf në vijim të jetës së tij, që, për lexuesit mbarëshqiptarë, kujtohet e vë rregulla leximi e shqiptimi në treguesit që dallojnë kryedialektet e të folmet e tyre, në një libër historie ! Botimi i këtij romani, përgatitja për shtyp, mendoj se duhet quajtur punë mecenati, sepse na vjen si vepër e një familjeje (nënë e bir), duke na kujtuar P.Dodmaseun e famshëm, i cili le të thirret sot si meceni i parë në kulturën shqiptare! Ata që marrin e punojnë mbi dokumente si kjo, e dinë sa vështirë është këndellja dhe ripërtritja në kompjuter e teksteve të vjetra, me shenja diakritike, me pikësime sipas rregullave të kohës, deri edhe transliterimi e trabskriptimi i tyre. Hyrja e thukët, e matur dhe e thellë që bën A.Dushi, jo vetëm që është aq ekonomike, por edhe aq e vështruar sipas përmasave e kërkesave bashkëkohore. Ai e lidh subjektin e veprës me kohën e kalimit të njerëzimit nga politeizmi në monoteizëm, përndyshe, në epokën e krishtërimit të vjetër, kur ithtarët e Besimit të Ri u salvuan me shfarosje, derisa Konstandini i Madh e bëri kristianizmin Fe të Perandorisë. Po jo vetëm ai, ka pasur edhe emra të Etërve të Kishës, si: Shën Agustini e Shën Pali, të cilët i kanë përndjekur e luftuar besimtarët e rinj për një kohë të jetës së tyre. Kisha i ka lumturuar dhe shpallur shenjëtorë martirët e parë, nisur nga Shën Stefani – protektor i Perandorisë Dualiste, Shën Jaku (apostull), mbrojtës i Spanjës etj., pa përmendur këtu emra virgjëreshash të sakrifikuara, si:  Shën Agnezja, Shën Luçia, martirizuar në kohën e sundimit të Dioklecianit, etj.

    Vepra si “Marcia”, sot, nuk duhen parë thjesht si fillime letrare, pas më se një shekulli, por, në radhë të parë, ato është mirë të vështrohen si monumente historike në rrafshin e gjuhës dhe historisë së saj, brenda të cilave mund të bëhen objekt studimi, jo veç për leksikun, por edhe nivele të tjera, si: drejtshkrimi, gramatika me sistemin emëror e foljor, sintaksa sidomos, për rendin e ndërtimit të përbërësve fjalisorë e gjymtyrorë, huazimet në mënyrë të veçantë ato orientale, serbe e greke, pa lënë jashtë edhe fjalë e shprehje, sintagma e frazema popujllore, që kanë qenë efektive prej kohësh, por që kanë mbetur si arkaizma, për shkak të mospërdorimit të tyre të vazhdueshëm. Lexuesit me pasion  do të gjejnë te ky roman përshkrime arti të figurave historike- perandorët tiranë të Romës – përshkrime të jetës e përkushtimit shpirtëror, shembuj qëndrese deri në flijim të vajzës Marcia për shpëtimin e vëllait të dënuar, një Antigonë e vërtetë (bashkë me motrën Ismenë), siç ishte heroina e tragjedisë me këtë emër e tragjikut të madh, Sofokliu, kur përshkruan vedosmërinë e motrës së Eteokliut dhe Polinikut, si plotësim i detyrave kundrejt njeriut të vdekur….

    Në faqet e romanit “Marcia” ka edhe ravijëzime të bukura gjithë pathos e ngjyra, sentimente njerëzore të dhimbjes e durimit, forcës dhe ekzaltimit, bindjes dhe shpresës, vuajtjes e lumnisë që përjetojnë personazhet  vajza, si pasazhi i rëndë ndër të vdekurit nga torturat, ku Marcia e Pudenciana me të madh mukajet i lújtne atá korpna e i pshtollne n’nji çarçaf t’dlir. E pane se ishin dý vârza t’reja, n’mjedis t’atij vakt qi natyra thrrert me gzue jetën. Ishin t’bukura edhe nën ftyr t’deks; balli i tyne i qeshun nuk diftote kurrfar mundimit, e sýt u dukshin t’myllun m’ nji gjum t’let e t’amel, e at japî t’hijshme qi kishin pas përpara nuk kishin mujt me i’a prish as mundimet, as deka. Por shtati i tyne gjith i shprishun e i bamun gjith nji varr diftoshin ashiqare se ç’mundime kishin bârt e se ç’lumnî kishin fitue.” (f. 73) …Aty sundonte deka, pse për gjith an brî atyne rrugave t’terrshme e t’ulta, ishin çil  vorret e u shifshin rrasat qi i diftoshin, por sundonte nji dek e amel, nji dek e kunorúme e lulzúme prej shpneset.. (f. 75), oksimorone të goditura e aq të natyrshme që sjell autori ynë.

    Po kështu vijnë e shfaqen skena të Hapsit (Kreu XII), dhe ato të Luftimit të mram (Kreu XIII), me të cilët edhe mbyllen ngjarjet tragjike dhe të lumnuseshme ku kalojnë vehtjet e romanit… Gazetari, shkrimtari dhe studiuesi A.Dushi duhet ta quajë këtë si një punim shkencor filologjik edhe në plan të leksikografisë, me shpjegimet e qëlluara e të mirëmbështetura në fjalorë të ndryshëm përgjatë më se një shekulli, nga Fjalori i Bashkimit, nga ai i vitit 1954 e në vijim, sjellë në atë masë sa kërkon një botim i parë i veprës. Por, për romanin mund t’u drejtohemi edhe studentëve e kërkuesve të rinj për teza e mikroteza Masteri shkencor, duke listuar gjithë fjalësin sipas konkordancave, rolin dhe funksionin e tyre, pa lënë jashtë huazimet orientale, që kërkon një botim akademik i shterruar. Dua të kujtoj se një autor apo një vepër ( pse jo edhe opera omnia ) e një shkrimtari, mund të bëhen objekt teze doktorate. Kujtoj që, kur punoja, njëherësh me prof.E.Lafën, me grupe pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, u njoha me përvojën e tij të mirë: ai kishte bërë temë leksionesh vetëm trashëgiminë shkencore në Albanologji të gjuhëtarit P. Justin Rrota përgjatë 15 ligjëratave të një semestri, ndërkohë që unë njihja studentët me historinë e teksteve të Sintaksës, që nga ajo e Max Lambertz-it, Xhuvanit, Sheperit……deri në ditët tona. Kështu, edhe vepra letrare e Nd.Nikajt ngërthen në vetvete modele gjuhësore në zhvillim në të gjitha romanet e tij. Fillimin e lëvrimit të shqipes prej tij, tashmë e kemi në dorë.

    Tiranë, nëntor 2024


    [1]  Ethe si kjo kanë zënë edhe jo pak dijetarë a lingusitë që duan ta nxjerrin shqipen si gjuhën më të vjetër në botë, si nënë gjuhësh dhe të lashtë, mbi 6 mijëvjeçare, pa u mjaftuar se ajo është thjesht një gjuhë europiane e familjes i.e. ! Në asnjë gjuhësi nuk flitet për vjetërsi të tilla.

    [2]  Kështu e patën përdorur, të shqiptarizuar, edhe më tepër se ç’ishte, emrin e misionarit françeskan, lëvrues i  letërsisë në dy kultura: në italisht dhe në shqip, autor i dramës së parë shqipe “Natë Këshndellash”, vënë në skenë në Shkodër, më  1880-1881) dhe vijuar më gjerë me dramtikën e Fishtës, siç pohon studiuesi dr.T.Çobani, në librin “Teatri i Gj.Fishtës (b/autor me Nd.Ballabanin), Monografi “Botimet Fishta”, 2020, f. 146.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË