Një kolazh me poezitë e Migjenit, Camajt dhe Pipës interpretohen nga studentët
Studentët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me shfaqjen “Teatër poetik” të paraqitur më datë 18.11.2025 para një publiku të gjerë, që përbëhej nga pedagogë, studentë dhe artdashës të tjerë të interesuar, treguan një anë të panjohur të tyre, pasionin për teatrin dhe poezinë. Në interpretimet që ata realizuan përmes një kolazhi poetik nga vepra e Migjenit, Martin Camajt dhe Arshi Pipës krijuan një atmoferë artistike dhe emocionale që përgjithësisht mungon në universitetet publike shqiptare.
E veçanta ishte se në këtë spektakël studentët: Savjana Vjerdha, Jetmir Mesi, Evis Muriqi, Amelja Krosaj, Jozef Marashi, Sidrit Doda, Nikola Brigjaj, Erisona Hoxhaj dhe Kristela Lazri, vinin nga fakultete të ndryshme, si: Fakulteti i Shkencave Shoqërore, Shkencave të Natyrës, Shkencave të Edukimit, Fakulteti Ekonomik dhe ai Juridik. Pra, letërsia dhe teatri treguan se mund të komunikojnë me të gjitha fushat dhe se studentë të talentuar mund të kërkohen në të gjitha fakultetet.
Në skenë u sollën tema me rëndësi aktuale nga vepra poetike e Migjenit, Camajt dhe Pipës, si: lashtësia dhe zakoni, peizazhi i trishtë alegorik, plagët sociale, mërgimi, harmonia fetare, identiteti kulturor dhe ironia filozofike e politike. Ndërkohë u harmonizuan interpretimi i testeve poetike me elemente dramatike, koreografike dhe muzikore që ishin një befasi për publikun.

Ky spektakël i solli tekstet poetike në një kontekst të ri dhe domethënës të kthimit të vëmendjes drejt vlerave të artit dhe letërsisë, por edhe drejt vlerave shpirtërore, etike e morale të trashëguara. Nuk munguan si interpretimet e çiltra të studentëve të talentuar ashtu edhe gjetjet dramatike skenike, si në rastin e përfshirjes së këngës arbëreshe “Moj e bukura More” si kolonë zanore e spektaklit përmes zërit të këngëtares Savjana Vjerdha, njëkohësisht edhe studente, ashtu edhe episode nga vargjet e Migjenit, “qeshu rini” që në fakt u drejtohen karrigeve që mbeten bosh, sepse “rinia e qeshur” e ka braktisur vendin e saj dhe është larguar në kërkim të një jete më të mirë.
Spektakli u organizua në kuadrin e projektit “Teatri poetik” me mbështetjen financiare të USH-së, nën drejtimin e pedagogut të Departamentit të Letërsisë, Gëzim Puka, aktorit të teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, Astrit Fani, si dhe me konsulencën e pedagogut Arben Prendi. Falë përkushtimit të tyre, pas disa javësh prova me studentët, finalizuan një shfaqje që mund shërbejë si model për aktivitete të tilla, pse jo edhe si nxitje për të krijuar një trupë teatrore me studentët e këtij universiteti apo në bashkëpveprim me studentët e universiteteve të tjera.
Nuk mungoi në këtë aktivitet edhe mbështetja e Rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” prof.dr.Tonin Gjuraj dhe e Zëvendësrektores, prof.dr. Blerta Dragusha, e cila mbajti edhe fjalën hapëse të këtij aktiviteti, duke inkurajuar studentët dhe pedagogët që edhe në të ardhmen të përfshihen në organizime të tilla me vlerë, në mënyrë që ato të bëhen traditë në jetën universitare.

