More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSylë Ukshini: Fillimi i një miqësie të gjatë ndërmjet Vjenës dhe botuesit...

    Sylë Ukshini: Fillimi i një miqësie të gjatë ndërmjet Vjenës dhe botuesit të revistës “Albania”

    Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veçanërisht pas Lidhjes së Prizrenit, në kohën kur aktiviteti i shoqërive dhe klubeve shqiptare për pavarësi kombëtare, shtet e mëdha evropiane ndiqnin me interesim të madh ngjarjet politike në territoret shqiptare nën Perandorinë Osmane. Në radhë të parë, Austro-Hungaria dhe Italia, dy shtete rivale, bënin të gjitha përpjekjet politike dhe financiare për të çimentuar ndikimin e tyre mbi shqiptarët. Por, lëvizja kombëtare dhe kulturore shqiptare, për shkak të vështirësive dhe pengesave të shtetit osman, zhvillohej kryesisht jashtë atdheut, në qendrat e huaja dhe në disa raste mbështetej nga shtetet të cilat synonin të ruanin kontrollin mbi zhvillimet politike dhe kulturore në hapësirën shqiptare si dhe të ruanin interesat e tyre në Evropën Juglindore. Para së gjithash, Vjena dhe Roma po bënin përpjekje për rritjes e ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe në të njëjtën kohë këto dy shtetet po shndërrohen në rivale kryesore. Në këtë mes shtypi mbarte një vlerësim të veçantë në programin e veprimtarisë politike të Austro-Hungarisë në Shqipëri, përmes të cilit Vjena zyrtare synonte të ndikonte në mënyrë dinamike në formimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe të mbante vulën e konsolidimit të lëvizjes shqiptare për liri, pavarësi kombëtare dhe për emancipim të përgjithshëm kulturor dhe politik.  Për këtë qëllim, Ministria e Punëve të Jashtme Perandorake dhe Mbretërore e Austro-Hungarisë propozoi të realizohen botime të dizajnuara dhe të kontrolluara nga politika austro-hungareze, të cilat do të formonin ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, të cilët shiheshin si aleat strategjik kundër tendencave pansllaviste në Ballkan. Qëllimi strategjik i Vjenës për të ndalur në mënyrë afatgjate dhe përfundimisht çdo lloj zgjerimi sllav në kufirin jugperëndimor merret si arritje që shqiptarët të kthehen në një element strukturimi i të ardhmes së shtetit shqiptar. Sipas politikës austro-hungareze, e cila që nga Kongresi i Berlini filloi ta kishte prioritet Shqipërinë, arritja e këtij qëllimi do të mund të realizohej përmes një procesi gradual, hapa pas hapi, respektivisht përmes hapjes së shkollave dhe përhapjes së shtypit dhe librave shqip. Sipas planit të aprovuar në konferencat e fshehta (1896) me qëllim të fillimit të një “aksioni” energjik austro-hungarez në Shqipëri, Vjena vendosi të përdorte shtypin për të arritur objektivat e saj politike. Ideja fillestare e shtetit austro-hungarez ishte themelimi i një organi shtypi shqip, si për shembull  i një reviste të përmuajshme, por në ndërkohë u vu në kontakt me botuesin e revistës “Albania”, Faik Konicën, i cili gjithashtu kishte nevoja monetare për vazhdimin e botimit dhe të shpërndarjes së kësaj reviste. Për këtë qëllim Vjena mori informacionet e nevojshme për redaktorin e revistës “Albania”, që botohej në Bruksel dhe kontaktet i para i vendosi me të me ndërmjetësimin e kontit Khevenhüller, i cili ishte përfaqësues diplomatik i Austro-Hungarisë në Bruksel.

    Faik Konica, edhe pse i lindur në Konicë të Janinës (1875), Turqia evropiane, me emrin e të cilit janë të emërtuara shumë institucione të vendit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë,  mbetet një nga figurat më të njohura të kulturës dhe më me ndikim në kulturën shqiptare në fundshekullin XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX. Kjo kujtesë historike për Konicën është e merituar, sepse me formimin dhe vokacionin e tij, ai u dëshmua si një nga intelektualët më largpamës, si një evropian i madh dhe si një erudit shqiptar, i cili gjatë gjithë jetës së tij u angazhua për zgjimin e shpejtë të ndërgjegjes kombëtare dhe për krijimin e një Shqipërie të vërtetë evropiane. Faik Konica ishte nga të paktët intelektual shqiptarë që kishte një mendim dhe një plan të qartë për ndërtimin e një lidhje të ngushtë të lëvizjes kombëtare shqiptare me Austro-Hungarinë, të cilën në konstelacionin e atëhershëm e shihte si të vetmen fuqi evropiane me të cilët shqiptarët do të  mund të ndërtonin një aleancë strategjike dhe me afatgjate kundër synimeve pansllaviste ruse në Ballkan, përkatësisht kundër idesë së krijimit te Serbisë se Madhe ne llogari te territoreve etnike shqiptare.   Si rezultat i sfondit të larmishëm arsimor, shkollën fillore në Konicë, kolegjin frëng në Shkodër, shkollën e mesme në Stamboll, dhe më pas studimet në Francë, përkatësisht në Harward të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai ishte i rrjedhshëm në gjuhën shqipe, turke, italiane, frënge, gjermane dhe angleze. Qysh gjatë kohës së studimeve në Francë, Konica filloi të interesohej për gjuhën amtare, letërsinë dhe historinë e vendit të tij, dhe të shkruante artikuj mbi Shqipërinë në shtypin francez.

    Në vitin 1897, në moshën 22 vjeçare u transferua në Bruksel, ku me ndihmën financiare të Austro-Hungarisë filloi botimin në gjuhën shqipe dhe frënge të revistës “Albania”, e cila shpejt u bë një nga revistat më të njohura shqiptare në mërgim.  dhe të rëndësishme në ndërgjegjësimin e kombit shqiptar dhe në artikulimin e kërkesave të shqiptarëve në atë periudhë. Pa dyshim Konicës i njihet merita e madhe për të shkruarit në një shqipe me një stil të lartë diplomatik. Ideali i tij ishte pavarësia e Shqipërisë, por ai ishte i vetëdijshëm se kjo nuk ishte e mundshme në periudhë afatshkurtër për shkak të disa faktorëve gjeopolitike, ndaj dhe për këtë arsye ai kërkonte mbështetjen e një fuqi evropiane, respektivisht të Austro-Hungarisë. Edhe pse pas vitit 1902 Konica u zhvendos në Londër, revista vazhdoi botimin e saj deri ë 1909 dhe nuk ndryshoi karakterin e saj dhe programin politik. Ndërsa pas largimit në Amerikë, ai u bë redaktor i gazetës “Dielli”, e cila ishte themeluar nga Fan Noli. Ai ishte edhe kryetar i federatës “Vatra” në Boston  dhe në emër të saj shkoi në Londër me 1912 për të mbrojtur interesat e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve, e cila do të përcaktonte të ardhmen e Shqipërisë dhe të vendeve tjera të Ballkanit. Edhe pse ishte kundërshtar i mbretit Ahmet Zog, në verë të vitit 1926 ai u emërua ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, post të cilin e mbajti deri në pushtimin italian të Shqipërisë 1939.

    Faik Konica ka njohur shumë krijues të shquar dhe ka komunikuar me personalitete të shumta të kohës. Në të njëjtën kohë, letërkëmbimi i tij ka qenë shumë intensiv dhe i pasur. Ai u ka dërguar letra dhe materiale të ndryshme shkrimtarëve, artistëve, gazetarëve, diplomatëve, shkencëtarëve, lider shteteve dhe figurave të njohura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë arsye, materiali burimor i arkivor për Faik Konicën është jashtëzakonisht i gjerë dhe i shpërndarë nëpër vende të ndryshme, në Shqipëri, në Turqi, Francë, Belgjikë, Britani të Madhe  dhe SHBA. Ky gjeografi e gjerë e rrugëtimit dhe e aktivitetit politik dhe kulturor i Faik Konicës gjatë shekullit 19 dhe 20 ka tërhequr interesimin e madh të studiuesve të shumtë, të cilët kanë ndriçuar aspekte të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë të këtij personaliteti të shquar të letërsisë  dhe kulturës shqiptare dhe njërës nga figurat qendrore të epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Megjithëse deri më sot janë shkruar libra dhe studime të shumta për Konicën, edhe më tej vazhdojnë të dalin në dritë dokumente dhe artikuj të kohës dhe shkrime të tjera të autorit, të cilat janë të rëndësishme për jetën dhe krijimtarinë e përgjithshme të Konicës, si edhe për aspektet të tjera të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Hulumtimi dhe studimi sistematik i të dhënave është pra baza për një ndërmarrje të tillë, e cila do të hidhte dritë të plotë edhe mbi angazhimin kulturor dhe politik të Faik Konicës, për lidhjet e tij me politikan dhe personalitete të ndryshme shqiptare (Naimi dhe Sami Frashëri, Ismail Qemaili, Luigj Gurakuqi,  familja Qiriazi në Manastir etj.) nga fusha e kulturës dhe e diplomacisë.

    Për ndriçimin e aspekteve të ndryshme të jetës dhe të krijimtarisë së Konicës, është e rëndësi vazhdimi i punës hulumtuese shkencore nëpër arkivat evropiane dhe amerikane, në të cilat supozohet se mund të ketë dorëshkrime dhe materiale të tjera të rëndësishme. Së fundi, historiani i ri shqiptar nga Kosova, Selver Islamaj – doktorant në Universitetin e Vjenës (Austri), i cili prej vitesh hulumton në arkivat austriake dhe ka qasje të vazhdueshme në Aktivin Shtetëror të Austrisë (Haus-Hof und Staatsarchiv), ka gjetur materialet të vëllimshëm dhe shumë të rëndësishëm e të panjohur më parë lidhur me letërkëmbimin intensiv të Faik Konicës me zyrtarë dhe diplomatë të Austro-Hungarisë dhe me personalitete të botës shqiptare. Këto materiale të botuesit të revistës “Albania” Faik Konicës, monumentit të publicistikës shqiptare , janë sistemuar dhe botuar në dy vëllime: “Letërkëmbimi i panjohur i Faik bej Konicës 1897-1900”,Vëll.I dhe “Letërkëmbimi i panjohur i Faik bej Konicës 1901-1912”. Vëll. II, të cilat janë botuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Veprimtaria e Faik Konciës në Bruksel, Londër dhe në SHBA zë vend të rëndësishëm në kulturën, letërsinë dhe në publicistikën e kohës. Vlerësojmë se me publikimin e këtyre dokumenteve arkivore të dosjes së veçantë të Arkivit Shtetëror të Vjenës, ndriçohen më mirë disa aspekte të jetë dhe të veprimtarisë letrare, politike dhe diplomatike të Faik Konicës dhe problemet e vështirësitë e botimit të revistës “Albania”.

    Vëllimi i parë “Letërkëmbimi i panjohur i Faik bej Konicës 1897-1900”, përveç origjinalit të transkriptuar, i paraqet për herë të parë lexuesit shqiptar një përmbledhje kronologjike të letërkëmbimit të Faik Bej Konicës me Baron von Zwiedinek, i cili drejtonte Departamentin e Shqipërisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, si dhe ofron të dhëna interesante dhe deri tash të panjohura, lidhur me kushtet në të cilat u botua “Albania”, njëra prej revistave më të njohura të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ky letërkëmbim i përket një periudhe vendimtare të historisë shqiptare, vetëm pak vite pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare, e cila për shkak të mungesës së përkrahjes së fuqive evropiane nuk arriti të jetësonte kërkesën e saj për një shtet shqiptar autonom, në të cilën Konica është një protagonist i rëndësishëm dhe një intelektual erudit, që ka një projeksion të qartë për të ardhmen e popullit shqiptar. Dokumentacioni i botuar këtu ka vlera të rëndësishme historiografike, sepse letërkëmbimi i Faik Konicës ofron informacione jashtëzakonisht të vlefshme, jo vetëm për sfidat me të cilat do të përballet Konica për botimin e gazetës “Albania”, por edhe për ndikimin që kishte politika zyrtare austro-hungareze në profilin e saj kryesisht letrar. Në fakt, ky bashkëpunimi mes Konicës dhe zyrtarëve të Vjenës ndodhi, jo vetëm pas rekomandimeve të kontit Khevenhüller, por edhe pas këshillës së Theodor Ippenit, i cili i sugjeroi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë se do të ishte më e përshtatshme të vendosej bashkëpunimi me gazetës ekzistuese “Albania” të Brukselit, në mënyrë që të shmangej rreziku i dështimit duke provuar që të përzgjidhje një gazetës në gjuhën shqipe. Dhe në të njëjtën kohë, edhe Ippen përfaqësonte mendimin se redaktori i kësaj gazetës duhej të bënte disa ndryshime jo të vogla, duke shmangur gjithashtu edhe kritikat ndaj sovranitetit të shtetit osman.

     Në këtë komunikim dalin po ashtu në pah edhe dallimet e Konicës me Baron von Zwiedinek lidhur përmbajtën e gazetës “Albania”, e cila nuk do të mund të publikohej pa mbështetjen financiare të Vjenës zyrtare dhe për këtë ajo kujdesej që gazeta të mos përmbajte artikuj politikë, por të mbante kryesisht profil letrar dhe që të mbronte “fuqimisht interesat kulturore të kombit” si dhe këshillohej që “Albania” përmbahej nga gjuha austro-file dhe njëkohësisht të “mbështetej në faktin se ajo do të mbronte vetëm interesat thjeshtë dhe veçanërisht shqiptare”.  Në komunikimet e para në gusht të vitit 1897 me botuesin e gazetës, i njohur me pseudonimin Trank Spiro Bej, Vjena përcaktoi orientimet e saj si dhe njoftoi kontin Khevenhüller, se Konica do të ishte përfaqësues më i ri i propagandës shqiptare, pasi vlerësohej veprimtaria e tij. Bëhet fjalë për një lëvizje që lidhet me të ardhmen e krahinave në kufi me Austro-Hungarinë, të cilat meritonin interes maksimal dhe rekomandohej që përmes njohjes së interesave të Trank Spiro Beut dhe grupit të tij, të plotësohet informacioni që ishte grumbulluar deri në atë kohë lidhur me temat shqiptare. Në anën tjetër, Konica, i cili kishte studiuar në Universitetin Tuluzës në Lion të Francës, dëshironte që revistën e tij ta përdoret për të propaganduar autonominë e Shqipërisë nën protektoratin e Austro-Hungarisë.

    Megjithëse zyrtarët austro-hungarezë Konicën e konsideronin fanatik në bindjen e tij, ata pas takimit dhe bisedave konfidencial në Ballhausplatz, pranuan subvencionimin e revistë së Konicës, por sipas disa kushteve: së pari, gazeta nuk duhej të shërbente si organ që bënë thirrje për një lëvizje kryengritje kundër qeverisë osman. Së dyti, aktiviteti botues të fokusohej mbi të gjitha në zgjimin e kuptimit të interesave të përbashkëta kombëtare. Së treti, artikujt të botoheshin në dy dialekte shqipe si dhe në frëngjisht, me qëllim që të lexoheshin në gjithë hapësirën shqiptare, nga jugu në veri. Së katërti, botuesi i gazetës duhej të merrte përsipër të botonte artikuj dhe lajme të cilat Vjena dëshironte t’i transmetonte te shqiptarët përmes revistës “Albania”. Por, për të arritur objektivin e fundit, konsujt austro-hungarezë në Shqipëri u këshilluan që revista të mos komentonte aq shumë Austro-Hungarinë, në mënyrë që të qetësohej qeveria osmane dhe të shuhej bindja e përhapur mes lexuesve se kjo revistë ishte e blerë nga Vjena dhe se i shërbente interesave të saj.

    Megjithëse këto nuk ishin kushte të lehta, Konica ishte i detyruar të pranonte këtë pozicion të Vjenës, sepse pa mbështetjen e drejtpërdrejt financiare të Austro-Hungarisë dhe konsullatave të saj në hapësirën shqiptare do të ishte e pamundur që revista “Albania” të botohej dhe të depërtonte në të gjitha territoret shqiptare nga veriu në jug, për shkak të vështirësive të krijuara nga autoritetet osmane. “Për Shqipërinë Veri-Lindore, ne do të përpiqemi të hyjmë në marrëdhënie me shqiptarët e Vrajës në kufirin serb, të cilët do të kenë mundësi të dërgojnë me lehtësi pako të revistave në Gjakovë, Prizren etj.”, i shkruante Konica në komunikim me Vjenën (Vëll. I, f. 100).

    Ky letërkëmbim, që ndjek rrjedhën kronologjike të kohës, pos që shënon fillimin e një miqësie të gjatë ndërmjet Vjenës dhe botuesit të revistës “Albania”, njëkohësisht mund të cilësohet si nismëtari i diplomacisë shqiptare për nivelin dhe kulturën e tij të lartë diplomatike. Këto dy vëllime të përgatitura nga Islamaj hedhin dritë mbi një periudhë të gjerë të angazhimit të shumanshëm të Konicës për formimin e ndjenjës kombëtare në një terren heterogjen shqiptar dhe të sunduar nga administrata e shtetit osman, e cila me këmbëngulje e luftonte emancipimin kombëtar shqiptar, duke ndaluar hapjen e shkollave dhe publikimin e shtypit dhe librave shqip. Po ashtu, ky letërkëmbim shpalosë tërë dinamikën e bashkëpunimit të botuesit të revistës “Albania” me Ballhausplatz-in në Vjenë, që ai e shihte si orientim strategjik për realizimin e qëllimit të krijimit të shtetit shqiptar, si dhe dokumentohet programi shqiptar që Vjena mori përsipër për të arritur objektivat e saj politike. Në këtë kuptim, ai që nga fillimi kishte hyrë në shërbim të Austro-Hungarisë dhe revistën e kishte bërë përçues të politikës së saj. Korrespodenca e tij me Ministrinë e Punëve të Jashtme të austro-Hungarisë qet në sheh edhe të dhëna të cilat flasin në mënyrë të bindëse për pozicionin e Vjenës zyrtare ndaj lëvizjes kombëtare shqiptare dhe Perandorisë Osmane dhe në këtë kontekst edhe ndaj synimeve serbe për ekspansion territorial në drejtim të territoreve shqiptare. Nga ky letërkëmbim lexuesi ka mundësi të fitojë një pasqyrë të përgjithshme për zhvillimet brenda hapësirën shqiptare nën administratën perandorake osmane si dhe për gjendjen politike brenda kësaj perandorie si dhe për caqet e aksionit politik austro-hungarez. 

    Në përgjithësi, letërkëmbimi i Konicës me diplomatët e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, ndriçojnë momente dhe aspekte të rëndësishme të përpjekjeve shqiptare për ndërgjegjësimin e popullit shqiptar si dhe vë në pah rolin dhe pozicionin e diplomacisë austro-hungareze për zgjidhjen hap pas hapi të çështjes shqiptare, të cilën e shihet si barrierë të zgjerimit territorial serb drejt Ballkanit jugor dhe përpjekjeve pansllaviste për daljen në Detin Adriatik. Po ashtu, del në pah se Vjena zyrtare distancohej nga çdo lëvizje kryengritëse e armatosur shqiptare, që nuk ishte e frymëzuar nga ajo, nga frika se një lëvizje e pa planifikuar mirë do të mund të shfrytëzohej nga shtetet fqinje dhe nga vetë shteti osman. Në të njëjtën kohë, zyrtarët e Vjenës potenconin dëshirën e Austro-Hungarisë  që kombi shqiptar të jetë i fortë dhe i bashkuar, në mënyrë që të mund të ruajë rangun e tij në mesin e popujve të tjerë të gadishullit ballkanik dhe të mbrojë pozicionin e tij në brigjet e Detit Adriatik kundër gjithë tendencave ekspansioniste të shteteve fqinje sllavë. Në këtë kontekst, del në pah politika represive e Perandorisë Osmane ndaj shqiptarëve, e cila derisa me zemërgjerësi lejonte hapjen e shkollave greke dhe serbe në hapësirën shqiptare, ndaj kultivimit të gjuhës, librit dhe shkollave shqipe mbante një qëndrim tejet armiqësor. Ky qëndrim represiv i shtetit osman duke qartë se ka dy premisa: e para, pengimin e çfarëdo përpjekje për ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve dhe vazhdimin e trajtimit të tyre në kuadrin e miletit osman vetëm si popullatë myslimane. Dhe e dyta, qëllimi për ruajtjen e status quo-së në hapësirën ballkanike, duke penguar me çdo mjet çdo tendencë për krijimin e një shteti autonom apo të pavarur shqiptar.

    Në këtë linjë, korrespodenca e Konicës me zyrtarët e Vjenës ofron detaje të rëndësishme edhe për rivalitetin ndërmjet italianëve dhe austro-hungarezëve për shtrirjen e ndikimit të tyre në Shqipëri. Dokumentet e proveniencës austro-hungareze në formë bindëse konfirmojnë se Faik Bej Konica tregohej mjaft i kënaqur me angazhimin dhe pozicionin e Austro-Hungarisë karshi çështjes shqiptare dhe njëkohësisht ai na shfaqet një kundërshtar i madh edhe tendencave të Italisë për zgjerimin i propagandës së saj në Shqipëri, e që natyrshëm se pëlqehej mjaft nga bashkëbiseduesit e tij në Vjenë. Në këtë pikë na shfaqet konkurrenca ndërmjet dy shteteve evropiane, të cilat vazhdonin garën për kontrollimin e bregut lindor të Adriatikut dhe në këtë kontekst figura të rëndësishme si Konica ishin me rëndësi si për Romën ashtu edhe për Vjenën, por beu shqiptar në përpjekjet e tij për të ardhmen e vendit të tij, e quante detyrë patriotike të punonte kundër tendencave italiane.

    Në anën tjetër, del në pah po ashtu synimi i Vjenës zyrtare për ndërgjegjësimin kombëtar dhe kulturor shqiptar, me qëllim që në një fazë të caktuar, kur do të bëhej e pashmangshme ruajtja e pjesës evropiane të shtetit osman, të mbështetej ideja për krijimin e një shteti autonom shqiptar, i cili do t’i shërbente edhe austro-hungarezëve si një barrierë ndaj ekspansionit territorial serb dhe kundërpeshë të ndikimit rus në Ballkan. Në këtë kuadër, shqiptarët dhe Shqipëria shikoheshin si një faktor i rëndësishëm në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Ky orientim i Austro-Hungarisë, si duket edhe nga përmbajtja e letrave të Konicës dhe të Baron von Zwiedenik, konsistonte për një veprim të matur e të koordinuar të shqiptarëve, duke shmangur veprimet e parakohshme nga të cilat do të mund të përfitonte ndonjë shtet tjetër ballkanik apo evropian dhe që do të mund të dëmtonte relacionet ndërmjet Vjenës dhe Stambollit. Nga kjo korrespodencë arrijmë të kuptojmë se Konica pajtohej me rekomandimin e Vjenës se mjeti kryesor për realizimin e objektivave kombëtare, duhej të bëhej bashkimi i të gjitha forcave rreth një qendre për të mundësuar një aksion të përbashkët.

    Korrespondenca e Konicës me Vjenën zyrtare nxjerr në pah gjithashtu problemet dhe dallimet konceptuale që ekzistonin ndërmjet personaliteteve të botës shqiptare, shkrimtarë, studiues gazetarë dhe politikanë, të cilat shpesh përbejnë një shqetësim edhe për Vjenën zyrtare, e cila ishte e interesuar fort për ndërtimin e një kohezioni brenda elitës intelektuale dhe politike shqiptare të kohës. Në këtë kuadër, me shumë interes janë informacionet për angazhimin e patriotëve shqiptar brenda hapësirës shqiptare, në diasporë dhe në Konstandinopojë për hapjen e shkollave shqipe dhe për përhapjen e shtypit dhe librave shqip, të cilat ishin të ndaluar nga autoritetet e shtetit perandorak osman. Në këtë korrespondencë na shfaqen emra të rëndësishëm të elitës politike shqiptare, por edhe të zyrtarëve austro-hungarezë, të cilët ishin të përfshirë në zhvillimet e kohës për dhe rreth çështjes shqiptare.

    Në këtë linjë, Konica besonte se puna e tij me revistën “Albania” do të mund të jepte rezultate në dy drejtime: letrar dhe politik. Në drejtim letrar synohej frymëzimi i shumicës së popullit shqiptar për ngritjen e kërkesës për unifikimin e gjuhës shqipe. Dhe në drejtimin politik, duke ushtruar ndikimin tek drejtuesit e lëvizjes kombëtare shqiptare, duke krijuar një rrymë të fuqishme kundër helenizmit dhe kundër përpjekjeve për centralizim nga osmanët. Përballë propagandës italiane për bashkimin e Shqipërisë me Italinë, Konica mendonte nëse nuk do të ishte e mundshme një autonomi politike e shqiptarëve brenda shtetit osman, atëherë do të ishte e dëshirueshme një administratë autonome në kuadrin e Austro-Hungarinë, pasi në këtë mënyrë mendonte se shqiptarët do të zhvilloheshin më shpejt nga pikëpamja kombëtare, ekonomike dhe intelektual. Në këtë kontekst, është interesant dhe përmendet një komunikim mes Konicës dhe Naim Frashërit, lidhur me ndikimin austro-hungarez në Shqipëri dhe për propagandat e huaja kundër ndikimit. Tre vjet më parë, Naim Bej Frashëri më shkroi ”Ajo që më së lumturi mund të ndodhë për kombësinë shqiptare është një aneksim i Shqipërisë në Austri, por i Shqipërisë në tërësi”, i shkruan Konica Baron von Zwiedinek, duke shtuar se njëjtë si Frashëri mendojnë shumë personalitete tjera shqiptare dhe kjo ndjejnë austrofile e kishte ngushtuar mundësinë për propagandë të vendeve tjera.

    Nga korrespodenca ndërmjet Konicës dhe zyrtarëve të Vjenës, që në shumë aspekte ishte e karakterit të lartë diplomatike, mësojmë edhe për ndalesën e Ismail Qemailit në Bruksel gjatë rrugës së tij për në Londër. Për këtë ndalesë dhe takimin e tij me Ismail Qemailin, të cilin sa e vlerëson të sjellshëm dhe inteligjent, ai e informon në detaje Vjenën zyrtare.  Megjithëse ai na lë të kuptojmë se e kishte mirëpritur qëllimin e Ismail Qemalit që të përfshihej në mënyrë aktive në lëvizjen shqiptare, Konica vinte në pah se ishte e vështirë të depërtoje në synimet e tij të vërteta. Në fakt, Osmail Qemaili ishte një politikan me eksperiencë, i cili për katër dhjetë vite kishte punuar në administratën e qeverisë osmane, dhe i kuptonte mirë maniret e pushtetit.  . “Ismail Beu miraton plotësisht programin e Partisë Kombëtare Shqiptare, që të merret për momentin vetëm me propagandë gjuhësore, të kërkojë shkolla dhe të kufizohet në pikat tjera për të kërkuar një riorganizim të plotë të kushteve ekonomike të vendit”, i shkruan Konica në letrën dërguar Baron von Zwiedinek. (f. 500). Por, shumë shpejt mes këtyre dy personaliteteve të njohura shqiptare lindën mosmarrëveshje, për shkak të dallimeve në pikëpamje, si dhe, siç pohon Konica, për shkak të lidhjeve të Ismail Qemailit me njerëz të pallatit mbretëror të Sulltanit dhe princin Nikolla të Greqisë, si dhe për shkak të dallimeve për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Nga dokumentet e botuara këtu është evident se për dallim nga Konica, Ismail Qemaili dëshironte të mbante një qëndrim më fleksibil dhe pragmatik ndaj italianëve, grekëve dhe vende të tjera dhe për rezervat që shfaqet ai ndaj politikës austro-hungareze në Ballkan.

    Lartësia dhe pragmatizmi i Konicës lidhur me planet e tij të shpërfaqur dhe në një letër dërguar në adresë të Baron von Zwiedinek në nëntor 1897, ku ai thekson se shqetësimet e tij duhet konsideruar nga një këndvështrim i trefishtë: e para, zhvillimi i ndjenjës kombëtare shqiptare me qëllim që t’i të bëjë gjithë shqiptarët plotësisht të vetëdijshëm për ndryshimet e tyre radikale me turqit. E dyta, që revista e botuar në toskërisht e në gegërisht dhe në frëngjisht do të duhej të publikonte  kronika, histori, poezi patriotike, këngë popullore, çështje ekonomike, shënime politike në formë artikujsh-lajmesh, në mënyrë që të mos zgjonte mosbesimin e Portës. Në këtë kuadër, si instrument të nevojshëm për realizimin e objektivave politike, Konica e shihte themelimin e një shoqërie të përgjithshme (“Rilindja shqiptare”), e cila do të mund të kontribuonte në vendosjen e marrëdhënieve të rregullta dhe të vazhdueshme me të gjithë shqiptarët që mund të ushtronin ndonjë ndikim në drejtimin e duhur tek autoritetet e shtetit osman për lejimin e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe në Shqipëri. E treta, si pengesë serioze që lipsej tejkaluar ishte mosbesim tradicional dhe në rritje i Portës së Lartë ndaj çdo organizimi politik të shqiptarëve, duke këshilluar se duhej ndjekur “një politikë e zgjuar, që të besojnë se është lëvizje paqësore, thjesht intelektuale dhe pa qëllime politike. (Vëll. I. f. 38-40).

    Siç përmendëm më lartë, në këto korrespondenca edhe aktivitetet e personaliteteve tjera të botës shqiptare, siç ishte edhe rasti i Sami Bej Frashërit, i cili së bashku me vëllanë e tij Naimin kishin shkruar dhe botuar një mori librash në gjuhën shqipe dhe nga autoritetet osmane shihej si udhëheqës i lëvizjes shqiptare. Në letrën e dt. 1 janar 1898, Konica e vinte në dijeni Baron von Zwiedinek se Sami Frashëri ishte thirrur dhe pyetur në Yildis-Kiosk (rezidenca e Sulltanit) nga Sekretari i Përgjithshëm i Sulltanit lidhur me librat shqip të botuara në Bukuresht dhe të nënshkruara me inicialet N.H.F. Megjithëse Samiu e kishte mohuar se qëndronte prapa këtyre librave, ai do të deklaronte se “nëse shqiptarët kërkonin shkolla, mund të jetë vetë për të ndaluar progresin e sllavizmit dhe helenizmit”. Por, meqë Konica nuk kishte besim se autoritetet osmane do të lejonin edhe më tej hapjen e shkollave shqipe, ai angazhohej të krijohej një klimë e favorshme në mesin e shqiptarëve për shkollat shqipe, në mënyrë që ato të hapeshin me pëlqimin e fisnikëve dhe parisë të vendit. Në të njëjtën kohë, Konica përpiqej të shfrytëzonte edhe lidhjet e tij brenda pallatit perandorak të Sulltanit, siç ishte rasti i Tahir Pashës, kreut të Gardës Perandorake Shqiptare, i cili gëzonte besimin e Sulltanit, për ta bindur personalisht Sulltanin që të autorizonte hapjen e shkollave shqipe. Njëkohësisht me çështjen e shkollave dhe publikimin e revistave dhe librave, si instrument absolut të nevojshëm për ndërtimin e kohezionit ndërmjet toskëve dhe gegëve e shihte vendosjen e një alfabetit përfundimtar shqip, sepse në mungesë të një alfabeti unik do të bëhej e pavlefshme çdo propagandë për mësimin e gjuhës kombëtare dhe shtypja e librave në një numër më të madh (f. 132).  Në të njëjtën kohë, Vjena zyrtare e inkurajonte Konicën për patriotizmin e tij dhe zellin vetëmohues për emancipimin e popullit shqiptar dhe në këtë kontekst i shprehte keqardhjen për qëndrimin e Madhërisë (Sulltanit) jo favorizues “për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe për rrjedhojë” që revista “Albania” nuk  mund të hynte lirshëm në territorin e Perandorisë Osmane (f. 388). Sidoqoftë ndikimi i revistës “Albania” brenda dy viteve kishte dhënë rezultate dhe për këtë Konica plotë entuziazëm i shkruante Baron von Zwiedinek se në mesin e shqiptarëve librat dhe gazetat shqiptare lexohen nga dora në dorë, edhe pse marrësi i revistës vazhdimisht kërcënohej me burg nga autoritetet osmane.

    Në këtë kohë, çështja e përpilimit të alfabetit të gjuhës shqipe dje problemi i gjuhës letrare ishin një preokupim i vazhdueshëm i botuesit të revistës “Albania”, të cilën Konica e konsideronte si armë të fuqishme në luftën për pavarësi dhe emancipim të përgjithshëm kombëtar. Në këtë kuadër, Konica i propozonte Vjenës idenë e organizimit të një kongresi të albanologëve për ta diskutuar çështjen e alfabetit shqip. Siç mësohet nga një letër përgjigje e Baron von Zwiedinek, e dt.  8 qershor 1898,  mësohet se Vjena e konsideronte “shumë të vështirë  idenë e mbledhjes së një kongresi të albanologëve”, ndërsa e quante të parakohshme të diskutohej publikisht çështja e alfabetit dhe i kërkohej Konicës që të përdorej alfabeti që i përdoret për shtypjen e revistës “Albania” dhe që në ndërkohë të punohej për dallimet që ekzistonin brenda elitës intelektuale shqiptare. Jo vetëm në këtë çështje, por Vjena zyrtare e këshillonte Konicën dhe udhëheqës të tjerë shqiptarë se në “përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve në Perandorinë Osmane nuk duhet të marrin kurrë karakter revolucionar dhe të dhunshëm. Njëkohësisht me këtë, nga ky letërkëmbim del qartë se Vjena në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht çfarë raportonte Konica, tregonte kujdes të madh lidhur me pritjet e revistës në zonën e aksionit të Austro-Hungarisë. Në këtë linjë, konsujve të saj u jepeshin orientime që të informonin për çdo gjë që ndodhë, cili ishte reagimi i lexuesit shqiptar ndaj revistës nga Brukseli si dhe të evidentohej çdo reagim negativ lidhur me përmbajtjen e revistës. Në këtë kuadër, Vjena e kishte marrë me shqetësim edhe një informacion nga Prizreni të konsullit austro-hungarez Rappaport, i cili, në përgjigje të kërkesës për informacione nga qendra, shkruante se revista “Albania” ishte krejtësisht e panjohur në zonën e tij konsullore dhe se vetëm një person kishte dijeni për revistën. Njëherësh del në pah se edhe popullata shqiptare myslimane e kësaj treve nuk tregonte edhe aq shumë dëshirë për të kultivuar e zhvilluar gjuhën shqipe, për shkak të fanatizmit fetar dhe prapambetjes së gjatë ekonomike si dhe mungesës së elitës intelektuale.

    Por, pavarësisht kësaj situate zhgënjyese, ky konsull vlerëson se duhet të vazhdohet të punohet për zgjimin e ndjenjës kombëtare në mesin e shqiptarëve, pasi kjo do t’u jepte në të ardhmen një themel të qëndrueshëm dhe rezistencë për superioritet. Rappaport, i cili prej pesë vitesh po punonte për zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqipe, mendonte po ashtu se pjesa më e madhe e shqiptarëve në Vilajetin e Kosovës do të sllavizohen ose turqizohen me kalimin e kohë, nëse nuk kërkojnë zhvillimin tregtar dhe kulturor.

    Sipas kësaj korrespodence intensive mësojmë qartë se redaktori i revistës ”Albania” si pengesë serioze, për  përballje me një ndërmarrje të tillë, e konsideronte mosbesimin e thellë të trashëguar prej vitesh dhe në rritje ndaj qeverisë osmane. Në optikën e rekomandimeve të Vjenës, Beu shqiptar provon t’i shmanget kritikave të ashpra përkundrejt  qeverisë osmane me qëllim që përmes një politike të zhdërvjellët të krijohej përshtypja se bëhej fjalë për një lëvizje paqësore dhe intelektuale e pa objektiva politike. Redaktori i revistës “Albania” tregohet i kujdesshëm ndaj sugjerimeve të Vjenës, dhe ku ndonjëherë rastësisht i shpëton ndonjë detaj që e shqetësonte Vjenën, tregohej  i gatshëm ta korrigjonte, gjë pëlqehej nga subvencionuesi i tij në Vjenë. Por, meqenëse Vjena ishte e interesuar që të mos bëheshin të njohura marrëdhëniet e saj me revistën “Albania”, me qëllim që të mos rrezikohej suksesi i revistës përballë lexuesve të shumtë.

    Një pengesë tjetër të rëndësishme Konica i shihte propagandat e shteteve të ndryshme, si dhe vetë komunitetin shqiptar jashtë, si në Itali dhe në Bukuresht, të cilët punonin për interesa të qeverive të ndryshme. Konica në bashkëbisedimet me Baron von Zwiedinek nënvizon se i gjithë aksioni duhet të dominohet nga nevoja e bashkimit të të gjithë shqiptarëve rreth të njëjtit objektiv dhe se të gjitha energjitë duhej drejtuar për hapjen e shkollave shqipe, të botimit dhe të shpërndarjes së revistave dhe librave shqip. Por, pikërisht problemi i shkollave kombëtare, një çështje tjetër ku përpiqej të bënin diversion vendet fqinje sllave të përkrahu edhe nga Rusia, ishte propaganda fetare, përmes së cilës provohej të instalohej konkurrenca ndërmjet shqiptarëve mysliman, katolik dhe ortodoks. Rrezikun nga sllavizmi, siç del kjo korrespondencë e kishin ngritur edhe shqiptarët e fisit Berishë nga Gjakova, të cilët qysh me 1879 kishin dërguar dy përfaqësues të tyre në Vjenë për të kërkuar ndihën e autoriteteve austro-hungareze nga kërcënimi dhe “progresi i vazhdueshëm i sllavizmit në Shqipëri”.

    Në vëllimin e parë kanë vlerë të madhe edhe shënimet  e tij të titulluara: “Kujtime lidhur me lëvizjen kombëtare shqiptare”, të cilat kapin një hark kohor 1897-1899 dhe evidentojnë këndvështrimet e Konicës lidhur sfidat e lëvizjes kombëtare shqiptare përballë pushteti perandorak të Kostandinopojës, si dhe Patrikanës Greke, e cila kërkonte mundësi për ta çrrënjosur gjuhën shqipe. Nga ky letërkëmbim i këtij vëllimi mësojmë për letërkëmbimin e Konicës me shumë shqiptarë të njohur të kohës, të cilët llogaritej se mund të ndikoheshin në drejtimin e dëshiruar për kultivimin e ndjenjës kombëtare. Në këtë linjë, del në pah kontributi i shumë figurave kombëtare që nga Naum Veqilhaxhi e deri te Sami Frashëri, natyrisht duke evidentuar edhe kontributin e shumë shoqërive dhe shoqatave kulturore shqiptare në Sofje, Bukuresht, Bruksel dhe Egjipt dhe vende të tjera. Në pjesën e 5-të dhe e fundit përmbajnë një listë alfabetike të të gjithë shqiptarëve që,  drejtpërdrejt ose indirekt, për ose kundër, ishin të përfshirë në lëvizjen shqiptare.

    Dokumentet e përfshira në këtë vëllim, të panjohura për lexuesin shqiptarë, që tani i publikon historiani Selver Islamaj, kanë vlerë të madhe për studimin e historisë së popullit shqiptar, rolin dhe pozicionin e politiksë austro-hungareze ndaj çështjes shqiptare, si dhe kanë vlerë  të madhe për historinë, për kulturën dhe në përgjithësi për albanologjinë. Kjo korrespodencë shumë e pasur pasqyron veprimtarinë e gjerë kulturore, letrare, publicistike dhe diplomatike të Faik Konicës, si dhe përshkruan rrugëtimin e vështirë të revistës “Albania”, e cila na shfaqet më tepër sesa një revistë e rëndomtë letrare.   Në këto materiale gjithsesi gjejmë edhe shumë dëshmi të cilat  ndriçojnë shpërfaqjen e dallimeve të para në mes Konicës dhe zyrtarëve austro-hungarezë në Vjenë, të cilët shpesh herë nuk hezitojnë të shpërfaqin vërejtjet e tyre për përmbajtjen dhe karakterin e revistës. Andaj, botimi i dokumenteve origjinale në këtë vëllim, gjithsesi paraqet një kontribut të rëndësishëm historiografik sepse jep mundësi për ndriçimin sa më gjithëpërfshirës të kaluarës së kombit tonë dhe gjithsesi edhe të qartësimit të mëtutjeshëm të pozicionit dhe rolit të Austro-Hungarisë në kultivimin e gjuhës shqipe dhe të botimit të revistës “Albania” si një instrument i rëndësishëm për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe për përhapjen e ndikimit të saj në hapësirën shqiptare. Pa dyshim, ky kontribut i dedikohet miqësisë së gjatë ndërmjet Vjenës zyrtare dhe botuesit të revistës “Albania”, Faik Konicës, evropianit më të madh shqiptar dhe personalitetit erudit dhe më të shquar të letërsisë dhe kulturës shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX..

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË