More
    KreuArte pamoreSuzana Varvarica Kuka: Një takim i radhës me Gjelosh Gjokaj

    Suzana Varvarica Kuka: Një takim i radhës me Gjelosh Gjokaj

    Në ditët e sotme emri i artistit Gjelosh Gjokaj dhe vepra e tij në arte pamore janë një fenomen artistik i përveçëm. Krijimtaria e tij është një prej burimeve të pastra të arteve pamore që në Kosovë personalitete të tilla respektohen dhe cilësohen “Akademikë”, sepse, ata janë themeli i artit modern të gjysmës së dytë të shek. XX në mbarë trojet shqiptare. Ata jetuan hershëm nën ish-Jugosllavi, krijuan historinë e jetës së tyre, por në historinë e artit shqiptar, janë baballarët që përgatitën vazhdimësinë e kuptueshmërisë së atij stili arti në brezat e tjerë.

    Artistë të tillë do të mbeten një brez i qëndrueshëm e përfaqësues të shek. XX. Arti i secilit prej tyre u shfaq dhe lulëzoi në periudhën ish-jugosllave.  Pas vitit 1999, zhvillimi i krijimtarisë së tyre në kahun modern të artit ishte i suksesshëm dhe vazhdoi të jetë i tillë edhe mbas shkëputjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia. Ka edhe shumë arsye të tjera që na bëjnë të pranojmë se ata përfaqësojnë me dinjitet modernizmin e vonë. Madje sot, disa krijimtari të tyre tentojnë ta tejkalojnë modernizmin e një shekulli më parë, duke iu zbuluar në thellësi të imazheve befasinë e domethënies që orientohet nga arti i ri i shekullit që jetojmë. Kam mendimin se jemi aq të ndërgjegjshëm e të pranojmë pohimin e Vaclav Havel-it se “… periudha moderne në art, në mbyllje të shek. XX, po kalonte një periudhë tranzicioni dhe se asaj po i afrohej një erë e re krijimi….”.

    Jemi në shek. XXI dhe ka do kohë që një mënyrë e re arti është shfaqur në mjedisin artistik ndërkombëtar. Në të fundit shekull, ky art i ri, ku koncepti paraprin dhe mediumet e shumta janë të varur prej tij, është radhitur në vend drejtues, duke e tejkaluar dhe anashkaluar krijimtarinë e modernizmit. Ajo në mënyrë të pamohueshme është ende në periudhë tranzicioni artistik, pasi rezultatet e shumë artistëve në mbarë botën janë të lidhura ngushtësisht me praktikat e modernizmit të shek. XX. Në mënyrë të natyrshme, modernizmi është ende i pranishëm edhe në krijimtarinë e shumë artistëve shqiptarë, kudo që veprojnë dhe ekspozojnë punimet e tyre.  Kjo në arsye se gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, rezistenca e prurjeve të shumëllojshme të vetë modernizmit ka qenë dhe mbetet një trysni e pashmangshme dhe shtytëse; djegia e etapave historiko-krijuese në sistemin e artit, brenda një popullsie të mbyllur në diktaturë, ka shkaktuar mosprezencën e prurjeve moderniste në historinë e zhvillimit tonë intelektual. Ndërsa, për fat të mirë, ka ndodhur krejt e kundërta me jetën dhe veprimtarinë krijuese të Gjelosh Gjokaj, i cili është tribunë e prezantimit të ndryshimit të thelbit krijues gjatë jetës së tij në shek. XX, duke u bërë pikë e rëndësishme krahasimi dhe kundërshtimi ndërmjet përfaqësimit të tij në modernizmin ndërkombëtar dhe realizmit socialist internacionalist. Ekspozita e tij në 1979 në Qendrën Kulturore të Jugosllavisë në New York dhe jo vetëm, si dhe fakti i shitjes së të gjitha punimeve të tij, cilësuar në gazetën “The New York Times” tregon për përballjen e pashmangshme të artistit me sistemin ndërkombëtar të artit.

    Për të lexuar dhe ndjerë figurat e artit të Gjelosh Gjokaj kam mendimin se duhet me tejkalu hap pas hapi në kohën e jetës së tij krijuese dhe njerëzore. Rrënjët e Gjelosh Gjokaj janë në Mileshin shqiptar të Tuzit në Malin e Zi. Ai u lind më 25 gusht 1933 në Milesh, në familjen e Dako e Tola Gjokaj, të cilët patën 8 fëmijë, shtatë djem dhe një vajzë.  Ai 13 vitet e para i kaloi në luginën ku rrjedh lumi Cem, që ka përballë malin Deçiç. Në Jug të luginës ngrihet mali Helmica, i cili kufizohet me Liqenin e Shkodrës dhe në veri hapet rruga drejt qytetit të Tuzit. Në vitin 1946, së bashku me familjen vendoset në Zmajevo të Vojvodinës, ku deri në mesin e viteve ‘50 përfundoi dy shkolla të mesme, atë të përgjithshme të Vojvodinës dhe atë të artit në Pejë.

    Gjelosh Gjokaj-n duket se Peja e cyti shumë fort drejt artit. Ai ishte i detyruar të arsimohej, edukohej e të rritej, në të mirë e në të keq, në një mjedis multikulturor të trojeve e kombësive të bashkuara ish-jugosllave. Multikulturat e këtij vendi me mjediset e tyre kanë bërë pjesë me legjitimitet në rritjen dhe edukimin e artistit shqiptar dhe fizionomia e personalitetit të tij kanë bërë pjesë me dinjitet në strukturën e mirëfilltë e të qartë të arteve figurative multikulturore të ish-Jugosllavisë. Në atë sistem politiko-social, Gjelosh Gjokaj ndoqi nga 1958 deri më 1963 Akademinë e Arteve Figurative të Beogradit dhe u diplomua në Fakultetin e Pikturës dhe të Grafikës. Gjuha formuese dhe krijuese e asaj akademie, i përkiste rregullave të ashpra të evidentimit të aftësive pasqyruese dhe implementimit të kërkesave studentore në periudhat moderne të zhvillimit të arteve pamore europiane, duke i dhënë një vend të dukshëm kërkimit alternativ në drejtimet dhe teknikat stilistikore të shprehjes.

    Gjelosh Gjokaj i besoi lirisë së anvangardës krijuese europiane, sepse në personalitetin e nënvetëdijes së tij shoqërore kishte premisa të tilla, të cilat si formë i lidhi me modernizmin dhe si përmbajtje i lidhi me shenjat e kohës së rrënjëve të tij. Në këtë arsye vepra e vet e artit nuk lindi në një territor të shkretë, por u formua së bashku me rrënjët apo ndikimin e elementeve të vendlindjes, domenit familjar, të gjuhës së nënës, të kohës historike dhe të hapësirave socialestetike. Regjisori i shquar rus Andrei Tarkovsky (1932-1986), përfaqësues  i spikatur i filmit autorial botëror nuk e ka gabim kur shprehet se: “…dëshiroj ta rindërtoj botën dhe, duhet të nis nga rrënjët, që nënkupton se në çdo punë, e cila sjell një produkt, qoftë më i larti si vepra e artit, edhe nëse është e sofistikuar, i kemi aplikuar në brendësi të krijimit rrënjët tona, të cilat janë pjesë e identitetit tonë moral e shpirtëror të qenies, që do të thotë se rrënjët hyjnë e zgjaten si shenja të kohës dhe të hapësirës në historinë e zhvillimit njerëzor…”. Nëse do i drejtohemi me emocion kërshëror nga fillimi veprës së Gjelosh Gjokaj, do të ndeshemi me asi rrënjësh të thella e të përbashkëta njerëzore, të cilat bëhen zanafilla e rritjes së një personaliteti, qoftë ky në artin shqiptar, ballkanik dhe europian siç konfirmohet arti i tij.

    Vendlindja, lidhja emocionale e nënës me birin; nëna modeli i gruas brenda shtëpisë dhe modeli i parë i bijve për gruan dhe për formimin e shijes mbi jetën dhe estetikën; babai modeli  i unit të burrit dhe i punës jashtë shtëpisë; lidhja e ngjarjeve të ndryshme zakonore dhe përfshirja në jetën sociale të kohës; dallimi politik i atdheut, përtej e këtej kufirit; ekzistenca dhe pranimi i kombësisë dhe gjuhës së tjetrit; shtresat historike; liria dhe mendimet për të njohur botën përtej mureve të ngritura; njohja me ndjesi të pashpresa si përbuzja, përçmimi, urrejtja dhe injorimi; ndërtesat dhe terreni natyror; zogjtë e egër, qengjat e butë, gurët e bardhë, dheu i ngrohtë, ujrat dhe liqeni, bliri, drurët frutorë, lugina, erërat e forta dhe të freskëta; atmosfera e ngjyrave dhe volumeve në domenin shtëpiak; krahina dhe njerëzit, zakonet dhe kostumet; besimi dhe feja, hershmëria dhe tradita dhe, personaliteti në formim përbëjnë imagjinaren, fantazitë, përceptimet dhe iluzionet e para të artistit. Këta elementë, gjatë kohës së studimeve nga Peja në Beograd, diti t’i përpunojë me imagjinatë dhe në marrëdhënie të drejtpërdrejta me mendimin. Në këtë pistë të parë të jetës krijuese u përgatit ashtu siç ai e cilësonte “…e vërteta e hershme iluzive e metaforave artistike…”. Asaj fillimtarie as vetë Gjelosh Gjokaj nuk e kishte të qartë sesa ndikim të madh e sesa trysni të ngjeshur do të kishte ajo kohë iluzionare dhe ajo atmosferë përceptimesh mbi krijimtarinë e mëpastajme artistike. Në ditët e sotme, këtë e dëshmojnë të gjitha veprat e tij në pikturë e në grafikë.   

    Pas përfundimit të diplomimit, në 1963 familja e Dokë e Tola Gjokaj kthehet e rivendoset në shtëpinë e të parëve në Milesh. Artisti i ri i transferon, i përball krijimet dhe përvojat e tij në publikun shqiptar dhe atë multietnik. Në periudhën 1964-1969 punoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Gjelosh Gjokaj, së bashku me Muslim Mulliqin dhe artistë të tjerë kishin hapur Degën e Arteve Figurative në sistemin e asaj shkolle. Gjokaj drejtonte ateljenë e Grafikës. Ai kishte mbërritur në Prishtinë si një artist i ri me reputacion dhe emër të njohur, pasi deri asaj kohe kishte fituar një çmim për të cilin na vë në dijeni kritiku kroat i artit Vlado Buzhançiq në katalogun “Arti bashkëkohor i Kosovës”, i botuar në 1988, ku shkruhet se: “…Gjelosh Gjokaj, më 1966 është artisti i parë shqiptar, që ekspozon grafikën “Pogaçja e fundit”, e krijuar në 1966 në “Ekspozitën IV të Grafikës Jugosllave të Zagrebit”…ky do të jetë i vetmi artist nga Kosova edhe në vitin 1968 në “Ekspozitën V të Grafikës Jugosllave të Zagrebit”…prej atëherë e deri në 1982 do të mbetet i vetmi përfaqësues i mjedisit të vet në këtë ekpozitë…Gjokaj e tërhoqi vemendjen e selektorit në sajë prej një vargu faktesh objektivë, që në art janë mbi çdo çelës! Së pari në emër të renomesë, (njeriu që merr famë prej veprimtarisë së tij e i bëhet i dëgjuar emri), që fitoi në Akademinë e Beogradit, pastaj ngase në 1965 u përfshi në përfaqësimin jugosllav për “Bienalin V Mesdhetar në Aleksandri…”. Kjo është një periudhë mjaft domethënëse, edhe pse e hershme. Arti i pikturës dhe i grafikës së Gjokaj nuk ka qenë një proces i thjeshtë krijues, as vetëm i mësuar dhe as i pandryshueshëm. Ai ishte një proces, që ndodhi hap pas hapi, duke u bërë një burim i fenomenologjisë së praktikave artistike, të cilat i kaloi me shumë sukses. Procesi i tij krijues ka jetuar në mjedisin e tij të fortë që është atmosfera e koncepteve surreale. Kjo e ka bërë artin e vet të jetë shenjë e qartë e figurës manjetike, ku furfullima metafizike dhe e surreales i përshtatet asaj dhe i ndërthuret në deje, përmes fijesh lidhëse, të cilat duan të na tregojnë mbi ekzistencën njerëzore. 

    Arti i tij ka një fillesë që i përket një realizmi të butë, por shumë delikat e më pas arti i tij zhytet sa në pikturë dhe në hapësirën e grafikës bardh e zi, të cilën e skalit me një mënyrë krejt drithëruese, me një vizatim të stilizuar vetjak. Shpeshherë duket si një artist misterioz, që vjen nga Egjipti i Lashtë e më pas si një prerilindas italian; shpërthen si surreal mbi motive të njeriut në vuajtje e shfrytëzim, por që krejt në mënyrë të pavetëdijshme e huazon rrumbullakësinë xhotoiane. Ai ishte një strukturues i aftë i vijës, sipërfaqes, volumeve dhe formave mekanike kubiste, të cilat krijojnë një imazh të fortë dhe me informacion të vendosur mbi një sfond saharanian. E së fundi duket se “braktis” çdo interpretim të mëparshëm, për t’u dashuruar me lirinë e lodrimit të ngjyrave mbi një sipërfaqe qiellore, ku bluja e ambël nuk mungon, ku mendimi i tij shprehet se: “Interpretimi i lirë i ngjyrës është liria e shpirtit të artistit”. Kjo ruginë e shprehur me shpejtësi i përket më shumë se 55  viteve krijim.

    Gjelosh Gjokaj është “opusmodernum” shqiptar i postmodernizmit të shek. XX. Krijimtaria e tij e shumtë, me konfigurime nga më të çuditshmet për ditët e sotme, të orienton të ndjesosh sesi ai gërmoi në tokën e modernizmit dhe e ushqeu atë me artin e vet të kultivuar. Modernizmi do të niste asaj kohe të revolucioneve industrialë të periudhës 1760-1850, e cila ishte epoka e ndryshimeve themelore dhe të menjëhershme. Bota e shkrimtarëve njohu poetin, eseistin dhe kritikun francez Charles Pierre Baudelaire, prej të cilit në 1846 – tën, dëgjuan thirrjen e tij drejtuar artistëve “be of their time”, ndërsa mjeku dhe psikoanalisti austriak Sigmund Freud i dha rëndësi botës së nënvetëdijes njerëzore, raportit të saj me mendjen dhe niveleve të përceptimit të ndërgjegjshëm.

    Gjelosh Gjokaj kohën dhe hapësirën e vet artistike e përdori me shumë profesionalizëm. Koha dhe hapësira që e zotëruan artistin nuk e mbyllën në kutinë e ngushtë të një studioje artisti, as nuk e lanë të zvarritej rrugëve të njohura të artit, por i dhanë liri fushës së kërkimit për të provuar e për të sfiduar si banor e artist në vendlindje dhe në shtete të tjera të Europës. Koha dhe hapësira të ndryshme apo të paparashikuara, intensifikuan një bashkim në mënyrë të mrekullueshme të ndjesive dhe të mendimeve të artistit. Gjelosh Gjokaj në imazhet e veprave të tij nxjerr në pah poetikën e krijimtarisë, gjithashtu zbulon gjurmët literare, të cilat janë jo vetëm afrimiteti me disa lëvizje të shek. XX, të cilat jo vetëm kryejnë procesin e njohjes në thellësi të përmbajtjeve, por të përballin burimet e hershme përceptuese iluzive të vizioneve të parashikuara dhe të mbrujtura nga personaliteti egocentrik, i domosdoshëm për një artist që kërkon uniken apo origjinalen.

    Me botëkuptimin e modernistëve, të cilët në vitet 60-të ishin drejt perëndimit të diellit të tyre, u lidh shumë fort arti në vendet e Europës jugperëndimore, ku përfshihej ish – Jugosllavia dhe natyrshëm Gjelosh Gjokaj. Në udhën e tij të artit, të gjitha trysnitë pa rrugëdalje ndikuan për largimin e tij nga Kosova për të cilën ai mendonte se “…unë Kosovës ia rris nerën sepse suksese kam patur në të…”. Ai në vitin 1969 e lë Malin e Zi dhe Kosovën duke iu drejtuar Romës, Italisë. Artisti u largua për të gjetur një hapësirë më të madhe dhe jashtë territorit të ngushtë lokal të një province të largët nga metropoli europian i artit. Si artist ndjeu se po shkarkohej nga disa vizione që e rëndonin dhe në pavetëdije filloi të ngarkohej me vizione të reja, të cilët u bënë faktorë në formimin e personalitetit krijues dhe pjesë e re e identitetit nacional. Ai shkoi në një mjedis që i përkiste të tjerëve. U rrek të ecte me hap të sigurt në shtigjet e hapura të metaforave moderne europiane dhe krijimtaria e tij u parapëlqye dhe u preferua, duke e quajtur cilësore. Kritikja e artit, Lorenca Truchi, pikturën e Gjelosh Gjokaj, të ekspozuar në Galerinë e Artit Modern Toninelli, në Romë e cilësoi shumë serioze. Ai punoi fort në Romë, iu përshtat asaj dhe fitoi një hapësirë të lirë e të re, krejt të ndryshme nga ajo që kishte lënë në ish – Jugosllavi të mizorit Aleksandër Rankoviq, i cili kishte drejtuar një genocid të tmerrshëm politik dhe njëkohësisht zhvillimin e realizmit socialist në fushën e kulturës gjatë viteve 50- 60-të. Në Romë, Gjelosh Gjokaj u rebelua ndaj një jete arkaike, disi primitive dhe të mbyllur, për t’u lëshuar, jetuar, krijuar dhe ndryshuar jetën vetjake dhe botën e grafikës e të pikturës së tij.

    Vepra e Gjelosh Gjokaj kërkon të shijohet dhe vëzhgohet e mbase për këtë mund t`i drejtohemi tri mënyrave që sugjerojnë tre mendimtarë të ditur. Mënyra e parë na sugjerohet prej Francis Halsall, i cili shkruan se: “…poetika e veprës së artit rrit ndjenjën tonë për realitetin duke na lejuar mënyrën empirike për ta parë, si dhe duke na lejuar për t’u përqëndruar në veprimtaritë tona të përditshme mbi botën…”.  Në lidhje me veprën e Gjokaj, kjo mënyrë lejon të analizosh se çfarë ne shohim në veprën e tij dhe deri ku na lejon të shijojmë botën e nënvetëdijes. Jean – Luis Lyotard me idenë e tij se “…arti modern paraqet faktin sepse e paparaqitshmja ndodhet aty…” shprehet për një mënyrë tjetër, e cila ndihmon për të parë në thellësi të veprës së artit dhe për të përkufizuar të dobishmen në art. Dhe së treti, Michel Foucault thotë se: “…njeriu është një qenie thellësisht historike”. Mendimi i tij na udhëzon ta kuptojmë artistin si një qenie të dobishme njerëzore.

    Ndikimi i poetikës së veprës në botën e përditshme; kërkimi dhe gjetja e të paparaqitshmes në thellësinë e veprës, si dhe artisti si qenie historike kanë ndjekur Gjelosh Gjokaj-n nga fillimi e deri në krijimin e veprës së fundit. Kjo kohë shtrihet në tri faza apo periudha të mëdha, të cilat ndahen në tre mjedise territoriale të ndryshme, ku ai krijoi si në ish-Jugosllavi, Itali dhe Gjermani dhe mbi të gjitha në tri interesa estetike. Në fazën e hershme ose të parë veprat “Vajza me zog”, “Refugjatët”, “Bariu” shprehen se anoi drejt pasqyrimit të imazheve treguese, me formë disi të sofistikuar e statike, e cila pasqyronte përmbajtjen e kohës dhe historikun e njeriut mbijetues. Në fundin e kësaj faze vepra si “Portret, 1966”, përmes memories së fëminisë, ngjarjeve të luftrave, genocideve dhe teknikës së akuatintës zbuloi portretin e njeriut, të cilit i thellon përmes konceptit grafik psikologjinë dramatike dhe tragjike, traumat e përshkeljes dhe dhunimit. Ai i kthen në monumente që duket se mbijnë nga toka si humus të saj, duke e treguar përmes syve të zmadhuar. Kokat monumentale kanë forma mekanike pasi artisti ia thekson prerjen nga trupi. Në fazën e Romës, të cilin Maestro Gjokaj e quajti qyteti magjik, përcaktohet dhe periudha e dytë e krijimtarisë. Në këtë periudhë, ai tentoi të aftësojë pjekurinë krijuese dhe shprehet se “…ajo, pjekuria krijuese, të kthehej në art dhe jo në ilustrime të përfytyrimeve të veta…”. Veprat në grafikë të kësaj periudhe shprehen të qarta për një simbolikë me tjetërsime thelbësore ndaj surrealizmit poetik, metafizikës dhe mjedisit ekstravagant modern. Ai krijoi njeriun e instrumentalizuar, të metalizuar, të ngurtësuar që gjendej në kufijtë urbanë të prodhimit industrial, si mall i parë. Ai krijoi figurën njerëzore konvencionale. Dario Micaçhi, kritik i artit të Gazetës “L`unita”, të Romës shkruan në vitin 1977 se “…Gjokaj, pas ekspozitës në Galerinë e Artit Modern Toninelli të Romës, kaloi në surrealizëm dhe veprat e tij në këtë drejtim i ka me përmbajtje të thellë dhe tematikë nga mjedisi i tij Kosovar…”. Tërësia e kësaj periudhe duket se ka si epiqendër veprat “Mbeturinat” 1977, “Eksodi”, 1976 dhe veprën “Ditari i Romës”, 1982. Ditari përbëhet nga 10 fletë grafike, të cilat i përkasin humanit dhe përceptimit të artistit në shkallën më të lartë të surrealizmit.

    Faza e tretë, fillimet e saj i ka me prezantimin e veprës surreale “Plaku i sorrave” në Gjermani dhe më pas në vitet 1983 ai anashkaloi hap pas hapi pikturën figurative poetike, simbolike dhe surreale për t’u hedhur drejt ngjyrave të botës pa fjalë të pikturës abstrakte ose të pikturës pa fjalë. Kjo është një fazë çlirimi. Ai vlerësoi abstraksionin poetik, herë të një sipërfaqe të shqetësuar, herë të një sipërfaqe të kombinuar, ku dallohej ndonjë emblematikë domethënëse e segmenteve të trupave humanë e zeologë si në pikturat e Zogjve. E herë krijoi një sipërfaqe me timbër muzikor, plot vrull ngjyrash, të cilat janë trajtesa emocionale dhe për të cilat ai mendonte se: “…krijimet e kohëve të fundit janë një angazhim me probleme më të thella artistike…”.

    Gjelosh Gjokaj ka një krijimtari shumë të pasur. Kur zhytesh në të nuk mund të arrish të dalësh lehtësisht. Kur largohesh prej saj, nuk je më një human i thjeshtë, nuk mund të mos jesh i tronditur për kohët më pas, nuk mund të jesh indiferent, nuk mund të mos i rikthehesh përsëri botës së tij, sepse kupton se shumë sende kanë mbetur atje në thellësinë e artit. Dhe vetëdija tënde të kërkon të rikthehesh për të zbuluar edhe sende si ritet e krijimtarisë së Gjelosh Gjokaj që lidhen me përdorimin e vinjave të tij në formën e venave të gjakut njerëzor, të cilat i nxjerr në sipërfaqe dhe ti iu shkon për filli për të kuptuar inteligjencën e këtij artisti shekullor shqiptar. Riti i procesit të tij krijues të prezanton forcën e mendimit dhe të ndërthurjes metafizike në trajtimin e imazhit. Riti i njeriut është i lidhur me portretin. Riti i ngjyrës është i lidhur me sipërfaqet blu në pikturën e tij tokësore. Riti i kontrastit është i lidhur me të bardhën e mrekullueshme evidentuese dhe riti i formës është i lidhur me rumbullakësinë dhe mungësën e thepave gjeometrikë edhe pse gjeometrizimi është aty, pasi ai ishte artist dhe njeri i butë dhe ndjesor.

    E njoha aty në moshën pa arritur të 80 – tat, e njoha si një besnik të fantazisë së vet, përshkrues të imagjinatës, ëndërrues për jetën e njeriut dhe pikturën, plot përvojë dhe të dëshirur për të qëndruar rreth tavolinave plot miq…me bisedda, për një rikthim tjetër në thellësinë e artit të tij…

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË