Artisti fotograf, amerikano-shqiptar Gjon Mili shkëlqeu gjatë shek. XX në Shtetet e Bashkura të Amerikës dhe në Francë. Janë dy vende, ku veprat e artit ekspozoheshin duke u mbështetur në argumentin mbi famën e artistit. Gjon Mili, falë zhvendosjes nga Rumania drejt ShBA-ve, falë karakterit të tij kërkues dhe vëzhgues mbi teknologjitë më të fundit të proceseve të fotografimit, falë zhvillimeve moderniste e galopante të arteve në shek. XX, i përballi asaj kohe dhe atij sistemi, gjithë potencialin e vet inteligjent. Në jetën krijuese e zbuloi fenomenin e fotografimit në qelizat e tij përbërëse, të cilat grupojnë brenda tyre molekula teknike dhe estetike. Ai arriti të vlerësojë magjinë e bardh e zisë, shkëlqimin e dritës dhe efektin befasues të refleksionit shumëplanësh të figurave në lëvizje. Kur bisedohet për talentin dhe aftësitë e Gjon Milin, flitet për shqiptarin me fat, që në jetën e tij u gjend në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Në botën perëndimore, Gjon Mili erdhi nga një vend i vogël e i prapambetur dhe u përpoq me të gjitha forcat të përshtatej në mjedisin e egër, konkurent, të madh e të vrullshëm. Ai, edhe pse i ri në moshë luftoi dhe u përpoq të kuptojë mjedisin dhe vuri të gjitha aftësitë e tij në shërbim të mbijetesës dhe të formimit të personalitetit. Arti i tij i fotografisë ishte krejt i veçantë. Imazhet që ai përftoi nga shkrepjet, të cilat orientheshin nga teknologjitë me të reja dhe të pazbatueshme më parë e bënë një individ të njohur, veçanërisht në mjedisin ku operonte, por edhe në diasporës shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Personaliteti i tij artistik, në ditët e sotme dhe në mjedisin amerikan ku u formua, e ruan ende vlerën e një emri të shquar, të lavdëruar dhe të respektuar në fushën e artit të fotografisë, në të cilën ai shndriti në përdorimin e teknikës stroboskopike.
Në Shqipëri, rreth Gjon Milit flitet herë pas herë. Studiues shqiptarë të fotografisë e njohin mjaft mirë dhe i kanë dhënë vendin që i takon në librat e tyre, enciklopeditë dhe fjalorët akademikë. Ata i japin rëndësi informacionit mbi jetën dhe krijimtarinë e tij, duke zbuluar fakte të reja. Ata nxisin njohjen në vazhdimësi dhe rifreskojnë perceptimet mbi veprën e tij tek brezi më i ri i artistëve fotografë dhe kineastë. Në Kosovë, emrit të Gjon Milit i është dhënë vlersim dinjitoz, pasi konkursi ndërkombëtar i fotografisë mban emrin e tij. Një veprimtari e tillë ndriçon akoma mëtej botën krijuese të fotografit shqiptar me famë botërore.
Botimet e fotove gjatë punës së tij në revistën njujorkeze “LIFE”, i dhanë emrit të Gjon Milit, në mënyrë krejt domethënëse njohje në botën e artit dhe në zhvillimet më të reja të proceseve specifike fotografike. Stafi drejtues i “LIFE” zbuloi vlerën dhe magjinë e fotografit. Ai u përzgjodh si një prej fotografëve të saj. Krijimet befasuese bardh e zi, të shumta, me subjekte bashkëkohore dhe me gjuhë ekspresive, të gjallë, plot lëvizje të Gjon Milit u botuan për dhjetra vite radhazi në faqet e “LIFE”.
MoMA, një prej muzeve më në zë të artit modern në New York i ka prezantuar krijimet e Gjon Milit, në 17-të ekspozita nga viti 1942 e deri në 1988. Veprat e tij gjenden dhe ruhen në fondin e këtij muzeu. Për ekspozitën vetjake “Dancers in movement/Valltarët në lëvizje”, e hapur në 13 janar 1942, stafi i departamentit të fotografisë në MoMA dhe Paul Magriel zgjodhën dhe prezantuan 50 vepra të Gjon Milit, të realizuara në periudhën 1938-1941. Në dokumentin e njoftimit për shtyp shkruhej se asaj kohe Gjon Mili ishte i njohur si inxhinier i kërkimit të ndriçimit në Westinghouse Electric Company si dhe fotograf. Veprat e ekspozuara janë fotografi të shkrepura me shpejtësi ultra të lartë ndaj lëvizjeve të vallëzimit. Teknika e tyre u arrit nga angazhimi i Gjon Milit në eksperimente të zhvillimit të dritës më të ndritshme me fije bilaterale të llambës flakëruese tungsten, nga interpretimi i koncepteve fotometrike dhe projeksionit të dritës dhe optikës. Ai fotografoi valltarë të njohur bashkëkohorë të kapur në hedhjen e tyre në lartësinë e një vorbulle apo kërcimi të ndërlikuar.
Në ekspozitën Picturing “Greatness”/Duke pikturuar “Madhështinë” e hapur në vitin 1988, në sallat e museut MoMA u paraqitën disa vepra me subjekt Pablo Picasso-n, të kryera nga Gjon Mili në 1949. Barbara Kruger, kuratorja e asaj ekspozite, në konceptin e saj shkruan se: “…janë prezantuar fotografitë e artistëve më të shquar…Këto imazhe mund të na sugjerojnë se si ne joshemi nga paraqitja e botës së jashtme në një pozë se kush jemi apo se kush nuk jemi…”. Në këtë mendim MoMA shprehet qartë se edhe pas vdekjes Gjon Mili do të bënte pjesë në grupin e artistëve më të shquar të fotografisë për kohën. Midis shumë ekspozitave të tij ishte dhe ajo me titull “Fotografitë e Picasso-s nga Gjon Mili dhe Robert Capa”, hapur në janar 1950, që befasoi për personalitetin pamor dhe psikologjik të artistit modern.
Galeria Howard Greenberg në New York u formua në vitin 1981 dhe, që asaj kohe 40 vjeçare, ka ndërtuar një koleksion të gjerë, i cili përbëhet prej fotografive më të rëndësishme të kulturës së këtij arti. Koleksioni i saj vepron si një histori e gjallë e fotografisë, duke ofruar zhanre dhe stile nga Pikturalizmi deri te Modernizmi. Në koleksionin e pasur të Howard Greenberg Gallery ruhen, ekspozohen dhe tregëtohen vepra në fotografi të Gjon Milit. Studiues të kësaj galerie e vlerësojnë krijimtarinë e tij dhe e përcaktojnë të rëndësisë të veçantë. Në konceptin e tyre prezantues mbi veprën e Gjon Milit shkruhet se: “Mili është pionier në portretizimin e lëvizjes në fotografi. Inxhinieria e tij e mjeteve dhe teknikave të ndriçimit fotografik, në vitet 1930 jo vetëm ndryshoi mundësitë për të përshkruar lëvizjen, por vetë fotografitë e tij ndryshuan kuptimin e përgjithshëm të publikut mbi lëvizjen në përgjithësi. Mili zbuloi mekanikën e kinetikës njerëzore në shoqërinë e pasluftës përmes numrit të madh të fotografive të tij mbi lëvizjen dhe botimit të tyre të shpeshtë në revistën LIFE.”
Rreth krijimtarisë së fotografisë së realizuar nga Gjon Mili me teknikën stroboskopike, nga të cilat ai përftoi imazhe dinamike dhe reklamuese, të cilat provuan aftësinë e tij për të përshtatur zbulimet e tij në mënyrë krijuese, janë shkruar qindra artikuj vlerësimi dhe rëndësie. Në të gjitha artikuj zbulon kujdesin e shkrimtarit, botuesit dhe gazetarit për të dhënë “epikën” e suksesit të fotografit shqiptar. Njëri prej tyre Ben Cosgrove, që punon si kontribues, manaxher, shkrimtar dhe redaktor në internet dhe jo vetëm, nga mesi i viteve 1990 e deri në ditët e sotme për Salon, Washington Post, Daily Beast, Life.com dhe media të tjera shkruan se: “Gjon Mili është i vetmi fotograf, që ka formuar kuptimin tonë vizual bashkëkohor të lëvizjes, si në shembullin e drejtpërdrejtë të fotove të tij, ashtu edhe në ndikimin që ka pasur puna e tij tek të gjithë fotografët e veprimit që kanë ardhur pas tij.»
Në jetën biografike dhe artistike të Gjon Milit është tejet i veçantë takimi dhe fotografimi i Pablo Picasso-s, në vitin 1949, kur ai ishte 68 vjeç. Picasso e priti fotografin amerikan me origjinë shqiptare në shtëpinë e tij në Vallauris, Francë, ku në ditët tona gjendet Muzeu Kombëtar Picasso. Takimi i dy artistëve mjeshtër u raportua nga LIFE si një mrekulli teknike dhe puna e inovatorit të ndriçimit ishte diçka e jashtëzakonshme. Në librin e formës album e monografi me titull “Picasso’s third dimension/ Dimensioni i tretë i Picasso-s”, botuar në 1970 dhe shkruar me një tekst tërheqës nga Gjon Mili, flitet rreth takimeve dhe bisedave të gjalla me Picasso-n, si dhe rreth propozimit të një koncepti interesant që i bëri vet Gjon Mili. Konceptin e vet ia ilustroi me foton, ku shfaqej në hedhje patinatorja Carol Lynne dhe ku dukeshin befasuese gjurmët e linjave të dritave në majat e çizmeve të saj dhe ato shfaqeshin si në ajër në pjesën e poshtëme. Gjon Mili zbuloi se si Picasso u befasua dhe se si mendja e gjeniut spanjoll u trazua dhe filloi të garonte për të pranuar fotografimin e veçantë prej fotografit amerikan. Revista LIFE në artikujt e saj të viteve 1949 -1950 raportoi ndër të tjera se: “Fillimisht, Picasso i dha Milit vetëm 15 minuta kohë për të provuar eksperimentin e vet. Ai ishte aq i magjepsur nga rezultati, saqë pozoi për pesë seanca, duke projektuar 30 vizatime të centaurëve, demave, profile greke, si dhe nënshkrimin e tij…Kjo seri fotografish, të njohura qysh atëherë si “vizatimet me dritë” të Picasso-s, u bënë me një dritë të vogël elektrike në një dhomë të errët…ato ishin imazhe lozonjare dhe hipnotizuese të Milit…”. Ndërsa më pas, më 1980, nën kujdesin e Shoqatës New York Graphic Society u botua libri me titull: “Gjon Mili – Photographs & Recollections”/ “Gjon Mili – fotografi e kujtime”. Dalja në dritë e këtij libri u shoqërua, njokohësisht me organizimin e një ekspozite retrospektive me vepra të fotografit nga krijimtaria e 50-të viteve, që u mbajt në Qendrën Ndërkombëtare të Fotografisë –ICP, në New York. Në librin e pasur me imazhe dhe fakte tregohet se shumë prej fotove të kryera në 1949 kushtuar vizatimit gjallazi me dritë e në lëvizje të Picasso-s u ekspozuan në fillim të vitit 1950 në MoMA dhe se fotografia “Picasso vizaton një centaur në ajër” u bë shumë e njohur dhe mori vlerën e një himni fotografik dhe i takonte krijimtarisë së njëkohëshme të Gjon Milit dhe Picassos.
Gjon Mili u lind nga prindërit Viktori (Çekani) dhe Vasil Mili, të cilët në vitin 1909 emigruan larg vendlindjes, për disa arsye, që lidheshin asaj kohe me varfërinë e shoqërisë shqiptare dhe zhvillimin e ngadaltë të ekonomisë feudale nën sundimin e perandorisë osmane. Në regjistrat arkivorë të Mbretërisë Zog, të viteve 30 – të të shek. XX, në një listë ku janë registruar emrat e shqiptarëve jashtë atdheut, gjendet i shkruar emri Joan Mili. Ky fakt u dëshmua nga kërkimet studimore të historianit Sokol Çunga. Joan është emri i pagëzimit të Gjon Milit. Një vend të rëndësishëm, në studimet biografike dhe historike rreth Gjon Milit, zenë tekstet e studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni, i cili në artikujt e tij ndër të tjera ka shkruar se: “…Gjon Mili u lind në Korçë më 28 nëntor 1904. Familja Mili, kur Gjoni ishte ende 5 vjeç, emigroi në Rumani. Këtu ai mbaroi shkollën e mesme. Në vitin 1923 ajo emigroi dhe arriti në SHBA. Ndërsa Gjon Mili filloi të merrej me punë të ndryshme ndër to edhe si amator me fotografinë, ai studioi fort dhe me pasion inxhinieri elektrike në Massachusetts Institute of Technology. Pas diplomimit në 1927, ai punoi për Westinghouse si inxhinier i kërkimit të ndriçimit deri në vitin 1938. Gjon Mili, në ShBA përdori emrin Gjon dhe arsyetimi i vet shpjegon evidentimin e cilësive patriotike të artistit. Fotografi i njohur mbeti gjatë gjithë jetës një amerikan me origjinë shqiptare dhe nuk ndryshoi shumë gjëra, që nga emri i tij, të cilin e shkroi gjithmonë “Gjon”, duke thënë se: “Ai shkruhet dhe lexohet kështu vetëm në Shqipëri”. Ai nuk e mohoi askurr kombësinë dhe kjo dëshmohet nga përdorimi i gjuhës shqipe, të cilën e fliste dhe e shkruante saktë e bukur, të cilën e praktikoi në të shkruar deri në vitin 1927, pasi janë të njohura në diasporën shqiptare tri novela të tij me tituj: “Larg”, “Ëndër” dhe “Nëna”, të cilat u botuan në revistën “Studenti shqiptar” të Odise Paskalit në Torino në vitin 1929. Gjon Mili nuk mundi të vinte në Shqipëri. Ai kërkoi një vizë në vitin 1946 në Ambasadën Shqiptare në Paris. Të të njëjtën kohë që i refuzohet viza në Paris ai fotografoi liderin komunist diktatorin Enver Hoxha gjatë fjalimit të mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris në 1946…”.
Përmes eksperimenteve me profesorin e fotografisë, të cilin e quanin babain e Flash/flesh-it Harold Edgerton (1903-1990) në Massachusetts Institute of Technology, Gjon Mili përdori për herë të parë “fleshin elektronik” dhe “dritën stroboskopike”, të shpikura në 1931 nga profesori, me të cilin bashkëpunoi gjatë. “Blicit stroboskopik” (1), i Harold Edgerton-it, i cili lëshon një seri shkëlqimesh në intervale shumë të shkurtra kohore dhe filmi regjistron evolucionin e një lëvizje shumë të shpejtë, siç është driblimi ose hapi i vallëzimit, zhvilloi te Gjon Mili aftësinë e zbulimit të risive që shkakton drita për fotografinë me ngjyra dhe imazhet stroboskopike. Ai punoi deri në vdekjen e tij, duke prodhuar mijëra fotografi, të cilat kanë subjekte si pamje aksioni të vallëzimit, sporteve dhe ngjarjeve teatrore; portrete artistësh të njohur, muzikantësh, atletësh, valltarësh dhe aktorësh. Gjon Mili xhiroi filma për artistë, mes tyre Jamming the Blues, Eisenstaedt Photographs, The Tall Man dhe Homage to Picasso. Gjon Mili dha mësim në Yale, Sarah Lawrence College dhe Hunter College.
Gjon Mili kujton se gjatë punës së parreshtur e pasionante me fotografinë kuptoi se një nga faktorët më të rëndësishëm të fotografimit ishte ndriçimi i duhur i objektit dhe ndjeu se ishte bërë fillimtari i portretizimit të lëvizjes në fotografi. Ndërsa elita perëndimore e kuptueshmërisë mbi artin e siti veprën e tij fotografike dhe e përcaktoi si një art që lindi jo vetëm nga inxhinieria e mjeteve dhe teknikave të ndriçimit fotografik nisur që nga vitet 1930, por edhe nga fuqia intelektuale e aftësive të artistit, që përmes fotografive të ndryshonte mundësitë për të përshkruar lëvizjen dhe i dha publikut mundësinë për të ndryshuar kuptimin e përgjithshëm për lëvizjen në përgjithësi. Krijimtaria e tij lulëzoi në një periudhë ngjarjesh të mëdha, ku përfshihen dy luftra botërore dhe jeta e artistëve të mëdhenj të artit të shek. XX, ku tashmë dhe ai vet bënë pjesë. Numri i madh i fotografive të tij me subjekt lëvizjen dhe dritën, kontrastin e mrekullueshëm të figurës dhe objektit në shfaqjen e plotë e të ndritshme mbi sfondin e errët, që hesht, zbulojnë ekzistencën e pamohueshme të rëndësisë së Gjon Milit, i cili vuri në shërbim të tij mekanikën e kinetikës njerëzore në shoqërinë e pasluftës, nisur nga pas viti 1939 e deri sa vdiq në Stamford, Connecticut, ShBA më 14 shkurt të vitit 1984.
1 Termi stroboskop vjen nga greqishtja. Strobòs do të thotë “vorbull”. Në teknikën fotografike lidhet me procesin mekanik dhe është një instrument në formën e diskut, që hapet dhe realizohen një seri shkrepjesh, të cilat u quajtën fotografi stroboskopike.