More
    KreuArte pamoreSuzana Varvarica Kuka: Agron Polovina mes ireales ikonografike dhe reales natyrë

    Suzana Varvarica Kuka: Agron Polovina mes ireales ikonografike dhe reales natyrë

    A mund të thuhet se piktori ynë kombëtar Vangjush Mio, me jetën dhe veprën e tij, ka ende forcë ndikuese tek piktorët e sotëm shqiptari? Mendoj se po! Sa herë jam para artit të piktorëve të sotëm shqiptar shoh se në grupin e tyre të madh vihen re ata, që janë dhe më të shumtët, të cilët pikturën e tyre e kanë të lidhur me natyrën njerëzore dhe peizazhin e natyrës mëmë. Kjo është një vijimësi kulturore pozitive që tregon se arti i pikturimit të drejtëpërdrejtë nga natyra është domosdoshmëri krijimi dhe kërkesë e pashmangshme e artistit, për të pasuruar aftësitë stilistikore dhe koloristike.

    A mundet ende të pranojmë se kulturat e ndryshme figurative të zhvilluara në shekuj vazhdojnë të ndikojnë mbi proceset e sotme krijuese të artistëve figurativ? Mendoj se po! Agron Polovina është një prej piktorëve të këtij grupi. Ai, paqësisht është i lidhur si me përvojën e trashëguar nga Mio i madh, që do të thotë me përvojën e bukur impresioniste ashtu dhe me përvojat e trashëguara të afreskeve dhe ikonave të krishtërimit orthodox, që do të thotë me përvojat e pikturës bizantine.

    Agron Polovina jeton dhe punon në Berat, në qytetin e traditive shekullore kulturore. Ai, në qytetin e tij të lindjes, ka manaxhuar prej disa kohësh me shumë sukses zhvillimin dhe ruajtjen e këtyre traditave. Ndërsa në ditët e sotme frymëzohet dhe bashkëjeton me to. Në mesin e tyre mediton e krijon pikturë plot pasion. Imazhet e saj na lidhin kryekëput me dy qëndrime të tejskjashme, që komunikojnë mes tyre përmes stilit, ngjyrave dhe konceptit vizatimor individual.

    Qëndrimi i tij i parë piktorik përkthehet në imazhe që gjenerojnë mrekullisht prej frymës ikonografike pas – bizantine të kohëve të Onufri Argitis, që jetoi në shekullin XVI dhe pikturoi kisha, portrete dhe peizazhe nga Elbasani e në Shqipërinë Jugore dhe Maqedoninë Jugperëndimore. Piktura e mrekullueshme e Polovinës, ku pasqyrohet piktori ikonograf (Onufri ose mbase, vet piktori), që reflekton e ndriçon i veshur në të kuqe, figurë kjo e vendosur në mesin e tabllosë dhe mbi sfondin e çative, urave, harqeve të qytetit të Beratit e që akti i tij është të piktuarit me ngjyrën e kuqe, është shprehia më e qartë e këtij qëndrimi. Madje mendoj se është zanafilla e këtij kërkimi piktorik, i cili na tregon për forcën dhe qëndrueshmërinë krijuese të artistit Agron Polovina.

     Imazhet kompozicionale, të këtij qëndrimi, të cilët do kisha dëshirë t`i quaja piktura të ikonografisë moderne të shekullit XXI, përbëjnë në krijimtarinë e tij dhjetëra piktura figurative me thelb kah fantastikja. Edhe pse nisin e brumtohen nga molekula të pikturës ikonografike ato rrjedhojnë si një tjetërsim i saj. Ai formësohet prej trajtimit të subjekteve njerëzore sa të ditëve tona aq dhe të gojtarisë mitologjike. Këto tabllo kanë krijuar një realitet të ri piktorik, që shkëputet tërësisht nga pasqyrimet e drejtëpërdrejta të ideve apo pamjeve të botës së jashtme që tërheqin piktorin. Përmes tyre artisti tenton të “ngurtësojë” figurativisht konceptet e veta mbi akte të veprimtarisë njerëzore.  

    Karakteristika thelbësore e tyre është se subjekti i pikturuar në qendër të tabllosë rrethohet nga sfonde kryesisht njëngjyrëshe. Sfondet janë në kontrast me subjektin tregues, i cili lexohet qartë edhe pse është i mbushur me detaje dhe objekte simbolike, të cilat krijojnë historinë e temës së pikturës. E gjithë sipërfaqja e telajos ekzekutohet përmes penelatave të shkathta të ngjyrave ekspresive. 

    Qëndrimi i dytë piktorik shprehet në imazhe të cilët artisti i pikturon gjallazi e ballpërballë me peizazhin natyrë, me pamjet e qyteteve, komustografinë folklorike të figurës njerëzore, me kohën, atmosferën dhe në dritën e diellit. Në këtë qëndrim dallohet entuziazmi që ka piktori ndaj peizazhit natyrë ose strukturës gjeografike dhe objekteve që e përbëjnë atë. Në një vështrim të shpejtë mund të thuhet se ai riinterpreton atë ç`ka përballë. Dhe kjo nuk është tërësisht kaq e thjeshtë. Unë, mundohem të kuptoj sesi piktori Polovina përpiqet të gjej këndvështrimet e strukturave gjeografike, sesi e tjetërson përballjen e vet të shikimit të drejtëpërdrejtë me pamjet e sugjeruara të natyrës dhe sesi arrin të koncentrojë pamjen përfundimtare që është një sintezë e pamjes së gjerë e të paanë të peizazhit natyror. Kjo mënyrë përzgjedhjeje dhe, më pas aktiviteti ekspresiv e piktorik i Polovinës, të cilin e materializon përmes lëvrimit të ngjyrës dhe navigimit të vizatimit të objekteve të pasqyruara, na bënë me dije se është një piktor i impulsiv. Ai njeh mirë dhe zbaton parimet e stilit pas- impresionist. E dëshiron në mënyrë ekspresive rregullin, koloret e forta lokale, përmasat, thellësinë dhe perspektivën negative të pasqyrimit.

    E gjithë atmosfera ekspozuese e pikturës së deritanishme të Agron Polovinës është aktivitet krijues. Ajo formohet më parë si ftesë e natyrës për artistin dhe më pas si dashuri e artistit për natyrën. Në këtë marrëdhënie krijuese lindin tabllotë figurative dhe ekspresive të Agron Polovinës. Përbërja e tyre reflekton imazh figurativ e të lexueshëm. Publiku i ditur dhe i dashur me pikturën e peizazhit ndjen rëndësinë dhe veçimin që i jep artisti dhjetëra objekteve. Ai kujdeset që të shfaqen si personazhe kryesore në tabllo edhe pse janë çati, varka, pemë, male, ujra liqeni etj.

    Në tërësinë e dy qëndrimeve të veta, arti piktorik i Agron Polovinës është reflektimi i artistit, i “stakuar” në tabllotë e tij përmes gjuhës impresive dhe gjurmës së shenjave figurative të lëna nga ngjyrat e forta të kontrasteve të pastra dhe kultivuese. 

    Agron Polovina lindi në Berat në vitin 1959. Ai kreu studimet për pikturë e grafikë në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në vitin 1978 dhe në 1983 i përfundoi studimet e larta në Institutuin e Lartë të Arteve, në ditët e sotme Universiteti i Arteve, në Tiranë. Ai punoi në qytetin e lindjes si pedagog i pikturës dhe grafikës në shkollën e mesme artistike. Disa vite me radhë drejtoi ateljenë e Beratit të Institutit të Monumenteve dhe, më pas me vizionin e tij të qartë dhe profesional, i dha një zhvillim të rëndësishëm ekspozimeve në Galerinë e Artit “Eduart Lir”, të këtij qyteti. Në ditët e sotme pikturon për tu pasuruar me ngjyra dhe këndvështrime në mjediset e jashtme të natyrës dhe pamjeve të vendeve të shumta përkudo në Shqipëri dhe përtej saj, si dhe krijon nën analizën e koncepteve kompozicionale tablo me pikësynim që të nxjerr në pah ide të qëndrueshme dhe bashkëbiseduese për publikun bashkëkohës.

    Korrik 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË