More
    KreuLetërsiBibliotekëStefan Çapaliku: Virusi më përndjekë, por unë jam ma i shpejtë -...

    Stefan Çapaliku: Virusi më përndjekë, por unë jam ma i shpejtë – pjesa III

    – nga ditari i Martin Cukut –

    Lexoni pjesën e dytë këtu: https://exlibris.al/stefan-capaliku-virusi-me-perndjeke-por-une-jam-ma-i-shpejte-pjesa-ii/

    53. Sipas Abdelkabirit, në arabisht coronavirusit i thonë الفيروس التاجي  ose alfayrus alttaji ba me e deshifru në alphabet latin. Kurse në gjuhën nanë të Aminatës na i thoshin కరోనా Unë e kam shumë të vështirë me i mbajtë mend të dyja variantet, por shyqyr që kur të shkojmë në Shqipni, tash mësojnë të gjithë shqipen e kështu ka me qenë shumë e thjeshtë kjo punë. Dhe duke mendu këto sende, vuna re se më janë rritë shumë thonjtë, sidomos ato të kambëve. Mos ndoshta i rrit e ecuna?

    54. Me grupin e parë e kam nisë me fjalëshpejta të thjeshta, si p.sh.: Një thesaxhi shet thes, del në shesh e thes nuk shet, o ti thesaxhi që del në shesh e thes nuk shet, a s’ma shet mu një thes? Kurse me grupin e dytë kam nisë me një edhe ma të thjeshtë: Hip e zbrit në maje të vidhit, piva ujë në majë të pipëz së vidhit. Kjo që i kam mësu grupit të dytë, i pëlqen shumë Abdelkabirit, ndërkohë që Don Tarcisio ka ndeshë në vështirësi.

    55. Kot sa për muhabet e pyeta Don Tarcision se a na ka mbetë edhe shumë rrugë me ba. Kena edhe dy javë me arritë deri në Otranto, tha ai. Nëse nuk na kap policia, kuptohet. Aty, me ndihmë të Zotit, do gjejmë një skaf, që do na çojë ilegalisht në Shqipni. Prandaj duhet kohë. Kërkohet durim… edhe ca të shkoquna, tha ai duke fërku gishtin tregus me gishtin e madh. Mos i fërko shumën se po infekton gishtat me njani-tjetrin, desha t’i them, por e lash atë muhabet.

    56. U teshtit Giacinto dhe na shpërndau të gjithëve, si me pasë qenë miza mbi gojën e tij. Nga forca shtytëse, Beatrix ndrydhi kambën. Kush rri e pret tani derisa t’ia fërkojë Don Tarcisio! Seç kanë edhe një mut zakoni, që shkojnë e fshihen mbas do shkurreve për tu fërku, me pretekstin se po na rujnë ne të tjerëve nga alfayrus alttaji, siç i thotë Abdelkabiri.

    57. Sot, më datë 17 mars 2020, seç ka dalë një ditë e mrekullushme. Marsi apo Marsakeqi, siç i thoshte nanababe, tash e thyen qafen. E mori teposhten. Shoh të tjerët që po përtojnë të çohen prej gjumi. Po kënaqen se si dielli po ua lëpin fëtyrën. Vetëm Giacinto asht në kambë. Ka ndezë një zjarr të mirë dhe po gatun. I shkreti, po mbaron nga djersa, se, nga frika mos teshtitet mbi kazan të makaronave, e kemi shtërngu të mbajë katër maska njana mbi tjetrën.

    58. Ose e kanë fajin vitaminat C që na jep me pi Giacinto çdo mjes, ose na ka hy dreqi në bark, nuk di, por na ka plasë një uri e papame. Merreni me mend që kemi hy natën me i vjellë kantinën një katundarit italian, se nuk iu delte ndryshe. Calixto, ky marksisti, hynte nëpërmjet një vrime që kishte hapë në mur, kurse Don Tarcisio runte te shtegu, që të mos na zinte kush. Dy kofshë proshutë, një rrotë djathi kaçkavall, katër kavanoza me turshi, gjashtë metër sallam dhe tetë bukë. Aminata vodhi edhe shtatë vargje më hudra.     

    59. Kam frikë se edhe kësaj here ma kanë futë. Mu më kanë vu kraheqafë, si të ishin gjerdanë fishekësh, gjashtë metër sallam dhe më kanë dhanë në të dy krahët dy kofshët e proshutave. Shkurt muhabeti, më kanë rrasë me mbajtë të gjitha produktet e derrit. Për vete kanë mbajtë të tjerat: Abdelkabirit i kanë dhanë rrotën e djathit kaçkavall. Aminata ka hedhe kraheqafë vargjet me hudra. Calixos, marksistit, i kanë vu në shpinë thesin me tetë bukë. Beatrix me Carin mbajnë nga dy kavanoza me turshi secila. Dhe së fundmi, Giacinto mban vitaminat C dhe Don Tarcisio busullën. Zoti e baftë mirë, se mbarova.

    60. Mesa shoh, edhe Abdelkabirit i ka taku e randë rrota e djathit. Rri tanë kohën duke ia ngulë dhambët, për me mujtë me e lehtësu sadopak veten, por nuk ia del. I ka qëllu edhe shumë i krypun. I kam thanë mos ha shumë, se tash po kërkon ujë e s’kena ku me ta gjetë. Por më kot. Dhe, ndërkohë që ne po shkatërrohemi prej peshave, Giacinto zgjidh me za të naltë fjalëkryqet e një gazete, që e ka marrë me vete qysh kur ka pasë vjedhë farmacinë.

    61. Dhe doli tamam ashtu si ma kishte marrë mendja. Të nesërmen, të gjithë u gdhimë kaps. Të shpërndamë ashtu mbas do trungje pemësh, u dëgjonte si një kompleks muzikor bashkëkohor një si farë kantate e zhytun në sordinë të thellë e që ekzekutohej a capella, pa orkestër e pa dirigjent.

    62. Siç duket, ose dy shalët e proshutave që mbaja ndën sqetulla, ose sallami që kisha krah e qafë, ose të dyja bashkë, kishin pasë qëllu aq shumë aromatike, saqë ndryshe nuk mund ta shpjegoj faktin sesi mu versulën një tufë qejsh, që dreqi e di se nga dolën. Unë fugova sa munda, derisa rash në një kanal. Pak para se me ra në kanal, lëshova në fillim njanën proshutë në tokë dhe, mbas dy metrash, edhe tjetrën. Për fat, sallami shpëtoi.     

    63. Kemi arritë mbi një majë kodre prej nga shihet qartë Otranto. Atje poshtë asht një vend që thirret Torre dell’Orso. Me këtë rast, na kanë Rilindë të gjithëve shpresat. Pse jemi të copëtum nga kambët, kjo nuk do të thotë se jemi të sakatum edhe nga shpresat. Simbas Don Tarcisios, na duhen vetëm 16 kilometra për të arritë në Otranto dhe pastaj edhe 9 të tjera për të sosë në destinacion, në Porto Badisco, prej nga, me shpresë të Zotit, do gjejmë një skaf që do na çojë në Shqipni. Amen! 

    64.Gjatë natës Beatriz ka pasë një rrupulli mendimesh disfatiste. Tamam në ditën e fundit të udhëtimit tonë në kambë, ajo ka vendosë të ndahet nga grupi. Më pëlqen ma mirë të karantinohem këtu në Italinë e Jugut, sesa të jem e lirë në Shqipni, ka thanë ajo. Më vjen keq, sepse, veç tjerash, kishte përparu shumë mirë edhe në shqip. Ishte e vetmja që e thoshte pa gabime fjalëshpejten: Polli pula e Lleshit mu në kaçile të leshit. Kështu që tash kemi mbetë Don Tarcisio, Giacinto, Calixo, Abdelkabiri, Aminata me Carin dhe unë, tamam sa një ekip hendbolli.

    65. Mino asht shkurtim i emrit Beniamino. Një shulak me fraza të zgjedhuna. Kishte një farë kontradikte midis pamjes dhe mënyrës sesi ai artikulonte. Kësisoj që u morën vesh shumë shejt me Don Tarcision. 500 euro për krye dhe për me na nxjerr deri në Karaburun. Ndjehet një farë frike te ekipi. Gomonja duket mjaft e vogël dhe e parahatshme për me mbajtë tetë vetë. Veç tjerash, këtu asht e pamundun të rujmë edhe distancën e rekomandushme. Vë re se edhe Caridad është e lëkundun. I duken shumë 500 euro, ndaj dhe i pëshpërit Calixos në vesh se do të kthehet e të bashkohet edhe njëherë me shoqen e vet, Beatrix. Mirëpo Don Tarcisio i shkel synin, në shenjë se do t’ia pagujë ai.

    66. Abdelkabiri, i rritun nëpër shkretina të Afrikës, aq shumë u tremb kur po hypnim në skaf, sa që e hodhi në det atë treçerek rrote djathi kaçkavall që na kishte mbetë. Mu desh të lëshohem vrik me not dhe, ashtu duke u zhytë, e kapa dhe e nxora. Gjynahi i Zotit me na ikë mezja ashtu! Tashti, ai pak i krypun prej vetes ishte, dhe pak e krypi uji i detit, sa u ba gati i pahangshëm. Dhe këtu po më jepet rasti t’ju them se notin e pata mësu kur pata kenë ushtar në marinë. Kështu si djathin, më patën hedhë edhe mu në ujë ditën e parë që arrita në Pashaliman.

    67. Ra nata. Po gdhin 20 Marsi 2020. Ndërkohë që kemi hypë të gjithë e kemi zanë vend, Mino ndez motorat. Giacinto merr të flasë dicka, veç një dallgë vjen dhe i përplaset turinjve dhe e ban mut krejt, bashkë me gazetën e fjalëkryqeve. Aminata i asht ngjeshë mbas trupi Abdelkabirit. Calixo me Caridad janë bashkë. Unë me Don Tarcision gjithashtu. Nuk e di pse kam përshtypjen se Calixo, ky marksisti, asht edhe pederast. U nisëm!

    68. Më duket se don Tarcisio i ka dhanë Minos vetëm gjysmën e pareve. Gjysmën tjetër do t’ia japë kur të arrijmë. Po sikur, prite Zot, të mos arrijmë?! Çfarë do bahet me gjysmën tjetër?! Pyeta Abdilkabirin për këtë dhe ai më tha që, sikur të mos arrijmë, le t’i marrim ne. Më bani lamsh. Me siguri që e ka fajin italishtja ime. Desha t’ia përkthej në shqip, me shpresën se mos ai tashmë di shqipen ma mirë se italishten, por s’ia dola, se pikërisht në atë kohë Aminata i volli në prehën.

    69. Drita na gjeti krejt afër brigjeve shqiptare. Dukeshin qartë vargmalet e rivierës. Ishim me të vertetë afër. Skafi tashma kishte hy midis Karaburunit dhe Sazanit dhe po drejtohej për nga shpella e Haxhi Aliut. Tamam atëhere Don Tarcisios i hynë në celular valët e 6+1 Vlora Television. Na e perkthe se çfarë thotë, më tha ai dhe ma la telefonin në dorë. Një burrë i gjatë dhe me mjekër po jepte lajmet. Unë arrita vetëm të marr vesh se nga nesër, në orën 13.00, e deri të hënën, në orën 05.00, do të jetë gjithçka e mbyllun. Mos, thashë me vete, u dhje puna edhe këtu.

    70. Me ta marrë vesh këtë lajm Giacinto dhe Caridad u hodhën dhe thanë se do ktheheshin. Giacinto dhe Caridad u panë sy më sy dhe, atypëraty, burri zgjidhi qesen dhe i dha në dorë Minos edhe njëmijë euro për t’i kthy mbrapsht në Itali. Jo more zotni, s’asht punë kjo, ma mirë rri rojtar pyjesh në Itali, sesa të karantinohem në Shqipni, hajde e dashtun! Këto pakashumë ishin fjalët e Giacintos përpara se skafi të na linte ne të tjerëve në breg dhe të merrte rrugën e kthimit. O Zot, sa bukur! Mino dukej si gondolier dhe çifti në kiç si të ishin në muj mjalti. Ndërkohë Don Tarcisio, Calixo, Aminata, Abdelkabiri dhe unë, mbetëm në tokë. Pesë vetë. Tamam për një ekip basketbolli.

    71. Nuk e di a kanë me më njoftë gruja me djalin kur t’i takoj. Jam ba në hall. Kambët më kanë mbaru krejt. Mandej jam ba edhe pa u qethë e me mjekër të gjatë. Shkurt, me u shti frikën robve. Djali asht ba dhjetë vjeç. Pati lindë tre ditë para se të ikja unë. Por, para së gjithash, më duhet me u dalë zot këtyne robve që kam marrë me vete. Më duhet me i çu të paktën deri në Tiranë. Don Tarcision me e dorëzu te Arqipeshkvi, Calixon te ky Ceka që punon te Minstria e Jashtme, Aminaten te ndojë klub nate në Laprakë, dhe Abdelkabirin me e pasë mik te shpija, derisa të marrë rrugë edhe puna e tij.

    72. Oooo, çfarë mrekullie, thanë të dy menjëherë, si Aminata e si Alkabiri, kur na çun kambët në lungomaren e Vlonës. Vetëm ne të pestë në lungomare. Askush tjetër. S’po kuptoja asgja. S’e kisha mendu Shqipninë kaq të qetë, tha Don Tarcisio, edhe ditë e dielë, pale. Vetëm Calixto paraqitej nervoz, tek shikonte rreshtin e pallateve që niste andej nga Uji i Ftohtë e përfundonte në qytet. Me sa duket kishte pritë një pejsazh thellësisht komunist. Këtu kapitalizmi me gjithfarë formash paska dhanë rezultatet e veta të shëmtume, mendoi ai me vete. Edhe unë po çuditesha. Nuk kisha qenë në Vlonë që para dhjetë vitesh, që atëhere kur morëm ilegalisht gomonen për të dalë matanë.

    73. Tani, imagjinojeni vetë: Aminata e varun në sup të Abdelkabirit nga rraskapitja, tundej e përkundej pa kuptim. Një zezake e veshun me një fustan të kuq e të dalë boje, si të ishte flamuri ynë kombëtar, mbështetë në një shkop të hollë e të përkulshëm. Unë me një palë kambale pa lidhësa, tuta të grisuna copë-copë nga të fjetunit dokudo, mjekër dhe flokë të gjatë. Calixo me një sombrero në krye dhe thujse lakuriq. Don Tarcisio me një kryq të madh druni, që e mbante si të ishte duke udhëheqë ndonjë procession. Pra, ne të pestë në lungomaren e Vlonës, ditën e Sulltan Novruzit, me 22 Mars 2020. Si duket, kjo skenë iu duk shenjë e madhe serbezllëku një njësiti ushtarak lab, që paskësh qenë aty mënjanë, saqë, pa një pa dy dhe pa na dhanë asnjë sinjal parandalus, na hodhën turinjve disa shtëllunga gazi lotsjellës. Na u duk se gjithçka mbaroi.

    74. Kur hapa sytë, gjendesha në një dhomë të madhe, shtri në një krevat spitali. S’po kuptoja asgja. Ngrihem dhe vërej se jemi të gjithë, përveç Aminatës. Pra, kemi mbetë katër. Aminatën me siguri që do ta kenë çu te spitali i grave, në maternitet. Të gjithë flenë si të vdekun. Mu më vjen të shkoj në banjo. Ngrihem dhe nisem me dalë në korridor. Dhoma jonë paska katër krevate. Sa dal në korridor, ndeshem me një burrë tullac, pa asnjë dhamb në gojë, pa maskë, që reciton me za të naltë poezinë Anës lumenjve. Situatë e trishtë. Sa hy në banjo, më pushton e djeguna e syve prej taftit të shurrës. Sinqerisht, nuk di ku dhe pse jam.

    (vijon në mumrin e ardhshëm)

    /©/stefan /çapaliku/tiranë/mars/2020/

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË