More
    KreuArte pamoreStefan Çapaliku: Via lucis - Portreti kulturor i artistit Lazer Lumezi

    Stefan Çapaliku: Via lucis – Portreti kulturor i artistit Lazer Lumezi

    Nëse arti ka fuqi të fshehtë për ta kthyer materien e ftohtë në frymë, atëherë Lazer Lumezi është një nga ata mjeshtra të rrallë që arrijnë të shkrijnë në një trup të vetëm mjeshtërinë e artizanit, ndjeshmërinë e poetit dhe kërkimin e pambarim të një artisti bashkëkohor. Rrënjët e tij në Shkodër, qyteti i traditës së filigranit, mund të sugjeronin një vijim të natyrshëm të traditës familjare, por Lumezi nuk është thjesht një trashëgimtar i mjeshtërive të hershme: ai është një transformues i tyre, një “hand made artist” që ktheu mjeshtërinë e punës me metalet dhe gurët e çmuar në një univers krejtësisht të ri artistik.

    Puna e tij nuk është vetëm bizhu, por edhe skulpturë e vogël, instalacion minimalist, poezi e kthyer në argjend dhe materie të tjera që feksin dritë. Dhe mbi të gjitha, është dëshmi se arti nuk e njeh kufirin midis zanatit dhe krijimit, midis traditës dhe risisë.

    Nga Shkodra në Zagreb: një udhëtim i pazakontë

    Lazer Rrok Lumezi lindi në Shkodër në vitin 1945, por jeta e çoi që herët në një tjetër qytet që do të bëhej vendbanimi i tij i përhershëm: Zagrebi. Familja u zhvendos atje në vitin 1948, dhe Lumezi u rrit midis dy botëve: kujtesës së hershme shqiptare dhe realitetit të një metropoli ballkanik në zhvillim.

    Në Zagreb ai studioi letërsi në Fakultetin e Filologjisë dhe më pas drejtësi në Fakultetin Juridik, ku mori titullin Jurist i çështjeve administrative në vitin 1971. Një profil akademik i qartë dhe i sigurt, që premtonte një jetë të rregullt profesionale. Por në hije, krahas librave dhe ligjeve, një pasion i vjetër ndizte ngadalë qenien e tij: argjendaria. Me mjeshtrin Shiroka ai mësoi teknikat e filigranit dhe të punës me metale të çmuara, duke ndërtuar dalëngadalë një botë tjetër, paralele me jetën e tij zyrtare.

    Nga zejtar në artist i afirmuar

    Në fillim, në vitet ’70, Lumezi ushtroi zanatin e argjendarit si zejtar i pavarur. Ishte koha e praktikës, e ushtrimit të duarve, e provave të pafundme mbi sipërfaqen e metaleve. Në vitin 1980 ai vendosi t’i mbyllë përfundimisht dyert e një zeje tradicionale dhe t’i hapë ato drejt një krijimtarie të lirë: prodhimit të bizhuterive artistike.

    Kjo hapje shënoi kthesën vendimtare. Në vitin 1983 ai u pranua në Seksionin e Metaleve të Çmuara të ULUPUH-it, ndërsa një vit më pas në Shoqatën Kroate të Arteve të Bukura (HDLU) si dhe në Shoqatën e Artistëve të Pavarur (HZSU). Nga ky çast, Lumezi nuk ishte më thjesht një zejtar, por një artist i afirmuar në një prej qendrave kulturore më dinamike të Europës Juglindore.

    Ekspozitat që hapën dyert

    Lumezi ka hapur mbi 30 ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në rreth 60 ekspozita kolektive, brenda dhe jashtë Kroacisë. Dy momente spikasin veçanërisht: ekspozitat e mëdha personale në Muzeun e Arteve dhe Zanateve në Zagreb (1986 dhe 2006), ku ai prezantoi rreth njëqind vepra. Aty arti i tij u shfaq në shkallën e vet më të plotë: bizhuteria nuk ishte më aksesor zbukurimi, por një skulpturë e vogël, një formë poetike që sfidonte kufinjtë e zhanrit.

    Një tjetër përvojë e paharrueshme ishte ekspozita në Muzeun Etnografik të Zagrebit në vitin 1993, ku lidhja e tij me trashëgiminë artizanale mori trajtën e një dialogu midis të kaluarës dhe të tashmes. Lumezi nuk e mohoi traditën, përkundrazi, e restauroi, e rikrijoi, e vendosi në skenën e artit bashkëkohor.

    Nga viti 2008 deri më 2014, ekspozita udhëtuese “Bizhuteri Bashkëkohore Kroate”, e ideuar prej tij, vizitoi qytete të ndryshme të Europës dhe botës – nga Roma në Berlin, nga Çikago në Pekin. Në çdo stacion, punimet e tij u bënë ambasadorë të një kulture që fliste gjuhën universale të bukurisë.

    Një mjeshtër i dhuratave simbolike

    Veprat e Lumezit nuk kanë mbetur vetëm në sallat e galerive. Ai ka punuar për muze, për institucione kishtare, për shtetin kroat. Një kupë e punuar prej tij iu dhurua Papa Gjon Palit II, ndërsa bizhuteritë e tij kanë kaluar në duart e personaliteteve të tilla si Hillary Clinton, Madeleine Albright apo Sheikha Moza e Katarit. Familjet mbretërore të Norvegjisë dhe Holandës mbajnë gjithashtu pjesë nga arti i tij, një dëshmi se krijimtaria e një artisti shqiptar nga Shkodra, që jeton në Zagreb, ka shkuar shumë më larg se kufijtë e Ballkanit.

    Open Atelier: shkolla dhe trashëgimia

    Në vitin 1996, Lumezi themeloi “Open Atelier Lumezi” dhe shoqatën “Master’s School”, një hapësirë ku arti nuk është vetëm produkt, por proces i përbashkët. Atje ai u ka mësuar teknikën dhe filozofinë e krijimit mbi 120 studentëve, shumë prej të cilëve sot janë artistë të afirmuar. Për 17 vjet rresht, ky atelier organizoi ekspozita kolektive, duke u bërë një pikë referimi për bizhuterinë artistike në Kroaci dhe më gjerë.

    Kjo përvojë e vendos Lumezin jo vetëm si artist, por edhe si edukator dhe bartës të një trashëgimie që e shpërndan pa hezitim.

    Estetika e argjendit dhe metafora e natyrës

    Në thelb, arti i tij është një poezi e shkruar me metal. Argjendi është materiali i tij i preferuar, të cilin e trajton me patinë, e gdhend, e ngulë, e shpon. Sipërfaqet e lëmuara alternohen me ato të ashpra; vijat e holla të vizatimit mbivendosen mbi tekstura, duke krijuar ritme që kujtojnë grafikat poetike. Shpesh, format i ngjajnë natyrës, guaskave të detit, krahëve të zogut, fijeve të barit, por gjithnjë mbeten abstraksione të balancuara, një lojë midis figurës dhe formës.

    Në këto krijime, materiali nuk është kurrë më i rëndësishëm se ideja. Qoftë druri i rradhë, gurët gjysmë të çmuar, qelqi i vjetër apo një objekt i rastësishëm që i bie në dorë, të gjitha i kthen në pjesë të një kompozimi që tejkalon vlerën e vet materiale. Këto janë skulptura të vogla, por me madhështinë e pamatë të një bote të brendshme.

    Elizabeta Wagner, një nga studiueset që ka shkruar për të, e përshkruan si “një poet që kompozon poezi nga argjendi dhe gurët, siç deti zbërthen dritën e hënës mbi sipërfaqen e vet.”

    Ky përshkrim nuk është metaforë entuziaste, por një çasje e saktë e një realiteti: veprat e tij, edhe kur kanë funksion utilitar si bizhu, mbartin gjithmonë një dimension poetik.

    Një artist mes tri identiteteve

    Nëse përpiqemi ta përmbledhim profilin e Lazer Lumezit, ai është një mjeshtër nga Shkodra, një jurist nga profesioni dhe një artist nga vokacioni. Këto tri shtylla nuk janë të ndara, por ushqejnë njëra-tjetrën. Disiplina e juristit i ka dhënë qartësi strukturës së tij; shpirti i mjeshtrit e ka çuar drejt ndarjes së dijes; dhe instinkti i artistit e ka nxitur të kapërcejë kufijtë e ngushtë të zanatit për të arritur tek arti i mirëfilltë. Në këtë ndërthurje si bishtalec qëndron origjinaliteti i tij.

    Rruga e Lumezit është edhe një tregim më i gjerë: ai i artizanatit shqiptar që, duke u shpërngulur në diasporë, gjen forma të reja shprehjeje. Shkodra, qyteti i filigranit, i dha atij ADN-në e parë krijuese. Zagrebi, qyteti ku u rrit, i dha hapësirën për ta zhvilluar atë, dhe bota, nga Roma në Pekin, i dha skenën ku ta shfaqë.

    Ky është fati i shumë artizanëve dhe artistëve shqiptarë në mërgatë: të bartin një traditë të lindur në atdhe, për t’a rizbuluar e riformësuar në një kontekst tjetër kulturor. Lumezi dëshmon se kjo traditë nuk shuhet, por pëson metamorfoza, duke u bërë pjesë e dialogut universal të artit bashkëkohor.

    Në fund të fundit, veprat e tij nuk janë vetëm bizhuterira apo skulpturat e vogla. Ato janë kujtime të Shkodrës së hershme, të mbajtura brenda argjendit; janë këngë të heshtura që udhëtojnë nga një atelier i Zagrebit deri në sallat e galerive botërore; janë dëshmi se arti shqiptar, pavarësisht se ku shtrihet, mbetet një fije drite që rrugëtin dhe nuk shuhet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË