More
    KreuOpinionStefan Çapaliku: Teatri në mendjen e popullit shqiptar

    Stefan Çapaliku: Teatri në mendjen e popullit shqiptar

    Kur përmendet për herë të parë fjala “Teatër” në literaturën shqipe?  Si ka evoluar koncepti për të nga një autor te tjetri? Këto do ishin pyetjet kryesore që do shtronim në krye të këtij vëzhgimi antropologjik.

    A ka lëvizur koncepti për teatrin në leteraturën shqipe me të njejtin ritëm që kanë lëvizur praktikat teatrore në terren?

    Duke shfletuar “Fjalorin historik të Gjuhës shqipe” të profesor Kolë Ashtës vihet re se asnjë prej autorëve të vjetër shqiptar nuk e përdorë dhe as nuk e përmendë fjalën “Teatër”. Duke mos e pasë kund fjalën “teatër”, merret vesh se as Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjeter Budi dhe Pjeter Bogdani nuk e kanë as edhe konceptin per të.

    Koncepti i teatrit, pra përkthimi i fjalës italisht “teatro” në gjuhën shqipe haset për të parën herë te fjalori italisht-shqip i misionarit francesçan Francesco Maria da Lecce, mbetur në dorëshkrim dhe botuar prej Prof. Gëzim Gurgës në vitin 2009. Në këtë vepër, në fletën 248 të dorëshkrimit origjinal (faqja 587 e botimit kritik), fjalën italisht “teatro” Da Lecce e jep shqip si “oborr i madh” (shih, At Francesco Maria da Lecce, Dittionario Italiano – Albanese (1702), Botim kritik me hyrje dhe fjalësin shqip përgatitur nga Gëzim Gurga, Botime Francescane Shkodër 2009, f. 587.)

    Pas Da Lecce-s fjala “Teatër” nuk del as te vepra e Gjon Nikollë Kazazit (1743) dhe asgjëkundi tjetër, deri në vitin 1875, kur kjo fjalë në formën e sotme “teatër” na shfaqet në fjalorin me titull “Vocabolario della lingua epirotica – italiana” të misionarit italian Francesco Rossi, botuar në Romë në vitin 1875.

    Në faqen 1251 të kësaj vepre lexojmë: “Teàter, i – sm. 2. d. teatro, edifizio dove si rappresentano pubblici spettacoli e opere drammatiche – luogo pubblico dove si fa piena mostra di checchessia.”, që në gjuhën shqipe kishte me qenë: teatër, ndërtesë ku luhen shfaqje publike dhe vepra dramatike – vend publik ku mund të shfaqet gjithçka”.

    Një tjetër dëshmi vjen pak më vonë: në gazetat dhe shkrimet e Rilindjes, si p.sh. në revistën “Drita” (botuar në fund të shekullit XIX), ku herë pas here përmendet nevoja për krijimin e një “teatri kombëtar” si simbol i qytetërimit dhe kulturës shqiptare.

    Në fjalorin e Kostandin Kristoforidhit të vitit 1904, fjala “teatër” përmendet në formën “teatërë”, dhe përkufizohet si vend ku zhvillohen shfaqje. Ky përcaktim i bashkohet dëshmitë më të hershme të dokumentuara për përdorimin e fjalës “teatër” në shqip. Kristoforidhi edhepse ishte shumë i kursyer në marrjen e fjalëve nga greqishtja dhe italishtja, duke i përshtatur ato në strukturën shqiptare, prapëseprapë kësaj fjale nuk kishte se ç’ti bënte.

    Pra, me pak fjalë ndonëse koncepti ekzistonte që nga fillimet e kontakteve  me qytetërimin evropian (sidomos tek Arbëreshët dhe tek shqiptarët e Stambollit), përdorimi i shkruar i fjalës “teatër” në shqip u shfaq seriozisht vetëm nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, duke mos e konsideruar fare aktivitetin njerëzor të grupit të aktorëve, por duke i kushtuar vemendje vetëm vendit, mjedisit se ku zhvillohej kjo veprimtari.

    Fjala “Teatër” edhe kur nis të shfaqet si veprimtari dhe si biznes i prodhimit estetik të shfaqjeve përsëgjalli, prapë nuk arriti të ngrihej në kufinjtë e akademizmit leksikografik.  

    Mbas Luftës së Dytë në Shqipëri shfaqet keqkuptimi rreth fjalës teatër dhe marrëdhënies së tij me letërsinë.

    Kështuqë nga “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i vitit 1954 e këndej, deri te ky i fundit, i vitit 2020, teatri shikohet “si lloj i artit dramatik” që “paraqet në skenë vepra letrare”, duke lënë jashtë kësisoj të gjitha ato veprime teatrore që nuk kanë lidhje me fjalën e aq më pak me letërsinë.

    Në këtë kuptim, praktika teatrore shqiptare ka ecur shumë kilometra më përpara sesa pasqyrimet konceptuale, leksikologjike dhe leksiokografike.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË