More
    KreuLetërsiBibliotekëStefan Çapaliku: Pjetër Gjini dhe situata letrare e fillimviteve ’40.

    Stefan Çapaliku: Pjetër Gjini dhe situata letrare e fillimviteve ’40.

    Pjetër Gjini lindi në qytetin e Shkodrës më 18 nëntor 1910 në një familje të thjeshtë qytetase. Mesimet e para i mori në qytetin e lindjes dhe arsimin e mesëm e kreu në Kolegjin Saverian të Jezuiteve. Që në vitet e rinisë shkoi në Tiranë, ku punoi si redaktor në shtypshkronjën “Nikaj”. Veç te tjerash, ai organizoi dhe drejtoi për shumë vite emisionin radiofonik “Ora gazmore”, aq të mirëpritur dhe të dashur për dëgjuesit. Me vendosjen e regjimit komunist pushohet menjëherë nga puna. Me 1946 arrestohet dhe dënohet për agjitacion dhe propagandë me 12 vjet burg. Pas lirimit nga sketerra e burgut, kthehet në qytetin e lindjes, por nuk i gjendet kurrfarë pune. Mbahet nga të afërmit dhe nga miqtë e tij të kënges. Asnjëherë nuk përkulet, por me shpirtin e tij gazmor perpiqet t’u japë gëzim te tjereve në dasma e ngjarje të ndryshme familjare. Pjetër Gjini është përfaqësues i kulturës së “underground”-it që ka lulëzuar në qytetin e Shkodrës gjatë viteve të komunizmit. Vepra e tij letrare dhe sidomos poezitë satirike presin për t’u studiuar nga brezat e rinj. Botoi me pseudonimin “Terini”

    Bibliorafi kronologjike e librave të Pjetër Gjinit

    1.   Gjini, Pjetër. Flamuri Shêjt: vjersha atdhetare. Tiranë. Shtypshkronja “Nikaj”, 1930

    2.   Gjini, Pjetër. Besniku?: kallzim popullor: vjersha. Tiranë. Shtypshkronja “Luarasi”, 1932

    3.   Gjini, Pjetër. Datë-lindja e Zogut I-rë: vjersha. Tiranë. Shtypshkronja “Nikaj”, 1932

    4.   Gjini, Pjetër. Flija e Atdheut “Llesh Topallaj” : vjerrsha rreth atentatit të Ëienës. Tiranë. Shtypshkronja “Nikaj”, 1932

    5.   Gjini, Pjetër. Malësori në Paris: kallzim populluer: vjerrsha. Tiranë. Mbrothësia e Kristo Luarasit, 1932

    6.   Gjini, Pjetër. Gjâja e Keqe: kallxim populluer: vjerrsha. Tiranë. Shtypshkronja “Nikaj”, 1932

    7.   Gjini, Pjetër. Darkë Madhështore: kallxim popullor: vjersha. Tiranë. Shtypshkronja “Nikaj”, 1933

    8.   Gjini, Pjetër. Tridhjetedyshit ose Zotni Ndoc Vasis [polemikë në formë vjershe me Ndoc Vasin]. Tiranë Shtypshkronja “Gutenberg”, 1933

    9.   Gjini, Pjetër. Tri përshëndetje Llesh Topallajt: në tre vjetorin e vdekjes së tij [vjersha]. Tiranë. Shtypshkronja “Nikaj”, 1934

    10. Gjini, Pjetër. Dy pika lot mbi vorr të N.M.S. Nanës Mbretnesh: vjersha. Tiranë. Shtypshkronja “Gutenberg”, 1934

    11. Gjini, Pjetër. Letrar! Mëshirë për gjuhën Shqipe: vjersha. Tiranë. Shtypshkronja “Gutenberg”, 1934

    12. Gjini, Pjetër. Kurtha e dashunis: novelë. Tiranë. Shtypshkronja “Shkodra”, 1934

    13. Gjini, Pjetër. Burri ban voe?: kallxime popullore: vjersha. Tiranë. Shtypshkronja “Gutenberg”, 1935

    14. Gjini, Pjetër. Vasa në Vjenë: kallxim populluer: vjerrsha. Tiranë. Shtypshkronja “Nikaj”, 1935

    15. Gjini, Pjetër. Çaste Rinie: kangë origjinale të përkthyeme dhe t’ adaptue’me. Durrës. Litho-Tipografia “Stamles”, 1938

    16. Gjini, Pjetër. Ora e dishrueme [Poezi kushtuar fejesës së Ahmet Zogut me Geraldina Apoyi]. Tiranë. Shtypshkronja “Tirana”, 1938

    17. Gjini, Pjetër. Kangët e Frorit 1939: të këndueme në Radio-Tirana. Tiranë. Shtypshkronja “Gutenberg”, 1939

    18. Gjini, Pjetër. Këngë të reja të këndueme në Radio Tirana. Tiranë. Shtypshkronja “Tirana”, 1940


    Bahçeja me këpurdha?…

    Temena e mirse u gjeta,
    Edhe sazen n’dorë e kam,
    Do t’ia nisi or tungjatjeta
    Dim – e dim – e dam – e dam!
    Nëpër bahçe e ndër gardhije
    Ka fillue me dal’ behari
    “Tham ndër bahçe letërsije
    Ku der tash pat cof’ gomari.”

    Cofte fare gomar shkreta
    Pse ndër bahçe kish veç buca,
    E n’gardhije, nën fojleta
    Ferra, krande… e as hardhuca!
    S’kish kurrgja, kurrgja qe besa
    Fusha e mendvet mbeti djerr,
    S’gjente fije me pre kmesa,
    S’kishte bar për pulë as berr.

    Por, qe sod e mora sazen
    Edhe telat ia kurdisa,
    U kollita, (t’shkund gëlbazën)
    E me kang’ plot afsh ia nisa:
    Kush pat than’ ndër mote t’lashta
    Atij goja i dalt’ mbas qafe,
    Kush pat’ than’ se nuk ka rrashta
    Qi zanat’ kan shkrim e llafe?…

    Kush pat’ than’ se Arrnauti
    Në botë erdhi me mbush barkun!…
    T’a çes’ kokën ai hajduti
    Se n’dekik ia luejta çarkun!…
    Shif mor shif mos priç me pamun
    Ndej mor ndjej, me ndie mos priç,
    Barçet lule na kan bamun
    Kemi qingja me ogiç!…

    Kemi, kemi e shka nuk kemi?
    Kemi kopshtin me zymbyla!
    Jemi, jemi e shka nuk jemi?
    Kanarina edhe bylbyla!
    Fali Zoti turma proze,
    Edhe bejtash kemi mija!
    Kastraveca me gjith loze
    Ma nuk gjen or lum zotnija.

    E në qoft’ or mik se truni
    S’ta kupton se t’ka vue lkoster,
    Ashiklleku sod me xuni
    Me t’i dhan’ disa për mostër.
    Leni brezat qi kaluene
    -N’daç thuej brez e n’daç ushkur
    Un ata qi sod lulzuene
    Kam vendos’ me i ba piktur’!…

    Zjarr e flak’ tym e shkëndija
    Nëpër penda në kërkoshi
    (Mir veshtroni fjalt’ e mija)
    Hudhni synin nga Kokoshi!
    Nga Kokoshi njaj Kudreti
    Njaj Kudreti zhiv e gjallë,
    Asht kritiku, asht poeti
    Qi nuk len dynjanë me u tallë.

    Henrik Lacaj nji dit’ nade
    Desh njerzis’ me i ndrruem nafakën,
    Zhyti kokën mbi Iljad
    Poq Hektorin me Andromakën
    Edhe u tha turmave t’reja
    Leni, leni bejtat n’shkop
    N’letra t’moçme asht hareja!
    Mlidhnie menden, banje top.

    Na ka dal’ Nexhat Haki
    Nji dishepull i Lasgushit,
    Aq besnik nder vargje i rri,
    Porsi vena kokrrës rrushit.
    E me strofa gjuhe nane
    …Pse i gjatë e ftyr’ zeshkane
    Mik i tij papritmas ngeca

    E kur qe: n’gardhije t’ona
    I përvuejtun, i paqibër
    Po qet krejt Vedat Kokona
    E na lshon ndër duer nji libër.
    Perëndinë e kishte lutur
    Lutë e lutë sa çe kishte nxe,
    Zoti hodh: “Yje t’këputur”
    E Vedati na i dha ne!…

    Tuej vrejt’ botën Njac Zamputti
    Se veç kishte bark e themra,
    Thrret e qet: “Voi altri tutti,
    Nevoj’ keni o njerz për zemra!…”
    E tiu vue me shkrue novela
    Mbush e shpraz e ço n’shtypshkroje,
    Tipografi i qepi n’tela
    Tash ma zemra s’do t’mungojë

    Por na paska n’bot’ jallane
    -Ku njeriu do t’lindë e t’plase-
    Paska, paska djema nane
    Si i famshmi Sterjo Spasse
    Qi po pyetkan: “Ktu pse ardha?
    Pse këndej e pse andej?
    Pse ka t’kuqe, pse ka t’bardha?
    Pse njeriu ka mish e dej?…”

    Shkrepi dielli… e profesori
    Frano Alkaj, pikë letrari,
    Nëpër rreze flakën mori
    Zemra e re po ju ndez zhari.
    Derdhi dije, shkrini mendsi
    Si nga Shkodra dhe nga Vlora,
    Dhe guximshëm rroku pendën
    Pa ju lodhë as truni, as dora.

    Kishte pa Vasë Alarupi
    Se në gjum’ u dergj mehalla,
    Prandej kohën nuk e hupi
    Futi vehten nëpër prralla.
    Mblidhte prralla i punonte,
    Si “Pallati i mrekullivet”
    Dhe Terinit ia dërgonte
    Me i tregue n’Orën e Fmivet.

    Shuteriqi gojën çile
    E kërko more lum djali:
    Thot’: “Un due nji vash’ jeshile
    E t’bardh’ si portokali!…”
    Na i gjegjëm: “Të dy bojnat
    Tok nuk bahen or lum daja!…”
    Shuteriqi i la lojnat, zgjodh nji vash si gjith dynjaja.

    Mu te banka kombëtare
    Ku kalojn’ t’vogjël e t’mbdhenj,
    Si nji femër lozonjare
    Duel Shefqeti Musaraj.
    E mbuloi sheshin me bejta
    -Bejta rrime fanatike!-
    Diku terrse, diku t’drejta,
    Por për hera simpathike.
    Vijn mandej “çapet e para”
    E të cilat nuk kan sosje,
    Bojna-bojna, lara-lara,
    Mushin shtylla, kosha e dosje:
    Djelm e vasha pa u tjerrun
    Në ket bahçe tok u mblodhën,
    Tuej pam vehten grigjë e bjerrun
    Bari “Brumbullin” e zgjodhën.

    Kush pat than’ ndër mote t’lashta,
    Atij goja i dalt’ mbas qafe,
    Kush pat than’ se nuk ka rrashta
    Qi zanat’ kan shkrim e llafe?…
    …Bahçet tona lulezuene,
    Se mbas shiut vjen ishtihari,
    -shum e shum besa gabueme
    Tuej mos prit’ se vjen behari!-

    Erdh behari e ndër kopshtije
    S’duelën lakna, s’duelën hurdha,
    Mender, kore, gjeth pazije,
    O si thane… veç këpurdha
    Sot na prue peshqesh pranvera
    Deg’ të njoma, mashallah!…
    Tash për tash mos lypni tjera
    Ju vret Zoti, asht gjynar!…

    Terini

    Marrë nga “Vatra shqiptare”,  1941, nr. 15-16

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË