More
    KreuLetërsiBibliotekëStefan Çapaliku: Përkthimet “dramatike” të Akile Tasit

    Stefan Çapaliku: Përkthimet “dramatike” të Akile Tasit

    Kund pesëdhjet vite më vonë se lindja e teatrit në territorin e Shqipërisë, dhe konkretisht në Shkodër, e më vonë në Korçë, shfaqet një intelektual i ri, i cili kishte vendosur që ta furrnizonte skenën paraprofesioniste shqiptare me një tufë tekstesh të reja, bashkëkohore. Këto tekste qenë kurrë të para nga publiku shqiptar, dhe vinin kryesisht nga një kulturë e panjohur më parë, siç qe ajo anglo-saksonia. Ky zotëri i ri, aso kohe 40 vjeçar, quhej Akile Tasi.

    Akile Tasi u lind më 1891 në Leusë të Përmetit. Ai ishte vëllai i vogël i ish-ligjvënësit, ish-ministrit dhe ish guvernatorit Koço Tasi. Arsimin e mesëm e nisi në qytetin e lindjes dhe e mbaroi në Boston. Atje u aktivizua me Federatën “Vatra”. Është i pranishëm në gazetën “Dielli”. Më 1929 kthehet në Shqipëri dhe më 1 tetor të atij viti emërohet bibliotekar i oborrit mbretëror. Më 1932 dhe deri më 1941 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Më 1943 u zgjodh deputet i Kuvendit Kombëtar dhe u emërua po ashtu drejtor i gazetës “Bashkimi i Kombit”. Më 1944 u emërua Ministër i Kulturës Popullore.

    Akile ishte nga ata që nuk pranoi të largohej nga Shqipëria dhe u dorëzua vetë në fund të vitit 1944.

    Ekzaktësisht një vit mbas kthimit në atdhe, më 1930, mbasiqë u njoh nga afër me lëvizjen teatrale të kohës, Akile nisi punën me përkthimet e letërsisë dramatike në ndihmë të teatrit të sapolindur shqiptar.

    Po kështu ai, më 1944 përktheu “Princi i lumtur e përralla të tjera” nga Oscar Wilde, që u botuan nga shtëpia botuese “Ismail Mal’ Osmani” në Tiranë.

    Akile Tasi u dënua në gjyqin special më 13 prill të 1945 me 20 vjet burgim. Dënimin e vuajti në kampet e punës të Maliqit, Bedenit, Vloçishtit dhe në burgun e Burrelit. Ai vuante nga mëlçia e zezë dhe më pas edhe nga botkini. Kur e kapi kriza e botkinit e shtruan në infermierinë e burgut për dy ditë, dhe fill mbrapa si shenjë kujdesi e futën në birucë, me një të ftohtë nën zero. Atje, i morën edhe kapotën dhe pa asnjë batanije a nënshtresë tjetër  e mbajtën 7 ditë. Në birucë Akile mori një të ftohur fatal që i dha komplikacione te mëlçia e zezë, duke e kthyer në një cerozapatikë vdekjeprurëse.

    Më pas, të gjitha  lutjet me shkrim për një lirim të parakohshëm ju hodhën poshtë nga xhahilët komunistë. Vdiq mbas tre muajsh, më 30 janar të vitit 1961.

    Sot, 61 vjet mbas vdekjes së tij na bie në dorë një dosje e ruajtur me shumë kujdes nga i nipi i tij, 97 vjeçari Lekë Tasi[1], me 11 dorëshkrime (10 dorëshkrime dhe një material i daktilografuar) me përkthime tekstesh dramatike, të gjitha pjesë me një akt.

    Po cila është lista e përkthimeve dramatike të Akile Tasit? Këtu po shënojmë listë prej njëmbëdhjet tituj veprash dhe tetë emra autorësh, të përkthyera nga Akile Tasi:

    Constance Powell Anderson, “Shkret”

    Constance Powell Anderson, “Zemra e Palaços”

    Leonard Hines, “Zgjidhja”

    J. A. Ferguson, “Campbell i Kilmhorit”.

    Serafín Álvarez Quintero “Një mëngjes me diell”

    Serafín Álvarez Quintero “Dona Clarines” 

    Eugen O’Neill. “Litari”.

    Frederick Ferris, “Pa titull”.

    Hermon Ould, “Kolombi”.

    John Brandame, “Lulo Pruku”.

     John Hampden. “Mbreti thotë fjalën e fundit”.

    Vëmë re që në krye të herës se Akile ka përkthyer emra shumë të rëndësishëm të çerekut të parë të shekullit të XX, një pjesë e të cilëve nuk kanë arritur të depërtojnë ende në teatrin e izoluar shqiptar. Kështu përshembull kemi emra si Hermon Ould (1886-1951), i cili si poet dhe. dramaturg shërbeu si forca lëvizëse për PEN klubin anglez që nga themelimi i saj deri në vdekjen e tij në vitin 1951. Ai shërbeu, fillimisht si sekretar ndërkombëtar i PEN International në Kongresin e Berlinit në vitin 1926 dhe deri dhe president i PEN International në vitin 1941.

    Po kështu edhe autori tjetër John Brandame. Ai ishte pseudonimi i Dr. John McIntyre, i njërit prej dramaturgëve më të famshëm skocez, i cili i mbështeti  të gjitha dramat e tij në malësitë e vendit të vet. Vepra e tij, si pjesë integrale e traditës është e populluar nga personazhe të prirur ndaj sjelljes së çuditshme, si: “St Leam Fhìn an Gleann” (1932), “Rory Aforesaid” (1926), “Ruairidh Roimh-Ainmichte” (1937), “The Change House (1921)”  dhe “An Tigh-Osda” (1950), etj.

    Dhe tani le të ndalojmë te disa prej veprave të përkthyera, duke vënë theksin kryesisht te dobishmëria e tyre aktuale në shërbim të teatrit shqiptar. 

    “Campbell i Kilmhorit” është një dramë me një akt e vitit 1913 e shkruar nga John.A. Ferguson, e cila pati shumë sukses fillimisht në Skoci dhe më pas në gjithë Anglinë dhe Amerikën e fillimit të shekullit të 20-të. Përmbajtja e dramës përqendrohet në kontekstin e saj historik, konkretisht periudha pas betejës së Culloden dhe shtypjes së kryengritjes Jakobine. Linjat e zhvillimit dramatik përfshijnë besnikërinë, sakrificën dhe tradhtinë, si dhe ndikimin korruptues të pushtetit shtetëror.

    “Një mëngjes me diell” është një komedi e shkruar nga vëllezërit spanjollë, Serafin dhe Joaquin Alvarez Quintero. Ngjarjet e shfaqjes zhvillohen në një park në qytetin e Madridit në Spanjë ku realizohet takimi i rastësishëm i dy të dashuruarve të moshuar, Dona Laura dhe Don Gonzalo. Në zemër të shfaqjes është ironia e hidhur e vetë jetës. Të dy personazhet, që kishin qenë të dashuruar kur ishin të rinj, fati nuk i lidhi së bashku dhe ata nuk u panë më kurrë, deri në një mëngjes me diell në një park shumë dekada më vonë. Laura, e cila quhej Virgjëresha e Argjendtë, tani është 70 vjeç, rri ulur në një stol dhe ushqen pëllumbat. Gonzalo vjen atje dhe i ndërpret rutinën, pa e njohur se kush është. Gonzalo i tremb zogjtë që Laura po ushqente duke e bezdisur pa masë. Të dy fillojnë të bisedojnë me njëri-tjetrin me tone të hidhura dhe sarkastike. Më pas rinjohja e tyre realizohet nëpërmjet citimeve të një libri që dikur e dinin përmendësh. Pastaj e kuptojmë se ata janë të vetëdijshëm se kush është personi tjetër, por ego nuk i lë të deklarohen. Kah fundi i tekstit kuptojmë se pse të dy e mbajnë sekret identitetin e tyre. Gonzalo dhe Laura largohen nga parku me një buzëqeshje, të rinuar pas takimit të tyre. Akti i të dyve që përkulen për të mbledhur lule është një kujtesë e së kaluarës së tyre të përbashkët, duke premtuar të takohen përsër

    “Litari” është një dramë me një akt nga Eugene O’Neill që flet për një fermer koprrac, Abraham Bentley, i cili i ngre një kurth djalit të tij plangprishës që po kthehet, Lukës. Kur Luka kthehet, konflikti ndizet dhe nis manipulimi i temave të hershme të O’Neill për mosfunksionimin familjar, lakminë dhe luftën midis baballarëve dhe bijve. Drama, e shfaqur për herë të parë në vitin 1918, ishte një pararendëse e veprave të tij të mëvonshme, më të famshme, dhe eksploron temat e identitetit irlandezo-amerikan dhe aludimet biblike, të tilla si historia e Abrahamit dhe Isakut.

    Në përfundim të këtij përshkrimi të shkurtër mund të themi se aksioni i përkthimit të këtyre pjesëve dramatike nga ana e Akile Tasit, qe një gjë e jashtzakonshme për kohën. Ne nuk kemi dieni nëse ndonjë prej këture pjesëve të jetë vënë në skenë, por gjithsesi, ne mund ta konsiderojmë këtë aksion intelektual si fillimet hipotetike të teatrit modern shqiptar.

    Gjuha e përkthimeve nuk ka pothuajse asnjë dallim me shqipen e sotme dhe të gjitha pjesët mund të luhen sot e kësaj dite në skenën shqiptare.

    Faleminderit Akile Tasi. Ti e bëre tënden, dhe bashkëkombasit tuaj “ta shpërblyen” mundin…


    [1]  Lekë Tasi (Leusë, Permet, 1929), muzikant, piktor, shkrimtar dhe përkthyes. Person me profil të spikatur veçanërisht në fushë të artit pamor.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË