More
    KreuIntervistaStefan Çapaliku: Atdheu i pamë nga larg tingëllon ma i vërtetë e...

    Stefan Çapaliku: Atdheu i pamë nga larg tingëllon ma i vërtetë e ma tragjik sesa kur je brenda tij

    Bisedoi: Violeta Murati

    Ja ku jemi me vëllimin e tretë të “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Dy muaj nga dalja e tij, gjithkush do mendonte: çfarë është kjo sagë, përpjekje a “çmenduri” e shkrimtarit për të mbërritur tek identifikimi, njohja?!

    Përpjekjet e shkrimtarit, veçanërisht në kohën tonë, tingëllojnë të gjitha si çmenduri, kështu që nuk besoj se ka ndonjë diferencë të madhe midis dy mbiemrave: “përpjekje dhe çmenduri”. Gjithsesi, tashma inercia e dy vëllimeve të para e bani të vetën dhe ja ku jam me vëllimin e tretë ndën sqetull.

    Pse tre romane me të njëjtin titull: “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”?

    Do ketë edhe një të katërt, me sa duket, nëse do mund të jetoj edhe njëherë “n’at zaman t’njasaj furie”. Duket kësisoj se saga “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” do pasohet edhe nga një i katërt, duke krijue kështu një kuartet me “muzikë dhome”. Kjo përshtypje të vjen edhe nga mënyra se si mbyllet ky vëllim i tretë, që i ngjan pikiatës së një avioni ushtarak, maja e të cilit duket sikur po prekë në tokë, për të marrë pastaj hov drejt qiellit. Dhe po kështu edhe ai i katërti ka me pasë të njajtin titull. Tashma ai titull u ngul si gozhdë në tru të lexuesve e tash duhet veç me e goditë sa ma fort e deri në fund.

    Lind nevoja të kujtojmë edhe njëherë e të flasim mbi titullin e librit, cilësuar tashmë provokues, ironik, fat e fatalitet bashkë, si destini ynë. “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” – si ndodhi?

    Kështu më ndodh shpesh kur i marr gjanat lehtë. Gjendesha në një rezidencë shkrimtarësh në Saint Nazaire, diku në Perëndim të Francës, dhe isha nisë me një projekt në mendje: me shkrue një dramë, e cila nuk u shkrue ende as sot e kësaj dite. E në vend të saj lindi, si pa dashje, një rrëfim mbi fëmijërinë, si një send i largët tashma jo vetëm në kohë, por edhe në hapësinë.

    Meqë po krijojmë këtë hapësirë për titullin, libri është përkthyer në Paris, Beograd dhe Shkup… Si ka qenë pritja?

    Po. Së shpejti do botohet edhe në Itali nga Lubrina Editore dhe ndërkaq është edhe në proces përkthimi në gjermanisht.

    Në bisedën tonë për romanin e parë keni thënë se koha ishte e çmendur për shkak të diktaturës e cila përmbysi gjithë sistemin e vlerave njerëzore, ndaj këta duken të çmendur… Në këtë qasje sigurisht që arsyeja funksionon, por ky vështrim i juaji vazhdon edhe pas ’90-ës, me kushtimin që i bëni kësaj kohe në librin e tretë. S’kanë mjaftuar tri dekada për të qenë “normal”, është ky zhgënjim për ju, dorëzim?

    Vëllimi i tretë i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” merret me periudhën 1991-1997, postkomunizmin shqiptar. Ai zbërthen në detaj thanien e Konicës: “Duke pritur të piqen kushtet, na u kalbën dëshirat.” Romani botohet në të njajtën distancë kohore me dy të tjerët pararendës, si një ligjërim që ruan ekzaktësisht të njajtën pauzë reflektuese mbi të shkuemen e afërme. Jam ndalë në mes të shkretinës që mbas ’90-ës e patëm quejtë “Liri”, kam dashur të mësoj se ku ishin shenjat që do na tregonin anët e horizontit dhe nuk kam mundë me marrë vesh gja. Në këtë humamendje mbaron vëllimi i tretë.

    Jam ndalë në mes të shkretinës që mbas vitit ’90 e patëm quejtë “Liri”, kam dashur të mësoj se ku ishin shenjat që do na tregonin anët e horizontit dhe nuk kam mundë me marrë vesh gja. Në këtë humamendje mbaron vëllimi i tretë

    Në krijimtarinë tuaj ju jeni marrë plotësisht me postkomunizmin që, siç jeni shprehur, “jam marrë me epokën time”, me atë çfarë ju ka shoqëruar. Në raport me vëllimin e parë që i kushtohet komunizmit (fiction), në dy romanet e tjerë si ka qenë procesi i shkrimit, sidomos në vëllimin e tretë që janë ngjarje, fakte, histori pothuaj reale?

    Ky cikël romanesk, në pikëpamje teorike, ka lidhje të drejtpërdrejtë me termin Bildungsroman, term që më së pari u krijua në vitin 1819 nga filologu gjerman Karl Morgenstern në leksionet e tij universitare dhe më pas u rimor dhe u trajtua ndër stilema edhe më të epërme estetike nga Vilhelm Dilthey, i cili e legjitimoi dhe e popullarizoi atë në fillim të shekullit XX. Italianët e thërrasin “romanzo di formazione”. Ky narracion në progres më ka marrë me vete dhe më ka lodhë e më ka argëtue sa s’ka.

    Hapësira në librin e tretë tashmë nuk është qyteti yt, Shkodra, por një itinerar rural që prek rrugën deri në kryeqytet. Unë e lexoj: ikje, një ikje graduale që përpëlitet. Ju keni mbetur apo e keni zgjedhur të jeni këtu… si ju, s’ka shqiptar që të mos mendojë ikjen, por “të mbetur” këtu. Madje vazhdon kjo përpëlitje, edhe pse në librin tuaj janë vitet e para të ’90-ës…

    Atdheu si një shpellë që na mbron nga të tjerët duhesh shndërrue në një vend të hapun takimesh dhe kontaktesh. Për këtë duhej shkatërrue frika nga të tjerët. Atdheu i pamë nga larg padyshim që tingëllonte ma i vërtetë e ma tragjik sesa kur gjendesh brenda tij. Po kështu edhe qyteti.

    Secili që do të lexojë romanin e tretë do nënqeshë, sikur të jetë diçka banale që nuk i përket. Janë tregime pothuaj reale, siç e thamë, që sporadikisht kapërcejnë personazhe, jetë, vende… Sa rrezikon, në rastin tuaj, shkrimtari për t’u mos banalizuar nga historia, kujtesa?

    Me kujtue, nuk domethënë me kthye në vëmendje diçka të humbur, pra me gjetë një hallkë që diku kishte mungue. Kujtesa në vetvete, sidomos në procesin e shkrimit, është njëkohësisht e ripërtërirë dhe e rindërtueme në të tashmen, duke ndërmendë fijet e mendimit që përshkohen nga e shkuemja e afërt, për t’u projektue mandej në një vetëdije për të ardhmen. Pa këtë vetëdije të kujtuemit nuk e kryen funksionin e vet.

    Nëse në vëllimin e parë kam veçuar se simbolikë ishte kutia magjike, televizioni, tek i treti mendoj se është udhëtimi, mjeti që keni zgjedhur për të “ikur”…

    Po. Pamundësia e ikjes dhe pamundësia për me u përballue me dështimin e projektit e shtërngon narratorin diku në qoshe të një rrugice ku fati e rreh sa mundet duke ia qitë hundët gjak.

    Romanet priren të na japin një imazh në lëvizje, ironi dhe humor i zi, si një fat i pashmangshëm me njerëzit që ke njohur… Këtë herë rrallohen të “famshmit” e gjëllijnë ordinerët… S’ndërtoj dot ndonjë pyetje mbi këtë fakt…

    Humori për veprën time asht si konservanti për një produkt ushqimor. Nëse do që vepra të jetojë, atëherë hidhi ndocapak konservant, përndryshe të duhet ta kullufisësh sapo të dalë nga furra.

    Pavarësisht rrëfimit në vetë të parë, aty nga faqja 50 ju përmendni mbiemrin tuaj, mbi të cilën ne marrim informacionin se është një libër autobiografik. A nuk keni ndier se riskoni të shkruani “kujtime”?

    Çfarë mund të bajë ma shumë një artist, përveçse të denoncojë marrëzitë shkatërrimtare? Mbiemri dhe kujtimet personale nuk i shoh asnjëherë si rrezik, për sa kohë që besoj se janë kujtimet dhe vetëm kujtimet fushat nëpër të cilat harbohet narrativa.

    Pothuaj reale, reale, totalisht të besueshme dhe të jetuara gjithë historitë e treguara në roman. Pse nuk i keni besuar “fantazisë” për të vendosur këtë raport të letërsisë me kujtesën?

    Kur personazhi kryesor ka frikë, ai i kthen shpinën jetës dhe kur dashuron ai, ia hap të gjitha dyert pasionit dhe ngazëllimit. Në faqet e romanit autori mëson ta dojë veten e vet me të gjithë lavdinë dhe papërsosmëritë e veta. Unë vë në ballë moton e John Lennon, që thotë: “Nëse nuk mundena të duem veten, nuk mund të jemi plotësisht të hapun ndaj aftësisë sonë për të dashtë të tjerët dhe gjithashtu ndaj potencialit tonë për me krijue.”

    Sa personal është ky libër?

    Aq sa ma tepër nuk bahet.

    Çfarë mendoni se ka ndryshuar te shqiptarët pas, pothuaj, 30 vjetësh nga rënia e diktaturës?

    Entuziazmi dhe përtesa për me ia thye turinjtë atij që na zë rrugën…

    Citoj: “Duke numëruar paret e Simon Drishtit më ikte disa herë mendja, nëse do mund ta përballoja nivelin e atij kursi, kur unë nuk kisha ba kurrë në jetën time histori arti.” Në një rresht ju tregoni si u gjend “e bukura” pas rënies së skemave të realizmit socialist, në një bosh. Nisët punën si pedagog i estetikës, qysh në krye të ’90-ës. A mund të na thoni se çfarë muresh nuk janë shembur ende në këtë drejtim deri tani?

    Raporti me të bukurën vjen dhe krijohet gjatë përsiatjeve që mbushin kohën tonë të lirë. Me keqardhje konstatohet se shqiptarët vazhdojnë të thyejnë krahë divanesh duke u shtriqë me orë të tana me një telekomandë televizori në dorë.
    Liria në tavolinë. Ironia në roman ndryshon sipas mbushjes së tavolinave dhe sendeve që nuk kishim parë as në ëndërr. Liria po funksiononte. Pas leximit të romanit tuaj, s’di pse liria më vjen si “ushqim tavolinash”…

    Kishim uri mendore, seksuale dhe stomakore. Pra, ishim të molepsun urie deri në atë shkallë sa mund t’i jepnim fund jetës në një “orgji” të sajueme aty për aty e pa kurrfarë projekti… Pamundësia për ta pa veten në një perspektivë zhvillimi…

    Cila është përvoja në punët e botimit, raportin e shkrimtarit me botuesin? Në bisedën tonë panorama e kësaj marrëdhënieje duket ende mjaft e përthyer, komplekse…

    Unë kam një botues që thirret Frano Kulli dhe që përban modelin ma të dashtun të komunikimit dhe të atij që kishte me u thirrë “Kurator”. Fjala “curator” vjen nga italishtja “ a cura” e që do thotë me u kujdesë. Pra, botuesi për mue asht kujdestari.

    Ky roman, i treti, mund të konsiderohet totalisht i angazhuar, me strukturë social-kulturore, një itinerar antropologjik si keqmenaxhohen nga një komb… Çfarë barre është, pse vjen ky shqetësim?

    Maria Vargas Llosa thotë: “Shkrimtarët janë si orlat që ushqehen me kërmat e shoqërisë që dekompozohet.” Letërsia ime në këtë rast asht ushqye nga një shoqëri në dekompozim, ku kaosi e ka mposhtur harmoninë, ku nuk ka kurrfarë synimesh madhore po vetëm rendje drejt përfitimeve të çastit e njëkohësisht shkatërrime të përgjithmonshme të gjanave ma të shenjta. Kështu shpalosen edhe të vërtetat e tmerrshme.

    Keni ngritur një faqe në Facebook posaçërisht për romanin. Është promovuar libri në shumë qytete në Shqipëri e Kosovë. Po përktheheni intensivisht. Sa mundet një shkrimtar t’i shërbejë librit të tij?

    Unë i shërbej librit si fëmijës tim. Faleminderës!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË