ZHURMA
Gjithçka të shtyn jashtë nesh, pa të prekur.
Ti dëshiron të jetosh gjithmonë brenda ironisë.
Ti del jashtë dhe ikën, ikën dhe vjen, i paepur,
mbas shumë e shumë vitesh, jashtë filozofisë.
Ikeardhja jote skalit shekujt përsëri e përsëri.
Nga një epokë në tjetrën, ti je sekreti i kohës.
Ti kërkon t’i japësh njerëzimit një grimcë risi.
Ti e ke shpallur muzikën si Kushtetutë të Botës.
Ti je një krimb i vogël librash, me një fat të çuditshëm.
Ti nuk je një hero prej letre, as një pëllumb i egër.
Tinëzisht dorasët ikin tutje, me një ritëm të magjishëm.
Në trurin e një bote të re rrotullohet një thikë e botës së vjetër.
Përse çdo ditë lind një mjeshtër i madh dhe i paemër?
A është dashuria vërtet, vetëm një iluzion optik?
Ti pyet dhe kërkon të gjesh doemos një botë tjetër.
Tashmë dihet: Lumturia është një numër komik.
Atë që nuk e bënë dot as revolucionet, as komplotet,
ti deshe ta bëje, vetëm dhe vetëm me poezi.
Papritur botën e mbuluan sërish e sërish shablonet,
si një epidemi botërore, dhe gjithçka u bë hi dhe prapë hi.
Ti deshe të shkoje vetëm në ferr, pa shoqërues personal.
Parajsa ishte për ty, tepër-tepër-tepër vulgare.
Secili kishte rënë vetë në një kurth modern dhe ideal.
Bota hynte e dilte nga betejat e famshme legjendare.
Gjithçka e neveritshme, si mund të na bënte krenarë?
Po të na çlironin nga kurthet një ditë prej ditësh,
Nuk do të ishte aspak një gjë e paparë,
Që ne do të vrisnim njëri-tjetrin, si për shaka.
Ku shkuan vallë, pasionet tona të zjarrta?
Ku shkuan premtimet e misioneve tona arbërore?
Heshtja prej vreri veshi paradoksalisht rroba të arta.
Zhurma më epshore u shpall Artiste e Muzikës Botërore…
STATUJA BOSHE
Mjaft më, mjaft, mjaft e ndytë botën
me përralla helmuese dhe me histori urrejtjesh,
prej pasqyrash që u lodhën e u çlodhën,
duke gënjyer veten dhe të tjerët,
tokën dhe qiellin, zotin dhe djallin.
Mjaft më, mjaft më, mjaft më,
i kthyet njerëzit në kafshë prehistorike,
veçse për të mbijetuar, për të vrarë mërzinë
e tmerrshme, më të tmerrshme se tigrat
e uritur, për ta mbushur planetin tonë,
me derra shumë të kënaqur, tepër
elegantë. Asnjëri i ngjashëm me Sokratin.
Të gjithë e çojnë jetën duke notuar në flori,
dhe në aventura moderne, dhe nuk e dinë,
që kanë lindur të vdekur, që kanë jetuar
të vdekur, me përralla të manipuluara,
dhe me heronj të shpikur keq,
për të ngrënë hekur,
për të pirë ujë të vdekur,
Mjaft, mjaft, shpërthen ti, dhe urdhëron,
të mblidhen urgjentisht, gjithë heronjtë e botës,
të hidhen në një zjarr të madh,
dhe të mos lejohet krijimi i një heroi të ri,
si shpëtimtar i heronjve të rremë,
që të mos mbinë, kurrë më, specie të tilla.
Mjaft, mjaft, iku koha e heronjve,
iku koha e epidemive heroike,
ra edhe statuja e gjeneralit dhe presidentit
Grant, atje në Amerikë…
Dashuria
nuk e ka zgjedhur ngjyrën e saj,
akoma.
Mjaft, mjaft, çdo hero
është një epidemi që pret orën e vet
gjakatare, mjaft, mjaft e ndytë botën
me përralla çudibërëse dhe statuja boshe…
PRAPË SIZIFI
1
Guri jam, guri i rëndë,
që e shtyn Sizifi,
akoma sot gjer në majë.
Tani nuk dua
të rrëshqas poshtë,
sërish e sërish.
Sizifit
i ka mbetur
vetëm skeleti.
E dua më shumë
se jetën time. Ai më bëri
të pavdekshëm.
Më parë, ai për tre ditë,
më ngjiste në majë.
Tani i duhen tre vjet.
Megjithë qëndresën time,
dhe qëndresën e tij,
biem poshtë të dy.
Shekull mbas shekulli,
gjithçka
nis nga e para.
2
Bashkë ngrihemi dhe bashkë biem.
Ne të gjithë jemi Sizifë. Dhe mua më quanin
një gur të paturpshëm, që e lëshoja veten,
dhe rrokullisesha lehtësisht, poshtë. Gjithë jetën
nuk kam bërë dredhira të liga. E gjitha kjo histori,
ishte për mua një spektakël kriminal.
Si nuk reagoi askush kundër keqtrajtimit të tij
mizor? Çfarë kishte bërë ai, që të meritonte
një tmerr të tillë barbar? Sizifi ishte një mbret
i madh qytetërues. Rastësisht, u bë dëshmitar
i një skene delikate. Zeusi nën trajtën
e një shqiponje rrëmbeu një vajzë të bukur.
Mbreti Sizif e ndihmoi të atin e vajzës,
duke i treguar që rrëmbyesi
ishte vetë Zeusi.
Kjo shpirtmadhësi
i kushtoi
shumë shtrenjtë!
MANDALA PËR NJË APOKALIPS
U mbarua, u mbarua, u mbaruan
të gjitha rezervat e karburantit të botës.
Tani do të plasi një luftë botërore e kotë.
U mbarua, u mbarua edhe uji, edhe ajri.
U tradhëtuan gjithë revolucionet.
U fyen poshtërsisht utopitë dhe njerëzit.
Drita u çnderua duke vallëzuar nudo në mes të ditës.
Madje, vdekja vetë ndodhej në çastet vendimtare,
prej mijëra vjetësh në shtrat, në një agoni të pafundme.
Duke të puthur ty për herë të mbrame,
ikën një mijë vjet, një mijë vjet ikën,
në disa minuta, në disa botë të humbura.
U mbaruan edhe historitë e dashurive të mëdha
ndërplanetare. Sa herë bota mund të hapte sytë e bukur,
shfaqej një apokalips i mrekullueshëm.
PRAPASHTESAT
Stuhia është një gjendje normale
e botës.
Në horizont nuk duket akoma
jeta e vërtetë.
Si kanibalë hanë njëri-tjetrin
filozofët e rremë.
Ti je një lumë i çuditshëm,
që nuk ekziston askund,
dhe megjithatë shfaqesh
kudo.
Si një shqiponjë gjigante
duket mali përballë, gati
për të fluturuar drejt çdo
planeti.
Rimat? Oh, ku janë rimat?
Ruaju prej tyre, si nga djalli!
Aha!
Rimat bajate
Shekspiri i quante,
prapashtesa të kobshme.
Stuhia qesh e fundit.