Zgjodhi dhe përktheu: Fatmir Alimani
Unë jam një estet, një erotik që ka depërtuar te natyra e dashurisë, te thelbi i saj, që beson te dashuria dhe që e njeh atë thellësisht, dhe kjo njohje më rezervon opinionin personal se një aventurë dashurie nuk zgjat më shumë se gjashtë muaj, dhe që gjithçka mbaron mbasi të kemi përfituar edhe prej favoreve të saj të fundit. Unë e di mirë gjithë këtë histori, por di gjithashtu që kënaqësia më e lartë e imagjinuar është të jesh i dashuruar, të jesh i dashuruar mbi gjithçka. Të hysh si një ëndërr në mendjen e një vajze të re, ky është një art, ndërsa të dalësh prej saj kjo është një kryevepër.
Mjedisi ka gjithmonë një rëndësi të madhe, mbi të gjitha për shkak të kujtimit. Të gjitha marrëdhëniet erotike duhet të jenë përjetuar në atë mënyrë, që të jetë sa më i lehtë evokimi i një imazhi me gjithçka të bukur në to. Përpara se të përjetohen ato, duhet bërë kujdes, mbi të gjitha për mjedisin.
Duhet një pjekuri e madhe nëse duam të miklojmë. Nganjëherë duhet të vendosemi mbi një piedestal tepër të lartë, por në mënyrë që të mbetet edhe një piedestal tjetër më i lartë. Nganjëherë duhet të shfaqim fare pak nga vetvetja. Për një qëllim shpirtëror udha më e mirë është e para, për një qëllim erotik, e dyta.
Erotizmi shpirtëror dallohet nga erotizmi fizik.
Dashuria është tepër thelbësore për t’u mjaftuar me llomotitje, dhe situatat erotike janë tepër të rëndësishme për t’u përmbushur. Ato janë të heshtura, të qeta, ato janë konture të përvijuara qartë dhe megjithatë ato janë shprehëse si muzika e kolosit të Memnonit. Erosi bën gjeste, ai nuk flet, por edhe nëse e bën këtë, atëherë është fjala për nënkuptime misterioze, të një muzike imazhesh. Situatat erotike janë gjithmonë ose plastike ose pikturale, por nëse dy dashnorë flasin së bashku për dashurinë e tyre, kjo nuk është as diçka plastike e as pikturale.
Është mashkulli që duhet të flasë, prandaj rrjedhimisht ai zotëron njëfarë force magjepsëse me të cilën shërbehet Venusi: biseda dhe miklimi i ëmbël, ose për ta thënë më mirë, miklimi i tërthortë. Dhe pastaj, nuk vijon fakti që Erosi të jetë i shurdhër, as përfundimi se nga ana erotike, qenka jo korrekt zhvillimi i një bisede, por që ajo duhet të jetë vetë erotike dhe jo të humbasë në diskutimet moralizuese mbi perspektivat e së ardhmes; dhe gjithashtu të konsiderohet në thellësi si një pauzë e veprimit erotik, si një kalim kohe, dhe jo si e mira supreme. Një confabulatio e tillë është në thelb krejtësisht hyjnore dhe prandaj nuk ia lejoj vetes kurrë ta bisedoj me një vajzë të re. Le të kuptohemi, unë mund të lodhem sa të dua me një vajzë të re në veçanti, por kurrë të bisedoj me të. Dhe kjo do të ishte për mua një gjë po aq e thjeshtë, sa edhe të marrurit frymë pa u lodhur.
Përqafimi, a mos është gjithashtu një luftë?
Nëse nuk do të kisha arritur t’i jepja bisedës përreth tavolinës drejtimin e duhur, unë do të isha mjaft i interesuar për të qenë i pranishëm në çastin kur do të mbërrinte letra, për ta konfiskuar atë. Ajo do të hynte në sallon dhe do t’i duhej të gënjente pakëz. Dhe janë këto gjëra që e përforcojnë misterin erotik, pa të cilin femra nuk mund të ndjekë udhën e përvijuar për të.
Atëherë ajo duhet të më magjepsë nëpërmjet të njëjtave mënyra me të cilat më ka shërbyer, domethënë me anë të erotizmit.
Liria nuk gjendet përveçse brenda kontradiktave. Dashuria nuk e ka rëndësinë e saj askund tjetër, përveçse atëhere kur një i tretë dyshon, dhe vetëm në këtë rast dashuria gjen lumturinë e saj, pra kur të gjithë të tretët mendojnë se të dashuruarit urrejnë njëri-tjetrin.
Femra, e pasur përjetësisht nga natyra, është një burim i pashtershëm për reflektimet dhe vëzhgimet e mia. Ai që nuk ndjen nevojë për këtë lloj studimi, mund të jetë cilido dëshiron në këtë botë, përveç një gjëje: ai nuk është estet. Shkëlqimi, hyjnorja e estetikës, qëndron pikërisht te trajtimi i asaj që është e bukur, prandaj po ta gjykojmë thellë, asaj nuk i mbetet gjë tjetër, përveçse të merret me letrat e bukura dhe me seksin e bukur.
Bukuria femërore është e pjestueshme deri në infinit.
Unë përpiqem ta mendoj femrën brenda një kategorie të përcaktuar, po në cilën? Në atë të dukjes.
Femra është një dukje. Por këtu nuk duhet të turbullohemi nga leksioni i përvojës që thekson, se ne nuk mund të takojmë, përveçse shumë rrallë një femër që të jetë vetëm dukje, sepse ekziston përgjithësisht një numër i madh syresh që nuk janë asgjë, as për veten, as për të tjerët. Përveç kësaj, ato e ndajnë këtë fat me gjithë natyrën, me një fjalë, me gjithçka femërore. E gjithë natyra nuk është gjë tjetër veçse një dukje, jo në kuptimin teologjik, ku një element i veçantë i saj do të jetë i tillë për një element tjetër të veçantë, por e gjithë natyra është një dukje për mendjen tonë. Të njëjtën gjë mund të themi për elementët e veçantë. Jeta e një bime, për shembull, paraqet me një mënyrë krejt naive hiret e saj të fshehura, dhe nuk është asgjë tjetër përveçse një dukje. Po kështu, një enigmë, një gjë a gjëzë, një sekret, një zanore, etj., nuk janë asgjë tjetër, përveçse dukje. Kjo shpjegon gjithashtu faktin që Zoti duke krijuar Evën, e vuri në gjumë të thellë Adamin, sepse femra është ëndrra e mashkullit. Kjo histori na mëson gjithashtu në një mënyrë tjetër, që femra është një dukje. Sepse është thënë që Jehovai i heq gjithnjë njeriut diçka. Nëse ai, për shembull, do t’i hiqte mashkullit një pjesë të trurit, femra do të vazhdonte të ishte dukje, por qëllimi i Jehovait nuk ishte të bënte një kimerë. Ajo u bë prej mishi dhe gjaku dhe për këtë arsye ajo bie pikërisht nën përcaktimin e natyrës, pra esencialisht është një fenomen. Ajo mund të zgjohet vetëm nga kontakti i dashurisë dhe përpara kësaj kohe nuk është veçse një ëndërr. Por në këtë ekzistencë mund të dallojmë dy stade: së pari, dashuria ëndërron për të, pastaj ajo ëndërron për dashurinë.
Femra është substancë, burri është reflektim. Prandaj ajo nuk zgjedh paraprakisht, por mashkulli e kërkon dhe atëhere ajo zgjedh. Por duke e kërkuar, ai nuk bën gjë tjetër përveçse një pyetje, ndërsa zgjedhja që bën femra nuk është gjë tjetër përveçse një përgjigje. Në një kuptim, mashkulli është shumë më tepër se femra, në një tjetër kuptim, ai është pafundësisht më pak.
Çasti është gjithçka dhe brenda këtij çasti femra është gjithçka – por rrjedhojat e kapërcejnë inteligjencën time.
A mos ka ikur një herë e mirë koha e metamorfozave? Përgjigje: A mos ka ikur vallë, koha e dashurisë?
Ne nuk mund të imagjinojmë diçka më pak erotike sesa dërdëllisjet për të ardhmen, që lindin sidomos nga fakti, që ne nuk mund të meremi me asgjë tjetër.
Nëse nuk e dimë se në ç’pikë duhet të vihemi në raport me shpirtin e një vajze të re, është më mirë të mos duam kurrë të joshim askënd, sepse atëherë do të jetë e pamundur të shmangim këto dy pengesa: të jesh i pyetur për të ardhmen, dhe të bësh leksion për besueshmërinë.
Unë ndodhem kudo i padukshëm.
Çfarë dashuron dashuria? Një vend të rrethuar? Po edhe parajsa vetë, a nuk ishte një vend i rrethuar, një kopësht i Lindjes?
Çfarë dashuron dashuria? Pafundësinë. Kujt i frikësohet dashuria? Kufinjve.
Çudi si është mbushur natyra plot me shenja parashikuese! Unë i shoh këto shenja te fluturimi i zogjve, te klithjet e tyre, te kërcimet e peshqve mbi sipërfaqen e ujit, në arratisjen e tyre në fund të thellësive, te një lehje e largët, te zhaurima e largët e një karroce, te jehona e një hapi që vjen nga larg. Unë nuk shoh fantazma, nuk shoh çfarë i përket së kaluarës, por gjirin e liqenit, trëndafilin e njomë, mjegullën që mbulon tokën dhe fsheh në përqafimin e saj të frutshëm, atë që do të vijë, për të ma treguar vetëm mua. Gjithçka është imazh, unë jam miti i vetvetes, sepse a nuk fluturoj unë si një mit drejt këtij takimi? Por cilido qofsha: unë i kam harruar të gjitha gjërat e përfunduara dhe kohore, vetëm e përjetshmja më përket, fuqia e dashurisë, dëshira e saj, bukuria e saj.
Po të isha perëndi, do të bëja atë që i bëri Neptuni nimfës, do ta shndërroja në një mashkull.