RRUGËTARI
Sa shumë kam ecur! Si amfora qafëgjata
eshtrat i kam të mbushura me lodhje
Ulem te një bordurë, nën drurë teksa po bie nata
si një detektiv që e fsheh vendndodhjen
Vë re në qiell lart një re – është një anije
me një ngarkesë yjesh në bord
që m’pikojnë në t’gjelbrën e errët të degëve mbi krye
ndërsa kam një etje që nuk e shuaj dot
Qytet milionësh. Makinat që vijnë dhe shkojnë
bëjnë zhurmë. Zë njeriu nuk dëgjohet
Dhe po ato makina shkulme dritash lëshojnë
por hijet nuk ndriçohen
Në disa gjëra dyshoj, në shumë nuk kam besim
Ndonjë gjë që m’ik kënaqësi më jep
Ndonjë gjë që më vjen, më jep drithërimë
si një avion që shkon ulët mbi qytet
Po të më pyesë dikush, nuk di kah kam qenë
por di se dikend kam ndjekur në çdo hap
ia kam ndier frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës
dhe e kam humbur, dhe m’është shfaqur prapë
tek flet me dritën, jo-dritën dhe të bukrën
pa hequr dorë prorë dhe pa u ngutur
si një zog që njësoj e fal këngën e vet
te kupola e kishës dhe te tarraca e burgut
Dhe i kam dëgjuar të fshehta që vijnë jo t’paditura
por pa e ditë si shfaqen – tokë çudirash
që befas del mbi ujë, dhe po n’ujë pasqyrohet
nën dritë ylberesh, ndërsa një mjegull largohet –
Shtëpinë e kam ngrit’ mes kopshtesh të jetës
me ballkonin kah nata dhe me portën kah dita
ku rrinë pranë e pranë zemra dhe vjersha
siç rrinë mbi tryezë domatet dhe thika
Pse tjetri m’ik një çast, do e gjej dhe do e arrij!…
Sa e gjallë m’qe dita, por tash ajri u ftoh
Me ndenjë në t’ftohtë nuk rrihet, me ecë duhet fuqi…
Ti, o qiell i mbrëmjes, më jep të pi një gotë!
25 janar 2022
FISHEKZJARRET NDIZEN NË MESNATË
Fishekzjarret ndizen në mesnatë
-pasion dhe bukuri
zjarr dhe akull
me një thirrje të qartë
për dashuri
për një ngritje shpirtnore
dhe me një rrezik të fshehur
që djeg
që hap plagë-
kur rrugët janë të zbrazëta,
qyteti është i qetë…
Atëherë njerëzit që flenë
kthehen në krahun tjetër
dhe u hapin një dritare për t’u hyrë në ëndrra
sensuale dhe argëtuese
me çdo rrezik të harruar
por me pasionin vezullues
të larme në ngjyra
elegante në formë
vallëzuese në tinguj
të paparashikuara në imagjinatë
me fjalë tingëlluese që bien
në dritën e tjetrës që vjen
për t’u ringritur si një zinxhir ari
në të zgjuar
kur dita agon
dhe për me marrë një tjetër formë
në një tjetër shpirt
të gatshëm për të rrezikuar
për t’u ngritur
në krahët e një ëndrre
ku plot rastësi na ndihmojnë
dhe po kaq na pengojnë
për me gjetë pupla dhe dyll…
Edhe kur s’i kishim, gjithmonë
në një natë me yje
o në një natë me shi
o në një natë me borë
në mesnatë janë ndezur fishekzjarre
KOHA E QYTETIT
Dal në rrugë me të gjitha fuqitë të zgjuara
por hapat s’më binden, ndërrohen ngadalë
ndërkohë që bri meje kalojnë si era
mosha e re me këmbët që u fluturojnë
2024