More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Veta prometeike eskiliane

    Skënder Karriqi: Veta prometeike eskiliane

    Rënia e Pallatit në shoqërinë antike greke është një moment i rëndësishëm, që i hap rrugë lindjes së demokracisë. Në këtë rast do të kemi kalimin nga Pallati tek Polisi (Qyteti), ku në plan të parë del bashkësia si njësi dhe unitet social. Këtë moment të historisë antike greke Jean Pierre Vernant në Origjina e mendimit grek e përshkruan: Fuqia e konfliktit-fuqia e bashkimit. Eris-Filia: këto dy entitete hyjnore të kundërta e komplementare shënohen si dy polet e jetës shoqërore në botën e vjetër aristokratike që i zuri vendin mbretërive të vjetra. Lartësimi i vlerave të luftës, të konkurrencës, të rivalitetit, shoqërohet me ndjenjën e përkatësisë ndaj një bashkësie të vetme e të njëjtë, ndaj një kërkese për unitet dhe njësim shoqëror.

    Në reflektimin e këtij momenti e ka zanafillën konceptimi i ri urbanistik, i cili konsiston në një qytet të përqendruar tashmë jo rreth pallatit, por rreth Agorasë, që në fakt është hapësira publike ku rrihen probleme me interes të përbashkët. Pra, kur themi hapësirë, nuk e shënjojmë atë thjesht në kuptimin fizik hapësinor, përkundrazi, e shënjojmë në kuptimin e një hapësire sociale, ku do të normativizohet marrëdhënia reciproke ndërmjet individit me bashkësinë dhe anasjelltas, e bashkësisë me individin. Kjo hapësirë publike është vendi ku deklarohet dhe publikohet tërësia e interesave të përbashkëta, të cilat u kundërvihen çështjeve private. Në këtë rast sheshi apo hapësira publike është vendi i transparencës. Aty veprohej ditën me diell duke iu kundërvënë praktikave të fshehta. Në lidhje me këtë fakt Vernant thotë: Kjo kërkesë për publikim çon në konfiskimin progresiv në përfitim të grupit dhe në vendosjen përpara syve të gjithë tërësinë e sjelljeve, procedurave, dijeve, që në fillim përbënin privilegjin e vetëm të bazileusit ose të geneve që mbanin ahrenë. Kjo lëvizje e dyfishtë demokratizimi dhe divulgimi do të ketë në planin intelektual, pasoja vendimtare. Kultura greke ndërtohet duke i hapur një rrethi përherë e më të gjerë, më së fundi gjithë demosit, hyrjen për në botën shpirtërore, që në fillim i qe rezervuar një aristokracie me karakter luftarak e klerikal.

    Institucionalizimi i Agorasë si një hapësirë e tillë publike qe një kusht rrethanor, i cili do të mundësonte që tash e mbrapa, mbi krijimet e mendjes si dhe mbi veprimtarinë e shtetit të ushtrohet një kontroll i vazhdueshëm nga bashkësia.

     Do të kemi në këto kushte reflektimet etike qytetare, që s’janë gjë tjetër, veçse vlera të dala nga raporti i individit me bashkësinë. Pikërisht, nëpërmjet këtyre vlerave individi njësohet, matet dhe vlerësohet në raport me bashkësinë. Për këtë arsye ato do të jenë në themel të moralit qytetar. Produkti i tyre i zakonshëm është qytetari, ndërsa produkti jo i zakonshëm është heroi qytetar, i cili është i tillë, jo thjesht në kuptimin e ushtarit, por edhe të veprimtarit të angazhuar në të mirë të qytetit.

    Qyteti grek ka prodhuar mjaft të tillë, si: Aristidhi, Themistokliu, Perikiu etj, të cilët na vijnë nëpërmjet penës së Tuqiditit dhe Plutarkut, si heronj të vërtetë të Qytetit, që do të thotë si heronj jo vetëm të luftërave, por edhe të sheshit publik, ku diskutoheshin problemet dhe individët ofronin shërbimet e tyre. Pikërisht, në kushte të tilla lindi veta e shërbimit apo e thënë ndryshe, veta prometeike, e cila në përshtatje me raportet individ-bashkësi, është vetë e parë (unë, ne) dhe ky është rasti i individit apo i një grupi individësh që projektohen në raport me bashkësinë, si “shërbëtorë” të saj.

     Por jo çdo vetë e parë është vetë shërbimi apo prometeike: kur është vetë në raport me komunitetin, ajo është e tillë. Në të kundërt, kur është në raport me veten, është vetë e individualizmit. Kështu, veta e parë letrare, si prometeike apo individualiste, shenjon në kuptimin stilistik, por edhe kohor, kufirin ndërmjet tradicionalizmit dhe modernizmit.

    Dy vetat e tjera (ti, ju; ai ata), edhe pse të krijojnë përshtypjen si veta shërbimi, në fakt janë veta përshkrimi. Arsyeja që të krijojnë përshtypjen e vetës së shërbimit është se ato e përshkruajnë shërbimin e vetës së parë.

    Pra, siç shihet, përtej kuptimit thjesht gramatikor, veta e shërbimit apo veta prometeike, është e tillë, që shpreh lidhjet e individit me bashkësinë. Ndërsa veta e përshkrimit, edhe kjo përtej kuptimit thjesht gramatikor, shpreh lidhjen e rrëfyesit me ngjarjen dhe, në kuptimin që ky rrëfyes rrëfen për bashkësinë, mund të thuhet se kjo vetë, më gjerë, pikërisht me ndërmjetësinë e rrëfyesit, shpreh lidhjen e bashkësisë me individin.

     Fjala lidhje, në të dy rastet, nuk është thjesht në kuptimin e ngushtë strukturor: përkundrazi, ajo është në kuptimin e të qenit aktiv në shërbim të bashkësisë, aktivitet ky që domosdoshmërisht nënkupton përjetimin e raportin individ- bashkësi. Kemi të bëjmë pra me rastin e individit, kur veta e parë si vetë shërbimi, është vetë e përjetimit të dhimbjes, e sakrificës, e parashikimit të së ardhmes, ku përfshihet dhe vetë individi, dhe, në fund të fundit, është vetë e heroizmit. Nga ana tjetër, veta e dytë dhe veta e tretë, duke qenë veta që e përshkruajnë veprimin dhe shprehin në këtë mënyrë lidhjen e bashkësisë me individin, kuptimin e fjalës lidhje e reflektojnë si lidhje përfitimi.

    Kjo përshtatje vetore sipas raportit individ-bashkësi dhe anasjelltas, bashkësi-individ, do të jetë produktive në letërsi, pasi, në përputhje me të, nga veta e veprimit do të vijnë heronjtë letrarë, të motivuar në mënyrë shembullore, përtej artit letrar, nga heronjtë social-historikë. (Pikërisht këta heronj do të jenë shembëllime referuese të së shkuarës në planin diakronik dhe modele ideale në planin sinkronik e futurologjik). Më përfaqësuesi në këtë këndvështrim do të jetë Prometeu, që solli në letërsi prometeiken si vetë raporti social me efekte stilistike në letërsi. Ndërsa nga vetat e përshkrimit përfitimet do të jenë kulturore-stilistike.

    Në një plan më të gjerë, produkte të kësaj përshtatjeje vetore do të jenë letërsia e angazhuar dhe letërsia si e tillë. Një ndër heronjtë e qytetit ishte edhe Eskili. Këtë ai e dëshmon qartë qoftë drejtpërdrejt, duke marrë pjesë në luftëra kundër persëve për mbrojtjen e Athinës, e më gjerë, për mbrojtjen e demokracisë athinase, qoftë nëpërmjet veprës poetike dhe dramatike.

    Është folur për tendenciozitetin e Eskilit, por ajo që duhet të vihet në dukje është se tendencioziteti i tij, më shumë se sa referenca politike, ka referenca etiko-morale, pasi ai, figurat dhe konfliktet i zgjedh dhe i zgjidh gjithmonë duke patur për reference moralin tradicional qytetar.

    Plutarku sjell një fakt interesant: Eskili jetoi në një periudhë epokale të Greqisë, tamam atëhere kur helenët do të thurnin kurorën e lavdisë në luftë me persët, për mbrojtjen e qyteteve greke. Në këtë kohë, jo vetëm si strategë, por edhe si burra të shquar shteti, rivalizonin dy figura të njohura të Athinës: Aristidhi (540-467) dhe Themistokliu (522-460). Sipas Plutarkut, të parit për virtytet që kishte i kishin vënë epitetin i drejti, sepse ai kishte qëndrim të shëndoshë moral, dallohej për besnikëri ndaj së drejtës dhe s’ia lejonte vetes, qoftë edhe me shaka, të gënjente, të tallej a të mashtronte. Megjithatë dënohet me ostracizëm (dëbim). Sa për ostracizmin, shpjegon historian i antikitetit, ky prekte të gjithë ata që për nga emri, nga familja apo gojëtaria, ngriheshin mbi nivelin mesatar. Ndërsa Themistokliu, po sipas Plutarkut, kujdesej të krijonte një rreth miqsh dhe kësisoj të siguronte mbështetje dhe një autoritet të ndjeshëm. Ai thoshte hapur: Mos paça unë atë fat që të ulem në një post, ku të mos u bëj miqve të mi shërbime më të mëdha se të tjerëve. Punonte pa pushim të pengonte suksesin e Aristidhit në politikë. Për të athinasit thoshin: Njeri vërtet me mend, por që ka dorë. Opinioni i athinasve ishte hapur pro Aristidhit, por ajo që na intereson këtu është fakti se një rol të rëndësishëm në formimin e këtij opinion kishte edhe Eskili me jambet e tij, natyrisht, ashtu siç mund ta kishte këtë rol një poet. Gjithmonë sipas Plutarkut, një ditë kur recitoheshin në teatër jambet e Eskilit për Ampfiriaun: Desh jo të dukej, por të ish i drejtë,/Dhe nxirte çdo prodhim nga brazd’ e trurit/ Ku rriteshin mendime plot urti/, të gjithë kthyen kokën nga Aristidhi si njeriu që më tepër se kush, e kishte këtë virtyt.

     Nga ky shembull është e qartë referenca etiko-morale e tendenciozitetit të Eskilit. Duket sikur sheshi (Agoraja), është zhvendosur në teatër. Përtej iluzionit, kjo zhvendosje do të jetë një fakt domethënës në kohën e sundimit të Perikliut. Atëhere në teatrin-agora, tragjeditë e Eskilit do të kumbojnë më fuqishëm dhe kjo për shkak se kanë referencë vlerat etiko-morale të qytetit, sipas të cilave individi ia nënshtron interesat e veta bashkësisë qytetare, ndërsa kjo e fundit e lartëson në mënyrë të merituar figurën qytetare të individit, që diti të tejkalojë vetveten. Ky është një standard i ri i heroizmit moral që vetëm në kushtet e qytetit bëhet i tillë, pra një standard, një normë dhe vlerë virtuale.

    Qyteti me institucionet e tij, me brumin mitologjiko-historik, do të gatuante dhe do të normativizonte rregulla dhe qëndrime të reja etiko-morale, të cilat në letërsi, ndër të tjera, do të reflektonin me vetën prometeike, e cila s’është gjë tjetër, veçse veta e shërbimit përkushtues (deri në vetëmohimin) e heroit ndaj bashkësisë. Në esenë Eskili ky humbës i madh, Ismail Kadare, duke u nisur nga struktura e thjeshtë e tragjedisë Prometeu i mbërthyer, e vetmja e mbetur nga trilogjia mbi Prometeun, e konsideron atë ndër tragjeditë e para (në mos të parën) që ka shkruar Eskili. Duke iu referuar kësaj konsiderate, si dhe duke e parë në tërësi veprën e Eskilit, mund të themi se Prometeu i mbërthyer, si tragjedi me subjekt mitologjik, në fakt është motivimi mitologjiko-filozofok që i prin më së shumti heronjve të ardhshëm në tragjedinë eskiliane si: mbretit të Argut, Pelazgut, Eteoklit, Orestit, të cilët para së gjthash janë heronj të qytetit. Këtyre heronjve u paraprin Prometeu, që më së pari tejkalon vetveten, pastaj perënditë e tjera, për t’u dhënë dijen, dritën dhe zjarrin njerëzve.

    Prometeu eskilian është heroi, kuptimi i të cilit, domosdoshmërisht është në raport me bashkësinë e madhe njerëzore. Ai nuk është heroi që me aktin e vet distancohet, dallohet nga masat, sepse nuk ka nevojë për këtë distancim apo dallim (ai është gjysmë perëndi). Pra, ai s’është gjë tjetër, veçse abstrakti mitologjiko-filozofik i heroit të ri qytetar, që për hir të qytetit, di të tejkalojë vetveten dhe më pas bën deklaratën se: shpirti im (i tij) nuk vdes kurrë, siç e shohim në vargjet: Me dorën hekur, fat vërtitëm! Por vetëm trupin tim të mjerë, Se kurrë, kurrë un’ nuk vdes.308 Në fakt, thelbi i deklaratës së Prometeut qëndron në lidhjen harmonike ekzistenciale ndërmjet individit dhe bashkësisë. Individi i shërben bashkësisë dhe me aktin vetëmohues i hap perspektivën, ndërsa bashkësia, si memorja e pavdekshme kolektive, i siguron individit përjetësinë virtuale. Uni i Prometeut, kur u rrefen oqeanideve çfarë bëri për njerëzit, nuk është në raport me veten për të sfiduar bashkësinë apo kundërshtarin, siç është uni i Agamemnonit apo i Akilit. Madje, nuk është as si uni i Odiseut, qëllimi ekzistencial i të cilit nuk e tejkalon vetveten. Përkundrazi, uni i Prometeut është në raport me bashkësinë duke e nënkuptuar dhe shërbyer asaj në mënyrë të vetëdijshme, që nga sakrifica e deri tek vetëflijimi. Pikërisht, ky un’ është ai që ne e quajmë vetë prometeike. Kjo vetë vjen nga 308 Eskili, (Tragjeditë) Prometu i mbërthyer, i përkthyer nga Çezar Kurti. Naim Frashëri, Tiranë, 1986, fq.115. 228 229 tradita qytetare e agorave, shesheve publike të qytetit antik grek, por, ngaqë në letërsi abstragohet nëpërmjet Prometeut, nga Eskili e mbrapa, është me vend të quhet vetë prometeike. Me abstraktin e vetës prometeike Eskili është ndër të parët projektues të letërsisë botërore që do të vinte pas tij, sikurse është e natyrshme. Për modelimin e abstraktit të vetës prometeike Eskili do t’i referohej vetvetes, ndaj në këtë kuptim kjo vetë, që në krye të herës, është vulosur me karakterin dhe personalitetin e tij qytetar. Kështu Eskili mbartet nëpër kohëra letrare nga autorë të ndryshëm, e po kështu, siç do ta shohim, edhe nga De Rada, autori i poemave të njohura, me të cilat fillon letërsia e kultivuar shqipe.

     Tek Danaidet mbreti Pelazg, para se të marrë vendimin për të strehuar Danain me bijat e veta, Danaidet, këshillohet me bashkësinë. Ai ishte i ndërgjegjshëm për luftën që mund të shkaktonte vendimi për strehimin e plakut dhe vajzave të arratisura, në refuzim të martesës branda fisit. Kështu Pelazgu është figura e të urtit, që unin e vet e sheh në raport me bashkësinë. Atij nuk i duhet të përjetojë tensione dramatike, pasi vendimin do ta merrte jashtë tij, pra nga populli dhe në këtë kuptim, ky vendim është i padiskutueshëm dhe detyra e tij si mbret është vetëm ta zbatojë atë sa më mirë.

     Në të kundërt, tek trilogjia Oresti, Orestit i duhet të përjetojë tension dramatik për shkak se ai është në raport të dyfishtë: 1- me bashkësinë, që kërkon normativizimin ndërmjet matriarkatit dhe patriarkatit, 2- me nënën e vet, që i kishte vrarë babanë dhe mishëronte zakonin e vjetër matriarkal. Në fakt, koha e kishte tejkaluar zakonin e vjetër materiarkal. Për legjitimimin e së drejtës patriarkale atij i duhet të përballojë sfidën dhe të tejkalonte veten, duke tejkaluar birin brenda saj, që do të thotë se pas kësaj do të tejkalonte fare kollaj Nënën. Ndërkohë që Klitemnestra i tregon atij Nënën duke i treguar pikërisht gjirin ku e pati mëkuar (linja e tamlit), ai e kishte tejkaluar birin nëpërmjet arsyetimit se trashëgimia (nënkupto edhe 229 230 gjenetike) përcaktohet nga linja e gjakut. Prandaj, edhe pse e trondit pamja e gjoksit të zbuluar të Klitemnestrës, nuk e pengon të kryejë aktin mëmëvrasës. Përndjekja e tij prej Erinive, më tepër është përjetim i makthit, deri sa prej perëndive rivendoset ekuilibri moral që rehabiliton heroin qytetar. Athinaja, mbrojtësja e qytetit dhe perëndeshë e drejtësisë, e konfirmon të drejtën patriarkale si një ligj të ri. Pas kësaj bashkësia mori frymë e lehtësuar se u vu në vend drejtësia. Heroi përmbarues i kësaj drejtësie është Oresti, ndërsa legjitimuesja e saj është perëndesha Athina, institucioni mitologjik i së drejtës athinase.

    Tek Të shtatët kundër Tebës Eteokli është rasti kur në raport me qytetin (bashkësinë), “antiheroi” bëhet hero. Si e tillë kjo tragjedi shihej (madje edhe sot shihet dhe lexohet) në kuadrin e plotë të ciklit teban. Në raport me pushtetin, Eteokli nuk e tejkaloi veten, sepse ai e shkeli paktin për bashkëqeverisje periodike dhe në këtë rast e drejta është në anën e Polinikut. Por, duke qenë se në polisin grek e drejta orientohet jo nga interesi i individit, por nga interesi i bashkësisë (qytetit), pozicioni moral i protagonistëve këmbehet: antiheroi (Eteokli) bëhet hero, sepse i del në mbrojtje qytetit dhe qytetarëve, ndërsa heroi që mbronte paktin kthehet në antihero (Poliniku), sepse pakti kishte të bënte me interesin e tij dhe jo me interesin e qytetit (bashkësisë). Edhe Poliniku, njësoj si Eteokli, nuk e tejkalon vetveten në raport me pushtetin, por, në qoftë se gabimi i Eteoklit njësohet me paktin për bashkëqeverisje që e lidh atë me vëllanë, pakt ky i nënshkruar thjesht ndërmjet tyre dhe i pashenjtëruar, gabimi i Polinikut njësohet me atdheun, me bashkësinë. Atë pra, që antiheroi s’e bëri në raport me paktin, e bëri heroi në raport me atdheun. Duke qenë se e drejta e qytetit dhe e bashkësisë prevalonte mbi të drejtën e individit, vdekja e protagonistëve, përtej vdekjes fizike, për njërin (Eteoklin) është akti i nderuar qytetar dhe ceremonia e varrimit të tij bëhet madhështore, me të gjitha nderet e mundshme, ndërsa për tjetrin (Polinikun) është turp e kore. Prandaj atë e lënë të pavarrosur (temë më vete kjo, që bashkëkohësisht merret nga Sofokliu). Sigurisht, duhet të ketë patur modele të tjera, 230 231 të cilat fatkeqësisht kanë humbur. Kështu, në rrethanat e pranisë minimale të trashëgimisë së shkruar letrare, modelet prometeike eskiliane, si mishërime letrare të abstraktit të vetës prometeike, arritën të projektojnë më së shumti letërsinë evropiane në periudhat e zhvillimit të saj. Për shkak të këtij ndikimi ne, sot e kësaj dite, e perceptojmë letësinë si simbiozë të angazhimit të saj qytetar, nga njëra anë, dhe vlerave të mirëfillta e të pavarura artistike letrare si të tilla. Me sa duket, për këtë arsye sprova e Xhojsit me Ulisin, për disa është e dështuar, për disa e çuditshme dhe për disa të tjerë është e suksesshme. Ndikimin eskilian të abstraktit prometeik e pranon edhe Kadare, kur në esenë e cituar, Eskili, ky humbës madh, thotë: nuk e dime se si do të ishte letërsia e botës pa Eskilin. Dimë vetëm se mosqenia e tij do të prishte në mënyrë të ndjeshme drejtpeshimin e saj. Si do të ishin magjistricat e Shekspirit, si do të ishte Makbethi dhe Hamleti i tij, me se do të zëvendësoheshin fantazmat e Bankos dhe mbretit Hamlet? Mënyra të tjera do të kërkonin ndoshta dramaturgët për të dhënë brengën e ndërgjegjes njerëzore. Diçka do të gjenin, pa dyshim, por ajo që zbuloi dymijë e pesëqind vjet më pare Eskili në dhomën e tij pa libra, është e pakapërcyeshme.

     Në fakt, ajo që ne e quajtëm vetë prometeike, në përputhje me kushtet dhe rrethanat historike-kulturore, do të perceptohet qartë si veta ku projektohet Eskili në shërbim të qytetit dhe qytetarëve, madje ai përzgjidhet si i tillë. Vetëm 50 vjet pas vdekjes së Eskilit, Aristofanit iu desh t’ua rikthente atë athinasve nëpërmjet komedisë Bretkosat. Këtë ai e bëri për t’i ardhur në ndihmë qytetit të Athinës, i cili, në kohën e krizës së demokracisë skllavopronare, kishte nevojë për shërbimin e Eskilit. Ai, ndër të tjera, në duelin verbal me Euripidin, kur ky e pyet se si i mësonte qytetarët të ishin aq trima, i përgjigjet:

    Bëra një dramë me frymë lufte/ Të shtatët kundër Tebës dhe kush e pa/ Digjet për luftë/. Ndësa në fund Plutoni nxjerr në botën e të gjallëve Eskilin duke e porositur: Shko pra me gëzim, Eskil/ Dhe shpëto qytetin tonë/ Me këshilla të dobishme /Edukoi robt e marrë…/

    Në komedinë Bretkosat, Eskili është i vetëdijshëm dhe i motivuar nga raporti që ka me qytetin. Në këtë pikëpamje ai ndryshon nga Euripidi, i cili, qytetin e ka ndërruar me individin. Për herë të parë në këtë komedi del i personalizuar uni i shkrimtarit dramaturg.

    Në këtë mënyrë na jepet mundësia të perceptojmë se, në abstraktin prometeik Eskili projekton veten si poet, duke estetizuar dhe moralizuar kështu vetën e shërbimit si vetë prometeike. Meritën për këtë zbulim e ka Aristofani nëpërmjet duelit verbal midis dy dramaturgëve: Eskilit dhe Euripidit. Duke u kthyer nga bota e të vdekurve në botën e të gjallëve, pikërisht për t’i shërbyer qytetit me këshilla dhe modele heronjsh të përkushtuar ndaj qytetit, si Eteokli, Eskili mbeti i pavdekshëm si prototip i shkrimtarit të angazhuar, e më gjerë, si protptip i shkrimtarit Promete. Pas tij, qoftë në mënyrë të nënkuptuar, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, shkrimtarët do të njësohen dhe do të vetënjësohen me abstraktin prometeik. Kjo do të jetë mënyra letrare e shprehjes së angazhimit të tyre, e në fund të fundit, e shprehjes së letërsisë në funksionin angazhues të saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË