More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Poetika e vetës së parë në roman

    Skënder Karriqi: Poetika e vetës së parë në roman

    Shënime për romanin “Vajzat e mjegullës” të Namik Dokles

    Një ndër problemet që  duhet të zgjidhë prozatori, kur vendos të shkruajë prozën e tij, është  veta e rrëfimit, e cila është fokusi me të cilin ai kundron botën dhe veten nga jashtë e nga brenda. Një histori vetore e prozës, në fakt fillon si një histori mitologjike fetare, ku nuk është vështirë të shquhet inferioriteti i aedit deri në vetëflijim, për të arritur (shekuj më vonë) në momentin revolucionar të çlirimit. Përshtatur në terma të formës (gramatikore), rrëfimi prozaik si një moment flijimi (inferioriteti deri në flijim) rezulton në vetën e dytë rrëfimtare, të cilën na vjen ta quajmë si veta klasike dhe që si fakt letrar dëshmohet me lutjen që aedi Homer u bën  Muzave si më poshtë: Rrëfemëni tani muza që në Olimp banesën keni/Ju jeni hyjnesha, jeni kudo, shihni gjithçka/Ne dëgjojmë thjesht zhurmë, s’dimë kurrgjë/Cilët ishin udhërrëfyesit e Danajve dhe cilët prijësit? Pas këtij “mjerimi njerëzor” në vetë të dytë, vjen rrëfimi i epërsisë hyjnore në vetën e tretë  edhe si triumf i narrativës hyjnore. Pikërisht kjo narrativë hyjnore, edhe pse lëkundet për një moment nga kapriçua hesiodike e ligjërimit për veten, stilizohet dhe legjitimihet si vetë e të gjithdijshmit, së cilës nga dekada në dekadë, nga shekulli në shekull, do t’i zbeheshin shenjat imagollogjike të Muzës rrëfimtare, duke u bërë, gjithnjë e më padurueshëm, një vetë abstrakte, pa imazh, pa sens, sidomos në kontekste kur qenia, gjithnjë e më shumë triumfalisht, kërkon të provojë praninë e saj, kërkon vëmendje, aq më tepër kur ajo është një qenie krijuese.  Pikërisht në këto kontekste (ku qenia, sidomos ajo krijuese) kërkon vëmendje, jemi në momentin revolucionar të çlirimit të vetës autoriale prej vetës pa imazh, pa sens; prej vetës së tretë të gjithdijshme.  Sigurisht në këtë moment çlirimi (prej vetës së tretë) vjen konfirmimi i vetës së parë si vetë autoriale, e cila, për ta tejkaluar veten, për ta rritur atë, për t’u njesuar me ngjarje, epoka, kontekste dhe përmasa përtej masës  njerëzore, do të shfrytëzonte format gramatikore të vetës së tretë (por jo vetën e tretë).

    Këtë histori vetore të artikuluar shkurt si më sipër ti si lexues e gjen në finalen e saj të mishëruar në mënyrë të shquar imagollogjike në romanin: “Vajzat e mjegullës” të autorit Namik Dokle, sidomos kur kërkon të motivosh shkrimin në vetë të parë të këtij romani, i cili, edhe pse i botuar në vitin 2015, vazhdon të tërheqë vëmendjen e mendimit kritik. Me siguri forma klasike e vetës së tretë (si vetë e rrëfimtarit të gjithdijshëm) do t’ia bënte autorit,  të largët, pa imazh të shquar dhe të pandjershëm (sidomos përkundrejt detyrimit për të qenë neutral) pikërisht atë botë, të cilën ai e ndjente se duhet t’i qëndronte sa më afër. Është kjo situatë fenomenologjike që, përveçse ka përcaktuar shkrimin në vetë të parë, ka bërë që intuitivisht autori Namik Dokle  të kërkojë dhe të përzgjedhë rrugë të tjera stilistike, falë të cilave do të tejkalohej stili kronik.

    Që në fjalinë nistore të romanit autori shenjon një distancë kohore të përpiktë (57 vjeçare, jo, fjalavjen rreth 60-vjeçare) me kohën reale kur kanë ndodhur ngjarjet që do të rrëfehen në shtjellim e sipër të subjektit. Shenjimi i kësaj distance të përpiktë kohore nuk mund të jetë për ne thjeshtë një mënyrë  fillimi e rrëfimit dhe kaq. Në fakt, distancimi 57-vjeçar i kohës së rrëfimit nga koha e ngjarjeve, është në përmbajtje stilistike, ajo fjalia nistore, të cilën autorët e kërkojnë me këmbëngulje, ndonjëherë edhe për një kohë relativisht të gjatë, racionalisht të bindur (dhe jo si bestydë) se pas saj rrëfimi do t’u shkonte mbarë. Autori Namik Dokle, duke shenjuar distancën kohore (si distancë në raport me veten) motivon gramatikisht dhe stilistikisht jo vetëm rrëfimin në vetë të parë, por edhe figurën e kësaj vete si veta fëmijënore e rrëfyesit, pas së cilit qëndron autori.  Kështu, në këtë moment nistor lexuesi percepton mishërimin e parimit stilistik, sipas të cilit, në rastin konkret (tek romani “Vajzat e mjegullës”) informacioni nuk është një e dhënë në vetvete por ai ka funksion të dukshëm stilistik.

    Rrëfimi në vetë të parë, sigurisht, fillon nga vetja, por jo për të mbetur aty, tek vetja. Për të qenë edhe një rrëfim epik (në kuptimin gjinor të fjalës) rrëfimi në vetë të parë duhet ta tejkalojë veten (në kuptimin e ngushtë të kësaj fjale) duke u ndërkëmbyer sipas rastit nga rrëfim për veten, në rrëfim për tjetrin apo për të tjerët. Në këtë mënyrë, rrëfimit në vetë të parë i duhet të çlirohet nga drejtimi konvergjent me pikë konvergimi vetën e parë (une/ne), për të kaluar në një situatë stilistike divergjente, me një hapësirë sa më të plotë, ku pikërisht prej vetës së parë rrëfimtare do të instalohen edhe veta të tjera, por jo si zëra të veçantë  rrëfimtarë. Në të vërtetë ata janë zëra thjesht të rrëfyer nga veta e parë. Sa u shestua më lart gjendet e mishëruar stilistikisht në romanin “Vajzat e mjegullës”, ku rrëfyesi në vetë të parë, nga i tillë, duke tejkaluar veten, ndërkembehet me rrëfyesin për të tjerët, duke rrëfyer në këtë mënyrë edhe historinë e rritjes së vet, në një kuadër të gjerë kohor, 57-vjeçar.

    Në romanin e prozatorit Namik Dokles rrëfime të tilla të vetës së parë për vetat e tjera, më së shumti për vetën e trëtë, por edhe për vetën e dytë, siç janë p.sh. rrëfimi për Majkën, rrëfimi për  Salkon, rrëfimi për mësuesin, rrëfimi për vajzat, rrëfimi për Plakën e Shqipërisë, rrëfimi për Sinan Pashën etj, edhe pse jo në masën e një njësie të plotë episodike, të krijojnë idenë e një distance ndërmjet vetës së parë rrëfimtare dhe vetës së tretë të rrëfyer, distancë kjo, e cila nga ana e saj të krijon iluzionin e pavarësisë së vetës së tretë, deri edhe qenien e saj si zë i veçantë rrëfimtar. Në të vërtetë, nuk ka një zë tjetër rrëfimtar përveç vetës së parë. Ka vetëm një rrëfim gramatikor në vetë të tretë të bërë nga veta e parë rrëfimtare. Në këtë mënyrë, iluzioni i pavarësisë së vetës së tretë nga veta e parë rrëfimtare mbetet thjesht efekt i lojës stilistike vetore të autorit Namik Dokle, për të tejkaluar vetën e parë, e cila, pa instalimin e vetave të tjera, do ta ngushtonte rrëfimin në kufijtë e stilit autobiografik. (Mbase Fan Noli pikërisht këtë lloj efekti ngushtues deshi të shmangte , kur autobiografinë e vet e shkroi në vetën e tretë).

    Kur flasim për linjë rrëfimi, do të ishte shpërdorim përcaktimi i saj si shumëplanëshe. Në këtë kuptim na duket i dyshimtë togfjalëshi linjë shumëplanëshe (e rrëfimit), me të cilin  ndonjë studiues shpjegon veçori të rrëfimit në romanin “Vajzat e mjegullës”. Në këtë roman rrëfimi është linear dhe ky linearitet vjen gjithë stil nga rrëfyesi në vetë të parë, si rrëfim i rrëfimit të rrëfimit, ku spikat figura e gjuhës si strukturë sociale në periudha të ndryshme kohore. Fjalavjen, në këtë roman, nga një distancë 57-vjeçare, rrëfyesi rrëfen rrëfimin e djalit 12 vjeçar, i cili rrëfen rrëfimin e Majkës, e cila rrëfen rrëfimin e Sinanit, i cili rrëfen rrëfimin për plakën e Shqipërisë etj.

    Në esenë “Gjuha e romanit” studiuesi i njhur rus Michail Bahtin, kur i referohet gjuhës së romanit, e sheh atë, në një kuptim të gjerë,  jo si gjuhë të autorit, por si gjuhë të epokave apo periudhave historike, të cilën autori, në rolin e rrëfyesit (qoftë në vetë të parë, qoftë në vetë të tretë), e mbart nga kontekstet historiko-kulturore. Në këtë mënyrë ai e shquan figurën e gjuhës së romanit si një tërësi të folmesh dhe stilesh që e karakterizojnë gjuhën në kontekste romanore. Një figurë të tillë të gjuhës romanore e shohim edhe në romanin “Vajzat e mjegullës”, ku shquhet e folmja e fshatarëve të Gorës, e folmja e përfaqësuesve të pushtetit të ri komunist, e folmja e grave, e folmja historike e personazheve historikë (Sinan Pasha), e folmja etnografike e personazheve përrallorë (Majka), stili etnografik i formulave të mallkimit, ku të bën përshtypje relievi gjuhësor etj.

    Në kërkim e sipër të veçorive të gjuhës romanore si më lart, në romanin “Vajzat e mjegullës” mund të shquajmë tregues të qartë stilistikorë, të cilët, si të tillë, përveçse komunikues, e bëjnë të veçantë dhe tërheqës rrëfimin në këtë roman. Kështu mund të dallohet përdorimi stilistik i ligjëratës së drejtë dhe të zhdrejtë. Në qoftë se e para  me natyrën e vet i jep mundësi autorit  që në mënyrë të drejtpërdrejtë të përcaktuar të sjellë veçori të gjuhës së personazhit, si aspekt i ghuhës romanore, e dyta i jep atij të njëjtën mundësi, veçse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në mënyrë të ftilluar nga rrëfyesi. Garanci që të dyja ligjëratat (e drejtë dhe e zhdrejtë) sjellin veçori të gjuhës së personazhit si aspekte të gjuhës romanore (tërësi të folmesh dhe stilesh që e karakterizojnë gjuhën në kontekste romanore) është fakti gramatikor (sintaksor) i përcaktimit apo sipas rastit, ftillimit të ligjëratave nga folje të tilla si: them, dëgjoj, paralajmëroj, gjykoj, mendoj, pyes etj, semantika e të cilave, në një mënyrë apo në një tjetër, lidhet me  perceptimin  e ligjeratës, dëshmimin e saj si akt gjuhësor (tha, thirri, pyeti dëgjoi, paralajmëroi etj) dhe si mendim (mendoi, gjykoi, vlerësoi etj). Ndër shembujt e shumtë, më poshtë po sjellim nga një sipas llojit. Ligjëratë e drejtë: “Mos u trembni”, u thirri ai, “s’kam punë me të tjertat, veç me atë që preka. Shko e u thuaj në shtëpi se të vura beleg dhe s’mund të martohesh me tjetër veç meje. Do të të gjej edhe me u mshelë si arrat në gëzhytër”, (fq 25).Ligjëratë e zhdrejtë: I pashë me inat dhe mendova sa mirë po vinte ai aksion t’i rrëmbente, t’u shuhej virrma e të mos na tregonin me gisht ne që ishim të detyruar të hanim bukë tërshëre të përzier me misrin e Murselit nga Orgosta.(fq 24). Por çështja e përdorimit stilistik të ligjëratave nuk na rezulton të jetë kaq e thjeshtë, kur është fjala për romanin “Vajzat e mjegullës”. Në kërkim e sipër, mund të konstatohet me lehtësi se autori Namik Dokle është inkoherent në zbatimin e rregullatve të përdorimit të thonjëzave dhe gramatikat përkatëse të ligjëratave, por që në fakt kemi të bëjmë me rastin e një inkoherence poetike, siç do të përpiqemi ta shpjegojmë më posht.

     Në këndvështrimin teorik studiuesit kanë dalluar, ndër të tjera, ligjërimin e jashtëm dhe ligjërimin e brendshëm. Ligjërimi i jahstëm është gramatikor, pasi qëllimi i tij është komunikimi i zëshëm i mesazhit tek të tjerët, gjë që nuk mund të realizohet pavarësisht konvencioneve gramatikore. Ndërsa ligjërimi i brendshëm mund të jetë edhe jogramatikor, pasi qëllimi i tij nuk është komunikimi i mesazhit tek të tjerët, por përdorimi me shkathtësi dhe me stil i gjuhës për të arritur vetëshprehje në shkallën më të lartë dhe efekte zbavitëse estetike në vetvete, nëpërmjet gjuhës. Ligjërimi i brendshëm, duke qenë potencialisht një ligjërim edhe jogramatikor ka premisën e artë për ta çliruar autorin nga “burgu i gjuhës”. Në lidhje me “produktet” e ligjërimit të brendshëm si ligjërim jogramatikor, autorit i duhet ose t’i mbajë ato për vete, të papublikuara, ose të gjejë rrugë kompromisi, në mënyrë që shkelja e konvenciponeve gramatikore nga ana e tij të jetë e tolerueshme nga lexuesi, në këmbim të  përjetimit të efekteve zbavitëse estetike në vetvete, të arritura nëpërmjet përdorimit me shkathtësi dhe me stil të gjuhës.

    Në përgjithësi, autori Namik Dokle, për të sjellë figurën e gjallë të gjuhës, fjalët, shprehjet, fjalitë apo frazat e personazheve i fut në thonjëza, sipas rregullave të përdorimit të tyre dhe sintaksës së veçantë në këto raste.  Por  në shumë raste ai nuk e zbaton këtë rregull, i cili e dallon gjuhën e tij nga gjuha e personazhit, qoftë në pikëpamje stilistike, qoftë në pikëpamje shkrimore formale. Neglizhimi i këtyre rregullave, më tepër se sa i tillë, është në fakt një reagim i vetës së parë rrëfyese, për të qenë sa më afër, sa më brenda, mundësisht i shkrirë, me personazhet e rrëfyera dhe kohën që rrëfen (me të cilën është në një distancë 57-vjeçare). Për sa thamë, mund ta  vërejmë në shembujt si më poshtë: “Po cila është kljo Majka?”, pyeti Mësuesi. “A nuk e njeh? Është një plakë që ka bërë dyqind apo treqind vjet mbi këtë tokë dhe që vdekja e ka harruar, e ka shtëpinë këtu afër, ajo të shëron me magji. Edhe mua më ka shëruar…”. (fq. 34). Ajo më vuri re dhe më tha, ik se të  bëhet merak nëna, unë me Mësuesin do të flasim për punët e dy botëve. (fq. 39). Në këta dy shembuj mnud të shihet rasti korrekt i përdorimit të thonjëzave (shembulli i parë) dhe rasti i neglizhimit të përdorimit të thonjëzave (shembulli i dytë). Në qoftë se në shembullin e parë autori është koherent me rregullat përdorimit të thonjëzave, duket se ai nuk është aspak koherent me rregullat sintaksore të fjalisë dhe të tekstit, pasi sipas këtyre rregullave, fjalitë: “e ka shtëpinë këtu afër” dhe “ajo të shëron me magji” duhet të ishin fjali të thjeshta, më vete, të ndara me pikë në tekstin përkatës. Po kjo nuk ka ndodhur, jo për neglizhencë të rregullave të sintaksës, por për shkak të figurës së ritmit të shprehjes së rrëfyesit, ritëm ky që për shkak të emocionit të shprehjes,  nuk e suportonte pikën si ndërprerje relativisht të gjatë të ligjërimit. Për këtë arsye legjitimohet një lloj tjetër lirie poetike pëkundër sintaksës së fjalisë. Ndërsa në rastin e dytë, ku autori e neglizhon përdorimin e thonjëzave duke u përpjekur të ruaj në mënyrë fiktive formën e ligjëratës së drejtë, ndihet se për këtë arsye rrëfyesi është në raporte intime me gjuhën e përsonazhit (Majkës në rastin tonë), raporte këto që edhe në këtë rast legjitimojnë arsyen e mospërdorimit të thonjëzave dhe  sintaksën e veçantë. Në të dyja rastët inkoherenca në lidhje me shenjat e pikësimit dhe rregullat  sintaksore është e tolerueshme nga lexuesi, në këmbim të poetikës së figurës së ritmit ekspresiv dhe intimitetit të rrëfyesit me gjuhën e personazhit, si veçori të poetikës së vetës së parë rrëfimtare në romanin “Vajzat e mjegullës”, i cili ka tërhequr dhe vazhdon të tërheqë vëmendjen e opinionit letrar dhe mendimit kritik letrar brenda dhe jashtë vendit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË