More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Një skicë e prometeikes në letësinë shqipe, nga De Rada...

    Skënder Karriqi: Një skicë e prometeikes në letësinë shqipe, nga De Rada tek Poradeci

    Kur është fjala për shtjellimin e temës prometeike në letërsinë shqipe të Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë, që në fillim ndeshesh me mungesën e pranisë së drejtpërdrejtë të heroit mitologjik, titanit Promete, edhe pse ai është universalizuar përgjatë shekujve letrarë. Tek asnjë nga autorët e këtyre dy periudhave letrare nuk rimerret Prometeu dhe miti i tij në kuptimin e subjektit letrar, me anë të të cilit të parabolizohen ide të Rilindjes Kombërarë apo të Pavarësisë. Gjithashtu ai nuk përmendet si hero modelues apo frymëzues, në një kohë që formimi kulturor dhe letrar i  autorëve të të dyja periudhave dëshmon njohjen e antikitetit klasik dhe periudhave të mëvonshme kulturore-letrare evropiane e më gjerë. (Duhet përjashtuar këtu rasti i Konicës, për të cilin do të shprehemi më poshtë, sa na lejojnë përmasat e këtij shkrimi).

       Gjithsesi, në letërkëmbime apo biseda, siç është rasti i De Radës, Prometeu përmendet në mënyrë të atillë metaforike, me të cilin autori vetidentifikohet, duke shenjuar me figurën e titanit gjithë aktivitetin e vet letrar dhe joletrar, por gjithsesi, politik. Po në krijimrarinë poetike të De Radës, këtij themeluesi të letërsisë së mirëfilltë artistike shqiptare, gjejmë hijen e Prometeut tabu, të eufemizuar si perëndia që nxori njeriun në dritë, shohim gjithashtu, ngjashëm me Gëten, figurën e krijuesit që gjen brenda vetes  pishtarin me të cilin ai do t’u ndriçojë brezave udhën e lirisë dhe të progresit. Këtë ndjesi të brendshme De Rada do ta ngrejë në nivelin e një parimi estetik, që duhet të dallojë cilësisht veprën letrare. Tek krijimtaria poetike e De Radës e ka zanafillën edhe heroi lirik shqiptar, i sublimuar në hapësira dhe distanca majëmalesh, kodrash, brigjesh, çukash, timbash etj, veçori romantike kjo, të cilën studiuesit e shohin të lidhur në pikëpamje gjenetike, me serinë e imazheve të Prometeut të lidhur në shkëmbin e Kaukazit. Së fundi, gjejmë tek De Rada, projektin ideal të Shqipërisë së pavarur, asociuar me imazhin dritësor të yjeve dhe të ditës së bardhë. Ky projekti ideal i De Radës për të ardhmen e Atdheut të të parëve s’ka se si të mos jetë i lidhur me dritën shkëlqimtare  që i jep kuptim ati (projektit) ngjashëm me projektet ideale të romantikëve evropiane, veçanërisht preromantikut Gëte.  

    Në krijimtarinë poetike të Naim Frashërit, ideja dhe disponimi prometeik vijnë me metaforën e qiririt, që sakrifikohet për ndriçimin dhe vëllazërimin e njeriut, si dhe nëpërmjet metaforës së fyellit, si parabol e heroit të pakuptuar, që vuan për njerëzit, por më shumë vuan faktin që është i pakuptuar prej tyre. Gjithashtu, Naim Frashëri, në mënyrë qartësisht poetike, vjen edhe si heroi lirik i sublimuar  në lartësi majëmalësh dhe në marrëdhënie me distanca hapësinore, nga ze fill poetizimi i atdheut. Kaq mbresëlënës është imazhi  sublim i tij në këto rrëthana, sa ai dominon gjithë krijimtarinë poetike naimjane, pas botimit të poemës Bagëti e Bujqës ( 1886). Eshtë imazhi prometeik me të cilin vetëpoetizohet poeti i atdheut. 

    Në imazhin prometeik të poetit që mediton në distancë majëmali duke sjellë perceptimin poetik të fshatit …/… me kishe me varre,Rrotull ca shtëpi  / Të vogëla fare /, shenjë kjo e poetikës së distancës romantike në raport me objektin poetik, vjen edhe Çajupi me vëllimin Baba Tomorri. Pikërisht nga kjo distancë majëmali heroi lirik mediton për gjendjen e mjeruar të gruas shqiptare dhe stigmatizon moralin maskilin, që e legjitimon atë gjendje.    

    Tek poemthi Liria, Mjeda do të vijë me imazhim  e heroit prometeik të izoluar. Edhe pse në rrëthana të tilla, ai e tejkalon shërbëtorin e Zotit dhe i drejtohet simbolit totemistik të shqiptarëve, Shqipes, për të mësuar të ardhmen e lirisë së popullit shqiptar. Më pas teksti modelohet në mënyrë të atillë, që eklipson dialogun e Shqipes me poetin. Në mënyrë të nënkuptuar, thelbi i këtij dialogu është informacioni mbi lirinë e Atdheut dhe të ardhmen e tij, informacion ky që vjen së larti; jo nga muza antike apo Zoti unik, por nga totemi i shqiptarëve, falë topikës dominuese në lartësi dhe hapësirë. Në këtë mënyrë autori legjitimon vetën prometeike si trumbetar i lirisë, hero prometeik që zgjon politikisht popullin dhe e orienton zemërimin e tij për kah liria. 

    Në poezinë e Nolit, prometeikja vjen në imazhin e çlirimtarit, por dhe  heroit të pakuptuar, nëpërmjet poetizimit episodik të subjektit biblik mbi jetën e Mojsiut dhe Jezus Krishtit, përkatësisht në poezitë: Mojsiu në mal, Krishti me kamçikun, Marshi i Krishtit, Marshi i Kryqësimit dhe Kryqësimi. Në poezinë Anës lumenjve, heroi prometeik nolian vjen në imazhin e të syrgjynosurit, (parabol për vetveten) si figurë mesianake, që paralajmëron lëvizjen e gjerë politiko-sociale që do të sjellë lirinë e vërtetë.Në këtë poezi  konfirmohet në një regjistër të admirueshëm poetik veta prometeike. Sipas modelit titanik janë paraqitur edhe figura nga antikiteti grek dhe historia e Shqiperisë (periudha e viteve 20-të, kur vetë poeti ishte protagonist në skenën politike shqiptare). Në imazhin heroik të lajmëtarit të fitores, që do të thotë lirisë, vjen Maratonomaku, i detajuar në përmasa titanike nëpërmjet hiperbolës: Gryka si gjyryk të çfryn / Prej vullkani flag e tym /. Po në përmasa të tilla titanike, duke shtuar edhe përmasën sociale, metaforizohen e detajohen edhe bashkëluftëtarët e poetit, si Bajram Curri: Dif dragoj i Dragobisë, /  Trim tribun i Vegjëlisë. …/ Legjendar Ante po rritesh- /, apo Luigj Gurakuqi: Ky Vigan Liberator/. 

     Konica, ndër të paktët që në esenë Jeta dhe librat sjell në vëmendjen e lexuesve figurën e Prometeut dhe vlerëson tragjedinë e Eskilit, në Katër përralla nga Zullulandi, vjen me historinë prometeike të Plugut, (edhe këtu parabol për vetveten) i cili, pas përpjekjeve të mundimshme për të zgjuar ndërgjegjen politiko-sociale të fisit të tij, Zulluve, përndiqet nga turma e paditur, që udhëhiqet nga demagogu injorant Deni Sepa Llupa dhe detyrohet të ngujohet në shpellë, duke përkuar në këtë mënyrë ( ngjashëm si tek Noli) me mesianizmin social që kemi parë në variante evropiane.

     Ndërsa heroi prometeik i Koliqit, edhe pse vjen nga Perëndimi me ideale të qarta dhe i vendosur t’i përkushtohet qytetërimit të mjedisit social konservator, nga ku ka origjinën,  nuk arrin ta tejkalojë Hijen e maleve, duke mbetur thjesht një shembull argumentues i  teorisë psikanalitike mbi rrënjët e moralit zakonor në subkoshiencë.  

    Përveçse tek Koliqi gjejmë imazhin e heroit lirik që mediton në majamalesh, ngjashëm me modelin prometeik, në Pasqyrat e Narcizit distanca perspektive romantike vjen ngjashëm edhe me modelin e Narcizit. Kështu sipërfaqja e pellgut të çuterit ( kroit), pusit, liqenit, apo sipërfaqja e një pasqyre, imazhohet si hapësira  informacioni mbi të cilin mediton heroi lirik, për të arritur tek rrënjët e tij etnike.

    Edhe pse tek Migjeni vihet re predispozita prometeike e heroit lirik të angazhuar në lidhje me probleme të mprehta sociale, përgjithësisht ai nuk e tejkalon pesimizmin, duke mbetur figura e vetës poetike të pafuqishme përballë malithesht dhe qeshet me të. Ai nuk arrin të shfaqet në përmasa titanike për ta tejkaluar këtë mal, nuk e tejkalon dot dhomën e erret dhe në vend që të gjejë brenda vetes pishtarin, kërkon dritë. Ndoshta qe sëmundja që e pengoi këtë zë poetik të fuqishëm denoncues, të arrijë përmasat prometeike. Nga ana tjetër sensi realist mund ta ketë penguar atë t’i referohet modelit romantik të heroit lirik, i konceptuar poetikisht ngjashëm me modelet mitologjike titanike.

       Lasgush Poradeci e ndërton parabolën prometeike sipas modelit natyror dhe të Gjeniut.  I pari mishërohet poetikisht në poezinë Vdekja e Nositit, nëpërmjet së cilës vetëflijimi poetizohet si rregull tragjik i vazhdimësisë së brezave. Ndërsa i dyti sendërtohet në poezinë Gjeniu i anijes, ku spikat akti vetflijues i Gjeniut për të hapur rrugë të pashkelura të filozofisë së triumfit mbi vështirësitë e jetës : Se po lë vazhdën e ndritur- /  Q’e hapa me shpirtin fatos:- / Fistoni gazmor ku pat shkitur / Valim-i anijes q’u sos . /  

    Ky vështrim i shkurtër përgjatë dy periudhave të letërsisë shqipe, Rilindjes dhe Pavarësisë, është i mjaftueshëm për të konstatuar praninë e prometeikes si strukturë karakterizuese, e cila dëshmohet qartë nëpërmjet vëtes së parë, topikës së sublimimit të heroit lirik në maja malesh, kodrash, bregoresh, timbash etj, metaforës, dhe alegorisë, duke reflektuar një sens të qartë parabolik. Është pikërisht prania konstante e kësaj strkture, me të cilën lidhet fryma prometeike, që karakterizon letërsinë e këtyre dy periudhave letrare, në pikëpamje përmbajtësore, si një letërsi e angazhuar për ringjalljen e idesë kombetare (Rilindja) dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare (Pavarësia).

    Bërthama e këtij angazhimi letrar është autori, i cili, përveçse transfigurohet brenda subjektit epik apo lirik më së shpeshti nëpërmjet vetës së parë, përndryshe vetës prometeike, edhe kur shprehet në vetën e tretë, e realizon këtë transfigurim nëpërmjet rastit autobiografik, si raport i vetës autoriale me masën, shoqërinë në një moment të caktuar historik. Pikërisht nga ky raport angazhues përftohet figura e autorit hero, misionar, për të ndriçuar e hapur perspektiva të reja kombëtarë e sociale.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË