Rreth librit të prof. Anton Nikë Berishës, Martin Camaj: “Letërsia ashtë jeta ime e vërtetë”. – 49 letra të tij – dhe teksti i bisedës i vitit 1990, Shkup 2021
Martin Camaj (1925 – 1992) është ndër shkrimtarët tanë më të shquar bashkëkohorë. Veprimtarinë e tij letrare e nisi në Prishtinë, e vazhdoi në Romë dhe në Munih të Gjermanisë[1]1. Edhe si gjuhëtar na la trashëgim një varg punimesh e studimesh me vlerë. Po kujtoj këtu vetëm studimin për “Mesharin” e Gjon Buzukut[2]”, “Albanian Grammar with Exercises, Chrestomathy and Glossaries[3]” dhe La parlata arbëreshe di San Costantino Albanese[4].
Në studimin e tij monografik “Vepra letrare e Martin Camajt, të botuar për herë të më 1994 në Kozencë[5], prof. Anton Nikë Berisha, shkruan: “Në letërsinë tonë bashkëkohore janë të paktë shembujt që vepra letrare e një autori, përkatësisht qasja dhe interpretimi i saj, të vënë para sprovave kaq të rënda si ajo e Martin Camajt. Ky mendim përligjet nga fakti se krijimtaria e tij letrare është komplekse: ka një botë burimore e të pasur tematike-motivore e poetike dhe cilësohet me një strukturë të veçantë dhe të mëvetësishme gjuhësore shprehëse dhe me një sistem origjinal dhe të ndërliqshëm kuptimor. Si e këtillë edhe receptimi i saj kërkon shumë më tepër përkushtim e dije sesa leximi i një vepre të zakonshme letrare. Them kështu për arsye se vepra e tij poetike është, para së gjithash, fryt, me një anë i aftësisë krijuese e përfytyruese (imagjinative) dhe, më anë tjetër, i përkushtimit të madh krijues. Në veprat e tij Camaj zbatoi atë që theksonte me të drejtë Lasgush Poradeci: “[…] poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin e fjalëve[6]”.
Në botimin e dytë të këtij studimi të bërë në Tiranë më 2000[7], prof. Berisha boton dhe dy letra të Martin Camajt[8] dhe njëherit bën të ditur edhe për faktin se ka rreth 50 letra që shkrimtari i madh ia kishte nisur atij, letërkëmbimi që kishte zënë fill nga gjysma e dytë e janarit të vitit 1979 e vazhdon deri në maj të 1991 – shit.
Në letrat e Martin Camajt dërguar Anton Nikë Berishës, që po botohen për herën e parë në libër, shpaloset thellësisht bota e shkrimtarit dhe rrjedha e veprimtarisë së tij, jo vetëm në fushën e letërsisë, po dhe në atë të gjuhësisë dhe më gjerë.
Letrat ndriçojnë një varg dukurish që lidhen me jetën e tij, në Shqipëri, në Beograd, në Romë dhe në Munih, shfaq mendime për veçantitë e stilit, rëndësinë që i kushtoi gjuhës, pastaj për përkushtimin dhe mënyrën e hartimit dhe te botimit të veprave, po shpreh dhe dëshirën që ato të përhapën në trojet shqiptare, sidomos në Shqipëri, ku vepra e tij ishte ndaluar. 4 shkurt 1979: “Qëllimi dhe qëndrimi i vërtetë imi ashtë letërsia: nuk ka pasë një ditë tash 50vjet e këndej që nuk e kam formulue me mend apo me shkrim së paku një ide letrare: letërsia asht jeta ime e vërtetë” (Nga letra: Lenggries, 4. 2. 1979.)
Në letra e Martin Camajt jepet, siç u tha, dhe çështje e të dhëna konkrete për punën që ka bërë me disa nga veprat e tij letrare, siç thuhet në letrën e dt. 10 maj 1991: “Djella i përket fazës së parë në ‘kapërcyell’ ku lidhet tradita letrare me stilin specifik (ose me mesazhin specifik timin). Andaj ndonëse në dukje, duket gjâ e thjeshtë, struktura e kësaj vepre dhe pyetjet që vehen janë fort të kapërthyeme. Aspekti poliedrik mue si autor më ka shti në probleme që jam mundue t’i shkoqis në të gjitha veprat që ndjekin. Disa njohës letrarë të kujdesshëm, bashkë me Dranja (dy emna femnash!) e gjykojnë Djellen si ‘hoher Punkt’[9]3 në krijimtarinë time.
Por… në përpunimin për edicionin e dytë Djella u integrue plotësisht në veprat e ‘pjekuna’, pa e humb freskinë, si thashë, të venës së ré. ‘Përpunimi’ ka kalue nëpërmjet atij procesi krijues të një vepre origjinale, andaj gjithçka zgjati një vjet, dy e tre kapituj në muej, pa u ngutë. Djella doli 77 faqe në dorëshkrim.
Tash në fund më duket se kjo variante do të dalë me një origjinalitet që s’kanë veprat tjera. Ashtë bâ përmes prozës një hymnizim poezisë”. (Lenggries, 10 maj 1991).
Në letra Camaj shpalos dhe qëndrimin e tij për marrëdhëniet me miqtë nga Prishtina, ku kishte botuar dhe dy veprat e para me poezi “Nji fyellndër male” (1953) dhe “Kanga e vërrinit” (1954): “Kuvenduem disa herë edhe për qëndrimin tim kundrejt botës sonë; nuk e di sa ka qenë e nuk ka qenë e drejtë, por gjithherë jam përpjekë të jem korrekt (prap po i shmangem fjalës ‘dashuni për vend e popull’!) Qe, tek tema ku due me dalë pa lakime: ta kam thanë dhe besoj se nuk ta kam shkrue, dëshira ime ka qenë gjithmonë me ndejë në kontakt me punën e përmes punës e zejes me ju. Ky kontakt duhet thanë se me ju në Kosovë e me miq e shokë të shkollës të Belgradit[10] etj., nuk ashtë shkëputë: kur jemi takue mbas dhjeta vjetësh, si unë si ju jemi kujtue se koha e rrethanat njerëzisht nuk na kanë ndá.
Me ju në Prishtinë, natyrisht, kam pasë gjithnjë tjera dëshira kontakti, por kam qenë edhe pakëz i rezervuem, shpesh që mos të keqkuptohet dëshira ime e kontaktit, ndonëse nuk kanë kalue kurrë ma se dy vjet pa ia qitë ndër mend se due me mbetë mik e dashamirë pa zhigla. Kjo ishte lehtë fort sepse dihej nga të dyja palët se kontakti mbeste prore në një fushë, në letërsi e shkencë.
Me kohë jam ftohë fare (prap rezervë!) sepse kolegët (disa mocatarë) e kanë vu theksin në kontakt me mue në bazë levantine, na malësorët kishim me i thanë fjalët e mira e gurët në strajcë. Shndërrimi i mendimeve me ty qe je një brezní ma e re më ka ba fort mirë dhe për këtë të falnderoj fort e fort!” (Lenggries, 12. 5. ’85).
Në letrën e dt. 19 shkurt 1985 Camaj i shkroi Berishës midis të tjerash: “[…] të falnderoj për letrën tande të përzemërt! Edhe për mue ka qenë një diskutim i dendun dhe fort frytdhanës me Ty, ma së pari sepse ti e ke lodhë menden dhe tue e lodhë (e kam fjalën në krahasim me gjeneratën) me të tashmen posepo, po edhe me të kaluem. E ardhmja thonë malesorët “asht në dorën e Zotit!”. Gjaja që ban kuvendimin të frytshëm mandej ashtë sinqeriteti dhe unë e çmoj deri aty ku s’vete ma. Ju jeni të rij, por jeni ballafaque me probleme ekzistenciale heret e jeni pjekë. Ti prej takimi të parë deri tash ke ba përparime në çdo pikëpamje dhe kjo më nxiti në kuvendim. Të lumtë! Shumëkush kënaqet me plotësue disa anë formale gjatë përgatitjes intelektuale e për thelbin e punës as që lodh menden!” (Lenggries, 19. 2. 85).
Në letra ka dhe ndonjë porosi, edhe pse Martini u bishtëron atyre që janë të drejtpërdrejta: “[…] po due me thanë diçka tjetër se gjuha që kemi dhe arti i popullit tonë… mund të na qesë në dritë gjithsesi. Mundonju, thueju shokëve, ta shkruejnë mirë shqipen!”
Vlerë më vete kanë dhe tri letrat e Anton Nikë Berishës nisur Camajt, përmes të cilave dëshmohet dukuritë që janë shtruar midis tyre, mënyra dhe stili i letërkëmbimit midis këtyre dy intelektualve tanë.
•
Edhe botimi i tekstit të bisedës me Martin Camajn, që botohet në shtojcën e parë, e ka rëndësinë e vet të pamohueshme. Në të jepen disa mendime e të dhëna që asnjëherë tjetër Martini nuk i kishte shprehur në mënyrë publike. Këtë gjë e thotë vetë në letrën e dt. 26 qershor 1990, të shkruar në Munih, përmes së cilës i bën të ditur Antonit se po i niste tekstin e bisedës: “Këtu po të mbyll intervistën […] S’kam folë asnjëherë ma qartë për veprën time e disa mendime të mia, andaj të lutem të dalë pa gabime shtypi që të citohet drejtazi nga studiuesit”.
Në fund e falënderoj prof. Anton Nikë Berishën që botimin e këtij libri ia besoi Institutit tonë.
[1] 1 Vepra në gjuhën shqipe të Martin Camajt:
Nji fyell ndër male. Prishtinë 1953; Kanga e vërrinit. Prishtinë 1954; Djella. Romë 1958; Legjenda. Romë 1964; Lirikë mes dy moteve. München 1967; Rrathë. München, 1978; Njeriu më vete e me tjerë; München 1978; Dranja. München 1981; Shkundullima. München 1981; Poezi (1953-1967). München 1981; Karpa. München 1987; Pishtarët e natës. “Buzuku”, Prishtinë 1991; Në hijen e gjarpnit. “Jeta e re”, Prishtinë 1991; Palimpsest. München 1991; Kandili argjandit. Dramë. “Radhonjtë e Zjarrit” n. 17. Kozencë 1993; Djella (Versioni i përpunuar). “Buzuku”, Prishtinë 1994.
Vepra të përkthyera: Poesie. Trans. Francesco Solano. Centro internazionale di studi albanesi “R. Petrotta” Facoltà di Lettere e Filosofia Università Di Palermo, Ediprint-Siracusa, Palermo 1985; Selected Poetry. Trans. Leonard Fox. New York University Press, New York-London, 1990; Gedichte. Trans. Hans-Joachim Lanksch. Kyrill & Method Verlag, München 1991; Palimpsest. Trans. Leonard Fox. München – New York, 1991.
[2] Martin Camaj, Il “Messale” di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi. “Shêjzat”, Roma 1960.
[3] Albanian Grammar with Exercises, Chrestomathy and Glossaries (Collab. On and translated by Leonard Fox), Otto Harrassowitz, Wiesbaden 1984; Fjalëformimi në gjuhën shqipe (Tema e habilitacionit).
[4] Martin Camaj, La parlata arbëreshe di San Costantino Albanese: in provincia di Potenza. Front Cover. CELUC 1993.
[5] Vepra letrare e Martin Camajt. “Radhonjtë e Zjarrit”, n. 18, Kozencë, 1994. Botimi i dytë i rishikuar dhe i shtuar, “Lajmtari”, Tiranë 2000. Botimi i tretë i plotësuar dhe i shtuar “Princi”, Tiranë 2010.Botimi i katërt me ndryshime Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2020.
[6] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt. Monografi. Botimi i tretë i plotësuar dhe i shtuar “Princi”, Tiranë 2010, f. 19.
[7] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt. Monografi. Lajmëtari 2000.
[8] Faqe 151 – 155.
[9] 3 Pikë e lartë, kulm.
[10] Në Beograd Martini mbaroi studimet dhe aty njohu shumë shqiptarë të Kosovës, të cilët studionin atje, ndër të cilët edhe Anton Çettën, Adem Demaqin, Bashkim Fehmiun, Gani Lubotenin, Zekeria Canën etj.