More
    KreuForumi mbi përkthiminSilvana Berki: Gjuha, si mjet i shkëmbimeve kulturore, nis nga përkthimi…

    Silvana Berki: Gjuha, si mjet i shkëmbimeve kulturore, nis nga përkthimi…

    Përkthimi: interpretim, përshtatje apo “shqipërim”

    Për ta zbërthyer si temë, po e filloj rrëfimin prej fillimit të rrugës së profesionalizmit, e cila ka nisur si një nevojë e situatës ku ndodhesha. Përkthyese këtej nga mërgimi jam bërë nga nevoja. Unë nuk kam ardhur në Finlandë në kohën e Enverit për të studiuar gjuhën, dhe as më vonë. Jam nga emigrantët e ’90-ës, që jo vetëm erdhëm me sakrifica, por edhe u integruam me sakrifica. Nevoja të mësoja një gjuhë sa të veçantë aq edhe atraktive për t’u integruar, nxiti ambicien për ta perfeksionuar atë, e me anë të saj të gjeja veten. Fillimisht kam punuar si përkthyese orale/ gojore, që si term këtej nga Finlanda do të thotë interpretuese. Interpretuesi interpreton me gojë, jo me shkrim. Në gjuhën shqipe, me interpretim nënkuptojmë më tepër interpretimin e një mendimi, qoftë ai gojor apo me shkrim. Ndërsa përkthimi si term i referohet vetëm përkthimit me shkrim (gjithmonë flas për përcaktimin e termit në gjuhën finlandeze). Gjithsesi, specifike për përkthimin letrar është se përkthyesi është, në të njëjtën kohë, jo vetëm i pavarur në punën e tij, por edhe artist dhe krijues për t’iu përshtatur tekstit me gjetjet e duhura. Me gjetjet e duhura, e kam fjalën (suomentaminen) që në shqip do të thuhej shqipërohej. Pra, mendoj që me shqipërim nënkuptoj gati të njëjtën gjë; interpretimi për t’iu përshtatur gjuhës së përkthyer. Si sfidë shikoj vetëm se si mund të ruhet origjinaliteti gjatë interpretimit shqipërues.

    Ashtu siç edhe u afruat me pyetjen tuaj, rasti im i përkthimit të veprës së fundit “Olipa Kerran Toivo” është invers, pra prej gjuhës shqipe në atë finlandeze, ndryshe nga çfarë keni pasur përkthime më parë. Dua të theksoj, e para, kjo prurje ka qenë vetëm humane, e nxitur për të ndihmuar letërsinë tonë, sidomos poezinë, të lexohej edhe në një vend të largët siç është Finlanda. Ka qenë vepra e parë e kësaj natyre, ku specifike e saj është që ka përfshirë të gjithë shqipfolësit brenda dhe jashtë kufijve amë.

    Edhe pse çështja e diskutuar në këtë forum i është adresuar direkt prurjes së antologjisë së shqipfolësve në gjuhën finlandeze në qershor të vitit 2019, eksperienca e përkthimit edhe prej gjuhës finlandeze në shqip nuk më mungon. Kjo sepse antologjia që u botua tani në qershor të 2019-ës, ishte vazhdim i projektit nisur në vitin 2016 me prurjen e poetikës finlandeze në shqip. Pra, kam eksperiencë në të dyja rastet. Gjithsesi, përkthimi i poezisë finlandeze në gjuhën shqipe kërkonte më shumë sesa një përkthim. Kërkonte interpretim dhe shqipërim. Gjatë përkthimit sfida ishte të ruhej origjinaliteti i autorit, duke përfshirë si anën estetike ashtu edhe tipografinë e cila është shumë e zhvilluar në tekstet e autorëve finlandezë. Për ruajtjen e origjinalitetit kam bërë luftë me stafin e “Toenës” në atë kohë dhe si përkthim, vështirësi më të mëdha kam pasur në bashkëpunim me shqiptarët sesa me këta të Finlandës. Me antologjinë e dytë në gjuhën finlandeze procesi i punës ishte i gjatë, por më i sigurt, edhe pse e kisha gjuhë të dytë. Kjo për arsye sepse ata janë të qartë për të drejtën e autorit gjatë përkthimit, janë të qartë për ligjin e mbrojtjes të së drejtës së autorit.

    Mendoj që vështirësia më e madhe e përkthimit në gjuhën finlandeze ka qenë struktura e fjalisë së tyre, e cila është ndryshe nga gjuhët indoeuropiane, ku gjuhët finlandisht-ugrik kanë kryefjalën në fund të fjalisë. Profesoresha e gjuhës finlandeze, Maisa Martin, nxjerr më shumë si problematikë vetë gjuhën finlandeze, për shkak të lakimit të shumtë që kanë fjalët e tyre. P.sh fjala dorë në shqip nuk lakohet sa herë që ndryshon mënyra e përdorimit të veprimit: në dorë, mbi dorë etj. Në finlandisht fundi i fjalës lakohet sipas veprimit ndryshe: käsi, kädellä, käsissä. Janë çelësa gjuhësorë, por që e vështirësojnë përkthimin te një jofinlandishtfolës.

    Lehtësi për mua ka qenë njohja thelbësore e kësaj gjuhe, me të cilën nënkuptoj njohjen e kulturës vendase prej 30 vjetësh. Është ndryshe kur një gjuhë e njeh vetëm nga shkolla, sepse mund të gabosh në interpretim. Shumë gjuhë nuk mund t`i përkthesh fjalë për fjalë, sepse mund të mos përshkruajnë atë që do të thotë autori metaforikisht. Pra, nuk mjafton të jesh një njohëse e mirë e gjuhës së huaj, por edhe e kulturës së huaj. Unë, personalisht, për përshtatjen poetike pata ndihmë, mbasi doja të gjeja pikërisht atë esencën e intuitave dhe shprehive sesi i ndien lexuesi finlandez.

    Mendoj që libri ishte i arritur në nivelin që kërkoja, sepse u vlerësua nga shtëpia botuese si libri më i vlerësuar për muajin qershor. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur mundi i dhënë të shpërblehet.

    Të përkthesh nga gjuha origjinale apo gjuhë e dytë

    Nga një gjuhë e dytë mund të përkthehet vetëm nga nevoja, pra në pamundësi të gjendet tekst në gjuhën origjinale. Kur teksti vjen direkt prej origjinali, mendoj që është më afër saktësisë dhe origjinalitetit, sepse ruajtja e origjinalitetit ka të bëjë direkt me identitetin si parim dhe kjo është e mundur. Përkthimi nga gjuha origjinale afron më shumë ruajtjen e identitetit të autorit, jo të interpretimit. Përkthimi nga një gjuhë e tretë, sado cilësor të jetë përkthimi, mundëson zbehjen e identitetit origjinal. Mendoj që kjo ka të bëjë direkt me etikën profesionale të fushës letrare.

    Përkthimi ndaj një gjuhe të dytë, siç jam unë konkretisht, domethënë, përkthimi prej gjuhës A në gjuhën B, do të thotë përkthim i një jofinlandishtfolësi që mund të krijojë barbarizmin gjuhësor. Për fat të mirë, duke e njohur këtë mangësi unë kam afruar për bashkëpunim (kontrollin gjuhësor) akademikë të njohur të cilët ishin gati ta bënin veprën poetike në standardet e kërkuara sot. Gatishmëria e tyre për të ndihmuar (suomentamassa), pra për ta finlandishtuar, tregon se përveç gjuhës vlera të veçanta libri ka pasur për brendinë dhe sjelljes nga origjinali, duke kuptuar drejt pozicionin tim si gjuhë dytësore. Ky libër, sigurisht, mund të përkthehet prej finlandishtes edhe në gjuhë të tjera, duke ruajtur domethënien e përkthimit, por a do të kishte të njëjtën pastërti gjuhësore si prej gjuhës origjinale, kur p.sh në një gjuhë përdorimi i vokaleve ndryshon nga tjetri? Sfida do të ishte, a do të mund të ruhej origjinaliteti?

    Përkthimi: kulturë dhe gjuhë, sa rëndësi kanë

    Gjuha gjithmonë ka shërbyer si mjet i shkëmbimeve kulturore duke u nisur fillimisht nga përkthimi. Në fillim ishte fjala, pastaj përkthimi, pastaj rrjedhja e saj në gjuhë të tjera. Të mos ishte përkthimi, nuk do të zhvillonim dot asgjë. Për shembull, prurja e kësaj antologjie në finlandisht, përveç prurjes letrare, kishte edhe vlerë kulturore, duke marrë një informacion më të gjerë për historinë tonë si komb, si shqipfolës, për politikat rajonale dhe sesi ato kanë influencuar në kufijtë ku jetojnë shqipfolësit. Finlandezët vetë kanë në historinë e tyre eksperienca të tilla. Ata vetë kanë humbur Karjalan dhe disa pjesë të tjera te Rusia. Pra, problemet tona si komb nuk janë fenomene të panjohura në arenën ndërkombëtare dhe as të finlandezëve. Poezia që është bota shpirtërore e popujve shërben si një shkëmbim eksperience, ku nëpërmjet fushës letrare mundëson imazhe, figuracione, metafora ndryshe nga të tyret. “Për kësi lloj librash kemi nevojë”, – u shpreh prof. Aleksander Kovalainen mbasi përfundoi bashkëpunimi në këtë projekt.

    Faktin se përkthimi është një lloj forme komunikimi ndërmjet kombeve, shumë kritikë finlandezë e kundërshtojnë, duke menduar se nuk ka asgjë të bëjë me qëllimet kulturore, duke kundërshtuar ngritjen e rëndësisë së gjuhëve dhe poezisë politike. Në fakt, nuk e shikoj si realist këtë mendim, sepse duke sjellë poetikën e popullit finlandez në shqip apo, vastaversas, të shqipes në finlandisht, në të njëjtën kohë kemi të bëjmë me një shkëmbim kulturor që arrihet nëpërmjet përkthimit.

    Përkthimi nuk mundëson vetëm njohjen me letërsinë e huaj, por afron në komunikim edhe ta kuptosh mentalitetin e kombit tjetër. Në librin e tij “Në fillim ishte përkthimi”, eseisti Leevi Lehto thotë se “gjuha është gjithçka. Bota sot ka tepër komunikim, por pak e kuptojmë njëri-tjetrin”, duke hapur për lexuesin në të njëjtën kohë pyetje dhe këndvështrime rreth kombësive, identiteteve dhe poetikës botërore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË