More
    KreuLetërsiBibliotekë"Shtëpia e Frikës", tregim nga Leonora Carrington

    “Shtëpia e Frikës”, tregim nga Leonora Carrington

    Përktheu Qerim Raqi

    Një ditë rreth orës një e gjysmë derisa po ecja në një lagje të veçuar, takova një kalë që më ndaloi.

    – Eja, tha kali. Ka disa gjëra që dua t’ ju tregoj posaçërisht.   

    Tundi kokën në drejtim të një rruge të ngushtë dhe të errët .

    – Nuk kam kohë, – iu përgjigja, por megjithatë e ndoqa pa dëshirë. Arritëm te një portë të cilën ai e goditi me thundrën e majtë. Porta u hap. Hymë brenda, mendova se do të vonohesha për drekë.

    Aty ishin disa njerëz të veshur si priftërinj.

    – Ngjitu shkallëve, – më thanë, – dhe do të shihni dyshemetë tona të bukura me parket. Janë bërë me ngjyrë të bruztë dhe rrasat janë me fuga ari.

    E befasuar nga mikpritja e tyre, përkula kokën dhe i bëra me shenjë kalit që të më tregonte thesarin. Shkallët ishin të mëdha, por unë dhe kali i ngjitëm pa vështirësi.

    – Nuk është aq bukur, – tha ai me zë të ulët, – por duhet të fitojmë bukën tonë, apo jo?

    Papritur pashë dyshemenë që mbulonte pjesën e poshtme të një dhome të madhe boshe. Parketi ishte në një blu verbuese dhe rrasat me fuga ari. Shikova me mirësjellje dyshemenë, kali mori një shprehje të menduar.

    – E shihni, ky profesion më mërzit, e bëj vetëm për para. Në fakt, ky nuk është mjedisi im. Do t’ju tregoj herën tjetër kur të ketë festë.

    Thashë me  vete se me të vërtetë nuk ishte një kalë i zakonshëm dhe se nuk ishte  vështirë të vihej re. Ky përfundim më ngjalli dëshirën ta njihja më mirë

    – Do të vij në festën tënde, e konfirmova. Fillova të ndjej një lloj simpatie për ty.

    – Ti je më e mirë se shoqëria ime e zakonshme, – u përgjigj. – Unë jam shumë i aftë të dalloj njerëzit e zakonshëm nga ata që kanë aftësinë për të kuptuar diç të veçantë. Kam dhuntinë të depërtoj brenda një shpirti që në fillim.

    Buzëqesha, paksa e shqetësuar.

    Kur është festa?

    – Sonte. Vish rroba të ngrohta.

    Për çudi, jashtë dielli ishte shkëlqyes.

    Kur zbritëm shkallët, në skajin më të largët të dhomës, vura re, për habinë time, se kali po ia dilte shumë më mirë se unë. Priftërinjtë ishin zhdukur dhe unë dola nga shtëpia pa u vënë re.

    – Në orën nëntë,  – tha kali.  – Vij e të marr. Thuaji portierit.

    Kur u ktheva në shtëpi e kuptova se duhej ta kisha ftuar kalin për darkë.

    Punë e madhe, thashë me vete.

    Bleva sallatë dhe ca patate për darkë. Kur shkova në shtëpi, ndeza zjarrin për të gatuar ushqimin. Piva çaj duke menduar për ditën time dhe veçanërisht për kalin të cilin, me gjithë njohjen tonë të shkurtër, e quajta mik. Unë nuk kam shumë miq, jam e lumtur që kam mik një kalë. Pas darkës ndeza një cigare dhe mendova se çfarë luksi do të ishte të dilja jashtë në vend që të flisja me veten dhe të shqetësohesha me të njëjtat histori të përjetshme që i tregoj tërë kohën. Jam  një person shumë i mërzitshëm dhe askush nuk e di këtë më mirë se unë, megjithë inteligjencën time të madhe dhe pamjen time atraktive. I kam thënë shpesh vetes se sikur të kisha mundësi, ndoshta do të bëhesha qendra e elitës intelektuale, por ngaqë flas vazhdimisht për veten time, prirem të përsëris të njëjtat gjëra pa pushim. Nuk kam shumë çfarë të bëj për këtë, jam egocentrike.

    Mu kur po mendoja rreth këtyre cilësive, shoku im, kali, goditi portën aq fort sa mendova se fqinjët do të ankoheshin.

    – Erdha, – thirra unë.

    E kisha të vështirë të dalloja se në cilin drejtim po shkonim në errësirë.

    Vrapova pranë kalit dhe u kapa për jelësh të tij. Shpejt vura re se rreth nesh, në një peizazh të madh të gjerë, kuajt bëheshin gjithnjë e më të shumtë. Ata shikonin drejt përpara, secili me diçka të gjelbër në gojë. Ishin me nxitim dhe nga zhurma e thundrave të tyre dridhej toka. I ftohti u bë edhe më i fortë.

    – Kjo festë bëhet çdo vit, – tha kali.

    – Nuk duken se ata po argëtohen shumë, – thashë.

    – Jemi mysafir në Pallatin e Frikës, aty është pronarja. Pallati ishte para nesh dhe ai më shpjegoi se ishte ndërtuar me gurë për ta mbajtur të ftohtin e dimrit.

    – Është edhe më ftohtë brenda, – tha ai. Kur hymë në oborr kuptova se ai po thoshte të vërtetën. Të gjithë kuajt dridheshin nga të ftohtit, kërcëllonin dhëmbët, tingëllonin si kastanjeta. Kisha përshtypjen se në festë merrnin pjesë të gjithë kuajt e botës. Të gjithë kishin sy të hapur, të ngurtë, të gjithë i kishin buzët e ngrira rreth gojës. Nuk guxoja të flisja, kisha shumë frikë.

    Ecëm në një radhë të gjatë dhe hymë në një dhomë të madhe të zbukuruar me kërpudha dhe bimë të tjera nate. Të gjithë kuajt u ulën në në fund, me këmbët e shtrira para. Ata shikonin përreth pa lëvizur kokën dhe u shihej vetëm të bardhët e syve. Isha shumë e frikësuar. Në një shtrat të madh përballë nesh, gjysmë e shtrirë sipas stilit romak, ishte pronarja, Frika. Ajo i ngjante në mënyrë të paqartë një kali, megjithëse shumë më e shëmtuar. Fustani i saj mëngjesor ishte bërë nga lakuriqët e natës të gjallë të qepur me njëri-tjetrin në krahë. Duke gjykuar nga mënyra e tyre e lëvizjes atyre kjo nuk u pëlqente shumë.

    – Miqtë e mi, – tha ajo dhe u shkreh në vaj, – për treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditë radhazi jam përpjekur të mendoj për mënyrën më të mirë për t’ju argëtuar këtu sonte. Darka do të jetë si zakonisht, të gjithë kanë të drejtë të marrin tre porcione. Por përveç kësaj, kam krijuar një lojë të re që mendoj se është posaçërisht origjinale, sepse kam kohë që mendoj se si ta bëj atë sa më të përsosur. Shpresoj me gjithë zemër se të gjithë ju, kur të luani këtë lojë, të ndjeni të njëjtin gëzim si unë kur zbulova rregullat e lojës.

    Një heshtje e thellë pasoi këto fjalë. Ajo vazhdoi:

    – Do të dëgjoni të gjitha detajet. Unë vetë do të monitoroj lojën dhe do të vendos se kush ka fituar. Ju të gjithë duhet të numëroni mbrapsht nga numri njëqind e dhjetë deri në pesë sa më shpejt që të mundeni dhe të mendoni për fatin tuaj, të derdhni lot për ata që kanë shkuar para jush, dhe në të njëjtën kohë duhet të filloni kërcimin sipas melodisë “Tërheqësit e mauneve në Vollgë” me këmbën e majtë përpara , “Marsejezën”. me këmbën e të djathtë përpara dhe me dy këmbët e pasme melodinë “Trëndafili i fundit i verës”. Kam krijuar disa detaje të tjera, por po i anashkaloj ato për ta thjeshtuar paksa lojën. Le të fillojmë tani dhe mos harroni se nëse unë nuk arrij të mbikëqyr të gjithë sallën, Zoti mbikëqyr gjithçka.

    Nuk e di nëse ishte i ftohti që prodhoi një entuziazëm të tillë, por fakti është se kuajt filluan të godasin me thundrat e tyre sikur të donin të depërtonin në brendi të tokës.

    Qëndrova aty duke shpresuar se ajo nuk do të më shihte, por pata një ndjenjë shqetësuese se më pikasi shumë mirë me syrin e saj të madh (ajo kishte vetëm një sy, por ishte dhjetë herë më i madh se një sy normal). Qëndrova aty për njëzet e pesë minuta, por…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË