Ç’e bën një roman të mirë? Një përgjigje të mirë e gjen te vetë libri “Përmbytja”, një citat në fq 129. “Dy gjëra shfaqen si thelbësore për romanin”, citohet aty të ketë thënë Carlos Fuentes, “përfytyrimi i pjekur artistik dhe gjuha”. Granit Zela e gëzon të drejtën e talentit që të thirret te ky citat: ai vetë i ka që të dy. “Përmbytja” është një vepër e mrekullueshme, unë s’di si ta quaj ndryshe, e cila do lexuar gjithsesi, për stilin novator, për ndërthurjen mjeshtërore që i bën epikës me njerëzoren, e për një gjuhë dinamike që di si të zgjojë e si ta mbajë vëmendjen e lexuesit që nga fillimi gjer në fund.
“Përmbytja” është një novelë e gjatë a roman i shkurtër, shtëpia botuese Onufri e ka cilësuar si roman, 166 faqe të ndara në tri tërësi organikisht të ndërlidhura, e të ndara secila në krerë të veçantë. Libri ka dy paradhënie, nga Afron Tufa dhe nga Shqipe Axhami, të cilat unë të këshilloj që t’i lexosh mbasi të kesh lexuar Zelën; sidoqoftë, Shqipe Axhami në parafjalën e vet mendon se e ka gjetur arsyen se pse ekzistojnë të tri tërësitë e librit, të cila ajo i quan “tri kohë”. Mua për vete kjo s’më bind. Mua “Përmbytja” më del tregim kronologjik, i rrëfyer i tëri si kujtim nga e njëjta kohë e shkuar mitike, nga një un rrëfimtar i pozicionuar tashmë pakthyeshëm në një të tashme post factum, të rënduar nga një ndjenjë e humbjes dhe nostalgjisë.
Personazhet e rrëfimit janë vetë uni rrëfimtar, fisi i tij, e vendlindja e tyre fiktive, që është projeksion letrar i Kukësit të Vjetër; në këtë mënyrë Atjelinda ngjan me Makondon fiktive te Gabriel Garcia Marquez. Është shumë interesant se si Zela ka arritur ta përshkruajë historinë e diktaturës dhe demokracisë në gjuhë mitesh, ngjashëm si Neil Gaiman a Yann Martel. “Përmbytja” është rrëfimi për fisin në gjuhë të fisit; aty ekzotike është bota e jashtme, modernitetet e çuditshme dhe shpesh here mizore e të rrezikshme që invadojnë epokën e miteve ku fisi ka mbijetuar ndër mote. Një nga arsyet pse “Përmbytja” është kaq mahnitëse është mënyra se si Zela ia del mbanë mjeshtërisht që ta mbajë rrëfimin të fiksuar diku në trojet e ndërmjetme midis realitetit dhe fiksionit; vepra është njëherit edhe fiksion, edhe autofiksion, pa qenë në fakt asnjë syresh në tërësi. Uni rrëfimtar e përmend disa herë qëllimin e vet që ta shkruajë historinë e vendlindjes së vet. Skica e fotografi autentike të Kukësit të Vjetër dhe të Kukësit të Ri që pleksen në rrëfim, në fq 10, 73, 139 e shtojnë këtë ambiguitet.
Me raste “Përmbytja” merr përmasë antropologjike, ka pasazhe që të kujtojnë psh udhëpërshkruesen Edith Durham kur u jep zë personazheve të veta, a norvegjezen Berit Backer kur përshkruan familjen shqiptare të Isniqit. Te “Përmbytja” ka përshkrime autentike të diktaturës enveriste, të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, të demokracisë së pamësuar, të gjitha të pikturuara ashtu si shihen nëpër thjerrëza të burrave dhe, ca më shpesh, të grave dhe të fëmijëve të fisit në Atjelindë. Si psh te fq 40, te kreu Baba:
“Në klasën time, drejtori mbajti një mbledhje me prindër për zhvillimet e reja e tha se tani do të kishte demokraci dhe se kjo kishte qenë edhe dëshira e Udhëheqësit. Një djalë i ri u ngrit në këmbë duke folur me zë të lartë: “Çfarë Udhëheqësi more! “, bërtiti ai. “Ende mban fotografinë e tij në klasë ti, more? Çfarë Udhëheqësi… Udhëheqës trapi!”
Te kreu vijues, Gjyshi, ka një mizëri skenash të tilla pikante që të shkrijnë gazit. Tranzicioni tfillohet gjithnjë me urtësinë (a paurtësinë) që përmban dija e akumuluar e fisit ashtu siç është mbledhur në shprehje popullore. Si p.sh. te fq 53:
“Ndryshimi i regjimit nuk e shqetësoi gjyshin.
“Kështu e kanë kohët…”, thoshte. “Kjo dynja është rripa-rripa, një herë më hipe, një herë të hipa. Tashti është koha që kulakët t’u hipin komunistëve.”
Një kritikë që do të mund t’i bëhej “Përmbytjes” është pikërisht kjo, që përdor ekzotizmin si fundament të librit. Si kudo tjetër, edhe te ky libër, pikërisht ana më e fortë mund të kthehet në thembër Akili nëse teprohet. Por them se Zela i mban kandarët hollë, duke ruajtur drejtpeshimin e veprës, pa lejuar që të humbasë në vlerë estetike.
Mua më bën sidomos përshtypje mënyra se si Granit Zela i ndërton personazhet e veta gra. Personazhet burra pozicionohen shpesh në spektrin midis mizorisë e ekzotikes, si Shpirtmarrësi, Grafologu, Etnologu, Shenjti etj. Ndërsa personazhet gra kanë shpesh një të mirë intrinsike, që e ruan fisin. Ato identifikohen me rolet që kanë në jetën e unit rrëfimtar, pra emërtohen si nëna, gjyshja etj, gruaja e vetme që identifikohet me profesionin e vet është personazhi i një prostitute shenjtore. Por të gjitha janë karaktere të mëvetshme, fuqi të natyrës me motive e caqe vetjake. Gratë luajnë role kryesore në jetët e veta, e në jetët e njerëzve përreth. Ato kanë mprehtësinë të pikasin e të interpretojnë shenja në kohë dhe ndjekin rituale besëtytnish të lashta. Ato luftojnë syrin e lig, si në fq 17:
“…në mbulesat e trupit tim në djepin prej druri më qepën një thelb hudhre, një thëngjill, një qime qeni, një dhëmb ujku,një shpatull breshke, që të më mbronin nga lugati …”
Tropi i gruas së urtë që mbledh urtësitë e fisit është e rëndomtë në letërsinë e realizimit magjik, sidomos tek autorë burra; është kjo një shkollë e veçantë e esencializmit që u çel burrave të letërsisë derën për ta sajuar e ndorur një natyrë të veçantë të gruas. Te “Përmbytja”, uni rrëfimtar është shëndetlig dhe rritet në një matriarkat grash të forta në një hapësirë jetësore të ngushtë, nën presion të vazhdueshëm dhe brutal nga bota e jashtme. Në kreun Nana, fq. 57-62, uni rrëfimtar regjistron këngën lamtumirëse të së ëmës, ku ajo i ka fiksuar të gjitha kujtimet, ëndrrat, shpresat e zhgënjimet e veta: ajo skenë prekëse është prelud, një si “Përmbytje” në miniaturë. Tërë atmosfera e librit të kujton një si këngë morti nga një botë e perënduar. Me fjalët e fundit të librit, fq 166:
“Po, kishte patur një shpërthim drite që kishte përndritur të gjithë Republikën, por pas kësaj, vetë ata njerëz që kishin ikur nga Atjelinda e Vjetër, papritmas kishin parë veten në një tunel të errët brenda të cilit ata përgjonin zhurmërimën e valëve të liqenit si një melodi e trishtë e një rekuiemi për atë që kishin humbur, përgjithmonë, në jetë të jetëve.”
Jetëshkrimi i Granit Zelës në kopertinë të librit na dëshmon se “Përmbytja” s’ka ndodhur papandehur. Aty përmendet një karrierë letrare që përshkon më shumë se një dekadë. Para se të shkruajë “Përmbytjen”, Zela ka shkruar tri përmbledhje me poezi, dy përmbledhje me ese, dy përmbledhje me tregime, si dhe një roman, “Dodona” (2006). Shënohet, po ashtu, se ai është përkthyes i shpërblyer, për prozë (2020) gjegjësisht për poezi (2023). Rrjedhimisht, arritja letrare që është “Përmbytja” do parë si kultivim i përkushtuar i talentit. Dhe është e mrekullueshme, e përmend këtë fjalë përsëri, që ky lloj talenti e përkushtimi mund të hasen edhe në kohën e hapësirën tonë. Është shpresëdhënëse, disi.
Gjuha e Granit Zelës është një standard i gegëzuar dinamik, që rrjedh lehtë dhe të rrëmben me vete pa pasur nevojë ta kesh mendjen tek ajo. Kush ankohet se standardi s’qenka i përshtatshëm për letërsi ndër gegë (?) bën mirë ta lexojë edhe Granit Zelën kukësjan, thjesht si argument. Unë personalisht kur lexoj letërsi në shqip kam të njëjtin problem pavarësisht dialektit, pse gjuha e paqartë reflekton ide të paqarta. Zela e di fiks se ç’kërkon të thotë, ndaj gjuha ia kryen amanetin pa problem.
“Përmbytja” është botuar si thamë nga shtëpia botuese Onufri, me redaktore Rudina Çupin. Është ndarë në tri pjesë, me 18 krerë relativisht të shkurtër dhe të shkruar mjeshtërisht, që lexohen me një frymë. Mund ta gjesh në platformën online të shtëpisë botuese, ose te platforma Bukinist, me çmim 1000 lekë nga shtëpia botuese. Është një botim luksoz në format paper back, të cilin mund ta blesh edhe si dhuratë për njohës e dashamirë të librit. Mikun që të dhuron librin “Përmbytja” nga Granit Zela, rroke fort e mos e lësho, se edhe të ka çmuar ty si lexues. Edhe të ka dëshmuar se paska shije të mirë vetë. E ku të gjesh sot miq të tillë?
16.03.2025
Platforma e kritikës letrare Gjeli.info