“Mund ta vrasësh njeriun, por jo idetë” nga Eva Franchell. Biografia e Anna Lindh
Një jetëshkrim i një ministres suedeze, botuar nga ministria e punëve të jashtme të Republikës së Kosovës. Ky është eventi më i parëndomtë në fushën e librave në Prishtinë në këtë muaj të majit, e ndoshta në tërë këtë vit, ndonëse vitit s’i ka shkuar gjysma ende. Bëhet fjalë për librin ”Njeriun mund ta vrasësh, idetë jo”, jetëshkrim i së ndjerës Anna Lindh, socialdemokrate suedeze, e cila shërbeu si ministre e jashtme gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ajo u vra në një atentat me thikë më 2003, mu në datën kobzezë 11 shtator, nga një migrant serb në Stokholm. Në Kosovë ka një rrugë dhe një shkollë, nëse s’gaboj, që mbajnë emrin e ministres suedeze Anna Lindh.
Titulli i librit, ”Njeriun mund ta vrasësh, idetë jo”, është një thënie e njohur nga Medgar Evers, aktivist amerikan që u vra nga racistët. Librit ky titull s’i shkon aq fort, po të shikosh se ç’ka ndodhur me idetë e socialdemokracisë suedeze ndër vite. Po të ngjallej disi mrekullisht Anna Lindh sot, s’do ta njihte më partinë e vet. Libri na e shfaq një Anna Lindh e cila është kundër energjisë bërthamore, kundër industrisë së armatimit, kundër NATO-s, kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kundër urës mbi Öresund që lidh sot Danimarkën me Suedinë dhe, në thelb, kundër gjithë ekonomisë së tregut, pse kërkon shtetëzim të industrisë, sistemit bankar, e ekonomisë. Me kalimin e kohës, Anna Lindh ndryshon shumë ide; në libër theksohet, ta zëmë, se ajo mbështet BE dhe biles cilësohet si ”mike e fortë e BE-së”, në fq 288. ”Njeriu vritet, e idetë ndërrojnë”, mbase do të kish qenë titull më adekuat. Por libri shfaq edhe anë tjera të së ndjerës Lindh. Humanizmin e saj kur angazhohet kundër racizmit jugafrikan, e kundër racistëve suedezë që persekutojnë migrantë. Largpamësinë e saj, kur reagon herët kundër shkatërrimit të mjedisit dhe ngrohjes globale. Si dhe feminizmin në politikë, kur përqas vajza e gra nga taborre të ndryshme, e kur kritikon burrat për jaranizëm.
Meqë Anna Lindh u vra në atentat nga një migrant serb mbas luftës së Kosovës, ndër shqiptarët ajo është lartësuar si shqiptarofile. Në jetëshkrimin e saj, Kosova, Shqipëria dhe Ballkani zënë vend kryesor në 2 kapituj, ”Konfliktet në Ballkan” në fq 283 të përkthimit, si dhe ”Deportimi nga Kosova” në fq 299. Këta kapituj shpojnë tollumbacet e miteve tona. Analiza historike, mbi të cilën bazohej qëndrimi i saj politik rreth Kosovës, ka qenë ideja se serbët e paskan braktisur Kosovën mbas pushtimit osman, ndërsa osmanët e paskan populluar vendin me muslimanë shqiptarë (pasusi 2, fq. 283). Kjo është në thelb ajo teoria fallco që na e shiste dikur dhe na e shet edhe sot historiografia zyrtare e nacionalizmit serb, ndonëse është kontestuar me prova e fakte; shih ta zëmë, midis tjerësh, Malcolm (2018). Pra, është pjesërisht e vërtetë ajo që thotë libri, se jo të gjitha idetë vdesin aq lehtë, ndonëse disa meritojnë vdekjen. Po ashtu, Anna Lindh, simbas këtij jetëshkrimi, paska besuar se serbët ishin pala e shtypur nga Tito, citat tekstual. E pra, gjatë kohës së Titos, shqiptarët ishin 5.4 përqind të banorëve në ish-Jugosllavi por përbënin 97 përqind të të burgosurve politikë, të dënuar bashkarisht me mëse 666 shekuj burg (Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha, ”Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945-1990”, Prishtinë 2020).
Sido qoftë, libri tregon se në vitet 1990 Anna Lind pozicionohet kundër përndjekjes së shqiptarëve nga regjimi i Milloshevicit. Dora në zemër, në atë kohë s’kish ministër evropian që ishte pro përndjekjes së shqiptarëve. Ne do të donim që Anna Lindh të ish pozicionuar edhe më fuqishëm. Por jetëshkrimi tregon qartë se ajo përfaqësonte një parti që kish trashëguar sentimente të forta antiamerikane nga epoka e Luftës së Ftohtë. Në atë epokë, Suedia, e mbrojtur nën ombrellën atomike të NATO-s, vetëquhej ”superfuqi morale” dhe u mbante leksione neutraliteti vendeve të tjera. Si pasojë, edhe qëndrimi ndaj Kosovës pasqyronte këtë ambiguitet. Ta zëmë, ndërsa diplomatët amerikanë, gjermanë, e britanikë masakrën e Recakut e quajnë tekstualisht me këtë fjalë, pra masakër. Anna Lindh citohet ta ketë quajtur ”vrasje tepër brutale, tepër mizore e njerëzve të pafajshëm”: veni re përzgjedhjen sqimatare të fjalëve, për shmangur termin e ndieshëm ”masakër”. Ose mbas Reçakut, kur ajo dhe kolegët e saj diskutojnë masat eventuale kundër serbëve. Në ato ditë, Kosovës i vinte era tym. Serbia sa kish djegur mijëra shtëpi, duke degdisur 300 000 shqiptarë maleve. Në libër tregohet se si sekretarja e jashtme amerikane Madeleine Albright, mbijetuese çifute e llahtareve të L2B, kërkon aty për aty ndërhyrje ushtarake. Edhe Anna Lindh e rreh tavolinën: propozon që të bojkotohet një kampionat tenisi në Beograd.
Sipas librit, është vetë Anna Lindh e cila, kur NATO nis mësymjen kundër Serbisë, skicon në një copë letër atë që më vonë do të bëhej qëndrimi zyrtar i shtetit suedez. ”Ne nuk e kundërshtojmë por as s’e mbështetim bombardimin e Serbisë, ndonëse kuptojmë arsyet pse kemi arritur gjer këtu”. Citati është lapidar i ambiguitetit diplomatik, shumë larg prej mitizimeve tona. Por libri na kujton edhe prapavijën. Ndërhyrja ushtarake po bëhej nga NATO, që asokohe s’para pëlqehej prej socialdemokratëve. E pa mandat në Këshill të Sigurisë në OKB. Në një interpretim pozitiv sot: aq mund të bënte asokohe Anna Lindh, aq bëri. Sot, socialdemokratët suedezë e luajnë fyellin krejt ndryshe. Kur i trembi Rusia në Ukrainë, më 2022, qeveria socialdemokratike e Suedisë bëri kërkesë formale për anëtarësim në NATO.
Jetëshkrimi zbulon, po ashtu, se Anna Lindh mbas çlirimit të Kosovës i shihte ”militantët shqiptarë” si problem, e jo revanshizmin e Beogradit. E se ajo paskësh gjykuar se shqiptarët e prenë në besë Perëndimin kur nisën luftën në Maqedoni të Veriut. E pra, shqiptarë asokohe kishin më pak të drejta e liri atje se sa kafshët në Suedi. Lufta në Maqedoni më 2001 mbaroi me një ujdi të ndershme që i vuri themel demokracisë atje. Është mëkat që shqiptarëve iu desh të bënin luftë, në Evropë, në shekullin XXI, për të gëzuar të drejta qytetare dhe është pak e frikshme që libri s’bën asnjë reflektim rreth kësaj.
Një pjesë me rëndësi të cilën libri e anashkalon është motivi i vrasjes së ministres Lindh. Jetëshkrimi përmend vetëm faktet bazike, se vrasësi Mijailo Mijailoviç është lindur në Suedi por ka kaluar një pjesë të fëmijërisë në Serbi, kaq. Pra ky jetëshkrim e trajton atentatorin njësoj si gjyqësori suedez, pa konotacion politik. Në gjyqësorin suedez, instanca e parë e dënoi vrasësin Mijailoviç me trajtim psikiatrik, duke u thirrur në rritën e tij të vështirë, me dhunë në familje etj. Por instanca e dytë e dënoi me burg të përjetshëm për vrasje. Një ekzaminim i thelluar psikiatrik kish treguar se Mijailoviç s’ka probleme psikiatrike të një lloji të tillë që ta çlironin nga burgu. Lënda është çuar edhe në gjykatën supreme të Suedisë, e cila e ka konfirmuar aktvendimin e instancës së dytë. Mijailoviç vazhdon edhe sot të vuajë dënim për vrasje me paramendim, në një burg të sigurisë së lartë në Suedi.
Mirëpo, gjyqësori suedez ka mbyllur sytë në mënyrë konsektuente para provave që indikojnë motive terroriste. Ta zëmë, faktin se vrasësi Mijailoviç më 2004 ka hequr dorë nga shtetësia suedeze, ndonëse ka lindur në Suedi, por e ka ruajtur atë serbe. Se ai ka kërkuar disa herë që të vuajë dënimin në Serbi. E se Mijailoviç vetë, në intervistë me një gazetë suedeze më 2014, ka pranuar se ka gënjyer për probleme psikiatrike sa për të mashtruar gjyqësorin. Psikologët perëndimorë Unsgaard dhe Meloy, doktorë shkencash PHD në psikiatri, e kanë ekzaminuar personalitetin e atentatorit Mijailoviç dhe konstatojnë që më 2011 se ai është inteligjent, i rrjedhshëm në shumë gjuhë, me talent për lëndë natyrore dhe brilant në matematikë. Ata kanë zbuluar Mijailoviç, sa jetonte në Serbi, merr pjesë në një garë matematike për nxënës dhe del i katërti në nivel shteti.
Libri tregon se Mijailoviç u lind në Suedi por u nis nga i jati që të rritet në Serbi tek gjyshi e gjyshja midis moshës 7 – 14 vjeç. Mirëpo, nuk përmend se gjyshi ka qenë nacionalist i thekur, e sadist i punësuar në sigurim të shtetit, të cilit i ka pasur frikë gjithë fshati. Në një intervistë që gazeta serbe Alo bën me gjyshen e Mijailoviçit, ajo ka thënë se i nipi, para se të kryente vrasjen, i paskësh kërkuar librin ”Boj na Kosovu”, shqip: ”Beteja e Kosovës”. Kush e njeh natyrën fashistoide të shoqërisë serbe, s’ka nevojë për shpjegime. Për mua ngel mister se si është e mundur që Mijailoviç nuk është dënuar për terrorizëm. E kam shumë zor të besoj se ai do të gjykohej njësoj po të kish qenë irakien, të quhej Abu Moustafa, e të vriste MPJ suedez mbas luftës në Irak.
Libri është shkruar nga Eva Franchell, një shoqe e e ngushtë dhe bashkëpunëtore e së ndjerës Lindh. Origjinali në suedisht u botua më 2022 nga Bonniers, shtëpia më e madhe botuese suedeze. Për të janë shkruar recensa në shtypin suedez ku lavdërohen vlera memoaristike e librit, si dhe portretimi i ngrohtë e njerëzor i së ndjerës Lindh. Sa për kuriozitet, ky libër sot përdoret si literaturë kursi pranë fakultetit të politologjisë në universitetet suedeze.
Në shqip u përkthye nga shqiptaro-suedezi Qerim Raçi, i cili ka përkthyer më parë shumë poetë e prozatorë suedezë, dhe është redaktuar nga Gerta Guci në Prishtinë. Doli në treg prej shtypshkronjës Bledi Group në Prishtinë, me sponzorim, si thashë, nga MPJD e Republikës së Kosovës. Botimi shqip ka 413 faqe të ndara në 80 krerë, plus parathënien origjinale nga autorja suedeze, një regjistër të literaturës së përdorur në vepër, si dhe një regjistër të emrave.
MPJ e Kosovës ka bërë mirë që botoi këtë libër, është gjest i mençur dhe i nevojshëm. Edhe atë rrugë e atë shkollë që e kemi me emrin Anna Lindh, s’janë gabim. Ne shqiptarët jemi fis i vogël, e pa shumë mbështetje në Evropë. Ne duhet të ndërtojmë ura miqësie me të tjerët, ashtu si të mundemi. Përkthyesi Qerim Raçi, që ka përkthyer në shqip një sërë poetësh e prozatorësh suedezë, do lavdëruar veçmas për iniciativën. Ky përkthim mban nivel të kënaqshëm, ndonëse vuan nga disa cene rreth terminologjisë politike. Mandej ne gegët heqim keq të gjithë me ë-të e pazëshme. E kur rrojmë gjatë në vende me gjuhë gjermanike harrojmë shpesh trajtat e shkurtëra të përemrave vetorë; përkthimet nga frëngjishtja s’e kanë kurrë këtë problem, pse frëngjishtja i ka trajtat e shkurtëra si shqipja. Këtu redaktorja ka marrë lekët kot, se duhej të kish ndërhyrë. Ajo që më pëlqen më së shumti te përkthimi i Raçit është se ai, si rregull, përdor transkriptim origjinal të emrave evropianë me mbaresa shqip. Mua ky variant i Raçit më duket më i ndershëm, ne jemi pjesë e Evropës tashti dhe duhet të mësojmë si shkruhen emrat evropianë në origjinal.