More
    KreuOpinionShqiptar Oseku: Mbi Nobelin, akademinë, dhe pse luajta rolin tim në...

    Shqiptar Oseku: Mbi Nobelin, akademinë, dhe pse luajta rolin tim në një skenë të Peter Handkes

    Kur u mblodhën protestuesit e parë kundër Peter Handkes në adresën Perandori Justinian nr 111, aty ku ndodhet ambasada suedeze në Prishtinë, unë isha kundër. E para, pse akademia suedeze nuk është institucion shtetnor. Të shkaktosh rrëmujë para hyrjes së ambasadës, në një rrugë komikisht të ngushtë që s’ka asnjë përqasje me emrin e vet grandioz. Bah, kësaj i thonë të abuzosh kot nëpunësit dhe nevojtarët që kanë punë aty. Pastaj e dyta, edhe sikur aty të ndodhej filiala e akademisë, ç’kuptim ka. Akademia suedeze është e njohur për indiferencën e studiuar me të cilën pret kritikat e përvitshme për zgjedhje të gabuar. Më 2005 u mërdhiva me plot tjerë shqiptarë e boshnjakë në një shesh të dëbortë para vetë akademisë në Stokholm, për të protestuar kundër një tjetër nobelisti pro Millosheviç, dramaturgut britanik Harold Pinter. Rezultati doli një hiç me lule. Mediat suedeze na quajtën ”ballkanas të pakënaqur”, thuase protesta kundër një apologjeti të gjenocidit të ishte shije e mësuar a tipar kulturor, njësoj si kur të pëlqen byreku ta zëmë, a sufllaqet. Nja dy akademikë na quajtën atë natë katundarë të Ballkanit. Të nesërmen akademia kumtoi nga froni i fildishtë se kish një dallim midis letërsisë e politikës. Aq nxorrëm në dritë, aty mbaruan prurjet e protestës. Kush ka dy fije mend në krye s’del dy herë vullnetar për një vetëposhtërim të tillë. Dhe së treti, a s’është Handke ai debili i dhuntishëm që ushqehet me skandale? Ai që rigjeti libidon artistike duke dhunuar analisht historinë? Talenteve kriminele si ai pikërisht këto akte dhune u japin këllqe të shkruajë më shumë. Pse t’i jap unë frymëzim kot.

    Ajo që nuk doja t’ia pranoj vetes, e që më mundonte nën sipërfaqe, ishte ambiguiteti im personal rreth Handkes. Sepse e vërteta e tmerrshme është, se mu ky pasion maniak me të cilin Handke dhunon historinë pas vititi 1996, në letërsi i është shfaqur kur ka sfiduar konvencat e artit. Ta zëmë në teatër, tek shfaqja Offending the Audience, ku katër aktorë pa skriptë tjetër veç udhëzimesh të përgjithshme mësyjnë verbalisht publikun me orë, duke anuluar nocionet e teatrit dhe publikut. Në premierën e vitit 1966 kritikët e shokuar e quanin shfaqjen anti-teatër, ndërsa Handke u përgjigjej se do t’u hapte sytë njerëzve në publik. Ose ta zëmë autopsia që ai i bën së ëmës, me të cilën ka qenë aq i lidhur, tek A Sorrow Beyond Dreams (1972). Sa autorë tjerë njeh ti që janë në gjendje t’i aviten aq fort degjenerimit trupor e mendor tek prindi? Që jo vetëm eksplorojnë vetëvrasjen si ide, se ashtu mund të del estetike, por që regjistrojnë saktësisht gërryerjen e përditshme, të pistë e ngulfatëse, të çmendisë që rëndom gëlon pas vetëvrasjes – duke u shërbyer me nënën vetjake si rast studimi? Brrr. Vetë ideja të ngrin gjakun.

    Natyrisht që një njeri i cakërruar si Handke nuk mund të jetojë në paqe me botën. Jeta pas ”fundit të historisë”, pas rënies së sovjetikëve dhe të murit të Berlinit, do t’i jetë dukur një idilë e padurueshme. Por Handke gjeti shpejt një tjetër arenë ku të ushqente agresionet kreative. Më 1996, Handke stepi publikun gjerman me një udhëpërshkrim nga Sllobodanistani, pashallëk i skajuar e izoluar prej sanksionesh ndërkombëtare, nën sundim të Sllobodan Millosheviçit. ”Historia i bën njerëzit të poshtër a të shkëlqyer, e nga serbët ka krijuar vërtet një popull të jashtëzakonshëm”, ngulmon Handke –  në kohën kur serbët e jashtëzakonshëm po kryenin një gjenocid të jashtëzakonshëm në Bosnë. Sepse një sfidë nuk është e pranueshme për Handken nëse nuk është ekstreme, pra.

    Që atëhere, Handke ka shkarë në ekstrem pas ekstremi. Refuzon të quajë boshatisjen e qyteteve dhe Srebrenicën gjenocid, pse s’i pëlqen ajo fjalë, disi s’është semantikisht e saktë. Handke ishte student juridiku para se të bëhej shkrimtar dhe njeh rregullin e artë të retorikës, e vërteta aparente nuk mohohet por shtrembërohet. Ndaj e ripagëzon gjenocidin me turli eufemizmash, vëllavrasje, incident, hakmarrje. Mirepo e përdor termin gjenocid pa ngurrim sa herë kris një pushkë në katunde serbësh. Pohon se serbët janë autoktonë, boshnjakët tradhtarë, e amerikanët kaubojë që duan koloni. Në një rast bizar, ai vjen i shoqëruar në Kosovë nën orë policore dhe konstaton ”s’jam ndier kurrë më i lirë”. Shqiptarët i quan ”komunitet që e bashkon vetëm urrejtja antiserbe”, ”fëmijët shqiptarë ende pa ecur gjuajnë gur mbi serbë” – kjo mbasi ishin vrarë mbi 1700 fëmijë shqiptarë nga ushtria e policia serbe. Bëhet mik për kokë me Millosheviçin, e quan pëllumb që do bashkëjetesën, e viziton në qeli në Hagë. Transferin e tij atje e quan ”turp i amshueshëm i Serbisë”. Ekstremisti parimor Handke shkon gjer atje sa të kalojë në fenë serbe ndonëse është ateist; natyrisht që klerikët serbë s’i shohin kusure.

    Grindja e tij me planetën Tokë, këto njëzet vjetët e fundit rreth Serbisë, e ka frymëzuar të shkruajë, e të shkruajë mirë biles. Por viteve të fundit, me moshën, ka hyrë në një si vjeshtë krijimtarie. Disa ditë para ceremonisë Nobel unë ende mendoj se kjo bishë s’do ushqyer me impulse e sensacione të reja. Çmimi Nobel i ka bërë shumë autorë si daca të nginjur, ua ka topitur talentin e penën. Të presim, them unë, pa shohim e bëjmë.

    Ato ditë kam edhe një tjetër arsye shtesë për të mos hipur në autobuz. Kam thurrur një teori timen konspirative pse akademia suedeze i blaton Nobelin një autori të perënduar si Handke. Rrethi i të tetëmbëdhjetëve që ndan këtë çmim është demaskuar në publik si qerthull elitar mizogjinësh, ku bëjnë namin inate të ulëta, thashethemnaja, e një përbuzje e hollë por e pafshehshme ndaj grave të akademisë. Odën e burrave në akademi s’e ha më pazari. Elitizmi dhe ajo kulla e fildishtë që i ka ruajtur prej katundarësh tashti quhet fodullëk, mendjengushtësi, e mendësi patriarkale. Dhe akademia, e cila ka patur gjithmonë një përgjigje elegante ndaj akuzash politike, s’ka gjetur dot nje mbrojtje efikase kundër këtij lloji të ri skrutinizimi.

    E ku ka mënyrë më të mirë të devijosh gjithë këtë debat të rrezikshëm, se duke vlerësuar një enfant terrible që e urrejnë dhe i kanë frikën të gjithë?

    Unë nuk gjej asnjë shpjegim tjetër pse pikërisht Handke. Sepse e vërteta është që Handke nuk është përkthyer në suedisht që nga viti 1996. Asnjë shtëpi botuese nuk ka dashur ta prekë as me mashë, shkaku i serbofilisë banale. Pse kush do ta marrë në dorë një apologjet gjenocidesh, kur s’ka gjasa të fitojë? As botimet e vjetra nuk janë ribotuar. Handke nominohet çdo vit si kandidat, midis tjerash nga akademia serbe e shkencave dhe arteve SANU, por vazhdimisht refuzohet, për arsye të vetëkuptueshme. Kur u kumtua lajmi tronditës, në dhjetor 2019, bashkëpunëtorë të jashtëm të akademisë, ata që ndihmojnë me përzgjedhje e përkthime, biles japin dorëheqje.

    Duket qartë, pra, se vendimi 2019 është marrë për motive jashtëletrare. Akademia suedeze, e zënë ngusht siç ështe nga skrutinizimi, kërkon një diversion. Ajo di të menaxhojë perfekt akuzat politike – katundarë nga Ballkani, ne bëjmë dallim midis letërsisë dhe politikës, etj etj – dhe natyrisht që preferon këtë lloj debati, shumë më fort se debatin për llogor të burrave. Krerët e akademisë kanë marrë vendimin të nderojnë Handken pikërisht për këtë shkak. Jo për të nderuar a mbrojtur autorin e harxhuar tashmë, a jo. Por për të mbrojtur kullën e vet të fildishtë. Ata përdorin dramaturgun Handke, të joshur nga nepsi për fame, si aktor në një skenë ku regjisor është vetë akademia.

    Natyrisht që unë, me këto ide, nuk kam asnjë motiv të protestoj në acar të dimrit. Gjer dy ditë ditë para ceremonisë Nobel, që tradicionalisht mbahet me 10 dhjetor, unë e kisha ende mendjen top. Ncuk, s’jam budalla. Unë s’bëhem piun në një tabelë shahu.

    E pra nuk di as vetë si ndodhi që unë, në mbrëmjen e 10 dhjetorit,  po mërdhija me mikrofon në dorë sërish mbi tribunën e ngritur ad  hoc në sheshin Norrmalmstorg të Stockholmit, duke folur para mëse njëmijë njerëzve. Peter Handke mbron kriminelët! Turp të keni, akademia suedeze! Ne jemi me ju, boshnjakë!

    Nuk ka asnjë shpjegim logjik. Logjika ishte komplet në anën e burrave të akademisë, e të neurotikut Handke. Skripta ishte në dorën e tyre.

    Veçse nganjëherë njeriu duhet ta çojë logjikën në rrs, se prej mishi e kockash jemi e na vlon gjaku. Dhe atëhere mund të ndodhë ashtu si ndodhi, që një rebelim qorr i aktorëve të godasë verbërisht në shenjë, e regjisorëve t’u ikë produksioni prej duarsh. Dhe pyetni Handken e ai do t’ju shpjegojë: rëndom jane një a dy personazhe që autori s’i ka menduar, s’i ka skicuar si duhet, nuk u ka rrokur tamam karakteret, që bëjnë kryengritje të papritur dhe devijojnë skriptën. Si ta zëmë personazhet e denja të dy ambasadorëve shqiptarë në Stockholm, Shkëndije Geci-Sherifi dhe Virgjil Kule, që nisën një ortek bojkotesh nga diplomatë.

    Tash kur po shkruaj këtë, kam arritur të ndjek lajmet ndërkombëtare dhe di se të gjitha mediat e shkruara i kanë dhënë hapësirë bojkotit diplomatik njësoj sa ceremonisë. Mohuesi i gjenocidit për vitin 2019, njëherit edhe nobelist në letërsi, Peter Handke, tok me burrat e akademisë që kishin menduar tjetër shfaqje, kanë arsye të ndihen të frustruar. Ndërsa unë mendoj për ata protestuesit e parë, që dolën më rrugën Justiniani nr 111 në Prishtinë.

    Po, ambasada suedeze ende s’ka të bëjë me çmimin Nobel. Dhe po, ajo rruga është ende komikisht e ngushtë dhe e padenjë për emrin grandioz që ka. Dhe po, Handkes së plakur do t’i ketë ëndja sigurisht edhe më tutje të ushqehet me skandale, athua i rindezin talentin.  Por ata njerëzit që dolën në mënyrë spontane të protestojnë nuk janë aktorë në drama të të tjerëve, po protagonistë në dramën dhe jetën e vet. Njësoj sikur unë në Stokholm, Nënat e Srebrenicës në Bosnje, a njerëzit që mbijetuan lëkundjen e tokës në Durrës. (Po, Handke ka poshtërime edhe për Shqipërinë, por kush lodhet.) Ata protestues kishin të drejtë. Ne duhet ta luajmë rolin kryesor në dramën tonë, pse secili është heroi i rrëfimit të vet; e jo të mendojmë se çfarë mendojnë për ne një publik ambasadash, rrugësh komikisht të ngushta me emra të mëdhenj, e shkrimtarësh hidhnakë me huje. Sepse po, ne jemi kryepersonazhet e rrëfimit tonë. Dhe ata, gjithë ata, janë publiku ynë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË