Ditari “Dëshmitar në kohë historike” I-IX (1966-2008)
Rexhep Qosja përgjatë dhjetë vjetëve (2014-2023) ka botuar nëntë vëllime të Ditarit të vet, të shkruar në një rreth kohor prej dyzetë vjetësh dhe me reth 5 500 faqe. Me Ditarin me titull “Dëshmitar në kohë historike”[1], krijimtaria e tij u pasurua edhe me një lloj tjetër shkrimor, me prozë autobiografike, dhe kështu u përplotësua vepra e tij shumë e gjerë me karakter historiko-letrar, historiko-dokumentar, kritik, eseistik, publicistik dhe polemik.
Krijues me prirje të mosqëndrimit asnjëherë në jetë indiferent ndaj atyre që kanë ndodhur e që ndodhin afër e larg tij e që nuk lidhen vetëm me të po, sidomos, që lidhen drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt me shqiptarët, me jetën e vendin e tyre, me fatin e vështirësitë e tyre, me të gjitha aspektet e qenies së tyre, ka qenë e pritshme që ai të shkruajë edhe ditar – zhanër i letërsisë autobiografike ky, i lëvruar pak në letërsinë tonë, po i lëvruar shumë në letërsitë e popujve të mëdhenj evropianë dhe në letërsinë amerikane e më gjerë, në të cilat janë të shumtë ditarët, po edhe autobiografitë, biografitë, kujtimet, udhëpërshkrimet, esetë, letrat e të tjera lloje shkrimesh.
Në përthyerjet historike, shoqërore e politike të dhjetëvjetëshave të fundit, Rexhep Qosja shquhet si personalitet me identitet e ndikim të fuqishëm intelektual, moral, shoqëror e politik, si protagonist i pashmangshëm në ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në gjithë hapësirën shqiptare në çerekun e fundshekullit 20 e në fillimshekullin 21. Shikuar edhe nga ky këndvështrim, ditari i tij “Dëshmitar në kohë historike” paraqet jo vetëm pasurim të letërsisë dokumentare shqipe, po edhe dëshmi pakrahasueshëm të vlefshme për historinë e më tepër se gjysmë shekulli të shqiptarëve e të hapësirës shqiptare. Autori ka arritur që prej një rrëfimi jetëshkrimor në formë ditari të zhvillojë një biografi shumëdrejtimshe të Kosovës e, pjesërisht, edhe të Shqipërisë.
Mund të thuhet, prandaj, se jo vetëm vepra e tij shkencore e letrare, ajo historiko-publicistike, por edhe ajo letrare-dokumentare shpreh ndërgjegjen intelektuale, shoqërore e morale të autorit dhe të kohës së tij. Së këndejmi, del edhe rëndësia e madhe historike, kulturore dhe politike e këtij Ditari.
Ditari i Rexhep Qosjes, megjithatë, nuk është vetëm dëshmi dokumentare, historike letrare, kulturore, shoqërore, politike, por është edhe dëshmi gjuhësore, që tregon se si është përvijuar gjuha dhe stili i shkrimtarit përgjatë afër gjysmë shekulli, si është përvijuar edhe gjuha e stili i tij në krijimtarinë letrare, shkencore e publicistike në përgjithësi gjatë kësaj periudhe.
Rexhep Qosja është studiuesi, kritiku, shkrimtari dhe publicisti më prodhimtar në gjithë hapësirën shqiptare, me mbi 45 vepra tematikash të ndryshme, prandaj edhe në këtë ditar do të gjejmë llojshmëri të madhe temash të trajtuara, si: tema politike, tema kombëtare-historike, tema letrare, tema filozofike, tema shoqërore-kulturore e të tjera, domethënë gjejmë tema të atyre katër çështjeve të mëdha të cilave ai ua ka kushtuar jetën: çështjes kombëtare, me çështjen e Kosovës si kryesorja e saj, çështjes demokratike në hapësirën shqiptare, dhe sidomos shkencës së letërsisë dhe prozës letrare. Ditari i tij mund të konsiderohet gjedhe e prozës së sotme autobiografike, ku shpërfaqen ditari privat, ditari shoqëror, ditari historik, ditari politik, ditari letrar, ditari filozofik, por edhe ditari shumëtekstor. Si i tillë, ky ditar s’ka pararendës e as bashkëkohës as me përmbajtjen, as me vëllimin e as me rëndësinë, sot, në letërsinë tonë dokumentare.
Interesimi i shtuar për studimin e ditarëve, të kujtimeve, të letrave të krijuesve, të autobiografive e të shkrimeve eseistike po bëhet një ndër çështjet më aktuale teorike-letrare sot në Evropë dhe në Botë. Në studimet e reja teorike synohet të ndriçohen sidomos karakteri referencial i ditarëve dhe raporti midis tekstit dhe subjektit, të ndriçohet raporti midis faktit dhe fiksionit dhe të ndriçohet përmasa kulturore e ditarit në të cilin ndërtohet i ashtuquajturi “modeli i identitetit”.
Ditari i Rexhep Qosjes është një lloj i tekstit me strukturë të veçantë, që qëndron midis tekstit letrar artistik dhe tekstit historiografik, që do të thotë se nuk është vetëm rrëfim në vetën e parë për ngjarje të vërteta nga jeta e vet, por është shumë më tepër se kaq. Nëpërmjet tekstit autobiografik nuk rrëfehet vetëm tregimi, jetësorja, por krijohet pamja e gjendjes dhe e ndodhive të çdoditshme, të çdojavshme, të çdomuajshme e të çdovitshme shoqërore, politike dhe kulturore shqiptare. Ky ditar është një kronikë e gjatë dhe e përbërë e Kosovës dhe e botës shqiptare në shumë pamje.
Veçori të përgjithshme përmbajtjesore dhe formale
Në ditarin “Dëshmitar në kohë historike” përcaktohet qartë identiteti i subjektit të tij, kufijtë e tij kohorë, arsyeja dhe qëllimi pse shkruhet ai, tematizimi, përkatësisht orientimi i subjektit të tij sipas temës së përzgjedhur, raporti i qartë midis përmasës intime, private dhe shoqërore dhe shkalla e besueshmërisë, përkatësisht e autenticitetit.
Si ditar privat, autori në të paraqet subjektin dhe përvojën e vet me familjarët dhe me miqtë, interesat dhe interesimet vetjake, hollësi nga jeta e përditshme, gjendjen intime, ndjesitë, shqetësimet, dëshirat e të tjera.
Si ditarshoqëror shpërfaq mendimet e subjektit për ato që kanë ndodhur dhe që ndodhin jashtë tij dhe përtej jetës së tij private, duke shquar karakterin mospajtues a kundërshtues ndaj realitetit shoqëror e politik, gjendjet që kanë ndikuar e nxitur nëpër kohë vetëreflektimet e tij ditarore të konkretizuara me data dhe me mbajtje të rregullt të ditarit.
Si ditar filozofikshquan përpjekjen për njohjen e qenies shpirtërore të subjektit të tij, të nxitur nga përvoja e tij në njëmendësi.
Si ditar historik tematizon dhe problematizon ngjarje, ndodhi, dukuri, figura të rëndësishme historike dhe të përtashme për mjedisin dhe më gjerë duke u pozicionuar qartë dhe fuqishëm.
Si ditar i letrarizuar identifikon dhe njëjtëson rrëfimtarin me subjektin, metaforizon realitetin, në të vërtetë e paraqet më së shpeshti nëpërmjet një figurshmërie të thellëkuptimshme e të dendur.
Brenda nëntë vëllimeve sa janë botuar deri më tash (shpresojmë të botohet edhe vëllimi i nëntë jo larg), autori, Rexhep Qosja, na dëshmohet si mendimtar, intelektual, studiues, kritik, shkrimtar, publicist, filolog, shpesh edhe gjuhëtar, i cili mëton t’u japë përgjigje shumë pyetjeve për çështje të ndryshme nga shumë fusha të jetës e të dijes. Mund të thuhet, pa e tepruar, se fjala është për ditar të vetëdijes, të ndërgjegjes së një intelektuali të rendit të parë, më parë se për një ditar për botën ndjenjore a të brendshme të autorit, siç pritet në një ditar të një personaliteti shumë të njohur, ndonëse në këtë ditar nënkuptohen, ndihen e përvijohen edhe përbërës gati të “heshtur” intimorë.
Në shënimet e veta intelektuale brenda këtij ditari, ai me vetëreferim të theksuar, të vetëkuptueshëm, “refuzon” qëllimshëm të shkruajë autobiografi personale, për më tepër duket se ditari i tij sikur na thotë se njerëzit si ai, njerëzit e brezit të tij, nuk kanë tregim jetësor sepse rrethanat politike, shoqërore e kulturore e kanë skajuar jetën personale të individit. Ç’është e vërteta, nuk mungojnë përshkrimet që lidhen me jetën e tij të përditshme, me punën e tij e me procesin krijues, që janë në të shumtën e rasteve përshkrime a shënime me karakter pune shpesh të plotësuara me aspekte intimore, ku nuk mungojnë as ato me karakter kritik ndaj krijimtarisë vetjake, as ato në të cilat komentohet shumëçka nga kjo krijimtari, madje edhe synimet që ka dëshiruar t’i arrijë. Me hollësi, autori përshkruan, gjithashtu, atmosferën që ka shoqëruar krijimin e shumë veprave të tij, tematikën e tyre, strukturën e tyre, vështirësitë, kushtet e punës, procesin e botimit e të shtypit, mendimet e të tjerëve për to e të tjera. Në shumësinë e shënimeve që përmbajnë elemente të jetës së tij private si dhe të zhvillimit të tij si krijues, gjejmë të ndërthuren pazgjidhshëm ligjërimi intim me ligjërimin e përgjithshëm intelektual.
Në këtë ditar Rexhep Qosja nuk na paraqitet vetëm si studiues e kritik, aq më pak vetëm si shkrimtar ose si bartës i shumë veprimtarive kulturore e shkencore të kohës, por ai paraqitet, para së gjithash, si pjesëmarrës aktiv i kohës së vet, që synon ta japë kontributin në kujtesën e në ndërgjegjen kolektive. Autori merr pjesë, më së shpeshti me shkrime, intervista, reagime e polemika, por një kohë edhe me veprimtari të organizuar politike, në ngjarjet që shënojnë gjendjen politike, shoqërore e kulturore të Kosovës, duke ofruar njëkohësisht edhe të dhëna për ndodhitë vetjake e private brenda këtij konteksti.
Të gjitha shënimet joimagjinare të autorit bartin vulën e kohës, tregojnë gjendje e protagonistë, ndodhi e ngjarje që zbulojnë shumanshëm shoqërinë e kohës, politikën që bëhet, rrjedhat dhe ndikimet kulturore, mendësinë e kohës e të mjedisit. Tërësinë apo, më mirë të thuhet, përplotësinë tematiko-stilistike, për të cilën kjo vepër e madhe merr formën e një të ashtuquajturi laboratori krijues të shkrimtarit, e sugjeron edhe vetë titulli i këtij ditari – “Dëshmitar në kohë historike”, kurse gjendjen e përgjithshme shoqërore, politike, kulturore si dhe shqetësimet e autorit nëpër kohë i tregojnë shkurtimisht edhe motot që u paraprijnë të nëntë vëllimeve të ditarit të tij: Koha e shpresës dhe e mendimit parathënës; Koha e rilindjes së papritur; Koha e idealistëve dhe e kameleonëve; Qëllimi i madh dhe përndjekja e madhe; Oligarkia udhëhumbur dhe shërbëtorët e saj intelektualë; Duke mbajtur mend mbushemi mend; Koha e mospajtimeve mes politikës nënshtruese dhe politikës çlirimtare; Koha e protektoratit dhe Kosova. Shtet i lirë, i pavarur dhe më vete.
Autori në të vërtetë shfaq njohje dhe ndjenjë të zhvilluar e të drejtë për realitetin e Kosovës dhe realitetin shqiptar në përgjithësi dhe më gjerë, në Jugosllavi e në Ballkan, të përshtrirë nëpër kohë. Kjo vlen posaçërisht për ditarin që përfshin periudhën para vitit 1981 e deri në fund të viteve ’90. Qëndrimet e tij, sidomos rreth asaj që ka ndodhur ndër vite në historinë e re të Kosovës në të gjitha fushat e jetës së saj, posaçërisht qëndrimi i tij ndaj veprimeve të intelektualëve të kohës brenda atij konteksti politik, shoqëror e kulturor, sikur përputhen me moton e Çesare Pavezes “Unë kërkoj moralitet brenda jomoralitetit” e që, në të vërtetë, përmban mendimin e tij të njohur, të shprehur në Ditarin e tij “Arti i të jetuarit” (1935-1950), botuar më 1952: “Jeta morale e individit është e përjetshme, ekzistenca e pandryshuar e unit, kurse veprimet janë gurgullimë e atij deti, humnerat e vërteta të të cilit shihen vetëm në stuhitë, shpesh as atëherë”.
Në nëntë vëllimet e ditarit të botuar deri tash, në të cilët shënohen, pak a shumë, të gjitha shqetësimet e tij intelektuale qenësore, në një kohëzgjatje 42 vjeçare zbulojmë pa vështirësi shndërrimin ideor ose dhe përparimin e tij ideor nëpër kohë, ndryshimin e qëndrimeve të tij për ide, dukuri, ngjarje që lidhen jo vetëm me fushat e krijimtarisë, po edhe me gjithçka që ndodh në jetën e tij dhe në jetën shqiptare në përgjithësi. Nga ky këndvështrim ditari i Rexhep Qosjes, “Dëshmitar në kohë historike”,është një kronikë panoramike e mendimit të tij nëpër kohë. E kuptueshme, sepse ditari për nga natyra nënkupton tekst në zhvillim.
Një shndërrim ose, ta quajmë, një si zhvillim në qëndrimet, në idetë dhe në veprimet e tij e hetojmë nga vitet ’80 e këtej, sidomos në vitet ’90, si vite kthese në jetën politike, shoqërore e kulturore të Kosovës. Duket se autori me ditarin ka gjetur një formë shumë të përshtatshme për t’i vënë në provë pikëpamjet dhe qëndrimet e veta politike, shoqërore e kulturore.
Në ditar, edhe pse i strukturuar si paraqitje, nëse jo e çdoditshme, e ditëpasditshme, me largesa kohore herë më të vogla e herë më të mëdha, gjejmë numër jo të vogël vëzhgimesh, komentimesh, meditimesh, kritikash për qëndrimet e të tjerëve dhe për qëndrimet e veta lidhur me ngjarje e ndodhi të rëndësishme, për ndodhi të zakonshme dhe përshtypjebërëse, siç ka dëshirë t’i quajë ato autori i këtij ditari. Në përgjithësi mbizotërojnë parashtrimet analitike për ato që autori i ka konsideruar se vlejnë të shënohen. Herë pas here shënimet lidhen me detyrimet e përditshme të tij, kurse shumë më shpesh ato janë vrojtime të përgjithshme të gjendjes së tij të brendshme të nxitur nga ajo që ndodhte në jetën jashtë tij. Përmbajtjet emocionale intime kryesisht janë dhënë pa hyrë në thellësitë e tyre. Hetohet një si shmangie e qëllimshme e tij në këtë sferë të ndjeshme e të rëndësishme të jetës njerëzore. Nga jeta private, qëllimshëm duke i ikur shpesh paraqitjes së rutinës së zakonshme ditore ose përshkrimit të ndodhive të përditshmërisë, autori ka përzgjedhur të përshkruajë çaste mbresëlënëse që lidhen me vizitat e njerëzve të njohur e të panjohur në shtëpi, në rrugë e, më shpesh, në zyrë, pra nga bisedat me ta, me lajmet që i vinin nga miqtë e kolegët ose nga shtypi a televizioni, por më së shpeshti nga ato që lexonte çdo ditë. Autori tregon kujdes në paraqitjen e saktë të rrjedhës së ngjarjeve dhe përputhshmërinë e tyre me datat kur ai mban ditar. Në përgjithësi shkrimi i tij ditaror mbështetet në kujtesën e tij të jashtëzakonshme jo vetëm kur shkruan a shqyrton tema nga e kaluara, po sidomos kur i riprodhon bisedat e shumta me njerëz, diskutimet nga takime e mbledhje të ndryshme, sidomos kur sjell mendime e ide nga librat e lexuar gjatë jetës.
Nëse pranojmë se ditari paraqet vend ku mblidhen, rivështrohen e analizohen, t’i quajmë kushtimisht, “llogaritë e papërfunduara”, ku bëhet përpjekje të tregohen, të arsyetohen, të zgjidhen a të sqarohen qëndrime, tema, ndodhi, probleme, mëdyshje, shqetësime, pra shesh ku zbulohen e shprehen mendimet e pashqiptuara, për t’i bashkuar ato që nuk është e mundur të thuhen diku tjetër, ky riprodhim i përjetimeve vetjake përfaqëson kundërvënien e atyre që vështirë bashkohen, në të vërtetë përfaqëson kufirin ndarës: midis të bërës dhe të pabërës, midis të thënës dhe të pathënës, midis të dëshiruarës dhe të paarritshmes, midis të pritshmes dhe zhgënjyeses, midis mendimit dhe pendimit – të gjitha këto të shtruara e të trajtuara përmes analizës, kritikës dhe vetëkritikës, përmes qortimit dhe vetëqortimit, përmes të besueshmes dhe imagjinares. Ky ditar ka përmbushur mrekullisht këtë kërkesë – që ditari të quhet gjithëpërfshirës.
Ndër tipat kryesorë të diskursittë ditarit “Dëshmitar në kohë historike”, vend të posaçëm zënë shënimet ditarore që regjistrojnë ndodhitë e rëndësishme a të parëndësishme në publik në të cilat merr pjesë autori ose merr informacione për to si takime zyrtare e jozyrtare, sidomos takime me politikanë e diplomatë të huaj që vinin në Kosovë për t’u informuar për gjendjen e shqiptarëve nën regjimin e terrorit të Millosheviqit, mbledhje e konferenca, debate e intervista e të tjera, përkatësisht shënimet që dalin të kushtëzuara e të ndikuara nga realiteti i jashtëm, drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt. Shkurt, fjala është për shënimet që dalin më shumë si rezultat i ndikimeve dhe i përpjekjeve qendërikëse, të cilat të çojnë kah hapësira e gjerë e interesave, pra jashtë rrathëve të jetës vetjake a individuale, sesa si rezultat i ndikimeve dhe i përpjekjeve qendërsynuese që i takojnë jetës së brendshme të autorit, për ç’arsye zakonisht edhe shkruhen ditarët. Nga kjo anë autori i rrënon “kufijtë” e përcaktuar të ditarit si zhanër.
Ndryshe nga trajtimi, ta quajmë intimor, në të cilin autori jo rrallë gjurmon për të vërtetën “emotive”, duke e vënë si njërën ndër çështjet kryesore të identitetit vetjak, këto shënime bëhen shprehje, në të vërtetë një si “procesverbal” i debateve shoqërore e kulturore, shpesh edhe një si tribunë imagjinare shumë e rëndësishme diskutimi për çështje me interes jetik për njeriun e Kosovës, një tribunë që synon të lëvizë vetëdijen dhe vlerat qytetare. Për arsye të pranisë së mjaft treguesve të përafërt me stilin gazetar-publicistik, pos funksionit shoqëror, funksionit përndritës, funksionit njohës dhe funksionit estetik, këto shënime a tekste brenda ditarit përmbajnë edhe rol ideologjik. Karakteri dhe përmbajtja e këtij ditari parakupton njohje të gjerë e të thellë të kontekstit kohor e hapësinor. Një njohje të tillë e dëshmon qartësisht ky ditar, përfshirë këtu edhe lëndën dokumentuese si burim i besueshëm për të trajtuar ngjarje e ndodhi të rëndësishme e të veçanta të kohës.
Duke qenë se me argumentimin kritik shquan njohjen vetjake dhe rolin e literaturës në këtë argumentim, autori shpërfaq edhe përpjekjen për të ndikuar në ndryshimin e vetëdijes qytetare, në ndryshimin e realitetit politik, shoqëror e kulturor. Kjo përpjekje del si mision i tij intelektual. Ky ditar, nga kjo anë, provon se autori vetëdijshëm e ka ndryshuar ndër vite jo vetëm veten, po edhe karakterin e këtij ditari – prej një ditari me karakter pak a shumë të ngushtë privat, e ka kthyer në një ditar me karakter publik, në një ditar me interes të përgjithshëm publik dhe historik.
Ky ditar përfshin edhe elemente paratekstore në formën e komentimeve për libra të ndryshëm, për mendime e shkrime të ndryshme të të tjerëve, për informacione që merr nga shtypi e nga radiotelevizionet, por edhe nga bisedat me bashkëmendimtarë a me mospajtues deri edhe me kundërshtarë etj., për çka autori me e pa qëllim “zbulon” kështu nga i kanë ardhur ndikimet që kanë ndërtuar personalitetin e tij, qëndrimin e tij, për më tepër edhe karakterin e veprës së tij shumëpërmasore. Këtë e dëshmon edhe stili i këtij ditari që formësohet edhe nga kapërcimet a, t’i quajmë, digresionet e shumta nga fusha të ndryshme diturore, jashtë atyre që konsiderohen fusha të tij.
Si bashkim a ndërlidhje e reales me idealen, e të mundshmes me të dëshiruarën, këto shënime ditarore dëshmojnë formësimin nëpër kohë të identitetit individual, privat, profesional dhe artistik të ditarshkruesit, por dëshmojnë edhe përpjekjen e tij për të arritur harmoni e pajtimësi të shkallës më të lartë midis tyre, që nuk paraqet detyrë të lehtë për vlerësim parimor nga ana e tij, sepse të mbash ditar nuk është punë aspak e lehtë.
Duke qenë se kemi të bëjmë me rrëfimi personal dhe rrëfimi dokumentar ky ditar aktualizon tekst dhe kontekst autobiografik dhe tekst dhe kontekst të përtashëm e historik, përmes rrëfimit personal të autorit, përvijohen edhe llojet ligjërimore: ligjërimi privat dhe ligjërimi publik, ligjërimi bisedor dhe ligjërimi i thjeshtë, ligjërimi libror dhe ligjërimi shkencor, ligjërimi politik, ligjërimi publicistik dhe ligjërimi letrar artistik, duke u karakterizuar, në njërën anë. si ligjërim autobiografik e, në anën tjetër, si ligjërim historiografik.
Në përmbyllje të këtij shkrimi po e rithem se Ditari “Dëshmitar në kohë historike” i Rexhep Qosjes, me nëntë vëllimet e deritashme, me përmbajtjen, me tematikën, me idetë, me mendimet, me strukturën, me gjuhën e me stilin nuk ka vetëm rëndësi kulturore, politike e historike, po ka edhe rëndësi artistike, gjuhësore dhe shkencore. Ai është ditar gjithëpërfshirës, tërësor, sistematik si nga përmbajtja, po ashtu edhe nga ana gjuhësore-tekstore. Mund të quhet edhe ditar-mozaik me karakter enciklopedik. Vëzhgimi ynë vërteton se autorinë asnjë periudhë të shkrimit të ditarit të vet nuk është nisur nga gjedhe paraprakisht të përcaktuara të shkrimit ditaror, porse ka qenë kurdoherë i prirë të bashkojë tipa të ndryshëm shkrimorë ndonjëherë edhe me ballafaqim dhe kundërvënie jo të zakonshme, por interesante të ligjërimeve dhe të stileve funksionale. Dhe, pikërisht kjo mënyrë shkrimi i jep këtij ditari vulë të veçantë origjinaliteti. Së këndejmi, mund të thuhet se nga ana ligjërimore ditari paraqet gjedhen më të plotë për ta hetuar tipologjinë e ligjërimeve të shqipes dhe stilet funksionale. Autori, Rexhep Qosja, ka arritur me mjeshtëri e aftësi të rrallë të bëjë bashkime a “kolazhe” ligjërimore e ndërstilore, duke ndërtuar një tekst të “gjallë” dhe tërheqës jo vetëm për lexuesin e vëmendshëm.
I parë edhe nga anëvështrimi gjuhësor dhe stilistik, ky ditar sjell pasurim cilësor e sasior në letërsinë dokumentare shqipe, por edhe pasurim cilësor e sasior për gjuhën shqipe dhe stilistikën e saj në përgjithësi.
[1] Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike. Ditar I (1966-1974), “Toena”, Tiranë, 2014; Ditar II (1975-1978), 2014; Ditar III (1979-1981), 2014; Ditar IV (1982-1983), 2014; Ditar V (1984-1985), 2014; Ditar VI (1986-1989), 2015; Ditar VII (1990-1998), 2016; Ditari VIII (1999-2001), 2019; Ditari IX (2002-2008), 2023.


