(produkt karantine)
Në vigjiljen e Krishlindjeve të vitit 1998, togeri Alem Hila, vetëm njëzet e shtatë vjeç, që luftonte në Fushë-Kosovë, në radhën e forcave të UÇK-së, mori një telegram nga gjyshja e tij, Fata, ku lajmërohej se ajo qe në grahmat e fundit dhe, nëse donte ta shikonte edhe njeherë të gjallë, duhet të nxitonte ardhjen. Togeri, që, edhe pse në luftimet e fundit pati marrë një plumb në shpatull, u nis që atë mbrëmje me trenin më të vonë drejt vendlindjes, pasi mori më parë leje nga komanda e ushtrisë. Gjatë udhës zuri vend pranë dritares, në një kabinë, ku, veç tij, ndodhej vetëm një vajzë. Muzgu i mbrëmjes kishte rënë dhe kabina qëndronte e zhytur në errësirë. Nata qe me mjegull dhe e lagësht, në qiell nuk dallohej asnjë dritë. Binte një sqotë e lehtë bore, e cila sa mezi bënte beli nga errësira e dendur. Askush nga të dy, togeri dhe vajza, nuk folën. Qëndruan në heshtje përballë njëri-tjetrit si dy armiq në llogoret e tyre që kërkojnë të marrin sa më tepër informacione, përpara se të sulmojnë njëri-tjetrin. Ky sulm nuk ndodhi kurrë. Fishkëllima e lokomotivës u dëgjua, ashtu siç kishte ndodhur sa herë që ajo qe ndalur në një ndalesë dhe, pas 70 km rrugë, treni kishte qëndruar në stacionin, që qe i fundit për togerin. Ky përshëndeti me kokë vajzën, u ngrit më këmbë, rrasi kapelen në kokë dhe bëri për nga dera. Jashtë bora qe bërë më e dendur, tani sqota e kishte humbur atë formën e squllët dhe binte fjolla-fjolla me ca flokë të mëdhenj petashuqë. Togeri, ngriti jakat e palltos, ndezi një cigare dhe mori udhën për në qytet. Rrugës, kur po kalonte nëpër shëtitoren e ndriçuar, kërkoi me sy ndonjë shitës ambulant, ku të mund të merrte diçka për gjyshen e sëmurë.
Gjyshja qe i vetmi njeri që i pati mbetur. Prindërit nuk i kishte njohur, sepse ata një ditë kishin humbur pa namë e nishan, nga një ortek bore. Që nga ajo ditë përkujdesjen e tij, e pati marrë në dorë gjyshi nga nëna, që jetonte në qytet. Kur kishte mbaruar shkollën, ky e kishte regjistruar në akademinë ushtarake. Gjyshi më vonë kishte vdekur, kishte mbetur vetëm gjyshja, të cilën, pasi kishte plasur lufta, djali e shikonte rrallë, ngase qe detyruar të shkonte në front.
Në udhët e qytetit qe një heshtje e madhe, aq sa ndiheshin stërkalat e ujit, që lëshoheshin nga soletat e pallateve.
Në gjysmerrësirë vuri re një pijetore dhe u kujtua të blente diçka. Prapa banakut, qëndronte një vajzë, e cila kishte hedhur rreth shpatullave një shall ngjyrë qumshti. Për çudi, vajza iu duk e njëjtë me atë që pa në tren. Iu kujtua se edhe ajo mbante rreth qafës një shall leshi, ngjyrë qumshti, me disa qendisma të lehta. Ndërsa fytyra e saj, nuk i kujtohej pasi kishte qenë shumë errësirë dhe nuk kishte mundur ta ravijëzonte dot në kujtesë. Shitësja e re po e vështronte me ca sy të qelqtë, akull të ftohtë. Togeri porositi dy shishe shurup trëndafili, pagoi paratë, dhe u largua. Tërë udhës mendoi për ngjashmërinë mes dy vajzave, por nuk arriti në ndonjë përfundim të qartë. E fjeti mendjen, duke u bindur se derisa ngjasin dy shalle në motive e qëndisma, mund të ngjasin me njëra-tjetrën dhe dy femra. Kur hyri në rrugicën e ngushtë që të dërgonte te blloku i pallateve ku banonte gjyshja, pa dritën e fikur në apartamentin e saj. Qëndroi në këmbë një copë herë, i erdhi keq, sepse mendoi se tashmë mund të qe vonë. Qetësinë e mbrëmjes e prishën dy mace që po grindeshin me potere, brenda një koshi mbeturinash, piskama e tyre qe ngjethëse dhe erdh si angullimë. U afrua te koshi dhe i mëshoi me shqelm sa mundi. Të dy macet, ia mbathën me bishtin ndër shalë. Më pas u ngjit drejt apartamentin. Dera ishte e pakyçur. Gjyshja ishte gjallë, por qe tretur shumë. Ajo u gjallërua përnjëherë kur e pa dhe me zërin e mekur, që dukej sikur do të fikej nga momenti në moment, i uroi mirëseardhjen. Ai qëndroi një copë herë karshi saj, masandaj u rehatua me një gotë çaji në dorë. Plaka mblodhi të gjitha fuqitë, nxori nga gjoksi diçka të palosur dhe ia la në duar.
Djali sa nuk shqeu sytë, kur pa se në duar mbante shallin, që i kishte parë vajzës në tren dhe po të njëjtin shall që i kishte parë vajzës tjetër në dyqanin e pijeve.
Po ky, – e pyeti me zë të mekur, – nga doli!
-E kam thurur për ty, – u gjegj plaka, – ky do të drejtojë për te fati yt.
– Për te fati im, – përsëriti me zë të lartë!
Nuk po u besonte veshëve dhe syve, kishte takuar deri tani të njëjtën vajzë dy herë dhe këtë e pati quajtur rastësi.
Aty nga mesnata plaka vdiq. Alemi i qëndroi mbi kokë gjithë natën, dhe të nesërmen së bashku me dy puntorë të shërbimeve funerale, e varrosi, përbri varrit të gjyshit.
I kishte mbetur vetëm një ditë leje dhe duhej të kthehej në front. Përpara se të largohej nga qyteti, kaloi nga dyqani i pijeve, me shpresën se mos e shikonte edhe njëherë atë vajzën që i shërbeu shurupin e trëndafilit, atë mbrëmje që u kthye.
U fut brenda dhe pas banakut vuri re një grua të shëmtuar, e cila nuk të linte asnjë dyshim, se nuk qe ajo që i kishte shërbyer. Ai zuri një tavolinë dhe porositi një raki. Pastaj i drejtoi një pyetje gruas, nëse edhe mbrëmjeve shërbente ajo dhe mori përgjigje, se për rreth tridhjetë vjet, askush nuk shërbente në lokalin e saj përveç saj.
Kjo përgjigje e la pa mend. Pagoi paratë dhe u largua. Mori trenin e mesditës dhe u nis sërish për në front. Jashtë vazhdonte të binte borë, shumë borë, por ai ndjente një shkulmim të nxehti në trup. Vendosi të dremiste pak, duke mbështetur kokën pas dritares së kabinës. U zgjua nga një dorë e imët, e cila i fshinte ballin me një shami. Nuk ishte në tren, por brenda një çadre ushtarake, në hapsirën e së cilës qenë shtruar shumë shtretër dhe rrotull endeshin shumë mjekë me përparse të bardha. Ngjante si një spital fushor. Nuk e dinte ku ishte derisa degjoi një zë:
-Operacioni juaj, falë Zotit, qe i suksesshëm toger, plumbin në shpatull e hoqëm, por jeni ende i shumë i dobët dhe duhet të pushoni që të merrni veten.
Zëri qe i infermierejes së re, e cila qe e bukur, fytyrën e kishte të lëmuar dhe flokë të verdhë të derdhur. Pastaj ajo foli sërish, – ka edhe një telegram për ju zotëri, – dhe i zgjati një copë pusullë. Ndërkohë që ai hapi letrën, ajo mbeti duke e admiruar tërë kënaqësi fytyrën e bukur të djalit, e sërish vazhdoi t’i fshinte ballin me një kujdes të tepruar. Alemi lexoi në letër lajmin e vdekjes së gjyshes dhe u drodh, pastaj ngriti sytë lart instiktivisht të shquante ngjyrën e shallit të vajzës, e cila vazhdonte të përkujdesej tërë dashuri!