More
    KreuLetërsiBibliotekëSazan Goliku: Këngë pleqërore ose vargje të ngrira

    Sazan Goliku: Këngë pleqërore ose vargje të ngrira

    KUMTE

    Dimri pas dimrit vjen e shkon e vjen
    nga lodrat pa fund të kozmosit pa mister,
    por rrahim e rrahim në kurdhën e mendimit
    me zjarr eksperimenti.
    Cila është e vërteta? Teoria e energjisë së zezë,
    ajo e multiversit apo ajo e fijeve?…
    Të qarat e foshnjave të porsalindura
    na kumtojnë të vërtetat e së nesërmes…


    URIA

    Të gjithë duan të hanë,
    nga krimbat deri të njerëzit.
    Kur nuk kanë ç’të përtypin,
    hanë njëri-tjetrin.


    NJË KUJTIM

    Po kaloja si mik i ardhshëm përmes rrjeshtave të varrezave.
    Qëndrova para pllakës së Besim Turdiut. “Profesor, – i thash –
    ti e dije që nuk doja të merrja më shumë se minus tre sa për të kaluar.
    Pse këmbëngulje e më qortoje të gëlltisja shifra që më dukeshin
    si shkopinj të thyer, si vezë të prishura, si degë të thara drize?”
    Zëri i ngrohtë i profesorit u valëzua nga pllaka e varrit: “Më fal,
    ende atëherë nuk ishte shpikur kalkulatori.”


    JETË

    Nëna përziente gjellën me lugën e drunjtë
    mbi furnelën me vajguri, të bëhej sa më e shijshme
    me dashurinë e saj për fëmijët përherë të uritur,
    për burrin e tharë përherë të pangopur.
     
    Nëna ngopej me avullin e gjellës,
    me krodhat e bukës.
     
    Fëmijët u rritën si lisa e shkurre…
    Babai u harrua atje në varreza,
    nëna e vetmuar atje në azil
    bisedon me vdekjen.


    PËRSIATJE NË GJUMË

    Kur ti bën plane, Zoti qesh me ty.
    Kur do Zoti edhe plumbin
    e shmang nga koka
    te llapa e sipërme e veshit.
    Edhe po të dojë Zoti
    gjarpërinjtë nuk e kafshojnë dot
    Diellin.


    RRËNJËT

    Thonjtë rriten (dhe pas vdekjes rriten)
    dhe nuk e dinë se njeriu ka ndryshuar.
    Ai nuk të mbyt më me thonj, ai të shfaros me atom.
     
    Njeriu ende vret njerinë,
    ende egërsinë e ka të fshehur
    jo nën lëkurën e butë, jo nën kokat tullace.
    Me ADN-ën e shimpazes gati puqet.
     
    Thonjtë rriten, ne i presim, ata rriten…


    KUR

    Kur je i uritur buka e thatë të duket e ngrohtë
    (qoftë dhe me ca pikëla myku që mund t’i fshish).
    Kur je i etur me diellin mbi kokë,
    dhalla e thartuar të duket si ujët e gurrës
    që gulfon nga rrëza e malit.
    Kur befas dimri të ngrinë me cigmën dhe erën e egër,
    një pallto e vjetër të mbanë ngrohtë.
    Kur të braktisë dashuria mbete tërsisht i zbrazët
    dhe nuk ka lumë që e mbushë qenien tënde.


    VULLNETI

    Ing. AM-së

    Ti ishe ende vogëlush kur kapërceve Drinosin e kulluar
    pa e kthyer kokën pas.
    U fute në shtigjet e errëta të fatit
     si një dre që brirët u rriten në ndeshje.
    Fluturoje çdo ag me një biçikletë rrak-zhdrak të para Luftës
    mes erës së tërbuar, mes shiut të rrebeshtë,
    mes cigmës hidhërake që të priste si brisk fytyrën njomzake,
    por ti e pështyje me saçmat e akullta.
    Dielli të digjte dhe dielli të thante kroin e djersës dhe ti
    majë biçikletës e përshëndetje si mik.
    Dërrasa e zezë e klasës të priste e habitur
    me buzëqeshje të bardhë.
     
    Ti fluturoje drejt së ardhmes së panjohur si alpinisti pa litar
    që ngjitet guximshëm në shkëmbin e thiktë të sedrës.
     
    E ç’ishin shkallët e mermerta të fakultetit
    para zhgarrëzimave, rrëpirave e honeve
    ku ruaje dhitë e fshatit për të blerë
    një palë këpucë me lëkurë derri dhe librat e shkollës.
    Ti i haje me dhëmbët e mprehtë të ambicies
    bangat e auditorëve dhe qelqet e laboratorëve.
    Bashkëstudentët të donin, por jo të gjithë të kuptonin.
     
    Dhe hape krahët, përveshe mëngët
    dhe gurët e rëndë i ktheje në metal.
     
    Dhe hape krahët… fluturove…
    Vëzhgove lindjen e Diellit në çdo kontinent.
     
    Nga zemra e malit Golik buron Gurra,
    në zemrën tënde ende Gurra rrjedh.
     
    24.6.2024


    KUJTESË LUFTE

    Kur isha i vogël, lart nga fshati P. vëreja poshtë tej Vjosës
    diçka të habitshme: Një statujë metalike,
    një ulkonjë që ushqente dy fëmijë!
    Nuk e dija, ajo ishte simbol
    i regjimentit italian “Toskana”.
    Ç’donte aty ajo ulkonjë romake
    si qen roje i ushtarëve fatkeq?
     
    Statuja u shëmb, u zhduk nga dora e urrejtjes dhe koha.
     
    Po ta shihte sot atë ulkonjë mitike një turist i thjeshtë italian
    do të habitej si unë dikur: Ç’do këtu buzë Vjosës
    kjo ulkonjë në këtë vend të huaj?!
    Ai do të qeshte hidhur me lavdinë vrastare,
    me mburrjen qesharake të kryefashistit Duçe.
     


    PIKËPYETJE

    Pse Sizifi përpiqet të ngrejë gurin lart?
    Përse guri rrukulliset poshtë përsëri
    e përsëri në honin e mitit?
    Ende filozofët me pendat e mprehta 
    gërrmojnënë dheun e ngjeshur të pse-ve.


    PËRMASAT E KOHËS

    Ismail Kadaresë

    1
    Nëpër labirintet mitike
    thellë minierës pa krye të historisë
    gërmon e nxjerr diellin e vjetër.
    Me dritë të re e vesh e ngjesh
    gjakun e sotëm i injekton në deje.

    2
    Vëren e gjarpëron me syzet mikroskop
    nëpër ditët akrobatike që përjetojmë hithtas
    e thur e çthur magjinë e artit të tij.
     
    Hedh një hap të beftë në ardhëri
    me  rrezit prej andej të sotmen –
    shpërthim fishekzjarresh të fantazisë
    ngrijnë e mbeten brilante shumëngjyrshe.
     
    Flatron vertikalisht nën qiell Europe
    e grindet e gërricet e bën bisnes me veten.
    Me kthetra shqiponje – kapur pas rrënjve të thella
    e trungut të çarë të Kombit.

    3
    Me syzet teleskop
    cep më cep i bie qiellit të nesërm të copëtuar
    mbushur re të jonizuara të telekomanduara
    re të zeza radioaktive.
    Dhe befas përlotet për një lulekuqe petalerënë diku…

    1972

    (Nga libri “Epidemi kozmike)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË