Nga Violeta Murati
E dashur Sadije, të dua si jetën time, madje më shumë. Unë dëshiroj sinqerisht të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur do të të ndjek për të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture që do të dalë nga kockat e mia. Shprehja e dashurisë ndonjëherë shkon me vdekjen, ashtu si ky dedikim i jashtëzakonshëm që ka lënë poeti Dritëro Agolli, sa qe gjallë, për gruan e tij, Sadijen, e cila u nda nga jeta të martën. Tani dashuria e tyre është e barabartë me vdekjen, të dy të ikur në shkurt. Gjithçka prej këtij çifti bashkëshortësh është bërë e njohur në gjallje të tyre: Sadija pak më shumë, duke zbuluar jo pak herë pas jetës së vështirë romantizmin e tyre, si u dashurua me poetin.
Sadija ka pranuar jetën në hije, të qenët gruaja e një “njeriu të njohur”, jo sipas natyrës klasike, siç ndeshen jo rrallë në biografitë letrare të shkrimtarëve të mëdhenj. Sadija me profilin e saj epik, si një grua rezistente, e fortë, kurajoze, ka pasur koshiencë, në të gjitha ditët e jetës, se “dritat” bien mbi poetin. Ndërsa në bisedat për mediat, sidomos pas vdekjes së Dritëroit, përjetimi i dhimbjes, çfarë e celebron jetën, ka qenë për bashkëjetesën e plotë, 54-vjeçare, kujtime, intimitete, mbresa, dëshmime për veprat e shkruara, dosjet, blloqet e shënimeve, albumet me fotografi, duke përfunduar me sendet, nga stilografët, lapsat, çakmakët, gotat, bastunët… “Orë për orë me Atë, ditën dhe natën, prandaj kam pagjumësi të vazhdueshme, pasi në çdo moment e ndiej pranë meje. Edhe në varreza kam shkuar më rrallë, se nuk e pranoj vdekjen e tij, më duket se e lë vetëm në shtëpi dhe do të më kërkojë. Ende jam si në jerm dhe vetëm e shkruara më bën më të vetëdijshme, shkarkoj, logjikoj, arsyetoj. Në të shkruarën gjej fjalët të komunikoj, pasi edhe fëmijët nuk dua t’i mërzis vazhdimisht me dhimbjen time. Janë 53 vjet, mbi gjysmë shekulli që kemi qenë gjithnjë me njëri-tjetrin, kemi biseduar, kemi qeshur, kemi qarë…”.
Me një diferencë gati dhjetëvjeçare, Sadija ishte mikja, hija, shoqja, e dashura, gruaja e Dritëroit… Gazetare dhe poete, Sadija u bë lexuesja dhe kritikja e parë e poetit, nga rastet të rralla të një qëndrese pothuaj gjysmëshekullore.
Nën hijen dhe pas hijes së bashkëshortit do ishin 52 vitet e jetesës, për të cilën vlejnë të kujtohen fjalët e Sadijes në parathënien e librit me letërkëmbimin me Dritëroin, Dashuri në moshën e Krishtit, duke iu referuar moshës së tij, kur ata u njohën:
“Ne i dhamë njëri-tjetrit shqetësime dhe gëzime, vuajtje dhe dashuri, mundime, përpjekje, rëndime dhe lehtësime, psherëtima dhe lot, por edhe të qeshura me shpirt, me zë të lartë, ndarje dhe afrime njësh, pra i dhamë njëri-tjetrit çdo gjë.
Unë pata privilegjin që u rrita qysh në moshën 22-vjeçare me Dritëroin, që u maturova, u poqa, u mplaka së bashku me Atë. Pata fatin e madh që atij ia pasurova Muzën për të shkruar një libër me 238 faqe poezi dashurie, përveç personazheve në romane, tregime, drama, komedi…
E ndiej veten të plotësuar në jetën time me Atë, pasi arritëm të kuptoheshim me një lëvizje dore, gishti, këmbe, syri, kollitjeje…
Secili lë pas dhimbjen, një plagë të hapur, që ngacmohet vazhdimisht nga kujtimet, mbresat, nostalgjitë, me vdekjen asnjëri nuk mësohet. Edhe unë nuk po mësohem dot. Nuk kam dëshirë të dal, të pres dhe të përcjell njerëz, e ndiej veten më mirë në vetminë time, të hedh shënime, të shfletoj dosjen e letërkëmbimit, librin me poezi “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua” dhe çdo gjë që ka lidhje me Dritëroin…
Kjo më qetëson. Pi kafe dhe cigare pa mbarim, megjithëse përpiqem t’i rralloj.
Mendoj si do ta përjetonte Dritëroi vdekjen time. E di se, megjithëse i dobët fizikisht, do të shkruante poezi të bukura për jetën dhe vdekjen, për lindjen dhe ngrysjen e ditës, për zogjtë dhe lulet, për fluturat. Do të shkruante, megjithëse gishtërinjtë i kishte të shtrembëruar nga stërmundimi i një jete të tërë:
Gruaja ime, Sadija
Prej teje asgjë s’më ka ndarë.
Kam bredhur dete dhe vende
dhe çfarë s’kam parë!
Në dhoma hotelesh në botë
jastëkët më sillnin veç erën tënde…
Në rrugë qytetesh me miliona shkëndija
shikoja dhe thosha me vete:
Sadija…”
Çfarë është një grua për një burrë, pothuaj, Sadija e ka dhënë përgjigjen në kujtimet e saj, ashtu siç me elegancë ka zbuluar thellësinë e shpirtit të poetit, si burrë e mik. Ndoshta çastet më delikate të saj e kanë çuar në meditime të largëta, kujtime pa të cilat nuk mund të ndërtohej historia e tyre, ajo e dashurisë dhe prehjes së një burri, dhe këngën e një poeti kur njerëzorja duket ka qenë vendimtare, qysh në çastet e para…“Porosia e vetme që më dha kur u martova ishte: “Mos mbaj në shpirt asgjë. Kur ke dëshpërim, nxirre jashtë, mos e mbaj brenda helmin, por përpiqu mos të të shohin, se nuk arrin të shkarkohesh dhe të qetësohesh. Shko në ndonjë vend, ku të jesh vetëm me veten tënde, shaji, nxirre atë që të mundon”, – më kishte porositur ajo.
Ashtu e ngrirë kujtoja vetëm nënën time, që i kishte bërë ballë jetës me 10 fëmijë. Çdo 1 vit e gjysmë lindte mes dhimbjeve për të nxjerrë një krijesë, pale pastaj t’i mëkëmbte dhe t’i rriste; me një burrë fanatik që ia kursente fjalët e ëmbla, që punonte në shtëpi dhe në bahçe, madje gjente kohë të lirë për të mbjellë edhe lulet…”. Zanafilla gjithnjë përcakton të ardhmen, si ky rast lidhjeje, e bashkëjetese mes poetit dhe gruas “besnike si hije” – siç është shprehja franceze.