More
    KreuLetërsiBibliotekëRudolf Marku: Ndahet nga jeta MICHAEL LONGLEY poeti i shquar irlandez (më...

    Rudolf Marku: Ndahet nga jeta MICHAEL LONGLEY poeti i shquar irlandez (më 22 janar 2025)

    Më duket se jam, deri tani, i vetmi, që e kam përmendur dhe më parë, në gjuhën Shqipe dhe në shtypin shqiptar ( ExLibris) , poetin  Irlandezo – Verior, Michael Longley ( Majkëll Longlei) i cili dy vite të shkuara mori Çmimin më prestigjioz Europian të Poezisë, “Çmimin Feltrineli’. Po ashtu, në “Antologjinë e Poezive më të bukura të Botës’, disa muaj më parë (Shtëpia Botuese MediaPrint)  përfshiva dy poezi të këtij poeti, të cilin e çmoj shumë.

    Ruajtës (konservatorist), kujdestar, tradicionalist, puna e të cilit është rreptë-kërkuese, formalist, gjithmonë elegante: këto vlerësimet kritike për veprën e Michael Longley-t në fakt e kufizojnë shumë ngushtë këtë poet, duke rrezikuar ta keqinterpretojnë, madje ta dekurajojnë lexuesin  që do ta njoh krijimtarinë e tij. Është e vërtetë se, si anëtar i Grupit të Philip Hobsbaum në Belfast në vitet 1960, poezitë e Longley-t u kritikuan për elegancën e tyre formale, hirin retorik dhe elokuencën verbale, megjithëse ai gjeti një shpirt të afërt te Derek Mahon (poet i vlerësuar i Irlandes së Veriut).

    Longley shkroi poezi që ishin ‘të lëmuara, metrike dhe të rimuara; të tërthorta më shumë se ballore; imagjistike dhe simbolike më shumë se faktike, në mënyrë të papërpunuar; retorike më shumë se dokumentare” (The Honest Ulsterman, nëntor 1976). Por estetika krejt e  ndryshme e Seamus Heaney-t (fituesit të Çmimit Nobel), ishte argumenti kryesor i Hobsbaum-it, dhe shpejt Heaney u bë një preferencë kombëtare, pastaj ndërkombëtare. Qëndrimet ndaj Longley-t u ngurtësuan, megjithëse (ndoshta për hir të vetëpërcaktimit) ai nuk e kundërshtoi këtë, duke e quajtur  veten dhe Mahon-in, në poezinë e vitit 1973 “Letters’- si ‘konservatorë poetikë”.

    “Epithalamium’, poezia që që nga viti 1969 ka hapur përzgjedhjet dhe përmbledhjet e Longley-t, e forcon këtë përcaktim, dhe në “Emily Dickinson’ ai sheh nevojën për t’u veshur ‘me kujdes për aktin e poezisë”. Por admirimi i gjatë i Longley-t për Edward Thomas nuk ishte i kotë dhe ai ndau dëshirën për të hedhur poshtë ‘zhargonin muzikor të Swinburne-it, i cili [. . .] nuk është dhe kurrë s’mund të jetë fjalë e gjallë”, kështu që në The Echo Gate (1979) ai eksperimenton, nga njëra anë me “Mayo Monologues’ në stilin e qartë të Frost-it, dhe nga ana tjetër me pjesë të shkurtra, imagjistike, në të cilat zëri autoritar duket se ka bërë një betim të mosndërhyrjes. Poezia “Shkrirje’ lexohet, në tërësinë e saj:

    Dëbora spërdridhet brenda në depo, njollos qymyrin.

    E djegim dëborën gjithashtu në mot të keq

    Sikur të pastrojmë atë zgavër errësuese.

    Shkrirja është një mëllenj me  pendë të bardhë.

    Kjo është një mënyrë që Longley ka vazhduar ta eksplorojë në përputhje me një deklaratë tjetër (çuditërisht) të hershme të synimit poetik. Detyra e poetit është të ‘festojë jetën në të gjitha aspektet e saj, të përkujtojë aktivitetet normale njerëzore. Arti është vetë një aktivitet normal njerëzor. Sa më normal të duket në sytë e artistit dhe audiencës së tij, aq më e fuqishme bëhet forca e tij” (Longley, ed. Causway: The Arts in Ulster, 1971).

    Përmbledhjet e mëvonshme janë përqendruar në renditjen, emërtimin, si për të regjistruar thjesht përvojën, shpesh në poezi të shkurtra dhe të gjalla, të cilat rrezikojnë të duken të parëndësishme. Megjithatë, Longley nuk e ka humbur asnjëherë ndjeshmërinë e tij të pagabueshme për linjën poetike, as nuk e ka vënë seriozisht në dyshim aftësinë e gjuhës (brenda kufijve konvencionalë) për të përfaqësuar përvojën. Në këto mënyra, vepra e tij është konservatore, por synimi i poezive të tij për të përfshirë dhe dëshmuar është shumë më radikal. Të dëshmosh – qoftë këngën e një zogu të vogël pranë Carrigskeewaun-it të dashur të Longley-t, një bombardim në Belfast, apo kampin në Terezín – do të thotë të pranosh se jemi të lidhur me atë që ndodh. Nga Gorse Fires (1991) deri te The Weather in Japan (2000), Longley tingëllon si Terezias i Eliot-it, i cili, teksa faqet shfletohen, ka ‘parë dhe ka përjetuar gjithçka”. Bukuria e natyrës, tmerri i njerëzimit, lindja dhe vdekja, e tashmja dhe e kaluara e largët, të gjitha thithen nga vështrimi i tij i qëndrueshëm, një zë i qetë, i përqendruar në një anatomi të lidhjes.

    Një nga këto lidhje është mënyra se si Longley i është rikthyer Iliadës dhe Odisesë për vite me radhë, duke krijuar përshkrime të gjalla dhe bashkëkohore të skenave kyçe. Vizita e Priamit në tendën e Akilit në Librin 24 të Iliadës u shndërrua në poezinë e tij të famshme “Ceasefire’, e cila u botua në The Irish Times në vitin 1994, kur IRA po shqyrtonte një armëpushim. Kjo poezi krijon lidhje mes armiqve dhe përtej mijëvjeçarëve. Siç thotë “All of these people’, ‘e kundërta e luftës / Nuk është aq paqja sa qytetërimi” dhe qytetërimi duhet të bazohet në një marrëdhënie të drejtë me madje edhe gjërat më të vogla. Ndër shumë poezi që artikulojnë një ars poetica, “The Waterfall’ parashikon vendin më të mirë për të lexuar veprat e tij të mbledhura si ‘ky ujëvarë gjysmëzemërake / Që i lejon çdo pellgu guralecor të thotë fjalën e vet”. Pikërisht ky lejim qytetërues, më shumë sesa ruajtja e lavdëruar e një tradite, është shenja e qasjes estetike, morale dhe politike të Longley-t.

    Përmbledhja e tij e re, The Stairwell, është shumë e preokupuar me vdekjen, edhe pse realiteti i saj i pashmangshëm është tashmë i pranuar nga poeti. An Exploded View (1973) përmbante tashmë “Three Posthumous Pieces’ dhe, njëzet vjet më vonë, “Detour’ përshkroi procesionin e tij të varrimit. Këtu, Longley ka qenë duke ‘menduar për muzikën për funeralin tim” (“The Stairwell’), dhe pjesa më e madhe e librit ka ndjesinë e një figure të moshuar që po përgatitet për t’u larguar. Vetë Longley i referohet ‘nunc dimittis-it tim të përunjur” (“Birth-Bed’), dhe e vetmja ceremoni që parashikon është ajo e dhënë nga zogjtë, mëllenjat, laraskat dhe të mullizezat: ‘Do ta lë dritaren hapur për zogjtë e shpirtit tim” (“Deathbed’). Kundërpeshë e këtij lejimi qytetërues, madje edhe përballë vdekjes, është modestia dhe përulësia. Nëse poezitë e tij do t’u kalojnë si dhuratë  brezave të ardhshëm, atëherë ato duhet të përfshijnë një poezi të vogël për një mëllenj:

    “Shpirt prej pambuku,

    Skelet prej teli [. . .]

    Aria e tij e bujshme

    Në Do.” .

    Dhurata të tilla modeste për brezat e ardhshëm ekuilibrohen, në shoqërinë e qytetëruar që Longley kërkon, me përkujtimin e së kaluarës. Kjo është diçka që poezitë e tij vazhdojnë ta bëjnë përmes rikrijimit të përvojave të babait të vet gjatë Luftës së Madhe dhe krijimtaria e tij  e fundit përmban më shumë nga këto poezi; babai i tij në “High Wood’ mes ‘të vdekurve të pavarrosur”, duke u miqësuar me yllin e ardhshëm të Hollywood-it, Ronald Colman, apo duke marrë një ‘pushim ironik përpara Passchendaele” (“Second Lieutenant Tooke’). Qoftë duke parë përpara apo pas, dhurata e vërtetë qëndron në të veçanten, jo në të përgjithshmen. “Insomnia’ kujton Helen Thomasin duke qetësuar dhe ngushëlluar Ivor Gurney-n e çmendur, që drejton ‘gishtin e saj të vetmuar përgjatë rrugicave” të hartës. Longley kërkon këtë po ashtu. Këtu është e gjithë poezia Wild Raspberries’:

    Duke ndjekur gjurmët e thundrave të kuajve

    Dhe shtegun tënd me baltë, gjej

    Thithka rozë të ëmbla, manaferra të egra,

    Një surprizë mes ferrave.

    Pasi përktheu një poezi të Mikhail Lermontov-it, Longley pyet veten se çfarë do të mendonin fqinjët e tij ‘të përmbajtur” në Carrigskeewaun për një ‘pompozitet të tillë” (“After Mikhail Lermontov’). Pikërisht në shmangien e një gjuhe dhe toni të fryrë qëndron mjeshtëria e Longley-t në rikrijimet e tij të Homerit. Krijimtaria e tij e fundit  përmban një përzgjedhje të mirë të këtyre gjithashtu, shumë prej të cilave në gjysmën e dytë,  formojnë një elegji të zgjatur, duke përkujtuar vëllain binjak të Longley-t, Peter-in. Paraleleja homerike funksionon pak më mirë në këtë kontekst, edhe pse soneti i dyfishtë pa rimë, “The Apparition’, ku fantazma e Patroklut i lutet Akilit që ta varrosë, duke iu drejtuar atij si ‘vëlla i dashur”, është tejet i fuqishëm. Por të kujton Station Island të Heaney-t (1984), ku ai rishikoi dhe u pendua për përdorimin e mëparshëm të ‘grilave të bukura të Purgatorio-s” në një poezi mbi vrasjen e Colum McCartney-t në Field Work (1979). Materiali homerik i Longley-t hedh një hije kaq të fortë, saqë jeta e gjallë e Peter-it nuk përcillet mjaftueshëm, përveç disa kujtimeve të fëmijërisë së tyre të përbashkët, ngjitjes në pemë, shigjetave dhe harkut, boksit, vizitave në kopshtin zoologjik. Megjithatë, vendosmëria e Longley-t për të përkujtuar binjakun e tij, me të cilin ndante ‘ngatërrimin tonë të errët në mitër” (“The Feet’), ripohon se afërsia njerëzore, lejimi, dhënia e hapësirës për të tjerët, për natyrën, ka qenë forca shtytëse e veprës së këtij poeti për më shumë se dyzet vjet.

    Lexoni tre poezitë e Majkëll Longlei-t më poshtë, dhe do të ndjeni në çdo fjalë, në ritmin e poezive, në intonacionin e tyre, në imazhet e tyre, Irlandën e Veriut, dramat e saj dhe tragjeditë e saj. Një poezi që na kujton edhe një herë se poezia e vertetë dhe letersia e vertetë nuk mund të shkëputen nga dramat dhe tragjeditë e kohës. Se bashkëkohësia problemore mund të bashkëjetojë fare mirë me kërkimët formale dhe gjuhësore të letersisë . Sado të përpiqen për të argumentuar  për të kundërten teoricjenët sterilë të Poezisë.


    Michael Longley

    NJË NËPUNËS SHTETI

    Po bënte gati një fergesë Ulsteri për mëngjes,
    Kur dikush hyri në kuzhinë dhe e qëllloi,
    Një plumb i përshkoi gojën dhe kafkën,
    Dhe librat e lexuar, muziken që mund të lozte;

    Ja ku shtrihet me robdësham dhe pixhama,
    Tek germojnë komonë për shenja gishtërinjsh,
    Dhe shkartisen pas përmes kopshtit,
    Me blloqe, kamera dhe metra shiritash.

    E bënë palë si qylym dhe ikën;
    Vetëm vrima e plumbit në sirtarin e lugëve,
    Më vonë vejusha me çekic dhe çisel,
    Heq çelsat e zinj nga pianoja e tij

    SHITËS FRUTASH

    Mbante një dyqan të mirë dhe e vranë
    Tek i shërbente vetë tregtarve të vdekjes,
    Të cilët e panë që ish i zënë si zakonisht;
    Pas banakut, çdo gjë kish vënë në vijë,
    Me kurorat gati për Krishtlinjde
    Dhe pemët e bredhit përjashta dyqanit.

    Astrologë a Tre Njerëzit e Urtë,
    Të cilët së shpejti do vijnë të vëndosen
    Në një shtëpi të vogë në Shankill
    A në Falls, do ndalojnë udhëtimin,
    Që të blejnë dhuratat në dyqan të
    Xhim Gibson-it
    Hurmat dhe arrat dhe mandarinat.

    FILLROJTËSIT

    Dhëmbët e Krishtit u ngjitën me të në qiell:
    Përmes një zgave në një prej dhëmballëve
    Era fishkëllen: ai është i sigurt përgjithmonë,
    Me dhembët e pjekurisë ekspozuar në
    një qiell dimëror.

    Jam verbuar nga flaka e asaj buzeqeshjeje
    Dhe me kujtimin e protezave të babait tim,
    Që mbushnin përplot gotën që krijonte flluska
    Dhe jashtë trupit të tij, një buzëqeshje fatale.

    Kur masakruan dhjetë punëtorët fillërojtës
    Ranë në rrugë, dhe bashkë me to ranë syzet optike,
    Kuleta, qindarkat#, dhe proteza dhëmbësh:
    Gjak, thërmija ushqimi, buka, vera.

    Para se ta varros edhe një herë babain tim
    Më duhet t’ia pastrojë syzet, t’ia balancoj
    Mbi hundë, t’ia mbush xhepat me monedha,
    Dhe në gojën e tij të vdekur t’i vë protezen e dhëmbëve.

    I përktheu RUDOLF MARKU

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË