Botimi i Katulit në shqip, në një libër, “Dukagjini”
Shtëpia Botuese prestigjioze e Kosovës, “Dukagjini” më njofton se sapo ka shpërndarë nëpër librari botimin për herë të parë, në gjuhën Shqipe, në një libër më vet, të poezive të Katulit, zgjedhur, përgaditur dhe përkthyer nga R.M.
Ky është libri i dytë që “Dukagjini” më boton, pas Librit “Safo-Poezi të zgjedhura” që doli vitin e kaluar ( Maj-2024).
Mirënjohje të thellë Shtëpisë Botuese “Dukagjini” për ndjeshmërinë që tregon ndaj kryveprave të letersisë dhe autorëve klasik të Botës, në mesin e të cilëve Katuli zë një vënd ndër më të rëndësishmit.
Më poshtë mund të lexoni parathënjen e Librit, si dhe një tufë të poezive të Katulit, që i zgjodha për ju.
KATULI, JETA DHE POEZIA E TIJ
Parathënie
1.
Gaius Valerius Catullus ( në shqip: Gaio Valeri Katuli) lindi në Verona, në një kohë kur dhe aventura politike e Caius Marius ( Kaio Mario-s: 156-86 a.C.), me qëndrimet e veta të moderuara, ishte në fundin e saj, edhe pse udhëheqja e mëparshme politike dhe mbështetësit rezistuan të paktën dhe për një vit, deri në vitin 83 ( brënda në Romë), dhe deri në vitin 73 (në Spanjë), kur dhe shtypja e Lucio Cornelio Silla-s do të shpërthente me gjithë dhunën e vet.
Shën Jeronimi na thotë se Katuli ka lindur në vitin 87, dhe pat vdekur në moshën tridhjetë vjeçare.
Lindi në një familje të pasur, aq sa Jul Çezari (100-44 a.C), gjatë kohës që shërbente si prokonsull i Galisë Cisalpine (vitet 58-49), ka qëndrura si i ftuar, po t’i besojmë Svetonio-s, në shtëpinë e prindërve të Katulit. I ati i Katulit kishte lidhje dhe me shumë aktorë të tjerë të rëndësishëm të politikes së kohës, nga të cilët mund të përmendnim Quinto Metello Celeri-n, burrin e të famshmes Clodia, e cila identifikohet me Lesbian, amata tantum quantum amabitur nulla- e dashuruar aq shumë, sa askush tjetër nuk ka me e dashtë (shih këngën 37, vargu 12). Dashuria obsessive e Katulit për Clodia-n, që ai e quan Lesbia, në nderim të poeteshes së famshme nga Ishulli Lesbo, Safo, poezinë e së cilës Katuli e admiron aq shumë, sa dhe ta imitojë pa e fshehur, do të jetë një model i mëvonshëm për një grumbull poetësh të mëdhenj të kohnave më të vonshme ( Ovidi : Korina, Petrarka: Laura, Dante : Beatriçe).
Është e çuditshme se si një poet si Katuli, aq i hapur para lexuesve për jeten e tij personale, nuk i përmend kurrë prindërit e vet. E pra, ai është poeti që na flet hollësisht, me detaje të pashëmbullta, për miqësitë dhe armiqësitë me njerëzit përreth, për vendet ku shkon, për Sirmionen e lindjes, Liqenin e Gardës ( Lago di Garda), Veronen, Romen dhe rrugicat e saj, rrethinat e Sabinës, qytetet e Azisë, madje dhe Durrësin tonë ( Durrachium e Adriatikut). Në gjithë këtë përkujdesje kujtese, duket se marrëdhënia e tij me Lesbian ka thithur të gjithë përqëndrimin emocional poetik të memories së Katulit.
2.
Me ndërhyrjen dhe nxitjen e të atit, në moshën 20 vjeçare, shkon në Romë, për të studjuar dhe për të bërë karrierë. Ndër miqt e tij më të afërt janë poetët Licinius Calvus dhe Helvius Cinna, Furio Bibaculous, Q.Cornificius, e plot të tjerë (banda, e Katulit, i quan Charles Baudelaire), të cilët Katuli i përmend në poezitë që shkruan- së bashku, kërkojnë një stil të ri të shprehjeve poetike. Gjithashtu një numër bashkëkohësish të shquar shfaqen në poezitë e tij, të tillë si Ciceroni, Cezari dhe Pompey. Sipas një tregimi të Suetoniusit, Cezari kurrë nuk e mohoi dëmin që ia kishin shkaktuar reputacionit të tij talljet e poetit, por kur ai i kërkoi të falur, Cezari nxitoi , në të njejtën ditë, ta ftonte Katulin për drekë
Por ajo që lë gjurmë të pashlyeshme në poezinë e Katulit është Clodia Metelli-n, një grua më e madhe në moshë se ai, pulcerrima, siç e thotë Katuli, një grua e kultivuar, e bukur, elegante, njëra nga ato gra që sot i quajmë- të emancipuara, të lira, të vendosura në zgjedhjet e veta dhe në dëshirat e veta. Me të shoqin e saj është njohur që në Verona. Clodia Metelli është gruaja aristokrate, që, në një kohë të korrupsionit dhe dhunës, rrethuar me hipokrizinë e ngurtësuar të parimeve tradicionale, shfaq një vendosmëri të papërkulshme drejt një sofistikimi dhe elegance intelektuale femërore, të panjohur më parë. Në shoqërinë katuliane, mondaniteti aristokratik i Clodia Metelli-t nuk e përjashton vetëdijen pohuese të lirisë seksuale dhe trupore të gruas, realizimin e etshëm të dëshirave seksuale, ndoshta më më pak hipokrizi dhe shtirje se në shoqëritë e sotme moderne Clodia Metelli është njëra ndër gratë që i përjashton rregullat hipokrite të shoqërisë, e cila i kërkon gruas, sidomos gruas së martuar, që të jetë e lirë dhe njëkohësisht e robëruar Ajo nuk pranon të jetë e përgjysmuar, dhe nuk kënaqet me gjysmën e mollës, ajo e do të gjithë frutin. Clodia Metelli shfaqet në të gjitha poezitë e Katulit tepër e lirë, ajo do të mbes gjithnjë ajo që është. Raporti i saj me dashurinë e Katulit nuk mund të jetë veçse një raport konfliktual; ajo është e vetëdijshme për këtë, por po ashtu, është e vetëdijshme se nuk është në gjëndje të ndryshojë asgjë Në poezitë e Katulit kushtuar Clodia Metellit/Lesbias, gjëndën të gjitha rregjistrat e ciklit të madh të dashurisë : euforia e fillimit, ekstaza, dyshimet, dëshprimi, xhelozitë, ndarjet, dhe në fund, humbja Dashuria, te poezitë e Katulit, shfaq një thellësi që godet dhe një brendësi më psikologjike nga poetët ë mëparshëm .
Megjithatë, nuk duhet ta harrojmë se në fund të fundit, Lesbia- Clodia është një krijim poetik i Katulit. Po të mos kishte ekzistuar në të vertetë Clodia Metelli, Katuli do të kishte shpikur a do të kishte gjetur një tjetër Lesbia, sepse vokacioni i tij poetik është përqëndrimi në afeksionet totale, që shtjellohen rreth një ekzistence, e cila në mënyrë më të pamëshirshme, nuk mund të ndryshojë. Katuli poet ka aq nevojë për dhëmbjen, sa çka nevojë dhe për gëzimin.
3.
Sa qe gjallë, Katuli e identifikonte veten me poetët që janë të preokupuar me mjeshtërinë e poezisë (Docti, ose Poetët e ditur). Këtu përfshinte sidomos dhe mikun e tij, Licinius Calvus. Menjëherë u bë si modë që Katuli dhe miqt letrarë të tij të quhen Poetae Novi apo Neoterics, term i barabartë me termin e sotëm: modern. Kjo shkollë poetike u kritikua nga Ciceroni dhe nga Horaci, të cilët iu referuan poezive të Calvus-it dhe të Katulit. Ironikisht, vetë poezia e Katulit ishte e ndikuar nga poezia inovative e Epokes Helenistike, në mënyrë të veçantë nga Callimachus dhe Shkolla Aleksandrine, të cilët kishin nglur këmbë për distancimin nga Poezia klasike Epike, e traditës së Homerit, për t’u përqëndruar në temat e vogla personale. Katuli dhe Kalimaku nuk përshkruajnë festat e heronjëve mitologjikë dhe të Zotave të Olympit. Ndonëse poezitë e Katulit dhe e rrethit të tij mund të duken sipërfaqësore dhe të ngushtuara në qarkun e preokopimeve të përditshme , ato janë vepra të plota arti. Katuli e përshkruan poezinë e tij si expolitum, ose si të pastruar, gjë që nënkupton se sa kujdes i kushton ai gjuhës që përdorë dhe kompozimit artistik të poezisë
Kritikat e bashkëkohësve të tij ndaj poezisë së Katulit, janë një parandjenjë historike e kritikave që do të kenë, gjatë shekujve të mëvonshëm, poezitë e Walt Whitman-it, T.S.Eliotit, Ezra Poundit, dhe të Gerard Manley Hopkinsit, nëse anologjitë do t’i merrnim nga Poezia e shkruar në anglisht.
4.
Ndikim i Katulit fillon që në kohën kur ishte gjallë, apo menjëherë, pas pak vitesh pasi kishte vdekur, për të vazhduar deri në ditët tona.
Poeti Augustinian Virgjili është i lumtur që ta imitojë Katulin, por me kushtin që të mos ia përmend emrin. Imitimi i tij shkon aq larg, sa te Aeneid etij huazon tre herë vargje të Katulit. Horaci, njëherësh, e imiton dhe e kritikon Katulin. Tibulisi, Propertius, Ovidi dhe më vonë, Marciali e imitojnë dhe e admirojnë.
Në shekujt e mëvonshëm ndikimet e poezisë së Katulit ndjehen sidomos te Troubadour-ët e Provancës, dhe më vonë, te poeti francez, François Villon. Thomas Campion ka kompozuar, në vitin 1606, një këngë për Flaut me titullin ‘Shumë e shtrenjta ime, Lesbia’- të shoqëruara nga dy vargjet të poetit romak. Kënga 5 e Katulit është përkthyer në anglisht nga poeti mik dhe bashkëkohësi i Shakespear-it, Ben Jonson.
Poezia e Katulit është vlerësuar nga T.S Eliot dhe Ezra Paund, sidomos për futjen për herë të parë në poezinë botërore të stilit bisedor dhe rrëfimtar të poezisë, aq të çmuara nga Poetët e shekullit të XX.
Edhe në ditët e sotme, Katulin vazhdon ta ndjek fama e njërit ndër poetët më të mirëkuptuar të antikitetit latin, prej bashkëkohësve tanë. Sa për kërshërinë e lexuesit, kompozitori i njohur Matysa Seiber kompozoi këngën 31 për kor të përzier, ‘ Sirmio’, në vitin 1957. Kompozitori tjetër, Ned Rorem, amerikan, kompozoi këngën, për zë dhe piano, Carmina 101 ‘’ Në varrimin e vëllait ’’. Në vitin 2011, cikli i këngëve ‘’Ëndërrat e Katulit’’, për soprano dhe tetë instrumente, me tekste të Katulit, kompozuar nga David Glaser, u shfaq me sukses në New York. Po në New York, në Sallën e famshme Cranegie Hall, baritoni francez Edwin Crossley- Mercer dhe pianisti Paul Peterson shfaqen një cikël këngësh me 17 poezi të Katulit, kompozuar nga Michael Lintoni i njohur.
Me sa di, ky botim i Katulit, në një libër të vetëm, që i jepet në dorë lexuesit, e që përfshin gati gjysmën më të mirë të gjithë krijimtarisë së autorit, është i pari i këtij lloji në gjuhën Shqipe. Janë bërë prova të përkthimit të Poezive të veçanta të tij, në gazeta a revista të ndryshme, por asnjëherë tjetër botim në një libër të vetëm të poezive të Katulit. Gjë që e shton dhe më teper përgjegjësinë e madhe të përkthyesit, që ka marrë guximin për t’ia paraqitur lexuesit të kultivuar, por dhe lexuesit të gjërë, për herë të parë, Katulin, në këtë botim bilingual.
Londër, Shkurt 2025
KATULI
KËNGA 5
LE TA GËZOJMË JETËN TONË…
Le ta gëzojmë jetën, Lesbia ime, e dashur
Dhe pëshpëritjet e pleqve të tredhur
Le t’i quajmë një monedhë [të] pavlerë.
Ditët që perëndojnë do lindin prapë;
Por nëse kjo dritë-shkurta e jona vdes,
Do flemë një natë të vetme që s’ka fund.
Më jep një mijë puthje, dhe shton dhe njëqind,
Më jep një mijë të tjera, dhe shton prapë njëqind,
Më jep prapë një mijë, e prapë njëqind,
Që njerëzit me sy të keq, njerëzit e ligj
Ta lënë në mes numërimin, që të ngatërrohen,
Nga ky numër kaq i madh puthjesh.
KËNGA 22
Ky Suffeni, o Vare, të cilin e njeh mirë,
Është njeri i kandshëm, i ditun dhe i qytetnuem,
Është i njëjti me atë që shkruan vargje mbas vargjesh.
Them se ai ka shkruar mijëra ose dhjetëra mijëra,
Dhe jo në palimpseste, siç bahet zakonisht,
Por në letër perandorake, libra të rinj,
Bamë me kunja të rinj, me lidhëza lëkure, dhe membrana të kuqe,
Të rradhitura me plumb dhe të lëmuara me pomic.
Kur i lexon këto, ai Suffen i kandshëm dhe i qytetnuem
Të duket një bari dhish apo një leshko,
: aq shumë ndryshon dhe transformohet.
E pabesueshme: ky njeri përsmbari,
Që dukej aq i stërholluem,
Sapo prek një varg, kthehet në një kungull,
Një kungull katundi, e megjithatë kurr ndonjëherë,
Nuk asht ma i lumtur sa kur shkruan poezi:
Kështu asht i vetëknaqun dhe admiron vetvehten.
Pa dyshim kësisoj të gjithë gabojmë, dhe nuk ka askënd,
Të cilin nuk mund ta shohësh si Suffen.
Secili ka gabimin e vet, por ne nuk mund ta shohim,
Atë çfarë kemi mbi shpinën tonë.
KËNGA E 31
Ishull magjik, Sirmio, margaritari I ishujve,
Të shoh më të bukurin e ishujve a të gadishujve,
Që Neptuni ngriti në ujnat e ndryshëm
Në liqejt e tejdukshëm dhe në detin e pafund,
Sa i lumtur dhe i g’zuar jam që ju shoh,
Për pak sa s’e besoj që lashë fushat e Thynia-s
Dhe tokën e Bithyni-së, që t’ju shoh kaq të paqta.
E ç’të bën më të lumtur se të harrosh hallet,
I lodhur nga endjet në vende të huaja,
E lëshon të lirë mëndjen nga çdo rëndesë
Dhe kthehesh në shtëpi për t’u shtri në shtratin e dëshëruar?
Për të gjithë mundimet, ky shpërblim ia vlen.
Sirmio, e bukura ime, gëzohu
Me gëzimin e të zotit tuaj, dhe ju,
O valë të Liqenin Lydian,
Qeshni me të qeshuren e shtëpisë.
KENGA 32. për Ipsicillën
Të lutem, e ëmbla ime Ipsitila,
Kënaqësia ime, gëzimet e mia,
Më jep urdhër të vij tek ti në mesditë.
Dhe nëse urdhëron, hap sytë që askush
Të mos e mbyllë derën,
Që vetë të mos duash të dalësh jashtë shtëpisë,
Por të rrish brënda që të përgatitesh
Për të nëntë herët që do bëjmë seks.
Dhe nëse je e gatshme, më jep urdhër menjëherë:
Sepse, kam ngrënë, jam shtrirë dhe i ngopur,
Dhe po i heq, duke i grisur, këmishëm dhe tunikën.
KËNGA 43. Ameanës
Njatjeta,vajzë, as me hundë të vogël,
Dhe as me këmbë të bukura, me sy si të fikun,
As me gojë të rregullt dhe as elegante,
Dashnore e të një dështuarit nga Formiae.
Mos të thonë në provincë se je e bukur?
Ndoshta të krahasojnë me Lesbian time?
O shoqëri idiote dhe pa gusto!
KËNGA 52
Çfarë do më teper, Katul? Pse vonon me vdekë?
Skrofulozi Nonio është Gjykatës,
Vatinio rrenë tek betohet për Këshilltar.
Çfarë do më tepër, Katul? Pse vonon me vdekë!
KËNGA 53
Qesha tani, pse dikush nga turma,
Kur Calvusi im mençurisht
Shpalosi krimet e Vatiusit,
Nga admirimi për Calviusin, tha, duke ngritur duart,
‘ Zot i madh, sa elokuent ky kar ’.
KËNGA 60
Një gjykatësi
A mos një luaneshë nga malet Libiane,
A Scylla që leh nga thellësitë e rrokullive të saj,
Të lindën ty, me at’mendje të vrazhë e të cekët,
Sa mundesh me përqesh atë që të lutet në fundin e seances?
Ah, ç’zemër e denj për barbarët.
KËNGA 70
Vetëm me ty mund të bëj dashuri, më thotë e dashura ime,
Vetëm me ty, edhe vetë Jovin do e refuzoja. Kështu thotë.
Por ajo çka i thotë gruaja dashnorit të vet të çmendur
Duhet shkruar në erë, a në ujin që rrjedh.
KËNGA 92
Gjithmonë Lesbia flet keq për mua, kurrë nuk hesht,
Rreth meje : Betohem se më do!
E di, nga se dhe unë jam si ajo. Çdo ditë e mbuloj
Me fyerje, po do vdisnja po të mos e doja!
KËNGA 93
Nuk vras mendjen në të pëlqej ty a jo, Çezar,
E as dua ta di në je i zi a i bardhë!