More
    KreuLetërsiBibliotekëRudolf Marku: Kujtesa poetike për një mik

    Rudolf Marku: Kujtesa poetike për një mik

    In Memoriam me rastin e 15-vjetorit të
    vdekjes së Ndoc Gjetjes

    Janë bërë pesëmbëdhjetë vite që kur poeti Ndoc Gjetja ndërroi jetë.

    Më kujtohet se si, herët në mëngjesin e ditës  që miku ynë kishte ndërruar jetë, Preç Zogaj më dërgoi nga Tirana një tekst të shkurt: Kam një lajm të hidhur për ty. Ndoci na la!

    Ndoc Gjetja ka qënë dhe mbetet një poet që shquhet për ngrohtësinë e fjalës së sinqertë, për natyrshmërinë dhe shpirtësinë poetike dhe për zhdukjen e barrierave mes fjalës së shkruar dhe fjalës së folur. Jo të gjithë poetët arrijnë ta bëjnë këtë! Ndoci shkruante në atë mënyrën si fliste dhe si mendonte në jetën e përditshme, dhe fliste dhe mendonte ashtu siç shkruante. Ai ishte krijuesi që jetonte çdo minutë të jetës së vet, me poezinë. Herën e fundit që e takova, pas 15 vitesh ndarjesh, më pyeti me një ankth të dukshëm, nëse Walt Whitman, poeti që ai e donte më shumë nga çdo poet tjetër në këtë botë, vlerësohet prapë në Angli! Pyetjen ma bëri në shtëpinë e tij, buzë Drinit, tek pinim një kafe turke. U qetësua kur i dhashë sigurinë e pa-autorizuar nga askush se Walt Whitman mbetet prapë një poet tepët i vlerësuar jo vetëm në Angli, por dhe në SHBA! Dua të them me këtë, se rrallë një poet tjetër të ketë jetuar aq shpirtërisht me poezinë, sa ç’jetonte Ndoc Gjetja. Për Ndocin, Poezia mbetej një tempull, ku mund të flitej veç me zë të ulët, duke përjashtuar fjalët dhe ndjesitë vulgare. Si në një Tempull religjioni a si në një Bibliotekë Kombëtare. Dhe ta mendoje se këtë rregull të shenjtë ai e aplikonte me rigorozitetin më të madh, pikërisht në një qytet ky vulgariteti dhe mediokriteti përbënin ndoshta nëntëdhjetë e nëntë përqind të materialit ndërtues të bisedave dhe humorit të jetës së njerëzve të këtij qyteti.

    Një monografi të shkëlqyer për jetën dhe figurën e Ndocit poet dhe njeri ka shkruar romancieri dhe tregimtari i njohur Kujtim Dashi, njeriu që i pat qëndruar më pranë Ndocit, pasi ai u pat kthyer në qytetin e lindjes. Është një monografi për t’u admiruar për nga ndershmëria! Librat e Kujtim Dashit kushtuar Ndoc Gjetjes janë  një tregues zemër ngrohës i popullaritetit të poetit. Por dhe një udhërrëfyes për atë që do të njoh nga afër jetën e Poetit. Një libër tjetër memuaristik kushtuar kujtimit të Ndoc Gjetjes ka shkruar më vonë dhe shkrimtari dhe botuesi Mark Simoni… Duken sikur këto libra kanë patur parandjenjën për t’i shërbyer së vërtetës në vitet e më vonshme, kur ca njerëz sharlatanë e të pavlerë përpiqen të na tregojnë ne, miqve të Ndocit, me ca mllefe katundesh, se si miqtë e vet e patën braktisur poetin.. Kam lexuar në këto shkrime për varfërinë e Ndocit. Për vetminë e tij. Dhe sidomos  për braktisjen e tij. Dhe për fatkeqësinë e tij. As varfëria dhe as pasuria nuk janë element determinues në krijimtarinë e Poetit. Ndoc Gjetja mbetet një krijues që kishte një dinjitet të madh. Kurrë nuk fliste për varfërinë e vet. Sepse varfëria e tij ishte një pjesë e varfërisë që e ndanim të gjithë ne në mënyrën më të barabartë. Dhe nuk qe kurrë i vetmuar. Si mund të jetë një Poet i vetmuar, kur ai shoqërohet çdo ditë nga Muza poetike e vet? Dhe kurrë i braktisur. Madje mund të them se ishte më tepër nga ç’duhej i rrethuar nga njerëz të gabuar, banalë dhe intelektualisht provincial. Ata që e duan me të vërtetë Ndoc Gjetjen duhet të lexojnë poezitë e tij. Dhe të shkruajnë për poezinë e tij. Jo në mënyrë banale anekdotike. Por të shkruajnë për vlerat e poezisë së tij. Dhe ata që duan të ankohen për braktisjen e Ndoc Gjetjes nga shokët sa qe gjallë poeti, thjesht ngase nuk mund te mos shajnë e shpifin, duhet t’u kishte shkuar ndërmend të ankoheshin e të shanin se dhe Pallati i Kulturës së qytetit të vogël të Lezhës nuk mban as pas vdekjes se tij emrin e Ndoc Gjetjes dhe as atë të Gjergj Fishtës a të Ndre Mjedes. Dhe as ndonjë Shkollë e Lezhës. Madje as dhe ndonjë rrugë në njërën nga qoshet e qytetit ku ai jetoi dhe ndërroi jetë! Në një kohë që emrat e kolegëve të vet më me pak talent dhe merita estetike nga ai, i mbajnë rrugët dhe bulevardet jo të vogël të qytetit të Lezhës, por të vetë Kryeqytetit shqiptar.

    Më poshtë po postoj një Poezi për Ndoc Gjetjen. Poezia ime është shkruar dhe botuar me 27 Maj të vitit 1972, në gazetën “Zëri i Rinisë” – kur sapo kishim filluar të botonim në shtypin shqiptar si Ndoci, dhe unë.

    Preç Zogaj, nga ana tjetër, vite më vonë, ka shkruar dhe botuar dy poezi te mrekullueshme kushtuar mikut tonë, Ndoc Gjetjes. Poezi Antologjike, një rrëfyes se si mund të kujtohet një mik Poet nga një krijues tjetër.

    Po e sjell këtë  poezi timen të vitit të largët 1972 në vëmendjen e lexuesve, për të kujtuar  dhe një herë  si mund të shkruhet dhe kujtohet, me dinjitetin e fjalës së kulturuar, një mik Poet si Ndoc Gjetja- dhe jo me pëshpëritje klubesh dhe kafesh të provincave baltonore të Ballkanit. Qofshin ato në Lezhë, Detroit, Çikago a në lagjet periferike te Kabulit.

    POEZIA KUSHTUAR NDOC GJETJES 1972

    Gazeta “Zëri i Rinisë”, 27 Maj 1972 nga poeti 20 vjeçar, Rudolf Marku.

    N.GJ.

    Kaloj përditë pranë heshtjes së tij.
    Të tjerët bëjnë zhurmë,
    Të tjerët thonë se heshtja kurr; s’të sjell lavdi.

    Brenda mureve të heshtjes dita dhe nata shkrihen në një,
    Ja ku shfaqet i krrusur mbi letrën e bardhë,
    Të tjerëve nga vetja u jep çdo gjë.

    Në dhomën e tij gjithë ngjyrat e ëndrrave kanë stinët,
    Dita zgjatet gjithmonë der’ në kufirin më të largët të natës,
    Të tjerët mburren se e kanë parë hënën gjatë ditës.

    Në një kohë tjetër, që e qujmë -dikur
    Do përulen përpara tavolinës së tij,
    Ata që bënë zhurmë dhe nuk ëndërruan kurr!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË