Shkrimtari i madh Milan Kundera, i lindur në Çekosllovakinë e dikurshme (sot: Republika Çeke) dhe i natyralizuar Francez, është shuar sot, në moshën 94-vjeçare, në shtëpinë e vet në Paris. Është ndër autorët më të njohur, më të respektuar dhe më prodhimtarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ndër librat e tij më të njohur do të shënoja Shakaja (1967), Jeta është gjëkundi (1973), Libri i qeshjes dhe i harrimit (1979), Identitet (1977), Lehtësia e papërballueshme e Qenies (1984), Pavdekësia (1988), Injorancë (2000). Nuk do linja pa përmendur dhe dy libra shumë të rëndësishëm eseistik të Kunderës, i cili gjithë jetën qe i preokopuar me fatin e letërsisë dhe kulturës europiane, aq sa ai mund të konsiderohet si njëri ndër Europianistët më të mëdhenj të Shekullit që kaloi, pa aq sa dhe filozofi dhe Eseisti Denis de Rougemont në kohën e vet. E kam fjalën për dy librat e tij mbi romanin europian: Arti i Romanit (1986) dhe sidomos, Testament i Tradhtuar (1993).
Romani Lehtësia e papërballueshme e qenies, vendos në qendër pushtimin sovjetik të Pragës, (menjëhere pas Pranveres së Pragës të vitit 1968), dhe konsiderohet si një ndër romanet më të përmendur të tij. Miku i tij, Salman Rushdie shkruan për këtë roman: “ashtu si të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, Milan Kundera lë gjurmë të pashlyeshme në imagjinatën e lexuesit… Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harrimit!”.
Në këtë roman lexuesi mund të gjejë një mënyrë tjetërsoj të shkrimësisë së romanit modern, që afron me romanin e hershëm të zanafillës tradicionale europiane – shpesh herë narracioni ndërpritet dhe proza ndiqet nga gjuha eseistike dhe filozofike, dhe nga një intonacion polifonik. Për Kunderën, ashtu si dhe për Kadarenë, romani i madh bashkëkohës duhet të jetë sublimimi i gjithë prozës së madhe botërore – sidomos asaj europiane – e bashkëjetuar me preokupimet dhe teknikat e kohës. Te Kundera mund të gjesh gjurmë të dukshme të romaneve të hershme jo vetëm të François Rabalais, por dhe të Samuel Richardsonit dhe të Luarence Sterne – autorë që pak lexues dhe studiues i njohin dhe i kujtojnë sot!
Romani Shakaja u botua më herët, që në vitin 1967 – dhe u bë libri magjepsës për brezin tim. Ishte tallja dhe përqeshja më e madhe dhe më groteske ndaj sistemit totalitar. Atë kopje që qarkullonte në fillimin e viteve ’70 dorë më dorë, fshehurazi dhe në mirëbesim, e lexonim me një dëshirë të çmendur, me frikë, me mahnitje…Është një libër që jo vetëm na tregonte se çfarë kishte ndodhur në sistemin totalitar komunist, por dhe, profetikisht, çfarë do të ndodhte dhe pas rrëzimit të tij. Në vitin 1989 kam botuar në faqen e gazetës Drita, një fragment të këtij romani, të përkthyer nga gjuha italiane, duke u bërë i pari që botoi diçka nga Kundera në Shqipëri gjatë sistemit komunist – edhe pse nga fundi (i supozuar) i këtij sistemi.
Fati i Milan Kunderës është i ngjashëm me fatin e një shkrimtari tjetër që shkruante aso kohe brenda një sistemi tjetër Komunist, Ismail Kadaresë. Natyrisht Shqipëria komuniste nuk ishte një Çekosllovaki e Europës Lindore, e cila vinte nga një traditë intelektuale, historike dhe ekonomike e Europës Qendrore të Habsburgëve; në të kundërt, Shqipëria preferoi të ndiqte deri në fund rrugën staliniste të mbylljes së hekurt, ndjekur nga një traditë qeverisëse të supercentralizuar osmane. E prapë, me gjithë ndryshimet e të dy vendeve të cilëve u përkisnin, të dy shkrimtarët duken më të afërm me njëri-tjetrin, nga të gjithë shkrimtarët e tyre bashkëkohës. Qoftë në letërsinë që shkruajnë, por dhe në fatet e tyre post shkrimore.
Edhe Kundera i bashkohet Partisë komuniste, bëhet anëtar i saj, dhe në vitet e para shfaq iluzionet e veta socialiste. Ashtu si Kadare 15 vjeçar që më vonë do të akuzohej nga gurëhedhësit puritanist të nahijes tonë se shkroi një poezi për Stalinin, Kundera shkruan një Odë për heroin komunist Julius Fučík ( Maji i Fundit), së bashku me ca drama dhe poema soc-realiste, botuar në vitin 1955. Më vonë Kundera ka sqaruar se në krijimet e para ai vetë ishte ‘duke kërkuar që të gjente zërin e vet, stilin dhe vetveten,. Por asnjëherë as dhe një lexues i vetëm dhe as një kritik i vetëm nuk e ka akuzuar as në vendin e vet e as gjëkund tjetër, se ai ka shkruar për Partinë!
Shumë shpejti përjashtohet nga Partia, por thërritet prapë në radhët e saj, derisa përjashtohet për herë të dytë, dy vite para se të tankset ruse t’i japin fund iluzioneve liberale të Aleksandër Dubçekut. Romani ‘Shakaja, pasqyron pikërisht periudhën e përjashtimit të Kunderes nga partia, përmes një humori të errët e të pamëshirshëm, përmes së cilit portretizon jetën nën komunizëm. Shumë vepra të Kunderës u ndalën nga qarkullimi gjatë Komunizmi në vitin 1979, kur ai kërkoi azil në Francë. Iu ri-dha shtetësia Çeke vetëm në vitin 2019, kur mori Çmimin më prestigjioz të vendit të vet, Çmimin Franc Kafka. Të dy shkrimtarët – Kundera dhe Kadare – janë adhurues të veprës së Kafkës. Ndikimi jo vetëm i padëmshëm, por dhe seminal dhe krijues, (ashtu si dhe te vetë Kundera a te JM Coetzee) i Kafkës te Kadare mund të shihet sidomos te Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave.
Të dy shkrimtarët patën, herë pas here, marrëdhënieve të vështira me vendet e veta. Pas rënies së Berlinit, Kundera rrallë herë kthehej në vendit e vet. Në vitin 2008 atij iu desh të luftonte kundër akuzës absurde, sipas së cilës në vitet 1950 kishte qenë informator! Po ashtu si dhe tek ne një pseudohistorian akuzon si bashkëpunëtor të sigurimit Koliqin dhe Martin Camajn. Me një letër hë hapur shkruar nga Roth, Salman Rushdie dhe JM Coetzee, i dalin në mbrojtje kolegut dhe mikut të tyre, duke akuzuar shtypin për “tentativa të vrasjes së autorit”.
Të dy shkrimtarët – Kundera dhe Kadare – janë tepër të vetëdijshëm për rrezikun e Rusisë (Kadare e ka shprehur këtë rrezik kanosës në shumë vepra të tij– kujtojmë shkarazi Muzgu i Perëndive të Stepës). Kundera shkruan, në vitin 1983, në mënyrën më profetike: “Në Europën Qendrore, në kufijtë Lindor të Perëndimit, çdokush duhet të jetë sensitiv për rrezikun e fuqisë Ruse”. Dhe të dy janë të vetëdijshëm se letërsia e madhe, ajo me dinjitet estetik, është njëra ndër ledhet fortifikuese mbrojtëse më të sigurta të qytetërimit të Europës.
Menjëherë pas vdekjes së tij, një gazetë e majtë britanike, The Guardian, shkruan, me psikozën e papërballueshme të cancel culture, në lidhje me romanin Lehtësia e papërballueshme e Qenies, se “Cili mund të jetë reputacioni i shkrimtarit [Milan Kundera-shënimi im] – a nuk është dëmtuar në mënyrë të pandreqshme ky reputacion nga portretizimi që ai i bën grave?”. Më kujtohet se një koment të tillë kam pas dëgjuar nja dyzet vite më parë, nga ca gra suedeze, mike marksiste të shtetit shqiptar, që kritikonin Kadarenë, nisur nga pikëpamjet aspak toleruese feministe!
Kundera iku nga kjo botë pa marrë Çmimin Nobel. Po ashtu si dy shkrimtarët e shquar amerikan, John Updike dhe Philip Roth, para disa vitesh. Në nderimin e Akademisë Suedeze, nuk do të doja që një gjë e tillë të ndodhte edhe me Kadarenë. Për hir të nderimit të letërsisë së madhe, që është ndër pronat më të çmuara të shpirtit njerëzor!