Siç është bërë me dije, është botuar në Itali romani “Rrugët e ferrit”, që autori i tij Visar Zhiti e quan “burgologji”, nërsa botuesi “Besa” i ka vendosur si nëntitull “Jeta ime në burgun e Spaçit”.
Libri tashmë ka shkuar në të gjitha libraritë e Italisë dhe ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, por dhe të shkrimtarëve dhe kritikëve italianë, ku Visar Zhiti është i njohur me botime të tjera, të përkthyera nga Profesor Elio Miracco dhe ka marrë shumë çmime letrare në Itali
“Sulle strade del’inferno”, (“Rrugët e ferrit”) vjen me përkthimin e Profesor Matteo Mandalá, shef i katedrës së Albanalogjisë në Universitetin e Palermos, autori i shumë botimeve dhe studimeve dhe artikujve kritikë, të nohur në botën Universitare në Europë dhe me gjerë.
Të 576 faqet e librit “Sulle strade del’inferno” vlersohen për gjuhën e tyre të tronditëse, aq sa të zhveshur, po aq aq dhe metaforike, plot dhëmbje si e tragjedive, por dhe me finesat lirike.
Në kopertinë është vendosur një pikturë e Atjon Zhitit, birit të autorit, me plot natë e dritare të shtrembëta dhe një masiv I zbardhëllyer, që më shumë se sa një hënë e madhe, duket si ortek bore, a shkëmb kozmik.
Ndërsa në kopertinën e pasme shkruhet:
Kjo është dëshmia e tragjedisë së jetuar në heshtje nga mijëra opozitarë, disidentë dhe martirë të diktaturës së përgjakshme komuniste. Një përvojë e jetuar në vetën e parë dhe e shndërruar në një rrëfim që, për shkak të karakterit të saj universal, interpreton emocionet, kujtimet, vuajtjet dhe mizoritë e padëgjuara të atyre që patën fatin e keq të përplaseshin me uniformat e policisë politike të Enver Hoxha. Visar Zhiti u burgos pikërisht për veprën e tij poetike, e shmangur nga dogmat mbizotruese të realizmit socialist.
Ndodhitë e tij, që janë të njeriut, na japin një thyerje të pamëshirshme, si të papërpunuar dhe të vërtetë mbi gjendjen çnjerëzore të të burgosurve politikë të burgjeve enveriste në sistemin mizor.
Në përthyerjen e kopertinës së parë është vendosur një pjesëz nga libri, pikërisht kjo:
Burgu i vërtetë, më i rëndë, i padurueshëm fillon kur gjithçka përsëritet. Njëshmëria. Asgjë e re nga fronti i skëterrës. E tmerrshme. Po ajo bukë e zezë e po ata policë të zinj. Ajo lopatë dhe guvë dhe po ai Vit i Ri, aspak i ri. Uria po ajo, si bora që mbulon gjithçka. Vdekja s’është më vdekje, por përsëritje e vetvetes. Puna nuk është më punë. Familja s’është familje. Njeriu nuk është më njeri. Asgjë s’është më ndryshe. Ditët janë ulëritshëm njëlloj. Si prangat, si ulërima. Si uji që rrjedh kot në çezmat e burgut. Po ai qiell e gumëzhima nën të. Telat me gjemba po ata. Tjetri po ai. Si vetvetja. S’ka më emocione. Dhe asnjë grua në ëndërr. Truall i tredhur. I harruar. I humbur. Si lëkurë kafshe të ngordhur. Diktaturë.
Ndërsa në përthyerjen e kopertinës së pasme është një shënim i shkurtër për autorin:
VISAR ZHITI, poet dhe shkrimtar shqiptar, në vitin 1979 u dënua me dhjetë vjet burg për poezitë e tij “dekadente dhe intimiste”, në kundërdhtim.me ç’detyronte realizmi socialist. Permbledhjet e tij me poezi nga “Kujtesa e ajrit” (“Memoria del vento”, 1993) te “Dyert e gjalla” (“Le porte vive” 1995) dëshmojnë jetën në burg dhe agun demokracisë,
Ka botuar tregime e romane, të përkthyer në gjuhë të ndryshme, mes të cilëve dhe “Funerali I pafundmë” 2017.
Është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1996, ministër i kulturës në 2013. Ka marrë shumë çmime për veprimtarinë e tij letrare, mes të cilëve “Ada Negri” në 1997 dhe Çmimin Ndërkombëtar “Mario Luzi” për poezi të pabotuara. Në faqen e parë të librit italisht, ashtu si në shqip lexojmë këtë shënim të autorit: “Roman me personazhe reale e ngjarje që s’do të doja të ishin të vërteta, ndërkaq nuk shpika asgjë, vetëm përzgjodha nga përjetimet. Por të shkruarit e tyre ngjante me një tjetër burg”.
Me daljen e romanit “Sulle strade del’inferno”, gazetaria dhe njohësja e letërsisë shqipe, të përkthyer në Itali, Anna Latanzi i mori një intervistë Visar Zhitit për median e vendit të saj, suke e pyetur për jetën dhe veprat. Ndër të tjera në thuhet: …e rijetova emocionalisht atë kohë… Është një libër koral, i përbërë nga dhimbje dhe vuajtje.
A ishin vërtet ato poezi kundër? – pyet gazetarja italiane. – Në çfarë fryme i keni shkruar ato? Dhe Visari përgjigjet:
Kam dashur të shkruaj me shpirtin tim… Siç thoshte i madhi Umberto Eco, regjimet totalitare donin në shërbim të tyre poezinë dhe poetët. Nëse kompozimet e tyre nuk ishin në favor të diktaturës, ato konsideroheshin kundër dhe asnjëherë thjesht krijime të atyre që shkruanin poezi. Dhe këtu Eco citon: “Ashtu siç ndodhi me Visar Zhitin, i cili dërgoi një libër me poezi dhe kur regjimi lexonte vargjet kushtuar trëndafilave, (dhe fjala për përmbledhjen e Zhiti “Rapsodia e jetës së trëndafilave”) dhe jo pushtetit, ato gjykoheshin si kundërshtare të diktaturës”.
Në atë kohë, dëshmon Visar Zhiti, mendoja të shkruaja për të lënë një dëshmi; më vonë, kuptova se motivimet ishin shumë më të thella, më magjike dhe pothuajse të frymëzimit hyjnor… Ne donim të krijonim lirinë tonë, sepse kur shkruan, shpik lirinë tënde dhe je njësoj si të gjithë shkrimtarët e tjerë jashtë burgut, me ata që janë në Romë, Paris, Moskë, Uashington etj. Për këtë arsye regjimi e ndalonte poezinë, sepse në atë moment je i lire…
Do të ishte e drejtë që ata njerëz që b:enë keq të kërkonin falje? – pyet gazetarja italiane. Në Shqipëri munguan dy çështje të rëndësishme, përgjgjet Visari: të kërkuarit falje nga ata që bënë mëkate kriminale dhe dënimin moral e ligjor të diktaturës…
Unë mund t’i fal ata që më kanë dënuar mua, por nuk mund të fal për të tjerët që janë vrarë e s’janë më, ata që kanë lënduar Shqipërinë. Kanë të drejtë të falin të pushkatuarit, tha Zhiti dhe e përfundoi bisedën: …poezitë e mia janë hakmarrje ime dhe falja ime…