Dialogu letrar që nga antika e deri te ai ndërmjet Ecerman-it e Göethe-s, Borges-it e Sabato-s, Marquez-it e Llosa-s, Singer-it e Roth-it është shenjë e kulturës së komunikimit, shenjë dalluese e pajtimit dhe e kundërshtisë. Dialogu letrar është formë sintetizuese e eristikës dhe estetikës, e vizioneve dhe e evoluimit në formë e mendim. Rrëfimet e Maestros është një lloj majeutike për literaturën dhe kulturën, jetën dhe veprën e avangardistit të viteve ‘70-të, Musa Ramadani.
Ky dialog nisi në fundverën e vitit 2010, pikërisht atëherë kur po bëhej një dekadë nga njohja me shkrimtarin Musa Ramadani. Ai sapo ishte kthyer nga Vjena, pas një ndërhyrjeje kirurgjike, e cila e kishte molisur tej mase. Zëri i ishte mekur dhe duhej të afroheshe më shumë se zakonisht, që ta dëgjoje më mirë.
Për një dekadë sa e kisha johur, kisha pasur mundësi të bisedonim për çdo gjë që lidhej me kulturën, artin, filozofinë. Për aq sa kisha njohur njerëz të kulturës e të letërsisë, Musa Ramadani ishte njeriu që më së miri dëshmonte për letërsinë dhe kulturën e viteve ’70-të e këndej. Biseda me të zakonisht fillonte pasdite dhe ndonjëherë zgjaste deri në orët e vona të natës. Kisha menduar që ata dialogë të gjatë e vehementë, siç i quante ai, t’i hidhja në letër, pastaj edhe t’i botoja, porse ishte e vështirë ta bindja.
Megjithatë, bëra hapin e parë. Vendosa ta ndjek modelin e Gustav Janouchit me Kafka-n. Nisa t’i shkruaj ato që i kisha dëgjuar nga ai, i vetëdijshëm se shumë gjëra po mbeteshin jashtë. Fjalët, mendimet nuk e kishin autenticitetin e duhur. Mendimi ishte i tij, por struktura e fjalisë ishte imja. Dialogut i mungonte leksiku i tij plot stilema, figura, lidhëza, folje… I mungonin përsëritjet, ndalesat, kapërcimet, “shëtitjet deduktive”. Thjesht, “gjuha ime”, e vriste mendimin e tij.
Shpejt e kuptova se kjo (s)provë duhej braktisur.
Edhe pse e kuptonte kërkesën time, asnjëherë nuk shfaqte interesim që këtë dialog ta incizoja. Si duket, duke qenë vetë me vite gazetar, e ndiqte sindromi i Marquez-it, sipas të cilit, në momentin që e merr vesh se biseda po incizohej, vihej në pozicion mbrojtës. Bisedat nuk duhet të regjistrohen, ato duhet të mbahen mend si ai tipi, e për të cilin i ka dalë në krahë Max Brod-i dhe Dora Diamant-i, të cilët komentuan me entuziazëm përshkrimin e Janouch-it. Në këtë frymë fliste edhe Musa Ramadani.
Sidoqoftë, e bëra timen, i bindur se tashmë raporti ynë miqësor do ta arsyetonte veprimin tim të radhës pa marrëveshje me autorin dhe, autori, miku im do të dorëzohej para qëllimit tim të mirë e dëftonjës për krijimtarinë dhe jetën avangardiste. Mora një diktafon panasonic me kasetë klasike, të tilla që përdoreshin për radio, kur era e avangardës frynte në Kosovë, pikërisht falë Musa Ramadanit dhe sivëllezërve të tij. E mbështolla me një letër dhe e vendosa mbi tavolinë, bash afër bllokut të tij përplot me vizatime. Dialogu vazhdoi si gjithmonë. Duke dashur që kjo ta ketë një rrjedhë nga fillimi, ndërhyja shpesh dhe sërish e ktheja në fillim të bisedës.
Atë natë biseda rrodhi deri te dashuria e parë. Pastaj, prapë ishte fragmentar, por pa e humbur fillin e bisedës, fliste për përvoja të ndryshme shkrimi e përshtypje leximi, për përvoja të ndryshme me miq, që nuk ishin më në këtë botë, e që kurrë nuk thoshte se kanë vdekur, por kanë ikur. Tani kisha një problem: ai vazhdimisht fliste për të tjerët, e shumë pak për veten. Në mënyrë që biseda të mos rrëshqiste tej e tutje, mendova që ta ndërroj strategjinë.
• • •
Ishte vjeshtë e vonë. Përveç familjes, askush nuk i gjendej pranë. Tashmë kishte ndërruar edhe vendbanimin. Takimet i bënim te Aroma 2, afër Teatrit Kombëtar të Kosovës. Për ta nxjerrë dhe sistemuar bisedën, u desh që vazhdimisht t’i vija kufjet. Duke qenë se ambienti ku zhvillohej biseda, nuk ishte i zgjedhur, po ishte ai i zakonshmi, ku pinte kafenë e përditshme, dilnin edhe pengesa të tjera. Në momente kur biseda ishte interesante, papritmas dëgjohej zëri i kamarierit dhe i ndonjë klienti që porosiste makiato pa shkumë. Pastaj, duke qenë se ishim në një lokal afër rruge, si p.sh. te Edi 2, ndodhte që fjalët e tij të mbuloheshin nga zhurma e ndonjë motoçiklete apo edhe mprehja e thikave të skarës, siç ndodhte te Aroma 2.
Ai, si gjithmonë, spontanisht dhe me thjeshtësi rrihte tema të mëdha e të vogla. Gjatë bisedave përpiqesha që ai ta nënkuptonte qëllimin tim, që ishte bërë obsesion për të pasqyruar botën shumëdimensionale të tij. Pasi i hodha një numër të konsiderueshëm faqesh në letër, vendosa t’i tregoja se bisedat po i regjistroja. Ai sikur e kishte kuptuar që, gjatë takimeve tona, unë po thellohesha në dialogun që bënim dhe ky dialog po zbardhte qëllimin e që do të gjente mirëkuptim për veprimin tim.
Dhe, miku im pranoi të vazhdonim dialogun, por vetëm me një kusht: Ai të jetë krejt spontan, jo i tipit: Çka mendoni? Si mendoni? Ashtu edhe u bë! Tash më duheshin edhe fakte të tjera, dosje, foto, dorëshkrime…
Erdhi edhe dita kur hyra në dhomën e tij personale. Në njërën pjesë, ku bënte gjumin kishte adaptuar shtratin së bashku me tavolinën plot libra, me një çengel përskaj, në të cilin varte mjetin, që pas operimit i ishte bërë si pjesë e trupit. Në tavolinë kishte libra rishtazi të botuara, revista, një cigare të trashë sa për ta hequr mallin e saj, fotografi dhe shënime për Kafka-n, disa blloqe të vogla me skica e vizatime të ndryshme, pusulla personale etj. Më ra në sy një skicë e shkruar në një pecetë dyfishe me titull: Dramë për Sadek Hedajatin. Një natë më parë kish nisur t’i shkruante edhe faqet e para të dramës Vallja Kobrës, ndërsa si nëntekste pune ia kish vënë dy nëntituj: groteskë dramatike dhe dramë groteske.
Në ballin tjetër të dhomës, në përfundim e sipër kishte një cikël pikturash homazh, që mbanin si nëntituj: Homazh për Beqir Musliun, Homazh për Teki Dervishin, Homazh për Hida Halimin dhe Homazh për veten. Duke qenë se pikturat i kishte kthyer kah lindja, dielli ua kishte marrë paksa ngjyrën, edhe pse disa herë i kishte rimbushur.
– Kjo është një luftë me diellin. Jam mësuar t’i rimbush me ngjyrë. Po kush mund ta luftojë diellin, tha ai.
Sapo nxori dosjet e dorëshkrimeve, letrat personale të miqve dhe të mikeshave, fotot e të dashurave, skicat dhe romanet në dorëshkrim, papritmas dikush trokiti në derë. Të gjitha i mblodhi shpejt e shpejt dhe bëri se po bënte një monolog për artin e të jetuarit. Kurrë nuk e kam parë të aktronte aq bukur! As në momente më të pëlqyeshme kur zhvillonim dialogun në fjalë.
• • •
Ky dialog nxjerr në pah avangardistin dhe avangardën letrare të viteve ’70-të, procesin e krijimit herë përmes thyerjeve të rregullave të zhanrit, e herë përmes reaksioneve gjatë shkrimit për të zbuluar mosmarrëveshjet në mes të krijuesve shqiptarë dhe atyre të huaj, të cilat shihen si shoqërime e afinitete letrare. Në këtë plan rezulton me prurjet e katër brezave letrarë të letërsisë shqipe, të cilët i kishin dhënë mision vetes: të linin gjurmë në të gjitha zhanret letrare. Misioni i tyre nuk nënkupton letërsinë misionare. Sidoqoftë, duhej të ndiqej një rrugë. Dhe rruga e një avangardisti, nuk ishte e lehtë. Kjo dëshmohet edhe nga rrëfimet e avangardistit tonë, pas të cilit vijnë libra, mëkate dhe neuroza, burimi i të cilave më shumë se letrar është jashtëletrar.
Ky dialog është njëkohësisht evokim dhe provokim, sidomos kur Ramadani rrëfen për peripecitë e botimeve, recensentët, redaktorët dhe censorët letrarë, për skenat dhe prapaskenat e njerëzve të letrave, të politikës dhe ndërhyrjet në botime. Në një kohë neurozash dhe mëkatesh, siç thotë edhe ai vetë, letërsinë e kishte strehë, lutje dhe shpëtim. Prandaj, rrëfimi për detajet e dorëshkrimeve, leximin dhe rileximin e tyre, për situatat, fenomenet psikologjike që ndodhnin gjatë dhe pas aktit të shkrimit, për personat realë dhe personazhet fiksionalë, dashuritë dhe përkushtimin ndaj tyre është më i ndjeshëm.
Ajo që e bën rrëfim tipik prej avangardisti është dialogu për skemat e shkrimit automatik, lëvizjet, ‘shkollat’ letrare e artistike, jo vetëm në letërsi, por edhe në muzikë, pikturë dhe teatër.
Modeli i tij prej avangardisti shpërfaqet edhe kur flet për romanin modern dhe modernizmin, për romanin me komponentë të avangardës, për modele të megaromaneve moderne dhe atyre postmoderne, që kanë bërë kthesë në letërsinë shqipe dhe atë botërore.
Prandaj, pas një përvoje të gjatë leximesh e krijimesh është e natyrshme që të ketë krijuar filozofinë autentike-personale, verrleizmin, që asocon me rrymat letrare franceze, sprovë kjo për një manifest letrar, estetik, intermedial. Verrleizmin e koncepton si proces, si shenjë, brenda të cilës ka shenjuesin dhe të shënjuarin, një filozofi që nis e mbaron te vetja. Musa Ramadani, hiç më pak nuk është njohës i teatrit, i kinemasë, i pikturës dhe i muzikës. Ai ka shkruar dhe inskenuar drama për teatër, ka shkruar për kinemanë, ka pikturuar, madje edhe ka kompozuar pjesë muzikore! Në këtë dialog, pa fije hezitimi rrëfen për lidhjet e tij me teatrin e kinemanë, për shfaqjet e hershme dhe censurën ndaj tyre, për shkrimet dhe interpretimet e para rreth shfaqjeve më të mira të viteve ’70-të e këndej. Mbi të gjitha, për rëniet dhe ngritjet e Teatrit të Kosovës. Ai nuk ndalet këtu, shpjegon lidhjet e letërsisë me filmin, duke zbërthyer ngadalë e bukur elementet filmike në një vepër letrare. Në të njëjtën kohë, ai pikturon me fjalë portretet e piktorëve të mëdhenj, si: Pablo Picasso, Jorge Break, Jackson Pollock, Ibrahim Kodra, Abedin Dino, Çatin Saraçi etj.
Shpesh retrorrëfimin e shoqëron një neurozë e madhe, e cila edhe e lindi librin poetik Neurosis, për pretendimin për t’u shndërruar në një tip të heroit sipas frymës së rock-ut me moton: Me vdekë i bukur dhe i ri. Prandaj, nuk është i rastit rrëfimi për muzikën dhe artin e kompozimit, për këngë dhe të papriturat e festivaleve të ndryshme, për shenjat mistike të muzikës dhe lidhjen e saj me arte të tjera, për kompozitorë dhe vepra të mëdha e miniatura, për Vangelis-in, Bach-un, Vivald-in dhe Adagio-n e Albinion-it, himnin e humbjes së tij…
Ky është dialogu i vërtetë me autorin. Dialogu me veprën ka kohë që ka marrë udhën e vet. Por, ky dialog mund të merret si plotësim i veprës së tij, e cila hapur e pret lexuesin e saj.
E pranoj, ky dialog më mirë do të ishte të botohej pas ikjes së tij, kërkesë kjo edhe e vetë Musa Ramadanit, por kisha para vetes dy arsye të mëdha: e para, ky libër botohet me rastin e 70-vjetorit të lindjes dhe, e dyta, botimi fashit paragjykimet e mundshme, që autori i këtyre radhëve mund “të ketë vënë dorë” në mendimin e bashkëbiseduesit të tij.
Krejt në fund të këtij fillimi, i bindem edhe më shumë fjalës së Borges-it se dialogu qenkësh një lloj letrar, një mënyrë e tërthortë të shkruari.
Dhe jo vetëm kaq, një konfesion i përjetshëm i autorit. Për këtë i jam mirënjohës mikut tim të shtrenjtë, shkrimtarit Musa Ramadani.
Prishtinë, shtator 2014