Ekspozita “Kujtesa e lëkurës” e artistit bashkëkohor shqiptar Oltsen Gripshi nuk është thjesht një shfaqje e veprave artistike, por një itinerar mes reales dhe imagjinares, një zhytje në shtresat e ndërgjegjes ku lëkura nuk është më vetëm sipërfaqe, por bëhet një terren i kujtesës, i vuajtjes, i identitetit dhe i rilindjes.
Ky rrugëtimi sa imagjinar aq edhe fizik real në brendësi të ekspozitës vetjake “Kujtesa e lëkurës” nis me video-artin “Ëndrra”, si një përjetim i dyzuar me reales dhe surreales në ndërthurjen e jetës së jetuar fizikisht dhe jetës së jetuar përmes vegimeve.
Rrugëtimi vijon me një tjetër video-art “Sipërfaqe pulsuese”, e cila vjen si fizionomia e një viti dramatik për shoqërinë shqiptare gjatë luftës civile në vitin 1997, ku një anije me 142 persona në bord mbytet në kanalin e Otrantos duke shkaktuar një ndër tragjeditë më të rënda të eksodit të shqiptarëve për të prekur ëndrrën perëndimore. Ndaj kjo video-art paraqet një krah të coptuar pa identitet, që lundron duke pulsuar mbi sipërfaqen e ujrave blu kobalt të detit Adriatik.
Rrëfimi pamor vijon me një tjetër video-art “Ekuacioni i gabuar”, e cila është e konceptuar në mënyrë të atillë për të dëshmuar se si dhe në çfarë peripecishë ka kaluar shoqëria shqiptare nga viti 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve deri në shpërbërjen e regjimit komunist në vitin 1990. Video zhvillohet në formën e një ekuacioni matematikor mbi portretin e vetë artistit Gripshi, ku mbi lëkurën e tij shkruhen me radhë emrat e diktatorëve komunistë duke filluar me Leninin, Stalinin, Mao Ce Dungun e deri te ai shqiptar Enver Hoxha dhe në fund ndonëse viti 1990 solli në dukje lirinë, ajo pas 35 vitesh sistem “demokatrik” rezultoi një dështim me ekuacionin e gabuar.
Video-arti “Tranzit” është pasqyra e qartë dhe në kundërshti të plotë me kontrollin diktatorial që shoqëria shqiptare përjetoi gjatë regjimit komunist. Kjo video dëshmon për jetën e jetuar lirshëm, ashtu siç personat ndjehen vërtetë pavarësisht se në cilin trup ata jetojnë… Video është dëshmi e fenomenologjisë bashkëkohore, duke i dhënë zë dhe vëmendje të gjithë atyre që jetojnë në një trup mashkullor, por në të vërtet ndjehen pjesë e gjinisë tjetër e kështu anasjelltë.
Cikli i video-arteve mbyllet me veprën e titulluar “Apokatastasi”, e cila rrëfen nëpërmjet portretit të Emily-t se si qeniea njerëzore në momente të caktuara bën një ndalesë për të rifulluar përsëri nga e para. Ndaj kjo video mbart një mesazh shumë të fortë se si një vajzë e vogël del nga balta e tokës dhe me thonj pastron lëkurën e turpit të saj për t’i mbijetuar fatit dhe për t’u riintergruar në rendin e bashkëkohësisë të së tashes në të cilën ajo jeton.

Pas videove artistike publikur tashmë “zhytet” në brendësi të një instalacioni monumental të titulluar “Post fata resugo”, të përbërë nga 100 konotiere të bardha si simbol i të gjithë atyre viktimave të regjimit komunist në Shqipëri të cilët u masakruan dhe u vranë pa patur asnjë faj, por thjesht se ishin kundër ideologjisë marksiste-leniniste të kohës. Zgjedhja e elementit të kanotieres është shumë kuptimplotë, sepse është ajo që ka kontaktin e drejtpërdrejt me lëkurën, me trupin e për rrjedhoj me shpirtin e viktimave të atij sisitemi utopik. Ekspozita do të ishte e zbrazët nëse veprat që e përbëjnë atë nuk do të ndërthureshin me artefaktet arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Sannio-s në Benevento të Italisë. Ndaj në instalacionin e radhës publiku do të shohë të ekspozuar një këmbë të vogël prej dylli të Shën Astit nga Durrësi, gjë, e cila ndërthur jo vetëm artefaktet arkeologjike nga antikiteti me “arkeologjinë bashkëkohor” falë një këmbe të realizuar sot në të tashmen tonë, por mbi të gjitha ky instalacion sjell në vëmendje identitetin dhe përkatësinë e vetë artistit nëpërmjet figurës së Shën Astit nga Durrësi, qyteti nga vjen edhe artisti Gripshi. Përpos këtyre elementeve instalacioni kërkon të ndërtoj një dialog mes publikut dhe veprës artistike, ku artisti herë e shpien syrin e publikut në brendësi të veprave monumentale dhe herë e afron shikimin e tyre për të parë në hollësi se nga se përbëhet zanafilla e jetës me njohjen e materies.
“Anatomia e orgazmës” është ajo vepër artistike dhe konceptuale, e cila e fton publikun të përsgjatet në dialogun njohës mes tij dhe veprave të artit të ekspozuara, pasi kjo vepër e paraqitur si një instalacion monumetal thellohet edhe më shumë në brendësi të qenies njerëzore, duke depërtuar lëkurën nën të për të zbuluar se si dhe nga se përbëhet qenia njerëzore?! Një pikpyetje ekzistenciale, e cila shpërfaqet nëpërmjet 100 imazheve që strukturojnë anatominë e motorit lëvizës të qenies njerëzore, orgazmës.
Pas një takimi aspak të zakontë me “anatominë e orgazmës”, publiku tashmë futet në një tjetër përjetim, në atë të instalacionit tjetër monumental të titulluar “Kujtesa e lëkurës”. Një instalacion i përbërë nga 10 imazhe të mëdha 3 x 2 m të cilat janë ekspozuar në mënyrë të çrregullt dhe spontane mbi tehun e ndriçimit përgjatë hapësirës së portikut të Muzeut Kombëtar të Sannio-s. Një instalacion që e fton publikun të hyj brenda tij, brenda imazheve të lëkurave të ndryshme që mbartin mbi siprëfaqen e tyre kujtesën e jetës së jetuar dhe të ndëveprojnë me to, aq sa befas bëhen pjesë përbërëse e vetë instalacionit.

Përjetimi i vërtetë brenda ndërgjegjes së publikut nxitet tek përballet me instalacionin e titulluar “Epistemotopografia ilire”, e cila risjell në vëmendje se si varroseshin mbretërit ilirë paraardhësit e shqiptarëve në antikitet, ku maska ishte kontakti i fundit me lëkurën e fytyrës së tyre dhe si e atillë ruante kujtesën e tyre përjetësisht në botën e të gjallëve. Maskat e ekspozuara në këtë ekspozitë janë realizuara me carta stagnola dhe rezinë të praruar në ar të cilat nuk janë vetëm një reflektim antropologjik, se sa një rikonceptim bashkëkohor i konceptit të përjetësisë përballë dhe në ndërvprim me artefaktet arkeologjike në të tashmen tonë në shekullin XXI.
Instalacioni i parafundit është i titulluar “Fosilet e jetës”, një krah e shkëputur nga një manekin i braktisur në rrugë. Një instalacion që përcjell një mesazh të fortë mbijetese përballë vrezhdësisë frenetike të jetës bashkëkohore, e cila ka nxjerr në pah fenomenin e vetmisë dhe të braktisjes. Në këtë këndvështrim krahu është simbolikë e qenies njerëzore, por njëkohësisht edhe e degradimit të tij, duke rënë në grackën e vetvrasjes nëpërmjet vetmisë.
Rrugëtimi dualist midis imagjinatës dhe reales përmbyllet me instalacioni e titulluar “Apokrifi mnemonik”, që nuk është gjë tjetër se sa paraqitja e një sutjene ngjyrë të mishtë, ku njëri kapak është normal ndërsa tjetri mbart gjurmën e një plage të qepur, të dukshme dhe të përgjakur. Konceptualisht, kjo vepër funksionon si një metaforë e fortë për gruan që përballet me kancerin e gjirit: një trup i ndarë mes së zakonshmes dhe traumës, mes feminilitetit të perceptuar dhe shenjës së pashlyeshme të sëmundjes. Sutjena si simbol i intimitetit dhe feminilitetit shndërrohet kësisoj në një kanavacë mbi të cilën vizualizohet dhimbja, stigmat dhe kujtesa e lëkurës. Në këtë mënyrë, artisti Gripshi artikulon tensionin mes brishtësisë trupor dhe forcës së mbijetesës, duke i dhënë zë përvojës së heshtur të shumë grave..
E gjithë ekspozita mbështetet në kujtesën e lëkurës, por falë kësaj qasjeje konceptuale artisti lundron në ujra të cilat bëjnë bashkë përjetime vetjake dhe mbresa nga kaluara historio-antropologjike, duke mos u ndalur vetëm tek lëkura si ekzistencë fizike se sa duke e hulumtuar atë si përmasë filozofike dhe konceptuale pëmes qasjes së tij si artist i artit bashkëkohor.