Nga Adrian Zalla
Romani ”Mos harro të më kujtosh”, i shkrimtarit Liridon Mulaj është një reflektim i vetë jetës, pothuaj i të gjithë cikleve të saj, mbushur me klishe, rënie në klishe dhe dalje nga ato, me shpërthime ngjarjesh befasuese, me marrje kthesash të papritura, me ngritje dhe rrëzime mitesh, me të vërteta e bestytni, i mbushur me gjithfarë ndikimesh popullore dhe elitare, si vetë jeta e cilitdo prej nesh, lexojmë e marrim leksione nga Frojdi dhe në darkë dëgjojmë përrallat e legjendat e gjysheve që mbase as të lexojnë nuk dinë…
Tadori është personazhi kryesor dhe zëri rrëfyes i romanit “Mos harro të më kujtosh”. Por kush është Tadori? Tadori jemi të gjithë ne, njerëz të vegjël dhe të pazë siç edhe ai thotë në historinë e tij, Tadori është tranzicioni 31 vjeçar të cilit nuk po i duket fundi asgjëkundi, Tadori janë plagët e popullit tonë të thjeshtë e punëtor, Tadori është mish për top, krahëprerë për të fluturuar, Tadori jemi unë, ti, ai, ajo të gjithë ne që biem nga shiu në breshër dhe aty nuk është askush për të na ardhur në ndihmë, jemi të vetëm në një dhomë të mbushur me errësirë dhe të rrahur nga sistemi. Tadori na tregon sesi jemi trajtuar dhe vazhdojmë të trajtohemi, Tadori është zëri i vuajtjes, i ndërgjegjjes që na kërkon me klithmë të rishkojmë të tashmen dhe rishkruajmë e jetojmë më mirë të ardhmen…
Autori ka guxuar me shkrimin e këtij romani të sjellë të paktën në tre rrafshe kryesore, në rrafshin e një analize panoramike sepse praktikisht romani është pasqyrë e një realiteti prej të paktën tri dekadash, ku depresioni kolektiv, histeria kolektive, si dhe uniformiteti, pra mungesa e individualizmit janë krejt normale në këtë shoqëri pa kurrfarë ekuilibrash por në kërkim të tyre, edhe pse nuk dinë nga t’ia nisin…
Plani i dytë është rrafshi i aktualizimit, mbushur me detaje prej tri dekadash, por edhe me detaje të viteve të fundit. Në historinë e Tadorit ende po luftohet për mbrojtjen e teatrit, por tanimë ne qeniet reale, pa asnjë ndryshim me qeniet në botën e Tadorit, e dimë si përfundoi historia e teatrit. Ai e mbush hapësirën e përshkrimit me plot detaje reale të artitekturës së kryeqytetit tonë por edhe me detaje të jetës politike, sociale e kulturore, por duke shfaqur një vërtetësi të plotë të përzier me një lloj cinizmi natyral, të cilit personazhi ynë nuk ia njeh fillin…por ia mëson atë kur rrihet, shkelmohet gjakoset e prek fundin vetëm sepse kishte thënë të vërtetën.
Autori ka rrezikuar shumë me paraqitjen e realitetit gati siç është por e shpëton me rendin e ngjarjeve, të kapitujve, të rendit të emocioneve, me zgjimin dhe vrasjen e shpresës, me kthesat që i jep, të cilat nuk mund ti parashikosh dot në kohë duke bërë një punë shumë cilësore dhe një roman dëshmitar i dekadave që lamë pas në kohë por që po i rijetojmë sërish në ditët e sotme…se jemi plakur por a jemi maturuar, a kemi ndryshuar, mund të pyeste Tadori.
Rrafshi i tretë që na paraqitet në roman është ai fiksional, sërish i përzier me grimca nga bota reale. Tadori është një djalë i ri me dëshira vetëvrasjeje, i cili përcaktohet nga ngjarjet që i ndodhin. Pas dështimit për të emigruar, vdekjes së nënës së tij, braktisjes nga e dashura, moslindjen e Ninos, lindjes së sëmundjes së mushkërive, trashëgimit të varfërisë drobitëse Tadorit i ngelet shumë pak për të jetuar edhe pse është në një konstante dorëzimi dhe mosdorëzimi gjatë gjithë romanit. Por ku është fiksionaliteti në këtë roman që na zbulon edhe rrafshin e tretë të romanit.
Humbja e njerëzve vjen si reminishencë e humbjes së kohës; mungesa e dashurisë kalon në fajësim dhe transferim faji, madje mund të shkojë deri në urrejtje, gjë që na shfaqet në kapitullin e parafundit, njehsimi i botës tonë me ferrin, i abortit me vrasjen, i braktisjes me harresën, i të vërtetës me absurden, dhe të drejtës me dënimin e padrejtë; përshkrimi i shokëve dhe shoqeve të klasës na vjen si humor grotesk prej sinqeritetit të zhveshur dhe tepruar njëherazi, biseda me lypsin të cilat mund të jenë të frymëzuara nga Avniu i Elbasanit/filozofi i rrugës (njeri real) por që vijnë tërësisht në formën e ficton-it.
Nënvizimin e rëndësisë së fatit, ngritjen e mitit dhe thyerjen e tij në kaptullin: “Letër e munguar për Ninon”, ëngjëlli kthehet në vrasëse, trajtimi i abortit si vrasje e mundësisë së vetme për të superuar apo nisur një të ardhme të re mbushur me dashuri e shpresë; moslindja e Ninos i merr Tadorit të vetmen mundësi për të zëvendësuar, për të shlyer gjithçka nuk iu dhurua atij, marrëdhënia me Tason, Donaldin, ëndrrat dhe makthet, marrëzinë për t’i gjetur shpjegim çdo fenomeni; gjuha e bukur, e pasur, e kuruar që ndryshon nga standardi në zhargon dhe anasjelltas i japin masën e duhur të fiksonalitetit dhe e bëjnë veprën letërsi të mirëfilltë.
Taso dhe Tadori vallë një dyshe klasike? Nuk di ta them me siguri, por di të them që Taso mund të jetë prindërit tanë, gjyshërit tanë, i mbushur me përvojë jete dhe i ngopur me zhgënjime vjen si pragmatist me përgjigjie të shkurtëra, të pa argumentuara por absoulute; i ka sosur durimi për t’i rënë gjatë dhe i bie shkurt ndryshe nga Tadori që rreket të gjejë një arsye për gjithçka, për të shpjeguar çfarë i vjen në kokë, dhe në gjueti, për të gjetur të mirën ose për ta kthyer atë sadopak në jetën e tij por edhe në botën jashtë tij…
Romani është i mbushur me projeksione, përngjasmime dhe një thirrje për kujtesë. Për pasojë Tadorit i ngjan vetja me Tason por e projekton, ose thënë ndryshe, veten e sheh dhe e gjen te Donaldi. Për të Donaldi është e ardhmja, si dhe mundësia për të jetuar jetën që nuk mundi të jetonte vetë. Romani është thirrje për kujtesë siç edhe nënvizova më sipër, nisur kjo dhe nga fjalët që nëna i thotë në shtratin e vdekjes: “Tador mos më harro. Harresa e fshin njeriun përfundimisht, jo vdekja”, deri në një tjetër moment sublim në të cilin kemi të bëjmë me një lloj trashendence, kapërcimi, tejkalimi, trashëgimie ku Tadori i kërkon Donaldit ti premtojë se nuk do ta harrojë asnjëherë dhe, ky është një çast ku lind një vëllazëri “gjaku”, ku të dy premtojnë që nuk do ta harrojnë asnjëherë tjetrin.
Dikotomia harresë-kujtesë e ndërtuar tanimë prej shekujsh është shtylla kurrizore me të cilën nis dhe përfundon romani. Për Tadorin braktisja, vetmia, vdekja dhe gjithçka e rëndë apo e konsideruar e ligë duhet t’i përkasë harresës dhe duke qenë se ka jetuar gjithë jetën mbi binarë të ndërtuar mbi këto ndjenja apo ngjarje, i tmerrohet atyre; ndërsa kujtesa për të është dritë, dashuri, përkujdesje, amshim është nëna e të mirave mbi këtë tokë, ai nuk e përcakton dot kujtesën ashtu siç përkufizon harresën me fjalët: “ Harresa është përbindëshi që e vret njeriun”, sepse kujtesa për të është ndjenjë e fortë e cila për bazë ka dashurinë dhe ka shumë gjëra të cilat nuk kanë dhe nuk kërkojnë shpjegim…
Romani “Mos harro të më kujtosh”, vjen si një thirrje e fortë ekzistenciale më së pari, një thirrje e fortë për dashuri, kujtesë dhe ndryshim. Një thirrje e fortë që kërkon shlyerje e drejtësi për mëkatet dhe krimet e të shkuarës, që kërkon kujtesë dhe vlerësim për rrënjët nga vijmë, që kërkon triumf të së mirës mbi të keqen, që kërkon mundësi për të ndryshuar fatet njerëzore, që kërkon falje dhe përgjegjësi nga ata që kanë shkaktuar çdo gjë në këtë vendin tonë të vogël; kërkon një dorë ku të kapet, kërkon një fije përkujdesje dhe mbështetje, si dhe të dijë që nuk është vetëm…
Romani “Mos harro të më kujtosh” është një thirrje e fortë dashurie, kujtese dhe nisje për ndryshimin, së pari në vetën e parë njëjës e më pas në vetën e parë shumës. Tadori kërkon ndryshimin e shoqërisë, kërkon një shoqëri ku jeta të jetë e vërteta dhe shpëtimi dhe jo e kundërta.